Albspirit

Media/News/Publishing

Megi Mëhilli: Lamtumirë gjyshi im, Besim Zekthi!

 

Me hidhërim të thellë më duhet t’ju njoftoj për ndarjen nga jeta të artistit Besim Zekthi, gjyshit tim.

Ai do të jetë gjithnjë në zemrën e gruas së tij që i shërbeu deri çastin e fundit, të tre vajzave të tij, nipërve e mbesave dhe stërnipit të tij që të gjithë e shikonin me dashuri e adhurim. Fjalët janë të tepërta për një artist si Besimi, që gjithë jetën, mundin e djersën ja kushtoi këtij vendi dhe punoi që me artin e tij ta ngrinte Shqipërinë në sytë e një bote të tërë. Fatkeqësisht, edhe vitet e fundit të jetës i kaloi duke kërkuar mirënjohjen e vlerësimet që meritonte por Shqipëria e la në harresë e asnjëherë nuk ia dha. Por shpirtin e kishte të mbushur nga njerëzit e tij të afërt dhe aty ai do të vazhdojë të jetojë, gjithmonë i dashur dhe i butë edhe pse me pamje kolosi të pamposhtur, gjyshi im, artisti i merituar dhe Nderi i Kombit, por mbi të gjitha krenaria jonë, Besim Zekthi. Do të na mungosh shumë, u prehsh në paqe!

 

Kush ishte Besim Zekthi?

Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tirane, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970. Vallja popullore si traditë dhe vlerë kombëtare shqiptare, nuk mund të kuptohet pa përfaqësuesin e saj më të spikatur, Besim Zekthi.

———

Mesazhi i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor

LAMTUMIRË BESIM ZEKTHI – “NDERI I KOMBIT”

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit të valles popullore mbarëshqiptare, “Nderi i Kombit” – Besim Zekthi. Artisti humbi betejën me një sëmundje të rëndë, në moshën 84 vjeçare, në shtëpinë e tij në Tiranë, rreth një orë më parë. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij mjeshtrin e valles shqiptare, të pazëvendsueshmin, Besim Zekthi.

 

Please follow and like us: