Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Fitore e madhe kjo me llallipop

 VIDEO/ Test Covidi me lëpirëse, Musa Ulqini bie në kurthin e ...

 

 

Eshtë bërë virale në internet një video me llallipop me deputetin e Tiranës Musa Ulqini. Ndofta një nga të paktët socialistë që sigurisht ekipi i mjaftistëve a nëntëdhjetë e nënçave e kanë si garniturë për t’u dukur edhe ca të majtë.

Se rrezik Musai do jetë akoma me një apartament modest, a nga ata që beson akoma tek shkollat shqiptare, tek çfarë ka arritur deri më sot populli ynë. Se historia jonë nuk është vetëm Enver Hoxha, nuk është vetëm Mehmet Shehu a Beqir Balluku, intrigat e të cilëve i publikoni me qejf sikur të keni zbuluar Amerikën. Nuk është vetëm Tak Ngjela që i di të gjitha. Ka me shumicë heronj të heshtur ose të humbur me një pension që nuk u mjafton as për hapjet e kokës.

Në fakt koha vërtetoi se nocioni politik u kthye në një mjet post komunist, e tipit trockist pasi si njëra dhe tjetra palë nuk janë as të majtë e as të djathtë. Por ky mjet dominon me fuqi të tmerrshme sytë tuaj, veshët, gojën. Dominon duke ju kthyer në gagarela me kokën sa majtas e djathtas, në ca skuadrilje si ato që marshonin bulevardeve të socializmit me gjoja hekur e beton. Madje politikat më sociale i ka bërë e djathta e Berishës se sa e majta që sot është e gjitha një brutalitet taksimi dhe vetoja e Unit. Një Musa Ulqini nuk ka të bëj kurrfarë me skandalin e vjedhjes së votës në zgjedhjet e 2017-tës, me Damo Tërmetin e kompani. Me çibanët e tipit Taulant Balla, që u thotë me mburrje se ka mik shtëpie iks kapo bande. E të merresh me ‘të, të fusësh në kurthin e kamerave një si ai, nuk është fitore karshi shifrave galopante të borxhit publik, papunësisë, krizën politikë gjithë shqiptare, Prishtinën që qeveriset me 23% të votave kombëtare etj. Nuk ka të bëj aspak me kungujt e kapur gafil nga drejtësia në kryeqytetet e Europës, ata që kandiduan në zgjedhje lokale dhe fituan. Çfarë keni me Musain, bukë me dhallë po ha. Të merresh me Musa Ulqinin i shkund vetëm pluhurin pisllëqeve të mjaftistëve, madje i bëni nder rilindjes që gjoja fitoi me 1 milion vota. Dhe që sot ju dërrmon me propagandën e televizione a gazetave që dje ishin makineria e Berishës. Musai është paraleli i atij demokratit që ka gjithë jetën që duartrokiti Berishën e Fahriun, tani do duartrokasi Lulin e të birin e Fahriut. Ai demokrati i urtë që gjithë jetën hapi rrugën, deri me bindje se ekziston meritokracia dhe jo gara. Ajo meritokracia që një socialist i vjetër e quajti edhe si shkërdhatokraci. Musait sikur një maune me lekë t’i japësh pakot e para do ja japi atij demokratit bashkëvuajtës. Atij që rri në radhë dhe duke gjakosur duart shikon Rudinën se si ngjitet, një show girl që dje për shkak të shkërdhatokracisë futet në lista pa garë. Dhe sot ka një suport televiziv publik nga televizionet e Ramës, ambasadat, paçka se mamaja i rezultoi pronare e 13 apartamenteve bash në Tiranën ose Kandaharin e Ballkanit Perëndimor. Përpos kësaj ish televizionet a gazetat e Berishës dje, sot të Ramës, publikojnë me tallje listat e Bashës. Kur ata gjoja të djathtët tallen me një llallipop Musai, këta gjoja të majtët (ish Berishët) nxjerrin listat e Bashës. Dhe ata që duartrokasin bëjnë zhurmë, avazin, nuk e kuptuan asnjëherë se nuk pati kurrë këto 30 vjetë demokraci, asnjë kryetar partie, asnjë kryeministër, asnjë qeveri, sikur njëra…, të kishte a të ketë frikë nga populli, asnjë. Por vetëm popullit që i shkon nëpër shalë, populli mbeti me brekë në duar.

Please follow and like us: