Eden Babani: Protesila Shpirtmadhi
Protesila Shpirtmadhi 1
I
1
Lundrat e lehta i afrohen Trojës.
Pas, horizonti nxin.
Koha nxiton t’i ikë kohës,
vala dot valën s’e arrin.
Siç i nget era retë e zemëruara
dhe herë i mbledh e herë i arratis,
ashtu vrulle mendimesh vrunduj-vrunduj
pas lundrave zvarriten
të rënda, të ngarkuara, të zeza pis.
2
Në tempuj heshtja u ndeh si tis i lehtë.
Orakujt u qetësuan.
Ndërsa ende në mure të tymosur
ndihet aroma e mëzetërve të pjekur
që zotëve kurbane ua taksën falltarë të trullosur,
thashethemnaja si ortek
botën e ëndrrave gropos.
Një tjetër botë të trazuar,
mbarsur me ndjenja ndjellakeqe,
mbi lundra zulmëtare dhe mbi pullaze të trishtuar
e shpalos.
Zëdhënësit orakuj
së fundmi kanë shpallur vendimin e Olimpit:
Të parit ndër ata që do të turret për në Trojë,
një heshtë, a shpatë, a kushedi se çfarë
pa një, pa dy,
jetën do t’ia shkurtojë…
3
Reja e rëndë
ngadalë po zbret mbi lundra.
Vellon e saj të dendur
mbi gjindtë e kredhur në vetvete po e ndeh,
mbi ata gjind të shkrehur, të përgjumur, të sfilitur
nga lodhja që sjell rruga.
Prani e saj e zezë
përmbi atë shqetësim tinëzar
trazirën e mendimeve turbullon.
Aty i ndjek, në qindra grimca i grimcon,
aty sërish në një të vetme i bashkon.
4
Në atë dialog të gjatë
që orakujt këmbyen me Olimpin,
të ketë pasur vallë edhe debat?
Apo vendimi qe i prerë?
Cili nga vdekatarët
në listë të ish vënë?
E patën ditur vallë edhe falltarët
apo secilit vdekatar
në dorë zgjedhja i qe lënë?
5
Kancelaritë heshtin.
Sekreti është i madh,
thashethemnaja fryhet, fryhet…
E pritshmja,
posi kalliri i pjekur në qershor,
shkërmoqet sa ta prekësh.
Në shpirtra s’ mbetet tjetër
veç zbrazësi e ankth…
Po fundja luftë do të jetë,
zezonë gjithandej.
Pse pra çdokujt që do përleshet në betejë,
pjesën e vet të vdekjes, atë çka i takon,
në qafë mos ia ketë varur fati,
si nëna foshnjës i var një medaljon?
II
1
S’ di ç’ ditë e javës ka pas qenë,
– e enjte, e diel a e hënë, –
kur more turrin për në Trojë.
Por mund të ishte dhe e martë,
madje dhe data dhjetë,
e muaji korrik,
e moti mjaft i nxehtë…
Çdo shekull mund të kish qëlluar,
Madje dhe i njëzeti.
Çdo vit i këtij shekulli.
Pse jo i nëntëdhjeti? 2
Pse jo nëntë e nëntorit 3
a ditë e ftohtë shkurti, 4
tek hiqej zvarrë në Tiranë
statuja e diktatorit?…
2
Pafund ranishta
u hap përpara teje gjerë e gjatë.
E lagësht ish
e trupi ndoshta t’u përqeth.
Por mund të kishe shkelur edhe përmbi asfalt të thatë,
edhe një mur me kangjella të kapërceje,
siç kapërceve ndoshta ndonjë ledh 5.
3
Diçka çeliku a tunxhi mes përmes ta preu jetën
dhe re pa frymë nën britma e potere lufte.
Kjo ish dëshirë e zotave.
Porse dëshira e tyre s’ njeh kufi…
Për ty ata një tjetër vdekje mund të kishin taksur,
tjetër skenar,
madje tjetër regji…
Jo mbi ranishtën e bregdetit,
ku kreshta e dallgës zbardhëllon nga shkuma,
por mbi një shesh përpara Komitetit 6,
me zgavra plagësh prapa shpine,
hapur për lemeri nga ca tinëzarë plumba…
III
1
Pas detit me tallaze
që tund e tollovit,
kur Poseidoni i ndezur
çdo gjë do të gëlltitë,
ç’ ndjeve kur shkele tokën,
atë taban të ngjeshur?
Kur pe përpara Trojën,
ç’ ta bëri zemrën hekur?
Si vallë t’u ndez flaka
për nën parzmor-çelikun?
Mos t’u kujtua Fylaka
kur pe përballë armikun?
Fylaka ishte larg,
ju ndante deti i gjerë.
Vegimet fare pranë,
ju lidhnin tokë e rërë.
Matanë, përtej detit,
braktise Laodamën 7.
E dije vallë ç’ bënte
që të shteronte amën?
Gdhendte e gdhendte,
teksa priste mandatën,
veç që të shtynte ditën,
veç që të shtynte natën.
I theu pastaj të gjitha
se s’ gjeti ngushëllim
dhe kur mësoi mandatën
u ngjit në amshim.
Pa mbetët ti në Trojë,
ajo në Thesali.
Të dy, si dy fosile,
ju mbajti dheu në gji,
që kohët t’ ju rimerrnin,
t ’ju shihnin dielli e hëna,
që t’ ju kujtonte bota
në mite, në gojëdhëna.
Gojëdhëna të shtegtonte
mbi male e mbi dete.
E kishte taksur Troja
refren për kontinente.
Dhe prapë ju pa bota,
dhjetori e korriku,
dhe Shkodra, dhe Kavaja,
më parë Kaçaniku.
IV
1
Po shpopullohen kreshtat e Olimpit.
Zotat e panë të udhës t’i lënë majat mjegullore,
të bien poshtë për fushore.
Tashmë planeti nuk është aq i madh
sa të mos shihet përmes shtëllungave të mjegullës.
Pse pra më pranë vdekatarëve të mos jenë
dhe shëmbëlltyrë më njerëzore të mos kenë?…
2
Tashmë edhe mbi tempujt hijerëndë
koha po hedh trishtimin e harresës.
Sikundër ujërat varen tatëpjetë
duke braktisur majat me dëborë,
– që rrjedha e tyre më e qetë
të jetë poshtë, për fushore –
ashtu orakujt po braktisin prore
tempujt e zymtë.
Nuk ka përse t’u truajnë më zotëve kurbane
e përmes tymit kundërmues me ta të kuvendojnë.
Dëshira e zotave sakaq sot fluturon
me një teleks, një faks ose një telefon…
3
…Por le të mblidhen gjithë orakujt bashkë,
të rinj edhe të lashtë,
të shtiren e të çirren,
të gjithë le të flasin me një gojë,
të thonë e të stërthonë,
ç’të duan le të parashikojnë…
Mbi këtë truall të vogël e të madh,
pëllëmbë për pëllëmbë
ke shkelur e do shkelësh ti,
Protesila Shpirtmadh,
Gjithmonë.
Gjithmonë…
Tiranë, 1990 – 1991
_____________________________________
1) Sipas mitologjisë greke, Protesilau nga Fylaka ishte udhëheqësi i fiseve të Thesalisë në Luftën e Trojës. Gjithnjë sipas mitologjisë, orakulli kishte parashikuar se ai që do të shkelte i pari në tokën trojane, do të vritej. I ndërgjegjshëm për vdekjen e sigurtë, Protesilau zbriti i pari nga anijet dhe u vra sakaq.
2) Më 10 korrik 1990, si pasojë e ngjarjeve që po ndodhnin në Kavajë qysh nga marsi i atij viti, u vra Josif Buda, Dëshmor i Demokracisë.
3) Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 i hapi rrugë shthurjes së sistemeve komuniste në Europën Lindore.
4) Më 20 shkurt 1991, populli i Tiranës rrëzoi shtatoren e Enver Hoxhës.
5) Më 2 korrik 1990, populli vërshoi drejt dyerve, kangjellave dhe mureve të ambasadave në Tiranë.
6) Më 2 prill 1991, teksa zhvillohej një protestë përpara Komitetit të Partisë në Shkodër, u vranë pas krahësh Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka e Nazmi Kryeziu. Urdhërdhënësi, nuk është dënuar sot e kësaj dite. Përkundrazi…
7) Laodame, e cila përmendej për bukurinë e saj të rrallë, ishte gruaja e Protesilaut. Sipas mitologjisë, e shtynte kohën duke gdhendur portretin e të shoqit. Sapo mori lajmin për vdekjen e Protesilaut, i theu të gjitha dhe, në kulmin e dëshpërimit, i dha fund jetës.