Albspirit

Media/News/Publishing

Ardi Omeri: Për çfarë duhet të jemi krenarë?

 

Hasani është emigrant prej 30 vjetësh në Rotterdam. Ka punuar në një fabrikë prej 20 vitesh. Dikur ka qenë i martuar, por është divorcuar dhe tashmë jeton vetëm. Por Hasani ka një problem. Është i sëmurë me diabet të tipit I dhe është operuar nga prostata. U bë shumë kohë që bashkëjeton me tubat e urinës ngjitur në njërën këmbë.

Hasanit i është mërzitur jeta. Rutina e përditshme pa asnjë gëzim, pa asnjë argëtim në Hollandën e bukur plot parqe, plot muze, biblioteka, kinema, lokale dite dhe nate. Hasani nuk mund të gëzojë asgjë nga këto. Ai lëviz me një “Scooter” invalidësh, model i fundit, që ja ka blerë sherbimi social. Atij i është mërzitur jeta por “atyre”, shtetit jo. Ata i shërbejnë Hasanit dhe e mbajnë në jetë edhe pse kjo i kushtosh shumë.

Le të shikojmë pak, me plus minuse të vogla sa i kushton Hasani pensionist, invalid, shtetit të Holandës?

Hasani merr një pension social prej 1250 euro në muaj. Jeton në një banesë sociale shumë komode në një rezidencë në mes të gjelberimit.

Paguan për banesën 700 euro, nga të cilat 450 euro ja subcencionon shteti. Ka një kartë abonimi për tram, autobus dhe metro, e cila, po ta përdorë një person normal minimalisht do t’i kushtonte jo më pak se 5 euro dita.

Në shtëpinë e Hasanit vijnë çdo ditë, pesë herë në ditë për t’i matur diabetin, për t’i bërë insulinat, ndërruar, larë e shplarë, gra të shërbimit social. Janë 6 gra që vijnë secila në orare të ndryshme(të koordinuara). Po të llogarisim një rrogë normale në Hollandë, 2500 euro+siguracionet po aq, del që shërbimi social paguan 30.000 euro në muaj për t’i shërbyer Hasanit. Dy herë në javë, për një orë e gjysëm, vjen një studente që bën pastrimin e shtëpisë dhe ajo paguhet 13.5 euro ora. Pra studentja merr diku te 150 euro në muaj, bashkë me koston e lëvizjes së saj nga shtëpia në shtëpi të pensionistëve, e cila ju paguhet. Dy herë në javë vjen një tjetër grua që e lan në dush. Edhe kjo paguhet po nga shërbimi social. Një herë në javë vjen një tjetër që i bie ushqime, në të cilat ka dy pako të mëdha me ushqime të freskëta dhe të paketuara për një javë.

Një herë në dy javë një grua i sjell pakot me ilaçe. Çdo gjë gratis. Që nga ilaçet e diabetit, të prostatës dhe tuba e qeska urine, plus panolinë dhe veshmbathje. Hasani nuk paguan edhe nëse ka për të bërë analiza, eco e scaner në spital apo qendra shëndetësore, të programuara. Janë gratis të subvencionuara nga shërbimi social ku punojnë njerëz profesionistë, jo militantë partië.

Sa pensionistë e invalidë ka të tillë në Hollandë?

Nuk e di, por shoh në rrugë plot persona që lëvizin me karroca elektrike që Hasani me humor i quan Scooter.

Në Shqipëri nëna ime që ka punuar 36 vjet, është invalide pune dhe pensioniste e merr 170+30 mijë lekë të vjetra që bëjnë 160 euro. Kaq, asnjë shërbim, asnjë ndihmë tjetër. Edhe infermierin për të bërë gjilpërat e kemi siguruar vetë. Ilaçet një pjesë me rimbursim (ato që sbëjnë asnjë efekt) dhe pjesa tjetër me pagesë. Check-in është parcial dhe nuk i shërben askujt përveç se kompanisë që regjistron emrat për të vjelur paratë e taksave, kontributorëve. Analizat në spital apo ambulatore shtetërore dalin gjithnjë mirë dhe sapo i ben tek privati dalin problemet e vërteta shëndetësore. Në shtëpinë që jeton nëna ime vjen fatura e ujit 15 mijë në muaj edhe pse ajo jeton e vetme dhe merr ujë për t’u larë, jo të pijshëm, me pompë gjysëm ore në ditë. Paguan taksa plehrash, për kazanë që janë 500 metra larg shtëpisë dhe ajo duhet të bëjë sllallom mes makinash që parkohen abuzivisht nëpër troturare para gjykatës. Paguan taksë ndriçimi që shërben gjoja për të ndriçuar rrugën, paguan taksë gjelbërimi që vetëm bashkia di ku e ka sepse në qytet nuk ka gjelbërim. Paguan taksa vendore dhe shtetërore, por këto taksa nuk i përkthehen në shërbime.

Im atë vdiq 52 vjeç, kish punuar 38 vjet në fllotën tregtare dhe nuk e gëzoi pensionin. Im vëlla, kish punuar 5 vjet në hekurudhën shqiptare, vdiq në emigracion 30 vjeç, nuk e gëzoi pensionin. Unë, edhe pse jam i sëmurë, invalid civil dhe punë në Itali, në Shqipëri nuk marr asnjë pension dhe ndihmë.

Më thoni ju tani, për çfarë duhet ta duam këtë shtet? Për çfarë duhet të jemi krenarë?

Please follow and like us: