Ilir Levonja: Realitete shqiptare pa censurë
Turp kombëtar në Prishtinë
Sipas njoftimeve më të fundit, numri i të prekurve në Prishtinë është duke u rritur. Afërmendsh edhe në shumë vende të botës. Kriza e madhe globale e Covid 19 ka mbyllur plot biznese, në shume vende me urdhër dhe në disa të tjera me karakteristikën e qytetarit, familje të tëra janë ngujuar brenda.
Eshtë koha më dhimbshme ku dikund me lot e dikund me barcaleta njerëzimi po shtyn ditët duke lënë mënjanë plot mëri. Mirëpo bash në Prishtinë, nuk po ndodh kështu. Jo qytetarët, pasi ata janë baraz europianë. Tek ndiqja herët sot në mëngjes një nga televizionet e saj, pra të Prishtinës, vura re se çdo qytetar qe shumë i ndërgjegjshëm, ruhej distanca, me maska, madje dhe shërbimet i kryenin me nxitim. Mirëpo kur shikon këto seanca të tej zgjatura parlamentare në kuvendin e Kosovës, ndjen një neveri totale për faktorin politik.
Kjo ka domethënien se sa të rrezikuara janë shoqëritë tona kur kanë në krye një faktor të tillë politik. Me të drejtë sot në mëngjes pyetjes së gazetarit se çfarë mendonin për këtë mocion mosbesimi, për këtë seancën e sotshme, shumë prej tyre kishin vetëm një fjalë, marre. Po e tillë është një turp kombëtar. Qoftë edhe për teknicizëm pasi gjithë bota sot po ulëret se nëse e nuk do veten, të paktën mos më vrit mua. Për këtë arsye bizneset e shërbimeve më të domosdoshme si ushqimet ku përfshihen edhe letra a bidonat e klorit, kanë pranuar kokëulur masat e rrepta edhe pse mund të të duken diku vulgare, raciste, apo dasuese. Përshëmbull këtu tek unë për të moshuarit ka një orar të herët si 7 e mëngjesit deri në 8. Dyshemetë janë plot kryqe blu për të lënë të kuptosh distancën që duhet të mbash. Ka edhe njoftime në derë kryesore e kudo mbi sasinë e lejuar të artikujve. Por ka edhe njerëz që të shërbejnë me dizifektues në duar. Nga ana tjetër të gjithë qytetarët i kryejnë ritet pa asnjë shkëmbim fjalësh, në heshtje ku nuk është e vështirë të kuptosh se sa të rrezikuar jemi nga njëri-tjetri dhe për njëri-tjetrin. Mirëpo në Prishtinë janë mbledhur më shumë se numri i domosdoshëm i karantimit duke harruar një fakt thelbësor, atë që së fundi u vërtetua botërisht se vatra e pandemisë për Italinë dhe Spanjën qe një ndeshje futbolli. Ajo e 19 shkurtit 2020 mes Atalantës dhe Valencias, pasi jo më pas se dy a tre ditë numri i të infektuar po merrte përmasa galoponte. Megjithatë përpos këtyre fakte dhe realiteti, ky mocion nuk ka as moral si civil ashtu dhe politik. Të kërkosh shkarkimin e kryeministrit përse heq një ministër bash pa mbushur as dy muaj qeverisje, kur je dhe vetë pjesë e koalicionit, janë me plot gojën teka të ulta për interesa personale. Apo gërrvërre katunarësh që nuk duan ta kuptojnë dhe nuk kanë për ta kuptuar kurrë një shoqëri që u ka dhënë shancin të drejtojnë. Sot kuvendi i Kosovës duhet të diskutonte se si t’i bashkangjitej botës në luftën kundër murtajës me qëllim që Prishtina a qytete të tjera të mos bëheshin një Italia, një Spanjë a një Kinë. Se si të organizoheshin për t’i ardhur në ndihmë atyre që nuk kanë asnjë të ardhur, të moshuarve të vetmuar, se si të ndihmojnë ata që mbesin pa punë, se si bizneset të mëdha e të vegjël mund të suportojnë punonjësit e tyre? Se si dikastaret të shkundin pluhurat, buxhetin… se, problemi nuk është vetëm ai që nuk ka, problemet janë mijra. Mendoni kredimarrësit, vonesat në pagesën e këstit, a mos pasja për ta paguar nga që del i pa punë etj. Të mendonin për një institucion karantinë që mos të nxirrnin jashtë të sëmurët nga pavionet e tjera. Të mos hapin dyert e burgjeve nga që nuk e kanë idenë se çfarë mund të bëjnë në kësi rastesh. Të mendojnë dhe diskutojnë për mjekët, infermierët, sanitaret dhe punonjësit e tjerë që do duhen të t’i shkojnë vdekjes në derë me ndërgjegjen profesionale. Por nuk e bëjnë. Dhe ky është me të vërtetë një turp kombëtar. E për më tepër nga një forcë politike e koaliduar nga një shenjt i madh si Ibrahim Rrugova.
25 mars 2020
Për ata 30 mjekët
Nëse 30 persona me titullin e mjekut u nisën të ndihmojnë Italinë, së pari ky është një xhest i lartë i atyre vet. Se shoh që plot qytetarë shqiptarë postojnë statutet e Edi Ramës në shenjë miqësie me Italinë. Dhe u duket si gjë e jashtëzakonshme e parë po me sytë me Ramës. Unë dua ta besoj se është një vullnet i lirë i tyre se ndryshe po t’i referohesha Ramës, do thosha që ata kanë shkuar me urdhër, por nuk e besoj. Nuk e besoj pasi e di që vendi im është viktima më flagrante e propagandës shtetërorë, jo vetëm e këtij të tanishmit, por çfarë ka historia e qeverive. Koha ju ka dhënë mundësinë të keni një ballkon nga ku ju mund të tregoni vetveten, ky është interneti ndaj bëjeni. Bëjeni me zërin tuaj se momentalisht po vërtetohet që popujt janë viktimë e bujshme e strategjive shtetërore. Dhe thuajse në ato me lirinë e merituar, hasim sot sa qytetarinë për tu bindur, sa edhe mosbindjen me një menefregizëm si ai i Londrës që dalin parqeve dhe ndezin zgarat. Kjo është natyra perëndimore ndaj kur bëhen krahasimet si është e mundur robotizimi social i Kinës dhe jo ai konservatorëve londinezë, kuptoni dallimin në esencë. Se ndërkohë harrojmë që Kina gjoja e hapur jo vetëm që vjen nga një diktaturë e proletariat por akoma lundron në ‘të. Lërini Ramën dhe ramijtë mënjanë dhe qëndrojini vetvetes, mos u mahnisni me selfiet e tyre, janë propogandë. Në mëngjes u thotë njerëzve mos dilni nga shtëpia, në mbrëmje po nuk paguat dritat ju gjen belaja. Shumë nga ju sot i rrahin shpatullat për punën e madhe në drejtim të izolimit, por askush nuk mendon se është e vetmja armë e zellshme për shkak të një buxheti që nuk paguan dot as pagat dyjavore të këtij muaj për ata që janë mbyllur brenda. Pa përmendur të pa punët që kanë një jetë që nuk e njohin borderonë. Për më tepër që në një shoqëri si e jona, në një familje me 5 a 6 pjestarë punon vetëm një. Dhe ky ushtar i bindur i tregut të zi ose informal. Nuk ka alternativë tjetër si shtet, ka vetëm propagandën. Ndaj del orë e çast dhe merr në gojë Amerikën, a amerikanët se gjoja nuk kanë mjekë a spitale për të përballuar situatën. Ua kam thënë dhe herë të tjera na pyesni ne që jetojmë këtej. Kemi organet tona të shtypit, si Dielli, Illyria, Zërin e Amerikës ku mund të ndiqni dhe të ballafaqoni drejtpërdrejtë realitet. Nuk është gallofi Edi Rama dritarja e vetme e informacionit, ai që për të larë me shi të pëgërat e tija dhe sojit të tij, u thotë se, as Amerika nuk ka mjekë të mjaftueshëm. Janë ca idiotësira që fatkeqësisht nuk u ka ikur akoma koha pasi një pjesë dërrmuese e shoqërisë sonë akoma kanë një burim informacioni, atë të shtetarit të tyre të dështuar. Ata tridhjetë titullarë nuk janë produkt i shtetit por i prirjes shpirtërore mes qytetërimeve. Dhe kthejeni nga të doni, vende si Italia, Greqia e Gjermania janë kreu që ne u detyrohemi shumë. Sot shpirti i shqiptarit është pranë atij italianit dhe ju e dini arsyen. Ekranet shfaqin thuajse çdo mbrëmje mjekë dhe infermierë shqiptarë në Itali, Spanjë, Francë, Gjermani, Austri e të tjerë vende. Pa përmendur tashmë faktin se pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë integruar 90% aty. Nuk doli shtetari shqiptar ta postojë një statut me ata që ikën nga malet në Greqi, me gomonet, a ambasadat më herët. Përse duhet ta bëjnë tani me tridhjetë titullarë nga mjekësia, për çfarë merite? A i jepni dot shpjegim? Dhe kur ta bëni, mos harroni pamjet me anijet e 90-tës në portet e Barit. Mos harroni memorien se krahasimi është mjeti më demaskues. Pastaj kujtohuni se përpara se të flasë një shtetar për virtytet mes popujve, merita është e juaja.
Të ishte për shtetarët, sot do ishim akoma diktaturë e proletariatit dhe Italia një vend i bllokut kapitalist. Të ishte për shtetarët sot do kishit një solidarizim më njerëzor të njëshit dhe jo një cinizëm mendjemadhi që ju kërcënon me faturat e dritave. Në një vend ku thuajse industria e lehtë dhe rëndë nuk punojnë, ku thuajse 90% e bizneseve janë mbyllur, fatura e energjisë as që duhej çuar nëpër mend jo më tu sillet sysh si kërcënim. Lutjuni për ata bij siç e bëni përdita nga shtëpia juaj, për djemtë e vajzat tuaja, lutuni me shpirtin tuaj, lutuni me duart tuaja jo të Ramiut e plotë nga soji i tij. Lutjuni që të kuptoni se edhe krenaria është pronë e juaj, jo e tyrja.
29 mars 2020
Vendi im i parë
Vendi im ka një hero kombëtar, një vizionar. Bie tërmet, ai është në krye. Nuk ka nevojë për inxhinjera, nuk ka nevojë për shefa të emergjencave civile, nuk ka nevojë për sizmologë, i bën të gjitha. Nuk ka nevojë për projektues urbanë, specialistë të shpronësimeve, nuk ka nevojë për mjete si varinskë a transportues repoltabla, për sociologë e psikologë, për ndihmës të shpejtë, i bën vet të gjitha. Nuk ka nevojë për ushtrinë, xhenjerët, kampet e fushimit dhe strehimit, nuk nevojë për ndihmësit publikë për sistemimin e mbetjeve të zeza, i bën vetë. Nuk ka nevojë për planifikim ekonomik, për ekspertët, të dijë fuqinë buxhetore, sa rëndon në arkë rrënimi i shtëpisë së një qytetari, i bën vet të gjitha.
Vendi im ka një hero baba, një Skënderbe baba, një Simon Bolivar baba, një juventin gango në rrugët e Torinos, një bohem i Parist a lagjes Pigal, por hero ama. Ra ky mort i madh ai është në krye. Nuk ka nevojë për shefin a ekipin e sëmundjeve epidemiologjike, i di dhe i bën vet të gjitha. Nuk nevojë të dëgjojë mjekët, i mëson ata me duart mbrapa. U thotë të mos kruajnë hundët, ndërkohë që është duke kruar të vetën. Nuk ka nevojë të dëgjojë specialistin e murtajës, fruthit, tbc-ës, ebolës, covid-it, u bërtet sysh, vendosni maska, ndërkohë vet nuk e njeh atë. Me përjashtim kur jep ndonjë intervistë për Bruno Vespën. Nuk ka nevojë të dëgjoj psikologun për depresionin social, as sociologun për adoptimin e ndonjë ligji mbi distancën, mbi funksionimin e marketeve etj., i di dhe i bën vet të gjitha. Mbylluni brenda se shtypa, 1 orë keni për të blerë e për të dalë. Kaq dhe pikë. Nuk dua të dëgjoj se e kam larg dyqanin, se jam vetëm në shtëpi, turp të kenë ata që ju kanë lënë e ikur. Një orë do dilni dhe kur të dilni ngjeshuni e shtypuni se kokën do hani.
Vendi im ka një hero kombëtar.
Ka 3 ditë që po shqyhen mediet, nisi 30 mjekë në Itali.
Ka 3 ditë që ka infektuar edhe Italinë. Nuk e hap dot televizorin se lajmi i parë është sensacioni i babait në botë për punën e 30 mjekëve. Babai juventin, kryetrimi i skuadrave të shpëtimit, epidemiolog, xhandar, shpërndarës misrit. Babai thumbaxhi. Ka edhe një kokorosh që ndan pako me miell të vobektëve në rrethinat e Tiranës. Fisnikët me çati të rrëzuara e shohin me droje. Nuk duan të jenë krijesa të zheleve. Se, ”mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbe”.
I trëmbet kamerave, mos po e sheh ky apo ai dhe i bëhet qejfi atij që unë po vuaj. Megjithëse e kemi krenari të themi, ne shqiptarët, atë që bëje të mirën dhe hidhe në lum.
Po babai i kombit tim dhe zhigoloja e tij, e kanë postulat, bëje të mirën dhe plasja sytë shqiptarëve. Se ” kush ka median pushton botën”(Trocky), media është adrelinë.
Baba, kur do ta ngrejnë monumentin në zemër të Tiranës…?
1 prill 2020
Një furgon për shqiptarët në karantinën neutralë të Kapshticës
Në pikat kufitare me Greqinë dhe Malin e Zi, kanë mbetur të izoluar disa qytetarë shqiptarë. Informacion ky i dhënë nga televizionet më kryesore të vendit. Madje njëri prej tyre në zonën neutrale të Kapshticës, deklaroi se kish 48 orë që priste ta lejonin, ndërkohë që kishte nënën shumë të sëmurë.
Mirëpo në Shqipëri këto dhe shumë të tjera raste nuk janë problem parësor. Problemi parësor është protagonizmi dhe rrahja e gjoksit, një luftë absurde mes klaneve të vjetra politike. Sapo i bëhet një vërejtje kryeministrit nga opozita ndizen silurat e shtypit pro babait të kombit, madje edhe e pensionistëve që rrojnë me lëmoshat e fëmijëve emigrantë.
Ka një alergji gati kombëtare karshi opozitarizmit. Megjithëse pak ditë më parë i bën çarçaf ata emigrantë që kanë lënë prindërit dhe kanë marrë rrugët e botës. Edhe në këtë rast gjoja u sulmua babai i kombit, sidomos pas një video ku një e moshuar në Vlorë deklaroi se ushqehej vetëm me ujë me sheqer. Dhe nuk kërkonte gjë tjetër fisnikja, por pensionin e saj. Edhe pse koishent që Shqipëria nuk ka një sistem bashkëkohor si bota, në kryerjen online, për më tepër për brezin e borderove dhe firmës, prapë silurat e kryeministrit gati të shqyejnë opozitarizmin. Dhe për më keq, edhe opozitarë të mos jenë këta që përhapin videot i njëjtëzojnë me Lulin. Në vend të merren me ngërçet, vigjilojnë se çfarë do thotë një opozitar, të tjerat nuk kanë asnjë lidhje me covidin, apo me situatën që po përjeton shoqëria dhe njerëzimi në përgjithësi. Me që jemi te emigrantët, ku një pjesë as që e ”çajnë” kokën për prindërit e tyre, as që duan t’ia dinë, janë katilë etj., si i bëhet halli me këta të uruarit që kanë mbetur në Muriqan, Kapshticë apo Kakavijë? Distanca nga Tirana për në Kapshticë nuk është e njëjta me atë për në Amerikë, Kinë, apo Kanada. Nuk ke për të kaluar oqeanin, as kontinentin. Nuk është se do kalosh përmes Milanos më këmbë dhe pa paimet e nevojshme, nuk është se do i biesh Bergamos përmes dhe s’ka rrugë tjetër. Nuk është se të duhet të shkosh në Wuhanin e Kinës, apo në Manilën e Rodrigo Dutertes ku të presin plumbat. Po kështu edhe për Muriqanin, nuk do i biesh nga Beogradi, nga Lezha do kalosh. Me siguri plot njerëz qeshin, por as dy orë rrugë nuk janë. Për më tepër që një autoambulancë e falur nga një emigrant që ka ”braktisur” vendin, prindërit, një nga Kanadaja e largët, e solli falas. Dhe rri fle kot atje në Mamurras për ca burokratizma nën’punësish me tesera partie. Eshtë gjaku i një emigranti për të ndihmuar komunitetit nga vinte, e solli pa bujë, pa kamera. Kamerat i ka babai me autoambulancat e Dovletit, i ka Olta me dhuratat e Natos, lali Eri nëpër katunde duke ndarë miell. Që i refuzon Greqia dhe Mali i Zi, normale, por të të refuzoj vendi yt se gjoja është mbyllur kufiri, është absurd. Deri në Kapshticë nuk ke nevojë as për Lasgushin. As për kobrat, Dea-n a forcat Seal të Shteteve të Bashkuara, por thjesht një a dy furgona, nafta është për tokë çmimi, trafiku as që ekziston. Problemi është se ata janë emigrantë, shqiptarë të thjeshtë. Dhe ka kohë që dështakët që mbajnë vendin në stanjacion, kanë nisur një fushatë të egër karshi emigrantit. Kjo është e kuptueshme, nuk e duan Shqipërinë si bota, por për vete, një lopë race ku ta mjelin si të duan. Janë shqiptarë të thjeshtë fisnikët, u dhëmb koka nga debatet dhe ikin, duan një jetë më të qetë, një jetë me punë. Janë shqiptarë të thjeshtë se ta zëmë të ishte babai i ndonjë panelisti studioje, do ishte shqyer edhe flota e Natos për t’i sjell në Tiranë. Një furgon duhet dhe thjesht zbatoni proçedurat.
4 prill 2020
Turp e faqja zezë shoqëri shqiptare
Sinqerisht është e neveritshme kur televizionet a webet shqiptare hapen me lajme rreth Amerikës, apo mbi gjoja konfliktin federal që është Trumpi dhe shtetet e tjera. Nga ana tjetër kur marrin si model të keq një rast varrimi në Shkodër si e si për të justifikuar qejfet perverse partiake. Kurse ata që përtypen përpara televizorit pohojnë se ne jemi popull që vetëm druri na bën esull. Akoma më keq kur themi se jemi në luftë dhe bëjmë sehir faktin se si akoma vazhdojnë e grumbullohen qytetarë të tjerë në trojet neutrale të Kapshticës, Kakavijës a Muriqanit. Lajmi i grumbullimit të qytetarëve shqiptarë në zonën neutrale të Kapshticës ishte edhe sot, por i fundit nga radha. Thjesht një kronikë lajmesh dhe kaq. Shkruajta edhe para disa ditëve për këtë problem. Dhe e di që shteti i babait as që do t’ia di, por mua më shqetëson regresi social intelektual që ka ndalur në dy fronte, atë të Edi Ramës dhe opozitarizmit që bën politikë në kohën e murtajës. Madje është e turpshme të transmetohen kalkulime me sondazhe se kush i fiton zgjedhjet e ardhshme. Ndërgjegjes a inteligjencës shqiptare dua t’i drejtohem. Ndërgjegjes profesionale qoftë edhe të atyre gazetarëve të rretheve kur transmetojnë lehtësisht se si një grup shqiptarësh, emigrantë kanë mbetur të izoluar në Kapshticë për shkak të urdhëresave qeveritare të izolimit. Mos u mjaftoni vetëm tek lajmi se puna quhet e kryer kur përfundon në të mirë të qytetarit dhe të drejtave civile si shtetar, si votues. Ndërgjegjes a inteligjencës për të demonstruar vitalitet ashtu siç tregoni duke bërë bravo Edi kur ai demonstron foto e mburret se dërgoi 30 mjekë në Itali. Kur shet Lasgushin për të transportuar 10 qytetarë amerikan deri në Romë a Stamboll, se nga aty i merr vet Amerika, si kujdes të tijin. Dhe me që ra fjala, Amerika i merr shtetasit e saj, sepse e ka detyrim kushtetues. Kurse ju aty dëgjoni disa gazetarë që dalin me vrap dhe thonë se Trump nuk mbyll qarkullimin etj., nuk u përgjigjet amerikanëve. Mbylja apo mos qarkullimi i shteteve të Amerikës nuk funksionin këtu si në Tiranën e Edit apo Teheranin e Hassan Rouhanit. Janë tjetër gjë ligjet federale dhe ato që ka në dorë një guvernator shteti.
Ashtu sikur është sublim angazhimi qytetar. Të paktën merrni mundimin e informohuni, se ngaqë u flisni njerëzve aty për gjendje të jashtëzakonshme, por duket sheshit që nuk e dini se çfarë përmbajtje ka një vendim i tillë në një vend si Amerika. Por qëndrojini modelit të paktën tek inisiativat mbi individin. Eshtë e shëmtuar të dëgjosh nga vendi amë se përse kthehen emigrantët? Shqipëria është e mbyllur, të rrinë në Greqi. Atëherë lëri të vdesin aty, pastaj solidarizohuni me meme fejsbuku siç bëni me emigrantët sirianë që humbin jetën në brigjet e Egjeut. E fundit fare, jemi vend anëtar i Natos sa festuam përvjetorin e 11-të, nxorrëm makinat e ushtrisë nëpër rrugët e Tiranës. A nuk kemi forca të tilla që t’u vinë në ndihmë shqiptarëve tanë aty. Keni frikë se mos janë të infektuar? E çfarë domethënie ka kjo, lërini të vdesin. Absurditet! Nuk paskemi ne vendi anëtar i Natos t’u ngrejmë disa çadra fushimi, një staf ushtarak mjekësor, në fund të fundit ta bëjnë karantinën në çadër. Eshtë çnjerëzore t’i lësh në qiell të hapur. Apo është traditë shqiptare? Unë nuk e besoj. Megjithëse më trishton pa masë që një grup shqiptarësh teren në një tokë që s’është e askujt. Turp e faqja zezë shoqëri shqiptare.
5 prill 2020
Destinacioni i raporteve midis shqiptarëve
Sipas gazetares së tv klan Maqedonia, Xhumadije Brahimi, qeveria e shtetit fqinj ka paracaktuar rreth 16 hotele si pika karantimi për shtetasit e saj që kthehen nga vendet e ndryshme. K informacion u dha nga një transmetim i drejtpërdrejtë nga Shkupi për emisionin Opinion mbrëmë më 7 prill 2020. Pra 16 hotele dhe me shpenzimet e qeverisë. Ndërkohë që të njëjtin problem e patëm edhe ne me emigrantët tanë që ktheheshin nga Greqia dhe që për 4 ditë mbetën në qiell të hapur në një truall neutral midis doganave tona dhe Greqisë. Shteti ynë u përgjigj ashpër, do karantinoheni në hotelet aty përreth dhe me shpenzimet tuaja. Një turp kombëtar që solli deri indinjatën e diasporës. Madje njeriu që do i jepte zgjidhje ishte pikërisht një shqiptar nga Tetova por që njihet tashmë si një biznesmen i suksesshëm në Gjermani e me gjerë, ai quhet Lazim Destani. Sipërmarrje që ministri i gjoja diasporës Pandeli Majko në qeverinë shqiptare e cilësoi si një zgjidhje a një marrëveshje mes qeverisë dhe diasporës. Kjo ka domethënien se sa kot është dikasteri që menaxhon emigracionin me vendin amë, së pari për nga mungesa e fondeve por edhe sa pa brekë është qeveria shqiptare. Se po të ishte me aq ti dhe kaq unë do quhej bashkëpunim. Por e thënë thjesht, ishte një lypje për të mbuluar atë që akoma nuk ka plasur në Shqipëri, ekonominë e vdekur. Dhe ndofta shumë njerëz mendojnë se mbas tërmetit kjo puna e covid-19 ishte gjëma më e madhe, kështu qoftë. Se nga ato që dëgjon specialistët e ekonomisë dhe biznesit, rubrikat e fundit në emisionet tona, është dyshimi mbi të ardhmen pas pandemisë.
Përse shteti ynë nuk e bëri këtë? I la në qiell të hapur emigrantët. Megjithëse jemi një vend që kemi institucione si Avokati i Popullit, pra për të drejtat kushtetuese qytetare, as ky nuk u ndie. Përgjigja është fare e thjeshtë, jo vetëm nuk kanë para por janë të mbushur edhe me urrejtje a plot ndjenja bulliste karshi njëri-tjetrit. Madje edhe insistimi i ashpër me izolim total është mjeti më i favorshëm për një qeveri që i ka arkat bosh. Sot Austria, Çekia, kanë nisur hapjen e pjesshme, arsyeja sipas informacioneve presioni social. Në Shqipëri ka vetëm një lloj presioni, ai qeveritar. A nuk po e luftojnë këto vende coronën, sigurisht që po, por po aplikojnë rregullat të ashpra të distancimit publik. Këto të raporte që rregullohen në bazë të marrëdhënies së qytetarit me Kushtetutën. Kurse qeveria shqiptare vetëm urdhëron. Eshtë përgjegjësi kushtetuese t’i dalësh zot qytetarit kur i thua rri në shtëpi. Shto faturat karshi biznesit ndaj me të drejtë plot qytetarë pyesin se kur do jemi si shtetet e tjera? Dhe sa kohë do jemi produkt i showt të lali Erit me ndihma dhe i misionarëve të fesë si Elvis Naço kur bëjnë show me magazina, ku dominojnë qeset me miell, vaj, makarona? Përgjigja është fare e thjeshtë, janë arkat bosh. Po të ishin plot, i pari që do vraponte drejt Kapshticës do ishte Edi Rama. Kur e shikon se sillet Maqedonia e Veriut me qytetarët e saj emigrantë, nuk ka asnjë diskutim që emigranti shqiptar nuk ndihet mirë.
Dhe në raport me Maqedoninë numri i emigrantëve tanë ishte me gishta, kurse ai i emigrantëve maqedonas kalonte mbi 2 mijë. Ndërkohë që raportet me diasporën janë sa të brishta aq edhe të minuara. Ne kemi emigruar historikisht për një jetë më të mirë, pra për shkak të ekonomisë së dobët në vendin tonë.
Por sado këtij fakti nuk e kemi zbrazur kokën nga ideologjia aq sa edhe sot bash në mes të New York-ut një kapter i diktaturës të mbyt me të kaluarën. Të mbyt ta zëmë njëri për Ramën e tjetri për Berishën a Bashën. Futet si skuth në organizatat e mërgatës megjithëse i ka survejuar ato deri në Zelandën e Re përmes Sigurimit të Shtetit. Pra megjithëse na ka ngrënë shpirtin mospasja, ne i hamë kokën njëri-tjetrit nga bindjet, ideologjia. Janë marrëdhënie të brishta edhe për tmerrin se sa të vështirë e kemi të jemi të pa anshëm aq sa e quajnë patriotizëm të financojnë një shtetar vetëm për një foto me presidentin e Amerikës, kur ato para mund të ishin sot fare mirë bonus në fondin e emergjencave civile. Shto edhe fondet nga vetingjet, plus vetingjet e mungura në politikë, pasi ka ardhur koha e një katarsi të demokracisë, kësisoj si vendet e botës do kishte edhe Shqipëria jonë një plan social të detajuar suporti financiar. Por siç e thamë këto janë pasojat e raporteve të bindjeve dhe të verbërve karshi iks apo ypsilon lideri politik dhe jo me vendin e dhembshur. Për rrjedhojë të gjitha destinacionet, të parave, bindjeve, konstruktiviteti, respekti, shkojnë diametralisht kundër. Kësisoj është e natyrshme të na mbysi demagogjia.
8 prill 2020
Dita e librit dhe inteligjenca shqiptare
Gjatë kohës së pandemisë bibliotekat ishin dekori bazë i kamerave profesionale dhe atyre të telefonave të personave publikë. Deri diku normale deri sa studiot tashmë ishin ambientet e shtëpisë për shkak të karantinës. Paralel me këtë hidheshin edhe video me tituj librash, apo libra një mbi një me motivacionin se do i lexonin duke ndenjur në shtëpi etj., ku pa diskutim dominonin autorët e huaj, pasi kjo në mentalitetin shqiptar demonstron një lloj superioriteti, konsiderohesh modern dhe jo fshatar. Madje në botën shqiptare është kaq e gëzueshme të merresh me erotizmin e 50 hijet e Greit të Erika Xhejmsit dhe absurdin e Xhojsit, megjithëse akoma nuk kemi kuptuar vetveten. Dhe kemi adoptuar programet mësimore në lidhje me edukatën seksuale, a subjektet eksperimentale dhe rolin e absurdit në letërsi vatëm pas viteve 90. Dhe për çudi i jemi futur rrymave dhe autorëve të botës megjithëse nuk e rrëzuam diktuarën prej tyre, por nga dështimi social ekonomik dhe lufta e klasave. Megjithatë nuk e kishim për gjë të vrisnim çdo subjekt që vinte nga kjo kohë, çdo mënxyrë të dosjeve të Sigurimit të shtetit, dashuritë e mbytura për pikëpamje politike, punën skllavërore të vëllezërve tanë në tharjen e kënetave, në mineriea, në kufijtë me tela me gjemba etj. Kush merrej me këto subjekte jo vetëm që nuk botohej por konsiderohej jashtë kohe. Modern konsiderohesh të merresh me erotikën e Erika Xhejmsit a absurdin e Xhojsit. Madje ky i fundit do futej edhe në programet shkollore duke ja bërë në kokë absurdin tonë të diktaurës, ato që sot gajasemi kur një kufomë si Enver Hoxha tallte bythën me shqiptarët në mbledhjet e Byrosë së tij. Ashtu sikur nuk e kemi problem që edhe sot të vrasim çdo subjekt shqiptar që bën fjalë për dështimet tona social politike gjatë këtyre 30 vjetëve demokraci. Eksodet nga malet, nga deti, anijet e mbytura, gomonet…, emigrantin shqiptar me arsenalin e tij nëpër rrugicat e kryeqyteteve, dashuritë e tija larashe, por në vendin e tij duan hijet e Erika Xhejmsit. Ashtu sikur nuk e kemi problem të vrasim subjektet e vitit 1997…, një lloj absurdi kolektiv ku mjafton të shkosh në varrezat e qyteteve përkatëse dhe kupton përse një autor shqiptar me emrin Petraq Kote e parashkruan fatin kështu: ”këtu do të ketë gjithmonë tre varre/ i im/ se më vret vëllai/ i vëllait/ se e vrasë/ dhe i atdheut/ që e vrasim të dy.” Nga një subjekt po absurd romani Gjerana dhe puro shqiptar, por ne për t’u dukur modern dhe të ditur duam Xhojsin, jo shqiptarin. Madje libri shqiptar është sot më i përbuzuri, autori i tyre më zi akoma. Edhe plot syresh kanë një përvojë të re akoma letërsia jonë nuk e di se cilës rrymë a kohe i përket. Kur një shkrimtar bashkohor shqiptar i kërkon kryeministrit që qeveria të ketë një plan me strategji rimëkëmbje në lidhje me kulturën, ai i përgjigjet se lëreni atë se ka mendjen tek libri. Megjithëse vet i imponohet një bote shqiptare dhunshëm me ca libra politikë si Kurbani një botë konfliktesh personale mes tij dhe liderëve që operon, pa pasur asnjë lidhje me jetën e njerëzve. Dhe për më keq një show man që thith fonde papushim del publikisht dhe u thotë shqiptarëve në karantinë, vetëm romane mos lexoni. Dhe shqiptarët gajasen prej tij, vdesin të pranojnë tag prej tij ditë e natë, pa e kuptuar asnjëherë se janë burgosur për të qënë skllevër të sojit më të pa kulturuar dhe më të pa lexuar në shoqërinë shqiptare. Këta janë showmenët shqiptarë dhe s’është e vështirë për ta kuptuar kur metafora e bythës, e horrllëkut apo shtrembërimit të fytyrës dominojnë ekranet.
Subjektet nuk i përkasin njerëzve por politikës dhe karteleve të drogës. Eshtë tmerrësisht e vështirë ta gjesh do të thuash, aspak…, por jemi të tillë, sipërfaqësore, pordhalacerër që kërkojmë të fitojmë lehtë, të famosemi lehtë dhe të dominojmë totalisht dhe gjithçka pavrsisht se regresi po na bren më keq se kanceri i gjirit dhe covid 19. Subjektet shqiptare janë të varrosur thellë dhe autorët e tyre ca sy ëndërrimtarë që të parët që tallin bythën janë botuesit me panairet, tregu brutal dhe letërsia e huaj 100% dominuese. Edhe subjekte si Amazon që i suportojnë herë më herë sot janë një digë e madhe, nuk njohin gjuhën shqipe. Nuk ka gjuhë që nuk e njohin veç shqipen jo. Një dikaster si i kulturës shqiptare qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë nuk do e kishin problem fare t’i imponoheshin rrjetit Amazon, por nuk e bëjnë. Po të futesh aty shikon kërkesa shqiptarësh nga kudo ku ndodhen me peticione e kërkesa që të njihet shqipja. Janë fisnikët shqiptarë ata që nuk pozojmë libra dhe biblioteka, jo shtetarët.Dhe a e dini përse se dominohemi nga më të pa kulturuarit më të palexurit, më të pa skrupullit qenie njerëzore, demagogët me tesera partie.
23 prill 2020
Por edhe me pensionet e gjete, o legen?
Kjo do të ishte ulërima më normale e ditës dhe më kuptimplota për të bërë dallimin esencial midis qytetarit që do demokracinë dhe shushunjave që flasin në emrin e tij. Por në përgjithësi njerëzit e kanë të vështirë t’i bien kokës njëshit dhe merren me bishtat apo me argatët, me shërbyesit që nuk e kanë problem të lyhen kokë e këmbë me mut. Kështu po ndodh edhe tani, të gjithë sot i janë vërsulur ish ministrit Beqja si gjoja ideatori i uljes së pensioneve dhe pagave në administratë, por nuk është ai. Akoma nuk e kuptoni se si funksionon në sojin e hienave në politikë, në sojin e dështakëve të një ekonomie komplet informale. I madhi fare merr në telefon dhe i thotë vemjeve të përdorura dil diku dhe thuaj që do ulim pensionet, kaq se të tjerat i rregullon shefi. Se këta për kësi punësh paguhen madje bëhen pronarë të mëdhenj ose oligarkë siç kemi filluar t’i quajmë. Nuk e kanë për gjë të vënë në shërbim gjithë familjen, ekrane, gazetarë siç edhe ka plasur sot me ca vipa province që nga një anë mbrojnë idetë e Edi Ramës dhe nga ana tjetër marrin shuma të majme në borderotë e Erionit. Eshtë thjesht një tatim i pulsit social për t’i rritur vlerat Ramës, i cili jo rastësisht doli mbrëmë dhe tha që nuk ulen pensionet, pra ideatori mori një tjetër plus karshi popullit. Megjithatë është e dhimbshme ta mendosh se në një vend ku shesin pordhë të gjithë se i duan prindërit, si ”heronj” që ua bëjnë deri më një, e çon nëpër mend uljen e pensionit si një strategji në ndihmë të ekonomisë. Eshtë absurde pasi konvertuar me vitet e punës dhe në raport me vendet perëndimore, etërit tanë apo nënat tona janë shtresa më e diskriminuar. Por Edi e ka çuar nëpër mend pasi beson në strategji të tilla si ”çfarë thotë partia e bën populli”. Nga ana tjetër përse e çon do thoni ju? Ai e di shumë mirë që pjesa dërrmuese e të moshuarve nuk jetojnë me vlerën monetare që marrin nga sigurimet shoqërore, ata kanë hisen e tyre nga fëmijët emigrantë. Ndryshe nga brezat e tyre në botë ku duhet thënë se pensioni kudo është i pa mjaftueshëm, por jo diskriminues, shoqëritë perëndimore jo pa qëllim aplikojnë pensionimet private si shtesë, politika shëndetësore efikase, por edhe tregun e lirë për krahun e punës i cili kush ka nevojë dhe do akoma të punojë. Në Shqipëri një mundësi e tillë është thuajse zero, bilës quhet i mbaruar një burrë 50 vjeçar, jo më ai tek të 70-tat, prandaj pensionistët janë sot një kontigjent dominosh, kafenesh dhe mbledhjesh partish ku edhe nuk luajnë nga istikami me një fanatizëm gati të pabesueshëm.
Pensioni nuk vlen të mbylli ciklin mujor të nevojave jetike si drita, uji, medikamente për sëmundjet tashmë imunitare të tyre si diabeti, tensioni etj.,asesi. Ata që i përmbushin janë fëmijët jashtë, ose pagat e pa meritura në bordero si rasti i këtyre dy bibave që dominojnë studiot deri në një ditëlindje banale a një ndarje nga jeta të ndonjë familjari të tyre. Rama dhe surragot e tij nuk e kanë problem të thonë mes tyre për pensionistët, e mo t’i mbajnë fëmijët. Për më tepër mund të kenë kaluar në shoshë edhe vlerat monetare të shumë prindërve emigrantë, por në pension, që kanë marrë rrugën dhe ndihmojnë fëmijët e tyre ku janë. Para pak muajsh një nënë vlonjate u bë mish për top pse tha që jetonte me ujë me sheqer, pra ka kohë që përbuzja ka nisur. Dhe kjo ndodh për të përmbushur rrogat extra për bibat e studiove, jo për të rritur pensionet. Megjithatë ka edhe një domethënie të frikshme si shpjegim, rënien fundore të ekonomisë shqiptare e cila po të ketë gojë do i hajë të gjalla këto shushunja të 30 viteve ekonomi e tregut. Kini parasysh që sipas FMN-ës muajt e ardhshëm borxhi publik i Shqipërisë do kapi shifrat 91% të prodhimit vendas dhe kjo ka emrin falimentim. Prandaj mos i sillni Beqajt por Ramiut…, ideatorit. Në një vend perëndimor një si Beqja nuk do riciklohesh kurrë në politikë nëse do shkarkohej nga Gjykata Kushtetuese siç ndodhi me ‘të në 2015. Por Edi Rama e ricikloi, i dha mandat të ri, madje e përdor si ideator të planeve të tia dhe ne si shoqëri e toleruam, këtë dhe shumë të tjerë si ky.
30 prill 2020
Një lloj soji allasoj
Quajeni si të doni por indinjatat publike a denoncimet nga foltoret e krerëve të politikës, nga presidenca etj., nuk kanë asnjë vlerë. Sado të indinjuar të tregoheni, sado të inatosur, prapë nuk përbën zhvillim, nuk ka domethënien që jemi shoqëri e konsoliduar demokratike. Ju bërtisni kot se në një farë mënyre si atyre që tërheqin zvarrë një zonjë, si shefave që kanë sipër as që u bëhet vonë. Atyre që tërheqin zvarrë janë duke u rrahur shpatullat shefat mbas kuintave, kurse ata që u tërhoqën vetëm sa do dalin dhe ankohen kamerave dhe kaq. U vjen mirë dhe nesër e duan për medalje, madje do mbushin kurrikulat dhe me siguri nëse rasti i bën shtetarë vdesin të qeverisin pa u ngopur si këta të sotshmit. Në një farë mënyre marrin huqet e njëri-tjetrit. Ju hiqeni sikur jeni të skandalizuar por nuk bëni asgjë tjetër, lojën e vasalëve, lojën e politikës. Edhe ju jeni njësoj si ata pasi jeni përfshirë të tërë në një lloj qarkullimi pështymash karshi njëri-tjetrit dhe kaq. Ju jeni po si ata që bëjnë gam-gam, kurse ata janë po ata që ju rrjepin të gjallë. U shpërndajnë nga një torbë me ushqime dhe ju ulërisni duke i ngritur në qiell, ziheni me ditë të tëra se e bëri mirë apo jo me këtë apo atë gjoja reformë. Se e vërteta është ajo që ju, nuk merakoseni për veten tuaj, nuk keni hallin tuaj, por hallin e tyre. Madje e keni me qejf maksimal të ndërsjellë ndaj ai që tërheq e bën me pasionin e kaut dhe ai që tërhiqet jargavitet me pështymat e lopës. Po kështu edhe ne që nevrikosemi kur shohim pamjet aq sa e kemi të pamundur të kuptojmë se nga duhet ta kapim, nga koka apo nga këmbët? Shqyhuni sa të doni se jeni skandalizuar por në të vërtetë nuk jeni. Po të ishit sot do flisnim ndryshe, por nuk jemi. Jemi shoqëri e lëmoshave dhe jo e personalitetit. Jemi skutha të rryshfetit jo e djersës së ballit. Mos u indinjoni kot, është një ngjarje rutinë, nesër do dali diçka tjetër. Pastaj të gjithë flisni në emër të popullit dhe e dini përse?, se popull nuk ka! Ai që është me pushtetin fërgon duart nga shtëpia dhe i kënaqet pamjeve zvarrë, ai që nuk është me qeverinë kërcet dhëmbët dhe thotë të njëjtin monolog, kriminelët, gjakpirësit, oligarkët etj. Kurse ai që nuk është as me të parin e as me të dytin, më keq nga dy të parët, skërmitet e thotë, kokat hëngshin. Ky soj është allasoj, as mish e as peshk, por duart i fërkon. Madje ky soj e ka për mburrje që nuk është as më njërin dhe as me tjetrin se që ta dini, që të tre nuk dinë të bisedojnë, të bashkëpunojnë, të ofrojnë, pra që tre llojet janë po njëlloj.
Tani përse indinjohemi kur nuk i japim zgjidhje? Përse denoncojmë kur nuk i heqim dot? Përse çirremi kur nuk na përfillin? Fare e thjeshtë jemi bërë si ata, një lloj soji allasoj.
9 maj 2020
Bravo legen!
Zakonisht arrestimet në diktaturë bëheshin herët, të shqyenin derën dhe të thoshin në emër të popullit je i arrestuar. Kështu edhe sot, në nje gjendje ku njerëzimi është i mbytur nga ankthi i covid-19, të vjen fadroma dhe të rrëzon fasadën. Kryeqyteti rrethohet me postblloqe sa mjetet, njerëzit që kërkojnë të futen në kryeqytet ndalohen dhe zbythen mbrapa me pretekstin e orëve të shtetrrethimit etj. Kjo nuk ka asnjë problem, madje as për intelektualët që militojnë majtas. Eshtë më se normale pasi po luftohet me opozitarizmin me ca artistë tru shpëlarë por edhe me komunitetin civil që kërkon të mbrojë trashëgiminë kulturore. Eshtë e modës në Shqipëri që kur vjen në pushtet, nuk vjen për të ndërtuar ekonominë, vendin, nuk vjen për t’i shërbyer qytetarit, por të luftosh akoma më fortë me kundershtarin a opozitën. Këtë, intelektualët nuk e vënë re…, pavarsisht se në leksione mund të flasin për shtetin e së drejtës, të drejtën civile, pavarësisht se i referohen figurave nga bota, civilizimit, prapë një teke raki, një paçe, a instikti pro njëshit i mban aty ku janë. Pavarsisht dekoratave, titujve, asaj që kanë në kokë, ankesave për rrogën e pa mjaftueshme, janë me shefin. Nga ana tjetër mbajnë sytë tek WesterUnion për ndonjë para kafeje nga fëmijët se bash aty në kafene, gjysmë kothere do mbrojnë verdiktin e shefit. Eshtë një mision i njëshit dhe kur flet ai nuk ka rëndësi se kush vdes se çfarë shëmbet se çfarë ndodh, rëndësi ka që njëshi tek fërkon trapin mes shalëve të ëndërritet në perversitete orgjish dhe tekash psikopati. Ky soj ndihmoi me dy duar edhe Enver Hoxhën pas luftës së dytë botërore. Shembullin që të ha të gjallë e keni në librin e At Zef Pllumit Rrno për me tregue kur e dënuan për faktin se kleri katolik kishte djegur në mesjetë në një turrë drush Xhordano Brunon dhe Galileo Galilein. T’ia thuash sot këtë një qytetari perëndimor rrezik t’i bjerë infarkt në vend. Ja që ka ndodhur në Shqipërinë tonë dhe viktima ishin memoria kombëtare. Ata që revolucionarët çfarë nuk i etiketuan. Ashtu si dje një gjoja artist i popullit tallej me ballistët me filozofinë e Shefqet Musarajt. Ballist ishte edhe Hysni Lepenica, edhe dijetari Mithat Frashëri, por revolucionari i popullit nuk i përmend, nuk i intereson. Rri tek ajo që është një e drejtë absolute e njëshit kësisoj ja përse jemi vendi i renditur në shkallën e parë për vrasjet e intelektualëve, periudha e pas luftës është pranvera e vrasjeve dhe e shkatërrimeve. Dhe jo rastësisht sot në vend që të festojmë pavarësinë në shtëpinë reale të Vlorajve, e festojmë në një shtëpi maket. Kësisoj edhe me shumë objekte të tjera, me shumë qendra qytetesh, me shumë tregje, objekte kulti etj. Pyesni memorien tuaj se a u ka mbetur gjë rrethinave ku u rritët, qyteteve etj., ndofta kthjelloheni megjithëse tashmë e kam bindje që kurrë nuk ka për të ndodhur. Aq sa në një të ardhme do na thonë fëmijët, po mirë atë shtëpinë e Lidhjes së Prizërenit ua dogjën serbët, po ju çfarë kishit me trashëgimninë tuaj? Përgjigja është e thjeshtë kështu i do palla njëshit. Do na thonë po Gjykatat çfarë thanë, nuk ndërhynë, nuk folën, nuk venduan?.., do u themi po, na thanë që kështu i do palla shefit. Ndaj sot kjo është arsyeja që në vend t’i festojmë evenimentet tona historike dhe kulturore aty ku u takon, i festojmë në ngrehina makete. Dhe ta mendosh që këto ndodhin akoma është një turp kombëtar.
Në gjithë këto ditë kam ripostuar shkrimet e kaluara në përpjekje për të kontribuar sado pak të ashtuquajturës trashëgimi kulturore. Kam marrë mesazhe nga më të çuditshmet dhe më keqardhëse pasi më linin të kuptoja që nuk e kishin lexuar qoftë një radhë nga shkrimi, aq sa i kam thënë vetes përgjigjen se çfarë pret, shqiptarët më mirë mund të flasin për Sulejmanin e madhërishëm se sa për trashëgimninë e tyre kulturore. Nga ana tjetër më mirë e kanë të të mbysin se t’u përmendësh pashain, lëre pastaj të hysh në diskutime në raport me të drejtën ligjore që kur grupet e interesit publik e çojnë një objekt në Gjykatë, çdo aktivitet shtetëror pezullohet, është Gjykata ajo që vendos. Shikoni Kosovën, qe Gjykata ajo që ndali proçesin e pushimit të qeverisë Kurti deri në daljen e një vendimi. Mësoni nga Kosova o pyka të Shqipërisë rilindase, mësoni që të mos kemi më luftë klasash, luftë shkume e pështymash se kush ka të drejtë. Por qenka e vështirë ta mbrosh vendin tënd nga shpërbërja, duket si një situatë e njëllojtë me atë të pas luftës, askush nuk ndihet veç shefit. Qënka e vështirë të shikosh se si vdes vendi yt! Shqiptarët shkojnë bëjnë foto tek baraka e shtëpisë së Shekspirit, por e kanë tmerr të ruajnë një të tillë në vendin e tyre. Shkojnë në Austri e bëjnë foto tek banesa a teatrot ku luajti një patriot i tyre si Aleksandër Moisiu, por kanë tmerr të ruajnë vendin a skenën, teatrin ku luajti Kadri Roshi. Bjerini, shkatërrojeni dhe ato filma…, me që ra fjala më ka ndodhur një herë në udhëtim e sipër në Shqipëri në një lokal po transmetohej një film shqiptar. Tek po dilja ndala, dikush më tha, hë të pëlqejnë filmat e Enverit? I thashë nuk po shoh filmin por Sandër Prosin. Po kujt ia thosha… Kështu që vazhdoni e prishni, shembni, filloni me hekurudhat, hidrocentralet, kërkoni ndonjë objekt që u ka shpëtuar sysh. Kaloni andej nga Berati pastaj, nga Gjirokastra, Korça, Shkodra. Hidhuni nga Tetova, Prishtina, Tuzi…, se në Janinë ju presin këmbët. Shpalluni sa më shumë revolucionarë, turq, grekë, sllavë se është mallkim me qenë shqiptar.
17 maj 2020
A ja dhatë shefit brekët e Violeta Manushit?
Në studiot televizive debati për teatrin ka degraduar në atë farë feje sa e vetmja gjë që mund të themi është ajo që, shqiptarë ju kurrë nuk keni për ta kuptuar se çfarë keni humbur me prishjen e teatrit. Ndofta edhe për 30 vjet të tjera, ndofta edhe për 50 vjet, e gjitha është një devijim total nga thelbi, krimi i pastër karshi historisë suaj. Por ju nuk doni ta kuptoni dhe arsyeja është te vazhdimësia e tifozllëkut të sforcuar për shkak se jeni kapur burrat nga topet dhe gratë nga fyti. Ju kanë budallepsur sa nuk e keni për gjë të ulni shpinën. Jeni ca toga që ecni me marsh paradash, majtas kthehu, djathtas vrapo. Ju nuk keni për ta kuptuar atë që duke rrëzuar ato mure varrosët Sulejman Vokshin, Avdyl Frashërin, Hasan Prishtinën, Plakun e Ucajve etj. I varrosët ju pasi koha ua fali me bujari një plejadë që bën art të madh në një kacolle, një barakë kazerme, një donacion fashist, që për faqen tuaj të zezë ka investuar më shumë se ju në këto 100 vjet shtet. Një harbutëri televizive kamerash që nxirrte nga rrënojat e kohës kostumet e Sulejman Pitarkës a Kadri Roshit, të Drita Pelingut, a Tinka Kurtit…, është krim i pastër karshi historisë sonë. Për më tepër karshi shkollës sonë që ka akoma moshë motake përballë asaj të kontinentit. Po ku e kupton këtë një hajvan administrate që ka ardhur në pushtet për shkak se i falet teserës së partisë apo grupit me hori që shkon pas një legeni i cili quan demokraci faktin që ka fituar vota. Ato garderoba nën rrënoja janë me plot gojën zhvarrimet e krimit që kanë bërë birbot dhe tufa e legenëve që me faqet e tyre komike, webe, televizione etj., nuk kanë bërë asgjë tjetër por 15 vjet rroftë Berisha dhe poshtë Rama, e 15 të tjera poshtë Berisha e rroftë Rama. Ndaj kemi sot një shoqëri që flet vetëm me dy gojë, atë të Ramës dhe atë të Berishës, e si përfundim një shoqëri që kurrë nuk foli një herë me gojën e saj. Ju kurrë nuk keni për ta kuptuar se ato mure, ajo ngrehinë mbante qark, atyre tallaishteve me merimanga e lagështirë, shpirtrat. Shpirti është një grimë pluhuri, një flutur që u dalldiset përsipër e ju mbron me një kujdes hyjnor. Ju mbron edhe kur mëkatoni pasi janë kthyer në ëngjuj, por ku kuptoni ju nga këto, ku i jetoni këto ndjesi, ju i vrisni edhe pse i keni si ëngjuj qark e mbi veten. Por ju nuk shikoni as horizont, as qiell, se nuk i njihni, ju shikoni vetëm duart, xhepat. Keni kaq pasion të mundni njëri-tjetrin sa jeni verbuar dhe ky verbim ju ka bërë katilë, xhelatë, kriminelë. Koha ju ka damkosur tashmë por ju as që e çani bythën. Sepse kujtoni se bëni kohën duke vrarë siç vranë para’ardhësit tuaj. Ju kurrë nuk do ta kuptoni se çfarë shtyp tabani i këmbës tek pragu i derës, lë aty me shekuj dhimbjen e gjunjëve të burrave e burrneshave që shkelën aty. Si mund ta shembësh pragun ku shkeli Loro Kovaçi, Luan Qerimi, Liza Laska, Prokop Mima, Ndrek Shkjezi, Bep Shiroka, Sulejman Dibra etj… dhe të thuash merre hidheni tek landfildi i mbrturinave se do ta bëj prej qelqi. A e dini sa me fat ishim që i kemi? Jo nuk e besoj…, po ta dinit do shkonit aty përditë me shishe uji, do e lanit, freskonit. Por asesi që nuk e dini. Jeni një tufë shpifësirash që kujtoni se keni kapur qiellin me ca vota të vjedhura, me ca qorra që kanë për kulturë dorën makiaveliste të shefit, ca shifra me grushtin tek tëmthi. Si do u thoni brezave nesër për qelqet a katet me qelqe, këto janë poturet e Isa Boletinit, nga garderoba e teatrit që varrosëm, e shikoni mbi krimin kemi ngritur këtë shkëlqim. Çfarë do bëni me bredhat që ua mbollët me ceremoni korifejve për të përfituar vota. Çfarë do bëni me brekët e Violeta Manushit, metafora e perversit tuaj, kancerit të ekonomisë shqiptare, covidi që po ju helmon me lëmosha bashkije?A Keni nevojë për lëmosha e të thoni të keqen nëna rrofsh që më dhe, apo për dinjitet të qytetarit? Jeni bërë popull lëmoshash dhe prapë thoni rroftë Edi. Kurrë nuk keni për ta kuptuar dhe Zoti ju mëshiroftë e ju pranoftë.
20 maj 2020
Ca gjëra sipërfaqësore në lidhje me debatin
Pas një aktiviteti për të drejtat civile Martin Luter Kingun e gjuajtën me vezë. Ai do të shprehej më pas se atë natë ra në një depresion të thellë për faktin se ata që e kishin qëlluar ishin raca a soji i tij, pra zezakët. Ai shtoi se kjo kishte domethënien se si unë dhe ata që më ndiqnin në rrugën time nuk kishim punuar sa duhet për të mundur varfërinë, izolimin tonë racor a të drejtat e munguara etj. Kësi ndodhi janë rezultate të unionit në debat, të përfundimit që merr një çështje, një temë sociale për të cilën do flitet. Dhe padyshim duhet nxjerrë një përfundim se ku a me kë qëndron e drejta, ndryshe bëjmë zhurmë, ose rrahim ujin në hava siç edhe themi ne shqiptarët. Këto janë format më klasike të debatit dhe që sot aplikohen kudo, të paktën në vendet normale të botës perëndimore aty ku përpiqet të aderoj edhe shoqëria shqiptare. Dhe normalisht se ata e kanë të qartë se çfarë është debati? Si duhet bërë ai? Cilat janë përfundimet, me një fjalë kush e fitoj debatin? Ta kenë të qartë edhe njerëzit që do marrin pjesë aty, e ka të qartë edhe gjindja, shoqëria nga ku reagon dhe bëhet dallimi mes shumicës pakicës dhe asnjanjësve. Çdo formë tjetër e debatit e ka përjashtuar gjindjen për rrjedhojë është diktati ai që vendos. Gjithçka tjetër është mirëfilli zhurmë në favor të të vetmit person, diktuesit një lloj diktatori me mjetet e demokracisë. Po i sjell këto nga ajo që pashë në një televizon shqiptar që paguhet me taksat tuaja, një kopjim të keq të debatit amerikan. Dhe për ironi të fatit tuaj në një sallë teatri të sapo rinovuar, ku në vend të spektatorit ishte ulur shkaktari i debatit, kryeministri. Aty ku duhej të ishte grupi i interesit zezakët ishte ulur kryeministri, afërmendsh që nuk është debat. Kurse në skenë një panel gazetarësh që nuk bën asgjë tjetër por ia rritën rezonancën kakofonisë së njëshit. Megjithatë po e quajmë të pranueshme, pasi bëhen edhe debate të tilla, karshi kamerave. Bëhen por ka aty pjesëmarrje të padiskutueshme edhe të grupeve të interesit, shoqërisë. Në rastin konkret televizioni duhet me patjetër t’i japi mundësi atyre të jenë pjesëmarrës të gjallë, aktivë, të votojnë, që në fund të dali se ku qëndron e drejta. Tek ne dalin disa shifra por kjo në lidhje me shikueshmërinë, pra kush po ndiqet më shumë. Shikueshmëria nuk është pjesëmarrja reale e shoqërisë, megjithëse ata ziejnë nga shtëpitë, nuk kanë mundësinë të shprehen. Nëse do të shpreheshin dhe mendimi i tyre do të bëhej publik menjëherë pas debatit do kishim një realitet tjetër, të paktën minimumin e dobisë së debatit. Por nuk e bëjnë ndaj edhe sot studiot tona janë një zukamë grerëzash, një mjet që xhiron gomat në vend se ka rënë në batak, ku të gjithë bërtasin, të gjithë kanë të drejtë, vetëm e drejta jo. Si përfundim askush sot në Shqipëri nuk është i qartë se me kë është e drejta, me kryeministrin apo me shqiptarët. Ndaj e gjitha është një kakofoni e dominuar nga shteti për shkak të posedimit të altoparlantëve.
Por është edhe ajo irona e fatit tonë që vazhdon. Se një sharlatan si kapadai flet nga mesi i një salle teatri, pra ja që rinovimi nuk është i pa mundur. Thotë se do ta ndërtoj diku tjetër teatrin kombëtar siç ishte, ta kemi kujtim si një lodër. Po a mund t’i thuash birit se këtu ka shkelur Sulejman Pitarka, assesi. Po i the ja ke nisur jetën me gënjeshtër dhe mos prit të të bëhet fisnik. Megjithatë kjo është ajo tallja e bythës klasike e njëshave me shqiptarët që vazhdon me sukses të plot edhe sot e kësaj dite. Eshtë ajo ironi e gjallë e jona për faktin e një lufte tashmë të hapur mes artistëve, masës dhe aktivistëve.
Syresh janë të revoltuar me një profesor të dyshimtë karshi Robert Ndrenikës apo Viktor Zhustit dhe me të drejtë. Mos toleroni, artisti është pasqyrë për sytë tuaj, nëse u ka mbetur pak shkëlqim aty në sytë tuaj, e keni prej tyre. Por kaq shumë sa urreni këtë profesorin, kujtohuni dhe urreni edhe kryeministrin se përbuzi dikur (2002) një artiste populli si teto Ollga duke i kujtur brekët. Urreni dhe bëhuni pjesëmarrës aktiv për çdo kallamboq misri që u heq dritën e syve se ky është qytatari, zezaku që gjuajti me vezë Luter Kingun. Jo ju që shikoni dhe dëgjoni vetëm kallamboqin në krye…Mos mbyllni sy e vesh tek Violeta dhe i hapni tek Roberti se kjo ka domethënien që edhe ju jeni pjesëmarrës në një krim karshi historisë suaj, kocka e ashtit kombëtar. Ekzistenca jonë.
23 maj 2020
Paralele me indinjatën amerikane
Çfarë ndodh në Minesota, çfarë ndodh në Tiranë? Çfarë bëjnë amerikanët, çfarë bëjnë shqiptarët? Apo përse ne nuk ngrihemi si ata se në fund të fundit dhuna e policisë është e hapur etj. Për më tepër kur shikon se si një kuadër i lartë si drejtor i policisë i raporton Komisionit të Sigurisë me argumenta mbi moralin si në kohën e Enver Hoxhës. Në vend që të japi dorëheqjen ose ta heqin, ai nxjerr një video lojë nga ato të fejsbukut ku nëna e adoleshenti të përdhunuar nga uniformat, ia vendos në kokë një të afërmi të familjes. E të tjerët një batalion në funksion të kësaj logjike, i madh e i vogël shton se është dhe grua me moral të dyshimtë ajo, pasi është e ndarë nga burri? Pika e zezë, shqiptarinë tonë, kuadrot tona dhe mendësinë tonë. Nuk bëhen paralelizma me shoqërinë e amerikane dhe arsyet nuk janë një, por njëqind. Megjithatë e para fare dhe ajo që na mbyt si shoqëri ne nuk jemi një, nuk kemi një prirje, nuk kemi një forcë, pasi jemi të ndarë. Jemi o me ne o me ata, vetëm me veten nuk jemi. Me veten si tërësi si shoqëri. Ne të vrasim, po mirë ama, o për Ramën o për Bashën, nuk ka midis tek ne, nuk ka vetvete. Dhe këto ditë të bisedosh me një qytetar amerikan qoftë ky i djathtë apo i majtë nuk ta fal dhunën, hiqeni nga mendja. Nuk e justifikon kush shqelmin në fyt për më tepër ku personi i dhunuar pohon në fije të zërit se nuk po mbushej dot me frymë. Ashtu siç nuk justifikojnë edhe plot të tjera. Janë pamje që të ngjethin, me zë dhe që nuk i anashkalon njeri kollaj duke dëgjuar dëngla studiosh se me video merresh ti, akoma me ato ti, iku ai muhabet. Nuk ka të majtë të justifikoi të majtin apo i djathtë të djathtin, hiqeni nga mendja. Për më tepër kur bëhet fjalë për të drejta civile, racizmin etj. Ne jemi totalisht o me Ramën o me Bashën dhe kaq, por nuk jemi me veten. Njëqind vjet të na e fusi Rama, të na rrahi, të na burgosi, syve tua bëj prapë ka të drejtë. Kështu edhe krahu tjetër. Kështu edhe në kohën e Enverit, ne e dënonim njëri-tjetrin katërcipërisht të bindur se ai tjetri, fqinji, shoku, i afërmi, kolegu ishte vërtetë armiku jonë. Shoqëria amerikane nuk është e tillë…, u publikua një video nuk pritën se çfarë do thoshte selia e partisë në opozitë apo ajo e partisë në pushtet, u ngritën dhe po bëjnë atë që po shikoni. Dhe sa për sqarim vala e dytë, apo përhapja ditë pas dite në gjithë Amerikën, ka të bëj edhe me autopsinë, raportin e dalë ca orë më pas ngjarjes së shëmtuar, raport që pohon se shkaku i vdekjes nuk është nga dhuna e shqelmit në fyt. Normale që do irritoheshin sepse në konceptin e një shoqërie bashkëkohore dhuna është totale, fizike, psikologjike, morale, mbytëse etj. Dhe nuk është se u pushua nga puna, u ndalua dhe po gjykohet vetëm ai polici që vuri shqelmin, por edhe ata katër të tjerët përreth me uniformë që bënin spektaktorin. Tek ne i dekorojnë, bëjnë kryebashkiakër, deputetë, madje edhe nderi i kombit. Nuk e kemi patur dhe nuk e kemi akoma këtë nerv të tillë si shoqëri. Ja përse gjithçka është vetëm zhurmë.
31 maj 2020
Nuk ka se si ta dojë Tirana votën tonë
Përfundimisht vendi amë nuk arriti të na mundësoj ne emigrantëve të drejtën e votimit. E ashtuqujtuara reformë zgjedhore na anashkaloi rishtas, madje me një rrudhje buzësh dhe me paraqitjen e politikanit mashtrues klasik që po degradon një nga popujt më vital të Ballkanit Perëndimor, shqiptarët. Dhe ta mendosh që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 ndihma financiare e ofruar nga djersa dhe gjaku i emigrantëve kapi shifra që mundën edhe kontributin buxhetor të vet shtetit. Pa përmendur ndihmën ndër shekuj ku edhe Zotin e kemi institucionalizuar po prej tyre, siç është shembulli i emigrantit politik Fan Nolit etj., me kishën e Shën Gjergjit në Boston më 1935. Shteti amë na anashkaloi rishtas dhe jo pa qëllim, diaspora a emigrantët kudo që janë sado prirjeve politike a bindjeve kurrë nuk do ta mbanin vendin në një tranzicion dekadash, kjo fal përvojës jetësore të demokracive ku ata jetojnë. Kurrë nuk do ta bënin Shqipërinë një tryezë bisedash në një sallon ambasade të huaj pasi do dinin të gjenin gjuhën, do dinin të komunikonin, do dinin ta çonin vendin e tyre aty ku i takon pa ndihmën e asnjë të huaji. Sado socialistë, demokratë, ballistë, legalistë, komunistë…, kudo ku janë u ka rënë bytha në ujë rrugëve të globit. Dhe kanë aq gjoks sa të shohin njëri-tjetrin në sy, ta përqafojnë, t’i hapin derën dhe të qajnë bashkërisht për dertet a poshtërsitë që i kanë shkaktuar vetes dhe vendit. Kjo është përvoja e shtegtarit që aq emocionalisht e shqiptoi qiejve një poet i yti atdhe, ne popull muhaxhir ecim nëpër shi. Ai quhej Bilal Xhaferri, aludonte për Çamërinë, truallin e origjinës, por që aq shumë i shkonte vendit për shtat. Pasi kësisoj jemi dhe jo pak por plot 1.7 milion. Por nuk e kemi të drejtën e votës, nuk na do Tirana. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët e vendit amë (se ata në Kosovë e Maqedoni votojnë) fal mutërve të politikës janë gati të vriten për çështjet e popujve në gadishullin arab të Palestinës se sa për fatin e tyre a çifutërinë e tyre nga esnafi politik rrugëve të rruzullit. Përfundimisht vendi amë na degdisi akoma më larg. Dhe shumë syresh mbajnë mend se si i pari i qeverisë e bëri premtim të bujshëm që më 2013, por shpejt e harroi. Nuk harroi të glorifikonte unin edhe me metodat e perëndimit one man show, pasi quan popull teseristët e një formacioni shelegësh. Madje ironia më e madhe është edhe fakti se kemi një gjoja institucion a Ministri të diasporës. Po tashmë nuk është e vështirë për të kuptuar se në zhvillimet pas 90-tës shtetarët nuk e duan, nuk e kanë dashur votën e emigrantit. Jo vetëm të majtët, por edhe të djathtët. Ky është persekutimi klasik dhe më i dhimbshmi ndaj harrojeni vuajtjet nga malet, mes borës, ndjekjen e policive a përndjekjen e të të qenit pa letra botës. Harrojini ose quajeni si asgjë përpara këtyre poshtërsive që na bën vendi amë. Ndaj sot nuk ka faj vetëm ai që qeveris, por edhe opozitarizmi. Diasporën sot më shumë se qeveria e vrau pikërisht opozitarizmi. Një forcë e mefshët që kurrë nuk e njohu sfidën e sojit nga vjen por la të qeverisi për plot 7 vjet një nga fatkeqësitë sociale më të mëdha të këtij fillim shekulli. Një opozitë që kurrë nuk e mësoi se në betejë futesh vetëm me një mendësi, o fiton ose vdes. Për më tepër kur shqiptarët po ktheheshin në një Kolumbi e Eskobarit a Meksika e El Chapos. Për më tepër kur vrasjeve pa emër të rrethinave të Vlorës po u hidhej përsipër imitime asfalti nga gjoja Rio de Zhanjero i largët. Për më tepër ajo pak histori a traditë prindërore me aq sa ishte, me erë vaj kikiriku, por e jona, u rrafshua në emër të një tavoline, sa bëm sonte dhe sa do bëjmë nesër. Ky është vendi jonë të dashur vëllezër emigrantë, më i bukuri në botë. Por i nënshtruar totalisht nga shallvaret, xheli dhe ”mëshironjësit” që ndajnë çanta me ushqime. Nuk na do Tirana vëllezër dhe kjo është e kuptueshme, ujrat do kishin rrjedhur ndryshe.
3 qershor 2020
Krimi real i shtetarit tonë
Ajo që po ndodh mes Hagës dhe shtetarët e Kosovës, ndofta do i kthjellojë shqiptarët kudo ku ata jetojnë. Të shpresojmë se do ndodhi vërtetë kështu. Por ne zakonisht jemi më shumë zhurmëtarë, ndaj edhe sot shikon një solidaritet gati vullkanik në anën e presidentit Thaçi dhe ish krye parlamentarit Veseli apo luftës së UÇK-ës. Të shohim në ditët në vazhdim shenjat aq shumë të pritura të pjekurisë së shtetarit të domosdoshëm për një vend të lodhur nga koha, si Shqipëria natyrale. Ky lloj solidariteti gati i shfrenuar do ishte mirë të zëvendësohej me normalitetin e respektit reciprok karshi njëri-tjetrit. Pra që më përpara, më herët. Madje pa barrierat bajate me palë paralele duke shkelur mbi shqiptarët dhe dheun e tyre Shqipërinë natyrale. Por nuk e kanë bërë, ndaj sot janë kthyer në zhurmëmëdhenj të një gjoja solidariteti karshi dy emrave. Të gjithë njëshat po flasin në emër të shqiptarëve ndërkohë ku më të qelbur se Haga janë ata që i kanë poshtëruar aradhën e gjakut të tyre. Nga njëra anë them mirë që u goditën tani se ndofta do mësojnë arsyet se përse janë kaq të kollajshëm për t’u ngrënë. Dhe do ndryshojnë, por më ngec në fyt ajo mendja e mirë. Si shumë shqiptarë e kam humbur edhe unë besimin tek kjo klasë politike. Për më tepër kur ndjesia virtuale e ktheu një kryetar partie në Prishtinë, një lloj Drakule me bastunin magjik. Një vemje e ftohtë, verdhacuke që për shkak të shëndetit të lig jo vetëm ecën ngadalë e nuk qesh fare, por të dërrmon me bastunin e tij. E si mund të qeshi vendi pastaj. Nga ana tjetër më duket sikur po bëjnë propagandë dhe nuk janë siç edhe nuk kanë qenë historikisht të sinqertë me popullin e tyre. Eshtë naive të mos e kuptosh se jemi viktima të një konflikti mes Europës dhe Amerikës. Kur them që e kanë shumë lehtë për të na goditur kam parasysh stanjacion tonë për shkak të grindjeve të vazhdueshme mes veti. Të një korrupsioni katastrofik sa mund të themi me plot gojën që demokracia jonë është një demokraci vunerabël. Them vunerabël për shkak se gjithçka është subvencionim i huaj në formën e grandeve, donacioneve por edhe kredive të buta. Kundër kujt Hage e ngrini zërin, kur pak muaj më parë u shqyet nga borxhi që u dhanë për tërmetin e 26 nëntorit. A për lëmoshat e pandemisë. Hagën nuk e krijoi kusht tjetër por Europa. E kanë shumë lehtë për të na goditur për shkak se, në njëqind e tetë vite shtet, prapë jemi të dobët dhe plot dasime. Le t’i referohemi aktualitetit, aktualisht Kosova qeveriset me një përqindje minimale, një minimale historike që do mbahet mend. Pra qeveriset nga kulisat jo nga vota. Nuk shkoj në zgjedhje, në atë që quhet mundësia e sovranit, por veproi si donte bastuni. Iu bind bastunit kur duhej të shkonte në zgjedhje të reja. Shkarkoi publikisht një kryeministër, një krye parlamentare. Tani Europa dhe influenca sllave e shtrëngon të shkoj në Washington pa presidentin e vendit. Pak më poshtë një Shqipëri pa kuvend, me pushtet lokal monist pra jo funksionale veç pordhëve të propagandës, traut të rrugës së kombit etj., nuk ka se çfarë i ofron. Ose i ofron Peter Handken, nobelistët kundër shqiptarëve ata që derdhën lot në arkmortin e Millosheviçit. Kësisoj le të themi më mirë që na godasin se mbase do e kuptojmë më në fund se liria që kemi është më shumë se e çmuar.
24 qershor 2020
Fitore e madhe kjo me llallipop
Eshtë bërë virale në internet një video me llallipop me deputetin e Tiranës Musa Ulqini. Ndofta një nga të paktët socialistë që sigurisht ekipi i mjaftistëve a nëntëdhjetë e nënçave e kanë si garniturë për t’u dukur edhe ca të majtë.
Se rrezik Musai do jetë akoma me një apartament modest, a nga ata që beson akoma tek shkollat shqiptare, tek çfarë ka arritur deri më sot populli ynë. Se historia jonë nuk është vetëm Enver Hoxha, nuk është vetëm Mehmet Shehu a Beqir Balluku, intrigat e të cilëve i publikoni me qejf sikur të keni zbuluar Amerikën. Nuk është vetëm Tak Ngjela që i di të gjitha. Ka me shumicë heronj të heshtur ose të humbur me një pension që nuk u mjafton as për hapjet e kokës.
Në fakt koha vërtetoi se nocioni politik u kthye në një mjet post komunist, e tipit trockist pasi si njëra dhe tjetra palë nuk janë as të majtë e as të djathtë. Por ky mjet dominon me fuqi të tmerrshme sytë tuaj, veshët, gojën. Dominon duke ju kthyer në gagarela me kokën sa majtas e djathtas, në ca skuadrilje si ato që marshonin bulevardeve të socializmit me gjoja hekur e beton. Madje politikat më sociale i ka bërë e djathta e Berishës se sa e majta që sot është e gjitha një brutalitet taksimi dhe vetoja e Unit. Një Musa Ulqini nuk ka të bëj kurrfarë me skandalin e vjedhjes së votës në zgjedhjet e 2017-tës, me Damo Tërmetin e kompani. Me çibanët e tipit Taulant Balla, që u thotë me mburrje se ka mik shtëpie iks kapo bande. E të merresh me ‘të, të fusësh në kurthin e kamerave një si ai, nuk është fitore karshi shifrave galopante të borxhit publik, papunësisë, krizën politikë gjithë shqiptare, Prishtinën që qeveriset me 23% të votave kombëtare etj. Nuk ka të bëj aspak me kungujt e kapur gafil nga drejtësia në kryeqytetet e Europës, ata që kandiduan në zgjedhje lokale dhe fituan. Çfarë keni me Musain, bukë me dhallë po ha. Të merresh me Musa Ulqinin i shkund vetëm pluhurin pisllëqeve të mjaftistëve, madje i bëni nder rilindjes që gjoja fitoi me 1 milion vota. Dhe që sot ju dërrmon me propagandën e televizione a gazetave që dje ishin makineria e Berishës. Musai është paraleli i atij demokratit që ka gjithë jetën që duartrokiti Berishën e Fahriun, tani do duartrokasi Lulin e të birin e Fahriut. Ai demokrati i urtë që gjithë jetën hapi rrugën, deri me bindje se ekziston meritokracia dhe jo gara. Ajo meritokracia që një socialist i vjetër e quajti edhe si shkërdhatokraci. Musait sikur një maune me lekë t’i japësh pakot e para do ja japi atij demokratit bashkëvuajtës. Atij që rri në radhë dhe duke gjakosur duart shikon Rudinën se si ngjitet, një show girl që dje për shkak të shkërdhatokracisë futet në lista pa garë. Dhe sot ka një suport televiziv publik nga televizionet e Ramës, ambasadat, paçka se mamaja i rezultoi pronare e 13 apartamenteve bash në Tiranën ose Kandaharin e Ballkanit Perëndimor. Përpos kësaj ish televizionet a gazetat e Berishës dje, sot të Ramës, publikojnë me tallje listat e Bashës. Kur ata gjoja të djathtët tallen me një llallipop Musai, këta gjoja të majtët (ish Berishët) nxjerrin listat e Bashës. Dhe ata që duartrokasin bëjnë zhurmë, avazin, nuk e kuptuan asnjëherë se nuk pati kurrë këto 30 vjetë demokraci, asnjë kryetar partie, asnjë kryeministër, asnjë qeveri, sikur njëra…, të kishte a të ketë frikë nga populli, asnjë. Por vetëm popullit që i shkon nëpër shalë, populli mbeti me brekë në duar.
27 qershor 2017
Një tren ekspres nga Tirana në Prishtinë
Zakonisht konferencat për shtyp midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë qenë një retorike boshe me tendenca patriotike. Pala e shqiptarëve të Kosovës vinin gjithmonë me mallin e dheut amë dhe i shikonin shtetarët e tij me një konsideratë po patriotike. Pala e dheut amë me një lloj vetëmbushje sikur kishin arritur gjithçka megjithëse rekordet i kanë totalisht negative. Kësisoj nënshkruanin bosh ca marrëveshje, madje me kabinete qeveritare duke i mëshuar propagandës pa e kuptuar asnjëherë se plaga kombëtare nuk mbushet me llafe, pompozitetin e ngjyrës së kuqe dhe me portrete baballarësh që ua kanë bërë në kokë me kohë. Ndofta ishte i vetmi rast ky i kryeministrit Hoti, i cili foli për herë të parë jashtë kësaj logjike për tri projekte tepër domethënëse. 1) Doganë për shtetin e Kosovës në Durrës, 2) një hidrocentral që të ndihmojë shqiptarët atje me energji elektrike, 3) për një linjë hekurudhore mes Tiranës dhe Prishtinës. Megjithëse është kryeministri i një qeverie më te ulët në përqindje, nga votat e shqiptarëve të Kosovës, për më tepër i vëzhguar nga një hije me bastun etj., më fatlodhuri nga pandemia ai doli nga kjo faqe propagande protokollare që kanë bërë deri më sot shtetarët. Diçka i ndrojtur ai vuri theksin në tri pika të forta që pa asnjë diskutim janë hapat e duhur të unifikimit të shqiptarëve. Ai i përmendi me droje pasi kreu i shtetit amë ishte më shumë i frustuar në një akuzë prokurori a në Gjykatën Speciale karshi Presidentit Hashim Thaçi. Një lloj bjerrje pështymash si me Makronin dhe Francën në kohën kur ajo vuri veton për mos çeljen e negociatave me Shqipërinë. Sado të përpiqet Rama të luaj me ndjenjën kombëtare duke i bërë presion Gjykatës Speciale, ai nuk ka për të fituar asgjë politikisht. Përpos kësaj as shqiptarët tashmë robër të dy shteteve të cilët jo që nuk po unifikohen por as shenjat a piketat nuk kanë vendosur. Dhe kjo jo për faj të tyre, por të lidershipit pjellë e propagandës që veç karrikes së vet nuk ka asnjë hall tjetër. Çirret apo nuk çirret Rama, shkon apo nuk shkon në Prishtinë, Thaçi do paraqitet në Gjykatë. Madje do bënte mirë që të jepte dorëheqjen, siç kanë bërë edhe funksionarë të tjerë të shtetit të Kosovës. Por jemi tek kryeministri në detyrë Hoti, tre projektet e tija që ua kërkon qeverisë së shqiptarëve në dheun amë. A duhet Shqipëria t’i japi një zonë të lirë doganore. Përgjigja është pse nuk ia ka dhënë? A duhet të ndërtohet një hidrocentral për shqipëtarët e Kosovës? Përgjigja është pse nuk është ndërtuar? A duhej sot një tren ekspres bilës të lidhte Tiranën me Prishtinën? Përgjigja është pse nuk është ndërtuar? Dhe ajo që është më naivja, në gjithë këto ditë më shumë janë marrë me nervin karshi institucioneve të Europës se sa me 3 kërkesat e drojtura të Abdullah Hotit. Madje edhe sot e kësaj dite palët janë në një retorike të ashpër se sa në projektet konkrete të Abdullah Hotit. Ai që thotë se edhe fondet i ka dhe se në vjeshtë mund të filloj puna. Por jo, si gjithmonë fiton naltgjatësia me veshjet demode, me llogjet. Imagjinojeni një tren ekspres Tiranë – Prishtinë? Kuptojeni se projektet e Europës për lëvizjen e lirë të shqiptarëve a për çeljen e negociatave, lufta e ashpër karshi tavarishëve stanjacionistë, janë monella fallco. Jeta jonë reale aty fillon tek ato sirena lokomotive, për në Tiranë, për në Prishtinë, Durrës etj. Se vendi nuk unifikohet me fjalë, por me projekte konkretë, me ekonomi dhe lëvizje të lirë brenda për brenda vedit.
5 korrik 2020
Luksi shqiptar për tu marrë me Koliqin dhe Camajn
Në vjeshtën e vitit 1941 me vendim të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nisen drejt Kosovës rreth 200 normalistë. Qëllimi hapja e shkollave shqipe, konsolidimi i gjuhës sonë. Njeriu që vendoi quhej Ernest Koliqi një shkodran race e për më tepër anëtar i lartë i një prej Universiteteve më në zë të Europës, si La Sapienza në Romë. Ai i përkiste një qeverie nën Italinë pasi Shqipëria ishte e pushtuar. Ndofta është një nga ndërmarrjet më të vyera pavarësisht faktit se kujt i përkiste kjo qeveri. Por është tmerrësisht e vështirë të kuptohet në Shqipërinë e mendjeve të indoktrinuara. Dhe as ka për tu kuptuar pasi mentaliteti social tek ne është o mendon e bën si mendoj e bëj unë, o je armik i popullit. Pavarsisht se çfarë mendon populli për ty, prapë ti je armik i popullit. Megjithëse po t’i referohesh kohës qeveritarë shqiptarë në qeveritë e varuara ka patur edhe para Mbretërisë, deri në Perandorinë Otomane. Madje kjo operonte e sundonte me ta aq sa pashai a pashallëku është akoma një obsesion në mentalitetit e burrit shqiptar. Por në konceptin bolshevik pushtimi fillon kur ata morën pushkën e dolën malit të luftonin për liri. Dhe kur u intereson atyre nuk do ta kenë për gjë të nxjerrin agjent edhe vet Ismail bej Vlorën a Isa Boletinin e Mitrovicës. Nga ana tjetër e quajnë teze Merkelin, kancelaren e Gjermanisë, si e si të futen në Europë, ndërkohë që rrëmojnë arshivat e shpallin tradhtarët, dezertorë, bashkëpunëtorë të gjermanit deri korifejt e letrave dhe mendimit si rasti Koliqi e Camaj. Megjithëse duhet thënë me zë të lartë që është në strategjitë e tyre të shpikin skupe e të zhysin në të njëjtën kohë cilin do, mjaft që të heqin vëmendjen nga dështimi i tyre. Dhe ja kanë arritur mrekullisht. Gjithë shtypit shqiptar është i përfshirë në një përplasje brinjësh aq sa vetë Ernest Koliqi dhe Martin Camaj do qeshnin po të ishin gjallë. Dihet botërisht që inteligjenca është viktimë e parë e sistemeve diktatoriale. Shqipëria nuk bëri përjashtim. U shpallën armiq deri vet komunistët e kulluar siç edhe është rasti i Petro Markos. Apo Sejfulla Malëshova e plot të tjerë, deri vonë, në të gjitha fushat. Madje shumë prej tyre ndërruan jetë të hidhëruar nga grabitja e partisë a e bindjeve tek revolucioni i masave, si rasti i gjeniut të skenës Kujtim Spahivogli etj. Në fakt ka kohë që ringjallja komuniste po ngre zërin deri për të drejta civile, për gjoja grabitjen e pronës private siç edhe bëri pak ditë më parë djali i ish diktatorit Enver Hoxha. Kurse Petro Markon e degdisën burgjeve vetëm sepse nuk pranoi të futej në një shtëpi të konfiskuar një civili, një qytetari me profesion inxhinjer. Dhe normale, e drejta njerëzore, mirëpo për djalin e Enverit që degdisi e surgjynosi thuajse një qytet me njerëz, bëmat e babait janë legjitime pasi ashtu ishte koha. Kjo ringjallje komuniste e suportuar nga rilindja, vetëm dje publikoi një paçaure me 3 faqe mbi vrasjen e 67 qytetarëve nacionalistë në Golem të Lushnjes, nga Mehmet Shehu me pretekstin se ata kishin armë në dorë dhe bashkëpunuan me armikun. Tre faqe me argumenta e materiale arshive si e si të spostojnë një datë, si e si të nxjerrin bashkëpunëtor me armikun vëllain e gjakut. Si e si ta quajnë normale vrasjen e 67 mendjeve ndryshe, atë që sot nuk ka këmbë të gjalli që nuk e ka dëgjuar postulatin prindëror se, derr bëhem dhe komunist jo. Kanë kohë dhe jo rastësisht, mbulojnë dështimet e halldupit të tyre. Si Koliqi dhe Camaj janë sot pjesë e programeve mësimore në tekstet e mendimit dhe fjalës shqipe. Dhe me meritë. Po ringjallja komuniste nuk duron dot këtë dhe me një gur vret tre zogj, ne, memorien tonë të vlertë, kohën tonë. Do thoni ju ja kanë dalë, sigurisht që po pasi sot çdo faqe personale në internet po merret me faktin a janë agjentë Koliqi dhe Camaj. Një luks shqiptarësh që djegin energjitë me korifejtë e tyre, ndërkohë që ringjallja vë monopol përmes tenderave, rrit borxhin publik, çon vendin në degradim total. Dhe kanë të drejtë se kanë gjetur. Ne nuk u ndamë me komunizmin siç e kërkoi koha, përkundrazi i pranuam pavarësisht kufomërisë së kampeve të riedukimit që i kemi gjithandej.
7 korrik 2020
Ndryshimi nuk vjen me Jozefinën
Në këto shtatë vjet opozitarizmi nuk ka patur asnjë afrim nga gjaku i ri. Nuk ka patur si prurje asnjë emër të ri, asnjë djalë a vajzë të re. Asnjë maturant a student të sapo diplomuar. Të gjithë kanë firuar. Kështu i bie deri sa konceptin e hapjes e përmbushim me lutjen për afrimin e Jozefina Topallit a Genc Rulit, Ridvanit etj. Mbase edhe me një kandidim të ri të Sali Berishës. Asnjë intelektual nuk ka qenë i ashpër me pushtetin. Të gjithë kanë që pro regresit kolektiv të ekonomisë shqiptare. Të gjithë kanë qenë pro degradimit deri aty sa shifra e borxhit publik kapi tanimë plot 80% të prodhimit të brendshëm. Pa dyshim që fatura e fundit prej 100 milion eurosh që shteti i shqiptar i detyrohet një biznesmeni të huaj, ndikoi në kolaudimin e shifrës. Dhe si gjithmonë gjykatat e vendit nuk do kenë asnjë emër për dëmin financiar të shkaktuar shqiptarëve. Asnjë forum opozitar nuk ka funksionuar në evidentimin e prurjeve kësisoj duhet t’i lutemi Jozefinës se kjo quhet edhe hapje. Duhet t’i lutemi madje edhe ndonjë tjetri që ashtu si Jozefina nuk shikonin asgjë tjetër por veç protokollin e partisë në opozitë. Ndofta është nga rekordet më iluminate që në 7 vjetë qeverisje skandaloze të Edi Ramës, Jozefina shikonte dhe gjurmonte vetëm Lulin. Kështu edhe plot prej tyre. Kësisoj i takon të ofrohet e madje t’i japim edhe mundësinë e kandidimit, ta bëjmë deputete, a kryetare kuvendi. Pasi gjatë 8 viteve të saja nuk bëri asgjë tjetër veç rregulloi tarafin e vet. Arriti atë sukses madhështor të së djathtës sa në dimrin e 2012 emëroi të dashurin e vajzës në ambasadën shqiptare në Paris. Po ja që sot erdhi koha që pozitarizmit i duhet Jozefina dhe ndonjë tjetër. Megjithëse opozitarë të thekur të opozitarizmit, jo të qeverisë, prapë ata duhen. Nuk ka këmbë rioshi apo riosheje që t’i zëvendësoj. Eshtë tragjike të mendosh kështu. Kërkush tjetër veçse këtyre emrave nuk e ka detyrim t’i përgjigjet të djathtës sot, veç me votë ama, se, këta. Kërkush? Këta e kanë rrjepur dhe për më tepër kanë gatuar kulturën e të pa zëvendësueshmit, të pa riciklueshmit. Atë kulturë që kur jam unë në krye gjithçka është normale, kurse kur nuk jam unë, çdo gjë është e zezë. Po u them opozitarëve se do jeni më të fituar pa ata se me ata. Sot dështimi shqiptar u vulos që ke konflikti i fundit mes kryeministrit me ambasadat e huaja në lidhje me sistemin zgjedhor. Dhe ajo që është më e habitshmja është vrulli i propagandës së majtë për dashurinë e papritur të Edi Ramës mbi listat e hapura. Një lider që deklaron publikisht, para kamerave, para anëtarëve të partisë se, kush nuk voton si them unë përjashtohet nga partia, nuk ka se si të jetë për listat e hapura. Eshtë një qasje e pa sinqertë, sa për të futur në amulli shoqërinë. Ky konflikt dëshmoi edhe faktin tjetër, atë që Edi Rama nuk e do as reformën në drejtësi. Ai luajti ashtu për t’u hedhur hi syve ambasadave, pasi është po aq kontingjent i drejtësisë sa edhe ata që ai akuzon. Kjo ka domethënien që janë orët e fundit të Ramës, kësisoj hapja duhet të jetë jo për fitoren, pasi ajo është vulosur, por për demokratizimin real, konkurrencën e vlerave etj. Nuk mund t’i lutesh një llapallapaje kur vendi ka nevojë për energji të reja se sa emra të kalçifikuar në gjoja meritokracinë demokrate. Eshtë ajo kohë që edhe kunguj të varësh në gardhet e votuesve, karshi Ramës, kungujt do të fitojnë. Por opozitarizmi duhet t’i tregoj vendit parametrat shëndetësor realë të demokracisë perëndimore. Sepse edhe për pak do jemi përfundimisht një republikë e varur Perandorisë Otomane të Erdoganit.
11 korrik 2020
Vend i dhunshëm
Sa herë që përpiqesh t’i qasesh Shqipërisë, ndjen se nuk ngopesh me frymë. Eshtë një kohë absurde, ngjyrë gri, me pluhur dhe normal që mungon oksigjeni, normal që nuk ka se si të ngopesh me frymë. Eshtë një kohë makute por që njerëzit e vallëzojnë me qejf aq sa edhe pandemisë ia kanë hedhur me tangarllëkun duke i mbajtur maskat në gushë. Me maska në gushë intervistojnë, me maska në gushë ecin, kuptohet kush e posedon, me maska në gushë komunikojnë kur janë nën hije, në një tavolinë bistroje etj. Dhe kur një gazetare e pyet një kalimtar në rrugë në lidhje me maskën dhe distancimin social, ai si kapadai i përgjigjet, ça virusi? Ku është virusi? Eshtë një zagushi e tmerrshme na dallon së largu e na bën ishull. Jemi mendje më vete aq sa askush nuk e kupton dot se përse u mblodhën kaq ditë, lart e poshtë, hyrë e dil tek selitë e Amerikës dhe të Komunitetit Europian vetëm e vetëm të arrinim një marrëveshje politike si ajo 5 qershorit 2020. Tre vjet i kundërshtoi listat hapura babai i absurdit, sot i do se i ”dhimbset” populli. Dhe ajo që akoma më vapë Shqipërinë tonë, është fakti se pikërisht ushtria e analistave kundër listave të hapura sot është promotorë e tyre. Vapë Shqipërie që kurrë nuk e kuptuan se çfarë domethënie ka të ecësh përpara. Vështrojeni Maqedoninë e Veriut, sapo i mbaroi zgjedhjet, në kushte të jashtëzakonshme madje. Asnjë debat absurd se çfarë duam të hënën nuk e duam të martën. Se çfarë duam të martën nuk e duam të mërkurën. Asnjë debat absurd mbi emra dosjesh, se kush dhe kush ka qënë spiun i shërbimeve të huaja a sigurimit të shtetit. Vetëm ca video që flash erdhën e ashtu shkuan. Dhe aq. Dhe ta kujtoni që Zaevi dha dorëheqjen për atë që ai nuk e bëri të mundur çeljen e negociatave me Komunitetin Europian. Palloshi jonë ia vuri fajin Francës, ashtu edhe shqiptarët. Dhe sot i ka kthyer prapë ata në konflikt të hapur po me Europën. Shikoni Kosovën, e ndërroi për pak orë qeverinë dhe brenda një lufte të vështirë me covid-19 po shkon përpara. Kurse Shqipërinë nga ta kapësh. Një ndërmarrje e degraduar absurde se kush ka dhe kush nuk ka të drejtë. Një vend i tëri i marrë peng. Një vend më komunist se etërit. Një vend peng edhe i listave, i pleqve me cullufe që ngasin biçikleta barby. Një vend i mbytyr nga mushamaja, i cili rrënon teatro, por jo shtëpitë me gjethe. Një vend që zhduk hekurudhat megjithëse 30% e shoqërisë disponon mjete personale dhe ua kërkon bashkimin kombëtar botës. Një vend që ka 7 vjet për një reformë në drejtësi dhe që merr rezultate duke dënuar me burg ata që nuk paguajnë energjinë. Jo ata ata që i shkaktojnë dëme financiare deri në miliona euro. Një vend më komunist se komunizmi që ata pretenduan se rrëzuan. Një vend që askush nuk e lë karriken po nuk i hoqe zvarrë në shesh. Vend i dhunshëm. Dhe ky që është në krye vetëm me dhunë ikën. Hiqeni nga mendja se ka rrugë tjetër. Dhe lum kush e kupton në kohë po për të mirën e vendit dhe të shqiptarëve.
16 korrik 2020
O bashkohuni e rrëzojeni, o boll u ankuat!
Tani radhën e protestave e kanë ata të klubeve të natës. Por pak kush po i dëgjon. Megjithatë ata dolën. Madje edhe e shanë me libër shtëpie Edi Ramën. Dhe në protestë ishin po vetëm ata. Nuk iu bashkua kush. Çdo kush ka hallin e vet. Kanë nge violinat e natës. Kështu të përgjigjen të tjerët. Kështu ndodh në Shqipëri. Ju kujtohet besoj. E nisën studentët, në kapërcyellin e dimrit 2018-2019 por nuk iu bashkua kush. E para opozita u distancua sikur studentët po ankoheshin për një qeveri alienësh. Madje me mjeshtri u përdorën edhe ca grupe studentësh që një e më dy thoshin se nuk janë protesta politike por ekonomike. Megjithëse dëmet më të mëdha ekonomike vinë nga revanshet politike apo e thënë troç, nga tekat e politikës. Shembullin më të freskët keni faturën tashmë të depozituar prej 109 milion eurosh karshi një televizioni a investitori të huaj. Dhe ta besosh që një brez që merret drejtpërdrejtë me studimet të injoroj këtë, pra faktin që kanceri ekonomik zë fill nga politika, është e dhimbshme, po ja që ndodhi në Shqipëri. Plot 3 vjet protestuan artistët e teatrit kombëtar, nuk iu bashkua kush. Kanë ngenë ata, kemi halle të tjera. Kështu thoshin. Veç tek-tuk ca shfaqje më shumë show për tregun e politikës se sa fitore për mos cenimin e të drejtës civile mbi vlerat kulturore dhe historike. Po kaq vite kishin edhe një grup qytetarësh që protestonin për prishjen e banesave, për shkak të ndërtimit të një unaze. Ishin viktima të informalitetit në tregun e dyndjeve, a në vrullin trojeve të xanuna. E megjithatë askush nuk iu bashkua. I njëjti avaz, kanë ngenë ata, kemi halle të tjera. Protestuan fermerët, i derdhën bidonat me qumësht faqe botës, në kryqëzime rrugësh, para kamareve. Ua hapën spontet rimorkiove të zetorëve mezhdave të parcelave ku hodhën çfarë prodhuan, ku e kishin e nuk e kishin, trangullin, qepën, pataten, domaten. Por kush nuk ua vuri veshin. E kanë ngenë ata, mirë ua bëjnë, i kanë çmimet në stratosferë. Pse qeveria u thotë të mbjellin të gjithë domate? Ja kjo është shoqëria jonë, të gjithë për vete e asnjë për shoqërinë. Pasi shoqëria nuk është vetvetja. Tanimë po protestojnë këta të klubeve të natës. Dhe qeveriu është po aq ironik sa ishte me ata të teatrit, me ata të studimeve, me ata të domateve etj. Të gjithë bëjnë sehir njëri-tjetrin. Kurse gjallesa puplon, kërcënon me sy, nënqesh, i bënë dhe ata përballë të gajasen me batutat e tij. O dilni të gjithë, o mos u ankoni grupe-grupe se shtatëdhjetë qeveri të ndërrohen në rajon, shtatëdhjetë breza të kalojnë, Edi Rama nuk ikën. Nuk ka për të ikur kurrë me votë. Kurrë me afera marrëveshjesh, madje është koha më brutale, më ironike, kur debatohen marrëveshje me individë listash deri tek broshura themeltare e shtetit. Po ju nuk doni ta kuptoni. Vazhdoni se edhe shtatëdhjetë vjet të tjerë do ta shani Edin me libër shtëpie, veç ama ai në qeveri e ju ankonjës.
23 korrik 2020
Një teatër për një kërpudhë
Në disa Webe jepen pamjet e një kërpudhe që po e rivendosin tek kryeministria. Eshtë një histori që dihet tashmë. E hoqën protestuesit atëherë kur kërkonin prej tri vjetësh ndërrimin e pushtetit për shkak të skandalit me votat e vjedhura, figurat kyçe të pushtetit deri deputetë po vërtetoheshin sheshit se kishin mashtruar me pastërtinë e figurës në lidhje me arsimin dhe botën e krimit. Pa përmendur këtu theqafjen e ekonomisë për shkak të partneritetit publik dhe vetos politike në investim. Pa përmendur gjobat me arbitrazh ndërkombëtar fatura tashmë mbi tavolinën e shqiptarëve dhe jo ministrit të financës a kryeministrit në largim, e theksoj, e shqiptarëve. Po prej tri vjetësh, këta protestues kërkonin ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe listat e hapura në mënyrë të atillë që të shmangej ky element, pra të fortët dhe bota e tyre që po zëvendësonte atë akademike. Po prej tri vjetësh këta protestues kërkuan që edhe presidenti të zgjidhej nga populli. Dhe ashtu plot maraz ngjyen muret e kryeministrisë dhe u përballën me gazin lotsjellës. Plot maraz hoqën edhe këtë kërpudhë ku siç po mësohet është krijim i një autori austriak. Në fund të fundit një kërpudhë është. Nuk e di se çfarë simbolizon bash aty tek ajo godinë e cila nuk është se ka një raport të shkëlqyer me shqiptarët. Po ta kishte nuk do ishte rrethuar, çrrethuar, lyer e përlyer deri edhe me zjarr apo me viktima. Shikon në botë vepra monumentale nga më të thjeshtat deri tek përmasat gjigande, por kanë simbolikë. Pavarësisht se si janë trajtuar, kanë një arsye. Dhe në raste të vendosjes merret mbështetja e komunitetit se vendi ku do vendoset nuk është pronë e shefit të kabinetit, por e komunitetit, shefat vijnë e ikin. Sot kjo kërpudhë rishfaqet, tamam me këmbënguljen e atij kryeneçi që o të vej e imja o s’ka. Dhe ta mendosh që shqiptarët, sepse në emër të tyre flet edhe kryeneçi, i prishën pa gajle shtëpinë ku u rritën, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Luan Qerimi, Reshat Arbana, Mihal Popi, Sul Pitarka, Fatos Sela, Ilia Shyti, Drita Pelingu, Demir Hyskja, Loro Kovaçi, Kujtim Spahivogli, (Zot se janë shumë, si yjet në qiell) e ndjesë që nuk ua përmend dot të gjithëve emrat. Por faleminderit që na i dhe, që i kishim. E falna që nuk dimë t’i mbajmë. Nuk e patëm për gjë t’ia fluturonim tjegullat, t’ua rrëzonim muret, shqyenim gardërobën. T’i çonim në Azilin e pleqve. Pleqëria është pleh. Kësisoj si ”modernë” që jemi të na rroj kërpudha. Megjithëse nuk është fare pa shpjegim. Kryeneçi këmbëngul për të derdhur mendjet përreth mbi dështimin e vet, mbi atë që shqiptarët nuk duan ta besojnë. E ka një shpjegim, sepse shqiptarët nuk meremetuan asnjë nga kampet e vuajtjes, por meremetuan shtëpinë me gjethe, madje paguajnë me organikë aty kalecët e teserave. Nuk lanë asnjë bunker gorgave a monopoleve të ushtrisë, se e kishin një simbolikë, megjithatë e sollën një në qendër të Tiranës. Nuk lanë një fabrikë në këmbë, nuk lanë një fermë a një ndërmarrje frutore, megjithatë këmbëngulin të kenë një mizëri fasonësh me asnjë të drejtë civile mbi orët e punës, sigurimet sociale etj. Nuk lanë depo ushtrie pa rrëzuar e shitur, nuk lanë studio a prona të Kinostudios pa shkatërruar, nuk lanë as bash zemrën e memories historike të mbrujtjes së figurave të artit kombëtar, Teatrin e shqiptarëve, megjithatë e vendosën me kryeneçësi një kërpudhë si simbolin e myshkut dhe plehut!
26 korrik 2020
Ktheni pak sytë nga Kosova
Aktualisht Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë vendet e dërrmuara nga Covid-19. Në raport me Shqipërinë thuajse rastet e përditshme janë gati dyfish. Shqipëria 126, Maqedonia e Veriut 152 dhe Kosova 276. A ka lidhje kjo mes vendeve të rajonit? Pa asnjë diskutim. Dhe ajo që duhej të ndodhte nuk po ndodh. Ju kujtohet që në marsin e 2020 në fillimet e pandemisë, Shqipëria nisi me bujë 30 punonjës të shërbimit mjekësor në ndihmë të Italisë fqinje. Dhe siç u pa mirënjohja italiane qe e pa fund, madje sot ata po na e kthejnë me suport të sinqertë. Nuk pushoi me t’u mburrur kryeministri, nuk mbeti ministër pa bërë selfie përpara atyre vullnetarëve. Dhe mirë bëri, në fund të fundit, ndihma është puna më fisnike e njeriut pavarësisht volumit, megjithëse në vendin tonë ajo është mirëfilli një armë ekzekutimi e propagandës. Mjafton t’u kujtoj se si një qeveritar shqiptar niset me një tufë kamerash, gjoja në emër të humanizmit dhe kujdesit shtetëror, e bën show me pesë pako oriz në derën e një të varfri. Si Kosova dhe Maqedonia e Veriut jo vetëm si vende fqinje, por si pjesë e truallit arbëror, si pjesë organike e jona, e historisë sonë kombëtare, si shqiptarë që janë duhet ta kishin sot vëmendjen e Tiranës. Dhe ta mendosh që kur ra tërmeti, armata e Kosovës pushtoi syrin tonë, ishin kudo rrugëve, një armatë model me motivacionin në ndihmë të nënës. Nuk pyetën se kush drejton, kush qeveris etj., por u nisën. Maqedonia, megjithëse e ndëshkuar nga ne për shkak të paktit europian në kontekstin e çeljes së negociatave, aq sa mundi na ofroi ndihmë. Megjithatë pavarësisht apelit të të dy qeverive aty, ajo në Tiranë është tmerrësisht e zënë me këshillin politik, me komisionet e shkarkimit të presidentit, me ata jashtë dhe ata brenda parlamentit, me ligjëratat perverse të Ramës në kuvend. Për më keq akoma, mund të shpenzosh dy orë në shtypin shqiptar, kurkund se gjen informacion për luftën me covid-19 në vendet e rajonit, për Kosovën e dhembshur, kurkund se gjen pak solidaritet njerëzor, po vetëm Rama, Meta, Basha. Apo ajo politika gërrverre, hip se të vrava, zbrit se të shqyva. Sinqerisht, vendi ynë ka nevojë për një përmbysje të madhe, shqiptarët për një qasje të re, ligje të hekurta, ekonomi tregu të fortë dhe të përbashkët.
28 korrik 2020
Çibani Taulant!
Plot 7 vjet në pushtet që Taulant çibani u thotë shqiptarëve se sa i korruptuar është djali i ish kryeministrit Berisha. Plot shtatë vjet me një vrimë i bie fyellit. Megjithëse nuk ka mbetur këmbë shqiptari ta besoj atë që, me deklarata foltoreje parlamenti, se sa i korruptuar është ky apo ai, nuk ndreqet ekonomia e tyre. Nuk merr fund ajo varfëria periferike, nuk largohet mizerja e llogaçeve, nuk mbulohen sa për sy e faqe me ca shtëpi kukullash humbja e çatisë apo dëmet e tërmetit, as dështimi total në lidhje me covid-19. Nuk rregullohen shqiptarët me taktikat tekanjoze se kush e do dhe kush nuk i do ndryshimet kushtetuese, listat e hapura, apo ndryshimi i sistemit zgjedhor etj. Nuk ndreqet ekonomia e vendit duke bërë gam-gam mbi presidentin, me deputetë listash që gjithçka janë gati ta djegin mjafton të kenë një karrikë parlamenti. Sikur pagat e pa meriturara të këtij parlamenti kot, në këtë ekzistencë kote, me llogje batutash, të atij kamioni reportabël të bonifikimit shqiptar, pagat e 2020 t’i kishe hequr sepse janë një fyerje në raport me të ardhurat dhe mundësitë ekonomike të shqiptarëve, mbyllje shumë plagë të hapura. Por kjo nuk ndodh, ndaj ndodh ajo që shqiptarët duhet të dëgjojnë dënglat tuaja se sa i korruptuar është çuni i Salës. Sikur janë shqiptarët ata që po e fshehin guerrilasin e Salës. Për ato paratë rifuxho në atë kërren e kuqe nuk flet zotrote, as për kafetë në hollet e europës me kontingjentin e gjykatave. Nuk ndreqen shtëpitë e shqiptarëve, nuk mbushet kuleta e tyre duke iu përveshur Spakut se kë po arreston dhe se kush dhe kush është i këtij apo atij subjekti. As me ca show OFL-je etj. Janë pikërisht ato strategji që sollën rënien tatëpjetë të Sali Berishës më 2013-tën. O i bëni nga budallallëku, o i bëni enkas të bindur se i keni ndarë dysh shqiptarët sot. Ka mundësi të jetë kjo e dyta. Mbajeni se theqafja ka nisur. Mirësisht është e kuptueshme sot që për shqiptarët je një çiban. Ua shanë presidentin kur vet e emërove, shqiptarët nuk kanë votuar kënd aty. Ua ndryshon kushtetutën, kur i teket Edi Ramës dhe ty, shqiptarët nuk e kanë votuar kurrë këtë. Ke si shembull rast referendumin e vitit 1994 mbi pushtetin dhe kompetencat e presidentit të kohës. Shqiptarët e refuzuan. Atë që nuk po bën dot sot popuj apo shoqëria civile si ajo në Turqi, Rusi, apo Bjellorusi. Shqiptarët duan një ti tillë si ajo e Amerikës, për më tepër një shtetar gatitu para librit themeltar të shtetit. Dhe nëse duhet të ndryshojnë diçka, lërjani vullnetit të tyre.
29 korrik 2020
Kushtetuta
Nëse ndalon një shqiptar në rrugë dhe e pyet rreth ndryshimeve në kushtetutën e vendit, nëse është i majtë do të thotë menjëherë që, po, duhet. Dhe kjo kuptohet nga që po e kërkon dhe po e bën Edi Rama. E nëse është i djathtë, menjëherë jo, nuk duhen. Dhe kjo nënkupton faktin që po e kundërshton opozita. Megjithëse të jemi të qartë, në këtë rast opozita po e kundërshton parimisht nga mos’dakortësia në këshillin politik për hapjen 100% të listave dhe absurdit të kufirit në lidhje me koalicionet. Se kushtetuta në vetvete nuk është tabu, ajo mund të preket veç me shumicë të dakortësuar, ose më perfektja referendum. Nga 1991 deri më 1998, pas anulimit të kushtetutës së partisë së punës, Shqipëria operoi me dispozita kushtetuese, ku vendi shkoi edhe në një referendum popullor për forcimin e pozitave të presidentit. Asokohe Sali Berisha. Qe një humbje katastrofike përmes një pjesëmarrje të lartë në votime, megjithatë Berisha ia kërkoi këtë popullit, jo parlamentit. Nëse do kishte vepruar ashtu, sot do kishim një Llukashenko albanez në krye të Presidencës, pra vet shkop e vet zot. Në u bëm me kushtetutë konsensuale në tetor 1998, me votë popullore dhe pjesëmarrje gati historike afro 93%. Dhe po t’i referohesh historisë sonë të re, kjo kushtetutë e miratuar në tetor 1998, prapë është prekur disa herë. Jo vetëm për rolin e KQZ-ës, por edhe numrin e anëtarëve. Eshtë prekur për mandatet kohore të kryebashkiakëve, nga 3 në 4 vjet. Eshtë prekur për zgjedhjen e presidentit, për të rrëzuar shifrën magjike prej 84 votash. Pasi të gjithëve u kujtohet ngërçi presidencial, sa herë afrohej dita e zgjedhjes së presidentit në parlament, vendi shkonte në krizë politike. Pra shifra magjike 84 u hoq, kësisoj presidenti mund të zgjidhej fët e fët, mjafton edhe 1 votë më shumë se kundërshtari. Kjo fuqizonte kompetencat e kryeministrit, madje i jepte atij pushtet deri në shkarkimin e presidentit. Qenë ato ndryshime kur Ilir Meta fluturoi mbi tavolina duke iu hakërryer Jozefina Topallit, mirëpo konsensusi PD-PS apo Berisha Rama qe arritur. U prek edhe për sistemin zgjedhor miks, këtë që po vuajnë sot shqiptarët, që i dha mundësinë e tepsisë Edi Ramës, por që qytetarët kurrë nuk e kuptuan. Aq sa edhe sot ka një konfuzion sa listat e hapura konceptohet si shpëtim nga bota e krimit. Në fakt është një thikë me dy presa, duke i dhënë mundësinë edhe blogerëve, apo trendit në modën e listave ta shfrytëzojnë deri në pikën e fundit anarshinë kombëtare. Gjithsesi është koha ajo që do e dëshmojë dhe ndofta Shqipërisë i duhet të kaloj mes kësaj xhungle politike. Është prekur rishtas për KQZ-ën. Është prekur me presionin e botës, kjo qe prekja në dukje në nerv, e vitit 2012, ajo e heqjes së imunitetit. Ky privilegj absurd që e mbante larg politikanin shqiptar përpara ligjit. Pjesa e shëndetshme e shoqërisë gjykoi se më në fund do fillonte era e demokracisë së vërtetë, por koha vërtetoi se drejtësia kishte vdekur. Nuk ishte vetëm imuniteti, por edhe drejtësia 99% e korruptuar, balanca jetike për funksionimin e shtetit demokratik. Kësisoj po me presionin e botës, kushtetuta u prek rishtas, korrik 2016 kësaj here për reformën në drejtësi, por me konsensus palësh. Një reformë që sot e 4 vjet e ka futur Shqipërinë jo vetëm në krizë politike, por stanjacion, pa institucione funksionale aq sa një shtetar mund të vrasi e të pres si të dojë dhe në emër të ligjit. Dhe kjo jo për faj të botës, jo për faj të reformës, por kulisave të politikës dhe atyre që janë këmbë e kokë fytyra të varfërisë së shqiptarëve të lodhur që shohin liderët e forcave si baballarët e kombit. Megjithatë po ta vini re nga 1998-ta e deri sot, ndryshimet që janë bërë me referendum popullor, u minimizuan në konsensus forcash politike, deri sot në veton e një individi dhe ca deputetëve listash, produktit të dështimit tonë. Mund të fitoj kushdo, por asesi shqiptarët. Afërmendsh nuk ke si fiton kur nuk voton.
30 korrik 2020
Emigrantë injorantë
1) Shoh një tufë legenësh që në këtë katrahurën e Kakavijës, i quajnë emigrantët tanë injorantë. Se nuk duhej të vinin për pushime kur dihej se koha që po jetojmë, kjo në lidhje me pandeminë dhe rregullat doganore ndërshtetërore, nuk ishte e përshtatshme. Nga ana tjetër kanë disa muaj që bashkë me qeverinë e falimentuar, shtypin viziv e virtual po të falimentuar, me shtetin e falimentuar, që bëjnë një propagandë gjoja patriotike për kalimin e pushimeve në vend. Me tituj pompozë, pusho shqip, bli shqip, ushqehu shqip, zbulo vendin tënd etj. Një tufë legenësh që gjoja i hakërrohen Greqisë dhe vdesin të publikojnë ato gojët plot pështymë karshi saj, madje me frymëzim turk. Dhe këtë e bëjnë, jo se u dhimbsen emigrantët, por është ajo taktika e vjetër për të mbuluar dështimin e tyre. Pasi emigrantët aq u deshën, të vinin, të harxhonin paratë dhe të thyenin qafën. Në shtator legenët do raportin bumin ekonomik në turizëm fal qeverisë.
2) A po tallet doganat greke me ne? As që diskutohet, sa të duash po tallen. Humbja e personalitetit nuk vjen nga tjetri por nga vetja. Ndaj krimin më të madh karshi nesh, përpara se Greqia po e bën shteti ynë. Në fakt të gjithë shtetarët e këtyre tridhjetë viteve demokraci. Vetëm për një arsye, sapo marrin pushtetin e drejtojnë vendin me metodat e partisë dhe jo me ligje. Që nga viti 2013 kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës shqeu gjithë europën për një marrëveshje deti nga para ardhësi i tij, e shqeu me sytë e naciolizmit jo të praktikave ligjore. Nga ana tjetër bëri po kaq show me takime vajtje ardhje ministrash të jashtëm, pa arritur asgjë. Për më keq akoma precedenti me pronat dhe minoritetet. Por ajo që është më e dhimbshmja, politika provinciale e karshillëkut karshi një vendi fqinj që mban peshën e emigracionit tonë. Në këto shtatë vite pushtet kryeministri i Shqipërisë nuk zbriti një herë të vetme në Athinë dhe anasjelltas, as Ciprasi e as ky, Miçotaqisi nuk janë dukur në Tiranë. Fuqia e ekonomike e krahut të punës nga Greqia, është fare e thjeshtë për t’u llogaritur, radha prej 20 kilometër e vargut me makina në Kakavi. Mirëpo në Shqipëri e drejtojnë vendin legenët, jo ekonomia.
3) Në marsin e këtij viti dogana e Kapshticës u bë epiqendër e vëmendjes sonë kjo fal kamerave personale të emigrantëve që me një urdhër absurd, nuk lejoheshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Nuk ishin doganat greke që i pengonin, ishte policia shqiptare. Nuk i pranonin pasi i gjykonin si krijesa me murtajë, si lebrozë. Ata ishin gjaku i tyre, njerëz me halle, muhaxhirë që ktheheshin tek nëna. Heronj të kohërave me plot dështime. Madje kryeministri i vendit nuk dëgjonte nga ai vesh, urdhri qe i prerë, karantinohuni me paratë tuaja. Kush njeh pak protokoll komunikimi i dhëmb zemra, zë kokën me duar sepse është absurde t’i thuash shtetarit tënd, ushtarit kushtetues, karantinohu me xhepin tënd. Jo pak por një javë, në qiell të hapur. Shefi nuk dëgjonte, madje shumë e konsideronin si meritë për mos përhapjen e virusit. Të tjerët, legenët rreth tij si një masë prej burri shteti. Ishte fyerja më e madhe që mund t’i bëhej një qytetari nga vendi amë. Kësisoj si Greqia dhe Italia kanë të drejtë legjitime të luajnë me ne e të na trajtojnë si çerra inkubatori.
4) Legenët i paska me shumicë vendi, ynë. Thonë emigrantët janë injorantë. Këtej pandemia, këtej vinë për pushime. Kanë kohë që kanë filluar një propagandë karshi emigrantit. Nga ana tjetër i kanë ambasadat a konsullatat produkte jo të shërbimit civil, por të skandaleve, ryshfetit, mitmarrjes. I kanë kontingjent të drogës dhe prostitucionit. Po ashtu mjetet e informimit publik, se po të funksionin këto, nuk do shikonit radhë aty sot. Po ashtu qeverinë, a qeveritë me radhë. Po ashtu ushtrinë dhe policinë.
16 gusht 2020
Telefonatat e Edi Ramës me Lukashenkon
Në kohën që Edi Rama përpiqej të lidhej me Lukashenkon, me që Shqipëria ka kryesimin e radhës së OSBE, presidenti bjellorus po u shpërndante medalje nderi policëve besnikë. Burgjet ishin mbushur, të rrahur sa të duash, madje edhe dy a tre kishin ndërruar jetë. Çfarë në fakt kërkon Edi Rama t’i ofroj Lukashenkos, përvojën shqiptare apo atë të OSBE-s? Kjo është një pyetje naive për faktin se OSBE, një grupim ndërqeveritar, ka për qëllim të gjendet në krizat brenda grupit, sidomos aty ku mungon dialogu, zgjedhjet e lira, liria e fjalës dhe të drejtat e njeriut. Pasi vet Shqipëria ka qenë një vend problematik për sa u përket këtyre kritereve, për më tepër kur parimi bazë i ekzistencës OSBE është vendim marrja me konsensus të gjerë. Jo më larg se disa javë, në 30 korrik 2020 Shqipëria ndryshoi Kushtetutën e vendit me veto dhe pa konsensus. Jo më larg se një vit mbajti zgjedhje moniste, pa faktorin alternativë a opozitën, duke shpallur një rezultat alla Lukashenko. Eshtë pyetje naive për çdo pikë të ekzistencës së OSBE-s në lidhje me demokracinë në vendin tonë, pasi shqiptarët kurrë nuk e pranuan dot vetë rolin e saj. Jo vetëm të OSBE-s por edhe të plot institucioneve ndërkombëtare. Dhe ajo që është më thelbësorja, hapjen e krahut a rrotacionin politik. Ndofta mund të jetë rasti kur OSBE shikon me sytë e vetë firot e institucionit. Ose atë se si hajduti mund të ndihmoj hajdutin, se si one man show drejton, sundon, pret e vret në emër të demokracisë. Nëse sot do të ofrohej ndihma e OSBE-s bjellorusëve prej çdo vendi tjetër të rajonit tonë, Shqipëria nuk e meriton. Fare mirë mund të ishte edhe Maqedonia, madje me zgjedhjet e fundit dha një shembull të përkryer të pushtetit me qytetarin. Dhe mos të na vij hidhur fare, madje mund të jetë shumë herë përpara nesh brenda komunitetit europian. Mund të ishte edhe Kosova jonë, një model tjetër i përkryer i rotacionit dhe konsensusit, i pranimit dhe dialogut. Por asesi Shqipëria e Edi Ramës. Kjo edhe për një fakt të thjeshtë, Edi Rama ka 22 vjet në pushtet, Lukashenko 26. Edi Rama restauron shtëpinë me gjethe, kurse Lukashenko lyen me gëlqere pemët me brigada vullnetare. A ja hapi telefonin në fund Lukashenko Edi Ramës, sigurisht që po. I dha ftesën për ceremoninë e radhës, triumfin e diktatorit.
19 gusht 2020
Shqiptarëve në Malin e Zi
Një nga arsyet që kuotat e Donald Trump-it janë më të ulta se rivali i tij, është përqendrimi i luftës politike tek personi dhe jo problemet gati depresive që po kalon vendi. Sot papunësia është kryefjala, megjithatë fushata politike ka arritur kulmin e një lloj propagande karshi personit. Për herë të parë Amerika është në ujrat e vendeve ku dominon uni dhe jo indeksi ekonomik apo shoqëria. Që e bën majta është normale, por kur e bën edhe djathta, asesi. Palët po merren deri me aksentin e zonjës së parë kur dihet që ky vend është trualli i emigrantëve. E solla këtë situatë për t’i thënë shqiptarëve në Malin e Zi se retorika propagandistike është kanceri real i çdo shoqërie. Dhe kur bëhet fjalë për pakicat etnike, është murtajë, a pandemi, quajeni si të doni, por në një fund të çojnë të gjitha në humbjen e padiskutueshme deri në shpërbërje. Pakicat kombëtare kanë dy shtylla bazë, të drejtat e tyre dhe ekonomi të qëndrueshme. Statusi social sot i shqiptarëve aty në 10% e shoqërisë malazeze me 10 parti politike, është totalisht i pa konceptueshëm dhe jo i pranueshëm. Që të mbijetoni duhet të votoni për veten dmth të drejtat tuaja. Dhe kjo bëhet përmes një unisoni perfekt të gjakut shqiptar. Eshtë e trishtueshme t’i referoheni Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse kjo e fundit ka koncept më progresist në balancimin e pushtetit, prapë akoma nuk ka vënë në provë ekonominë e saj. Shembull i unifikimit ishte dhe rezultati i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, megjithëse me koalicion. Perfeksioni do ishte me një lëvizje të unifikuar. Si rast të dështimit keni Menduh Thaçin dhe ta mendosh se kush qe dijetari që e themeloi atë forcë politike. Shqipëria e ka humbur modelin frymëzues, mjaft të dëgjosh se si kryeministri i saj u kërkon të votoni një parti malazeze për shkak të aleancës me gjoja partitë simotra në vendet e rajonit. Dhe ajo që është më e rëndomta e ka humbur modelin frymëzues edhe si shoqëri. Eshtë e gjitha në funksion të njëshave dhe të mercenarëve e ndërgjegjësuar që po shpërbëhet. Të mbyt me të njëjtat argumenta që të kërkoj votën për të ardhur në pushtet. Përshembull plehrat ligji i plehrave në 2013 ishte vrasje kombëtare, sot është aset kombëtar. Marrëveshja e detit me Greqinë ishte tradhti kombëtare, sot është e drejtë legjitime e Greqisë. Mbyllja publike, a izolimi ishte shtrëngim kombëtar i gjendjes së luftës, sot hapje totale. Kur them si Shqipëria dhe Kosova kam parasysh edhe një detaj tepër thelbësor, atë të çështjes kombëtare. Ndofta vendet e tjera të rajonit mund ta kenë luks që një forcë e vetme, a një mazhorancë, ka të drejtën kushtetuese të diskutoj kufijtë a territoret, por asesi ne shqiptarët. Pasi fakti histori na bie kokës, jetojmë sot të ndarë në 5 shtete. Çështjet kombëtare duhet të jenë unison kombëtar, kjo me pjesëmarrje të domosdoshme të palëve. Kur të arrimë të mundim egon tonë atëherë do të jemi të denjë të këshillojmë në rastin konkret bjellorusët. Kur të kemi ekonominë tonë të fortë atëherë do jemi të aftë të kuptojmë se sa përjetësisht na k gërryer nacionalizmi i sëmurë karshi dovletit, përçarja a interesi i ulët i bythës, me një fjalë i karriges jo i vendit. Kjo është Shqipëria e deri diku Kosova, ndaj ndihmojini dheun amë. Unifikohuni në një lëvizje të vetme, atë të shqiptarëve dhe përkushtojuni ekonomisë dhe të drejtave të njeriut.
28 gusht 2020