U NDA NGA JETA QËNDRESTARI DHE LUFTETARI I LIRISE, ISH-DEPUTETI ESAT ÇOKU!
Dalip Greca
Deputetet e Lushnjes-Nga e djathta Izet Shehu, Esat Coku, Dr. Ihsan Cabej dhe Kujtim Gina.
Sot, e Diel, 6 Shtator 2020, në orën 3 pasdite, në varrezat e fshatit Muçias-Remas, Lushnje, u përcoll me nderime luftëtari i lirisë, qëndrestari i burgjeve të diktaturës, ish kryetar i Shoqatës të Përndjekurve politik të Lushnjës dhe pjesë e Kryesisë të Shoqatës Kombëtare që në krijimin e saj, ish deputeti demokrat, sekretar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Lushnjës, Esat Azem Çoku. Falenderoj vëllezërit e mi që ishin pjesë e ceremonisë duke ma lehtësuar dhimbjen për mikun tim dhe të familjes! Ngushëllime bashkshortes Zyhra, djalit Frenki, vëllait Bedri Çoku me familje, të gjithë të afërmëve dhe familjarëve, miqëve dhe të njohurëve të Esatit.
Ne mitingun e pare ne qytetin e Lushnjes me Dr. Sali Berishen.
Esat Çoku ndërroi jetë në moshën 76 vjeçare.
Me bashkevuajtesin e tij Fatbardh Kupi.
Sot në biseda telefonike me bashkëvuajtësit e Esatit, me Dine Dine(Nasufi), Lek Mirakaj, Eqerem Mujo, kemi shprehur ngushëllime njeri-tjetrit për humbjen e mikut tonë të dashur!
***
Esat Çoku i përket atij krahu të shoqërisë shqiptare që u përball dhe u ndëshkua dhunshëm nga diktatura komuniste. Është ndër familjet myzeqare që mbart peshë të rënde të diktaturës me dënime të ashpra:
– Azem Çoku, babai, 11 vjet burg (Emrin e tij e mbanë rruga e fshatit)
– Caush Çoku, djali i vogël, 22 vjet burg (ndjesë pastë ndërroi jetë para një muaji)
– Bedri Çoku, djali i dytë, 23 vjet burg
– Esat Çoku, djali i madh, më 14 janar 1980, Gjykata e Rrethit të Lushnjës e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie.
– Esma Çoku, e internuar me dekada, bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve të burgosur; 64 vjet dyerve të burgjeve, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe bijve.
***
Esat Çokun e njoha në ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur Partia Republikane më kishte besuar postin e sekretarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, edhe pse deri atëherë nuk isha anëtar i asnjë partie politike.
Partia Demokratike e Lushnjës, e cila e kishte Esatin anëtar të kryesisë së vet, e kishte caktuar si përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv, anëtar i Kryesisë, ndërkohë, ai qe dhe kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Lushnjës dhe në kryesinë e Shoqatës Kombëtare.
Takimi i parë me Esatin ishte fare i veçantë, takim në mungesë. Nuk ishte bërë akoma prezantimi i Kryesisë së Komitetit Pluralist dhe ende s’isha takuar me Esatin, kur në zyrat e Kryeministrisë në kryeqytet, kisha shkuar me nënkryetarin demokrat z. Seit Prishta, më bëri përshtypje një burrë i gjatë, zeshkan, Këshilltar i kryeministrit, i cili kur lexoi emrat e anëtarëve të Komitetit Pluralist të Lushnjës, i ndali sytë tek emri i Esatit dhe pyeti: – Paskeni Esatin ju të PD-së?
– E njihni? – e pyeti nënkryetari demokrat.
– Kam qenë hetuesi i tij… Dhe nxitimthi shtoi: Por nuk i kam hyrë në hak. Ia thashë se ne për çka e akuzonim i kishim të provuara akuzat, kishim dëshmitarë me shumicë, kishim incizime, pastaj… (ish hetuesi pushoi pakëz) … ai ishte planifikuar prej kohësh sepse i kishte dy vëllezër në burg, ndërkohë dhe i ati i kishte vuajtur 11 vjet për politikë dhe ishte varrosur si kulak dhe “armik i popullit”!. Ky qe shpjegimi vullnetar i hetuesit B C (tash i ndjerë), që në ato momente nuk ishte më hetues, por ishte në rolin e juristit të Kryeministrit Ylli Bufi. Më vonë Esati do të ishte në të njëjtin Parlament me ish-hetuesin e tij; njëri deputet i PD-së, tjetri deputet i PS-së. Një fakt i hidhur i demokracisë shqiptare, të cilin Esati e denoncoi si fenomen shqiptar, në një artikull të botuar në Gazetën”Ora e Fjalës”!
Kur u kthyem në Lushnjë ia thamë Esatit ndodhinë me ish-hetuesin. Ai vetëm qeshi, ndërsa më vonë, kur do të shkonte në Parlament, së bashku me të dhe ish-hetuesi i vet, deputet i PS-së, ai do të pinte kafe me të, por nuk do të rrinte pa i thënë se hetuesit para se të bëheshin deputetë në një Kuvend me viktimat e tyre duhej të kërkonin falje.Më pas do të botonte një shkrim kurajoz në gazetën lokale “Ora e Fjalës”, të cilën unë e drejtoja ato kohë, ku thoshte se nuk mund të kishte demokraci të vërtetë kur ish-hetuesit tanë, pa na kërkuar falje, vijnë të përfaqësojnë popullin në Parlament, ndërkohë që na kishin dënuar dje po në emër të popullit, natyrisht pa e pyetur popullin.
Ish-hetuesi i tij kishte heshtur. Esati nuk ishte ekstremist ndaj atyre që i shkaktuan vuajtje atij dhe familjes së tij, por ai kërkonte së paku një ndjesë publike nga aktorët dhe ingranazhet e diktaturës, gjë që nuk është bërë ende.
Me Esatin qeverisëm në një kohë të vështirë, kohën kur bashkë me ndryshimin politik u manifestuan veprime anarkiste dhe Lushnja ishte një ndër rrethet që “ishte planifikuar” t’i nënshtrohej terapisë së shokut dhe të kthehej në tokë e djegur: U dogjën furrat që prodhonin bukë për qytetarët; u shkretuan serrat model të Divjakës, që furnizonin dikur vendet e Lindjes; u prenë plantacionet e mollëve, filloi prerja dhe djegia e ullinjve, u shkulën vreshta, pa përmendur plaçkitjen e ndërmarrjeve dhe fabrikave. Në këto kushte Komiteti Pluralist (ku Esati ishte anëtar i tij, përfaqësues i PD-së dhe unë sekretar, përfaqësues i PR-së) përpiqej që të harronte përkatësitë partiake dhe t’i dilte për zot qeverisjes vendore. E ndjenim se policia e vjetër që kishim për të ruajtur rendin në të shumtën e rasteve ishte bashkëpunuese me ata që shkatërronin. Në këto kushte morëm rrugën për në Tiranë; fillimisht trokitëm tek Kryeministri, por ai s’kishte kohë që të na priste; iu afruam Presidencës që ende kishte në krye Ramiz Alinë, por para nesh atje kishte shkuar kryeprokurori dhe kryegjykatësja socialiste; kështu që nuk kishte vend për ne; përfundimisht na priti ai i Rendit, Vladimir Hysi. Ankesat tona ishin për Rendin, kërkuam ndëshkimin e shefit të policisë.
U la që ballafaqimi të bëhej në Lushnje. Esati qe ndër ata që ia numëroi të gjitha haptazi shefit të Rendit, duke kërkuar largimin e tij. Më bënte përshtypje kuraja e Esatit; ai ia thoshte copë mendimin e tij kujtdo, pavarësisht se e vërteta ishte e hidhur.
Një ndër bashkëpunimet me Esatin ishte ceremonia madhështore e rivarrimit të 67 viktimave të komunizmit, të pushkatuar nga Mehmet Shehu në fshatin Matjan. 67 burra, ndër ta dhe fëmijë, ishin pushkatuar nga Mehmet Shehu në vitet e luftës; motivi i vrasjes ishte pjesëmarrja e tyre me Ballin dhe deklarata e njërit prej fshatarëve, Kurt Xhepa prej Çerme, që i kishte deklaruar të tmerrshmit Mehmet Shehu: “Unë derr bëhem dhe komunist nuk bëhem!”. Komandanti i tmerrshëm qe bërë bishë dhe i kishte çuar të gjithëve nga një plumb.
Rivarrimi i viktimave të terrorit komunist ishte një ndër prioritetet e pushtetit të ri demokratik që sapo ngrihej në këmbë. Ceremonia që u organizua në qytetin e Lushnjës pati për realizues Esatin; së bashku shkuam në fshatin ku ishin pushkatuar viktimat e pafajshme dhe me ndihmën e fshatarëve siguruam eshtrat e tyre, ndërkohë që Sigurimi i vjetër i Shtetit u përpoq që të pengonte me çdo kusht ceremoninë. Veteranët u përpoqën që të ngrinin kundër opinionin qytetar për faktin se Komiteti ynë Pluralist mori një vendim të guximshëm; arkivolet të varroseshin në varrezat e dëshmorëve të qytetit, përbri parcelës ku ishin varrosur dëshmorët partizanë. Komiteti i veteranëve filloi të lëvizte, ankesa në Tiranë dhe në Komitetin tonë Pluralist. Esati, që kryesonte komisionin e rivarrimit, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë, mbrojti me logjikë mendimin unanim të Komitetit Pluralist: “Ju kërkoni pajtim kombëtar, pa na kërkuar falje për viktimat që keni çuar në varre pa gjyq, pa kërkuar falje për 64 vjet burg të familjes time plus dhjetëra vjet internime, pa kryer asnjë lloj krimi; dhe tani nuk pranoni që pajtimi të fillojë nga të vdekurit e pafajshëm?”. Debati u mbyll me fitoren e Esatit dhe e gjithë Lushnja doli dhe përcolli në varreza dëshmorët nacionalistë. Mijëra qytetarë morën pjesë dhe asnjë nga parashikimet kërcënuese të veteranëve nuk ndodhi. Më pas Esat Çoku kreu detyrën e sekretarit të Komitetit Pluralist, edhe pse nuk kishte asnjë mundësi zgjidhje për hallet e qytetarëve, ai u përpoq që të mirëkuptohej me qytetarët, pavarësisht se të kujt pale ishin ata, të majtë apo të djathtë; ndërsa në takimet e partisë së vet ishte i papajtueshëm për devijimet majtas.
Edhe detyra që kreu në Komisariatin e Policisë ia rriti kredibilitetin ish-të përndjekurit politik Esat Çoku, ndërkohë që si ish-kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve, ai u përpoq që të integrojë të vuajturit në shoqëri, ndërsa fëmijët e tyre t’i nisë drejt universiteteve. Koha kur përfaqësoi Partinë Demokratike në Parlament, 1992-1996, ishte një kohë prove për të, provë që e kaloi suksesshëm, ndërsa në kohën e revolucionit përmbysës të pushtetit demokratik ai u përpoq sa mundi që të ndalte hovin e shkatërrimtarëve.
***
Esati me bashkëshorten Zyhra dhe djalin Frenki jetuan rreth dekadë në SHBA (New York), thirrja e vendlindjes ishte e fuqishme dhe ai u kthye atje.E vazhduam miqësinë familjare,siç e ksihim në Lushnjë. Në veprimtaritë e Komunitetit, Esati ishte pjesmarrës aktiv. Në Vatër gjeti veten. U bë pjesë e veprimtarive të saj. Vatranët e ndjejnë dhimbjen e humbjes së tij edhe në Vatër dhe I përcjellin familjes ngushëllimet më të thella!
Lamtumirë , mik i dashur! (Dielli)