Albspirit

Media/News/Publishing

Hafize F. Elshani: Jetoje jetën sipas pasionit tënd!

 

Mos jini vajza të mira!

Mos jini vajza të urta!

Mos jini vajza të ndrojtuna!

Mos jini vajza të buta!

Mos jini vajza të heshtuna!

Askush s’ka me mbajtë mend sakrificat tuaja të dhimbshme, as dorëheqjet e shtrenjta, as erën e çarçafëve me lule, as hekurin në prizë, as fjalët që nuk kthyet mbrapsht, as mendimet që nuk thatë, as lotët që fshehët, as fustanet që nuk veshët, as andrrat që nuk ndoqët.

Veç ju keni me mbajt mend palumturinë tuaj si suvenir i një udhëtimi me sy të mbyllur.

Veç ju keni me mbajt mend netët pa gjumë, zemrën e lodhun, kohën e humbur!

Mos jini vajza të mira!

Mos jini vajza të pagabueshme!

Mos jini vajza të përshtatshme!

Mos jini vajzat që kërkon shoqëria, tradita, televizioni, revistat apo Instagrami.

Jini vajza kryeneçe!

Jini vajza të forta, të vendosuna, të vështira, të gjalla, të pavaruna, të lira.

Mos jini vajzat që respektojnë rregullat!

Mos jini vajzat që thyejnë rregullat!

Jini vajzat që rregullat i bajnë vetë.

Mos jini vajza të mbara!

Jini vajza të mençura.

Jini vajzat që ju frymëzojnë.

Jini vajzat që besojnë në vete.

Jini vajzat që zemërohen kur nuk dëgjohen!

Jini vajzat e rezistencës, artit, sportit, shkencës, shtëpisë e familjes.

Jini vajzat që ju mbajnë gjallë!

Jini vajzat që ecin vetë.

Jini vajzat e erës, malit e shtegtimeve.

Jini vajzat që rrisin andrra, lule, fëmijë o vetmi.

Jini vajzat që tregojnë histori, që shkruajnë historinë, që e ndryshojnë historinë.

Jini vajzat e vetes, por me vendin tuaj në botë.

Jini vajzat që vendosin vetë… për trupin, për mendjen, për përgjigjet, për zgjedhjet, për lirinë, për martesen, mëmësinë, karrierën.

Jini fëmijët e prindërve tuaj, por vajzat e askujt!

Jini vajza të pandreqshme kur ju kërkojnë me ndreq gabimet që s’ju përkasin.

Jini vajza të pandershme kur ju kërkohet numri i burrave, numri i dashnive, numri i shtretënve ku keni kalu.

Jini vajza të pazbutshme kur ju kërkojnë me e harxhu jetën nën ligjin e një burri.

Mos jini vajza të bukura!

Jini vajza që mendojnë bukur!

Vishuni si të doni!

Duani kë të doni!

Qeshni si të doni!

Kërceni si të doni!

Jetoni si të doni!

Jini vajza të “kqija”, por njerëz, njerëz të mirë!

Please follow and like us: