Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: STUHI KUJTIMESH

 
Prozë poetike
Nganjëherë me duket sikur kam fatin e erës… Rri pa gjumë dhe dëgjoj ulërimat e saj që vdes pak e nga pak në luftë me pemët që i thyejnë hovin e madh dhe me kodrat përreth.
Ka gjëra më të forta se unë në këtë botë, mendoj. Shuhet ngadalë brenda meje bota përreth dhe nisin rrugëtimin e tyre të heshtur kujtimet. Gjërat që më kanë ndodhur, tashmë qëndrojnë si hiri i cigares së shuar mbi tavëll. Mos vallë, mendoj, ne e kemi bërë zakon që jeta të jetë veçse një instikt për të jetuar, se të gjitha mendimet tona lindin dhe asgjësohen nga pamundësia, se shpesh mendojmë për gjëra që janë larg nesh, por që duam t’i afrojmë? Çfarë mendoj!
Jeta ime ka qenë vërtet e çuditshme, jo si një rrjetë merimangash ku çdo fill të lidh me fillin tjetër, apo si një bujtinë ku salloni i madh të lidh me të gjitha dhomat, apo si në vargmale ku jehonat përsërisin vetveten për një kohë të gjatë… Jo! Jeta ime ka qenë si rrugët që zgjohen në një pyll, rruga vazhdon mes drurëve gjersa humb, pastaj nëpër errësirë kam gjetur një rrugë tjetër, kështu që rrugët e mia ishin të shkurtra dhe pa asnjë drejtim në atë pyll të pafund të jetës. Ndoshta tani do të më pëlqente të shkruaja diçka për jetën time dhe për ëndrrat që kam pasur, por që s’ munda t’i realizoja dot.
Pas erës që reshti, ka nisur të bjerë shi dhe dëgjoj pikat e tij sesi trokasin në dritare në këtë fillim vjeshte. Do të doja ta fusja shiun të gjithin brenda vetes. Të më jepte hov dhe të zgjohesha me forcën e një lumi. Vëzhgoj sesi tani në errësirë shiu nuk duket. Ndez abazhurin dhe ai shihet nga refleksi i dritës së kuqe. Pikat e shiut ashtu të mëdha, bien nën ritmin e një muzike të pashkruar që ka notat e saj, kompozitorin, duartrokitjet, mallëngjimet dhe dramat shpirtërore. Pikat bien lehtësisht nën një pemë pranë dritares dhe duke u shquar ky imazh nga drita e dobët e abazhurit të vogël ngjan se ato pikla nuk janë ujë, por shkrirja e errësirës qe fillon të shndërrohet në shkronja që thurin poezinë e vërtetë të heshtjes.
Askush s’mund ta prishë magjinë e stuhisë edhe pse është e frikshme dhe i ngjan afrimit të vdekjes. Jam i dashuruar me shiun dhe stuhinë dhe shpesh net të tilla më kanë dhuruar frymëzime të rralla dhe s’më janë dukur aspak të mërzitshme. Shiu sa vjen e bëhet më i vrullshëm e plot gjëmime bubullimash dhe unë ndjeva një shkrifje nervore të trupit, njëlloj sikur të kisha bërë dashuri me një femër. Kur hapësira i nënshtrohet kësaj zhurme prej legjende,kur xhamat deshifrojnë mijëra avuj frymëmarrjesh dhe prekje gishtash, kur libri që mbaj nëpër duar duket sikur digjet e merr flakë prej vetëtimës që i jep shpirtërim, atëherë po, më duket se kam lindur për të jetuar mes çudive! Por e dua stuhinë edhe kur nuk ka bubullima. Shpeshherë, net të tilla nuk mjaftohesha t’i përjetoja brenda përbrenda dhomës sime, por edhe jashtë, duke ndjekur me fytyrën lart në qiell, lëvizjen e çuditshme të reve, që në ikje u ngjajnë ca patave të trembura.
Por tani gjendem brenda kesaj dhome gjysmë të errët dhe përballë shiut ndjehem i dërrmuar nga kujtimet!
Por në çast, dritarja u shkund dhe u hap prej dritës së një vetëtime dhe brenda në dhomë hyri një çunak i vogël, që më ngjante. Ai erdhi e u ul pranë meje. Me shtrëngoi gishtat e duarve dhe ashtu të heshtur vështruam për orë të tëra qiellin e përflakur dhe brenda zemrës.
Please follow and like us: