Albspirit

Media/News/Publishing

 Meri Lalaj: In memoriam, Drita Kripa Pelinku!

Teksa mora vesh lajmin e hidhur se Drita Pelinku u nda nga jeta, dola në ballkon dhe për çudi flamuri ynë i kuq kombëtar, që e kam në dritare ishte përkulur në gjysmështize. Artistja e madhërishme Drita Pelinku u largua përgjithnjë pasi bëri edhe një rrotullim të fundit përqark Teatrit Kombëtar. Ajo u largua në një ditë të bukur vjeshte plot diell midis turmës së njerëzve, që po e përcillnin duke e duartrokitur. Një jetë e tërë mbi 60 vjet vetëm duartrokitje nga publiku i saj i dashur, që nga dita e parë e daljes në skenë deri në ditën e fundit të jetës. Ndër bisedat e fundit me Dritën, më la një amanet, një porosi, një dëshirë: që disqet me filmat e saj, intervistat televizive, kronikat, librat e shkruar për të, nderimet nga shteti shqiptar të gjitha këto të dorëzohen në Arkivin Qendror të Shtetit. Kam biseduar me zonjën Nevila Nika, drejtoreshë e këtij Arkivi, e cila u shpreh e gatshme për t’i vendosur në vendin e duhur. Drita Pelinku është një vlerë kombëtare për ne shqiptarët. Kemi humbur aq shumë nga vlerat tona kombëtare kulturore, prandaj duhet të bëjmë kujdes. Gjendja e saj shëndetësore në javët e fundit u rëndua së tepërmi dhe nuk pati mundësi që të përzgjidhte materialet me duart e saj. Kështu del për detyrë që amaneti i saj të çohet deri në fund.

Drita iku nga jeta më 2 tetor 2013, ditë kur Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” në të cilin ajo mësoi, kishte 80-vjetorin e saj dhe askush nuk e përmendi këtë ngjarje.

Kush ishte Drita Kripa Pelinku?

Pasi mbaroi shkollën fillore në Vlorë, Drita erdhi në Tiranë, më parë kishte ardhur motra e saj dhe të dyja vijuan mësimet në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”.

Drita Pelinku, aktorja jonë e mrekullueshme edhe sot e kësaj dite reciton vargjet e Vinçenc Prenushit apo të Dantes nga “Komedia Hyjnore”, vargje të cilët i mban përmendësh që nga koha kur ishte nxënëse e Institutit “Nana Mbretneshë”, madje që aty u përvijua edhe e ardhmja e saj si artiste. Në kohën që Drita ishte nxënëse, vajzë e vogël kujton pushtimin fashist: “Ne fëmijët po rrinim tek shkallët e shtëpisë së xhaxhait (xhaxhai ishte kujdestari i saj dhe e merrte nga konvikti të shtunave e të dielave) dhe atë të shtunë të 8 prillit, të habitura shikonim ushtarët italianë me pendë majë kapeleve të tyre, kur befas pamë se nga sytë e xhaxhait rridhnin lotët. Isha fort e vogël dhe e kuptoja se po ndodhte diçka e madhe, diçka e pa  kuptuar se çfarë kishte ngjarë me Atdheun tim. Kur vajta në shkollë të hënën veshur me përparësen e zezë dhe jakën e bardhë, vajzat më të rritura erdhën e më thanë: “Hiqe jakën e bardhë se jemi në zi. Nuk kuptoja, por hoqa jakën e bardhë. ” Pas vrasjes së Qemal Stafës, Drita mësoi përmendësh poezinë kushtuar heroit dhe ua recitoi shokëve duke shprehur gjithë dhimbjen që mbante në shpirt brezi i saj në çast njëri prej tyre u shpreh: “Ti, Drita do bëhesh artiste!” (Drita i kujton ende krejt vargjet e poezisë së dikurshme.) Drita mori pjesë në rezistencën antifashiste, ajo u binte rreth e rrotull rrugëve të Tiranës duke shpërndarë trakte mu nën hundën e pushtuesve.

Menjëherë pas çlirimit të vendit ajo konkuroi për aktrim. Në janar të vitit 1945 filloi mësimet në të parën shkollë të artit dramatik si e vetmja vajzë midis djemve. Në vitin 1946 ishte aktore profesioniste e Teatrit Popullor. Drita Kripa tashmë bëhet Drita Pelinku, u martua me këngëtarin e operas Hysen Pelinku, të cilin do ta ketë pranë në çdo hap të jetës. Në ditarin e saj Drita shkruan: “Muajin e mjaltit e kaluam në Pragë, ku do të organizohej Festivali i Parë i Rinisë Botërore. Aty merrte pjesë Ansambli i Këngëve dhe Valleve me solist Hysen Pelinkun”.

Drita kreu një kurs dyvjeçar nën udhëheqjen e Vladimir Kriçkos, regjisorit të talentuar rus duke marrë leksione në mjeshtëri aktori, letërsi botërore e psikologji. Por shkolla më e madhe për të ishte dhe është se nuk e lëshoi kurrë librin nga dora, gjithnjë duke punuar me fjalën e bukur shqipe. Më shumë se 60 vite në skenë me rreth 150 role në teatër dhe mbi 15 role në kinematografi. Drita Pelinku ka luajtur kryerole të dramaturgjisë botërore.

Drita është shquar me një veprimtari të gjerë edhe në fushën e pedagogjisë. Ata breza studentësh të përgatitur nga pedagoge Drita Pelinku janë sot personalitete në fushën e teatrit dhe kinematografisë, ata kanë pasur nderin dhe fatin e madh të punojnë dhe të mësojnë nga mjeshtëria, pasioni dhe talenti i Dritës. Ajo punoi 35 vite si pedagoge.

Gjithashtu Drita ka punuar në fushën e regjisurës jo vetëm me pjesët me studentët por duke vënë në skenë pjesë të suksesshme, si në skenën e Teatrit Kombëtar ashtu edhe në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës dhe në Teatrin e Kombësive në Shkup.

Një fushë tjetër në të cilën Drita ka dhënë ndihmesën e saj janë edhe shkrimet kritike plot vlera për shfaqjet dhe interpretimet e kolegëve të saj.

Drita Pelinku është një artiste e mirënjohur jo vetëm në çdo skaj të Shqipërisë, por edhe kudo ku jetojnë shqiptarë, të cilët e thërresin me emrat e personazheve.

Artistja e madhe është nderuar me shumë diploma, çmime, dekorata e të tjera. Në vitin 1986 i është akorduar titulli “Artiste e Merituar”, po në këtë vit i jepet çmimi kombëtar “Ismail Qemali”. Në vitin 1997 nga Bordi Drejtues i Institutit Amerikan të Biografive për arritjet në karrierë dhe kontributin për artin është zgjedhur ndër 500 personalitetet më me ndikim të botës. Në vitin 2000 është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe është shpallur “Personalitet i shquar i qarkut të Tiranës”.Në vitin 2006 Teatri Kombëtar e ka nderuar “Fisnikëria e skenës së Teatrit Kombëtar”. Në 80 vjetorin e lindjes së Dritës në oborrin e Teatrit Kombëtar, siç është bërë zakon për aktorët, është mbjellë një pemë me emrin e saj. Drita u shpall “Qytetare Nderi” e qytetit të Vlorës dhe në vitin 2012, Presidenti i Republikës, Zoti Bamir Topi e nderoi me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Artisti i Popullit dhe Nderi i Kombit, Kadri Roshi, ka shkruar për Dritën: “Kam një detyrim të madh shoqëror për të cilin kisha menduar t’i bëja edhe një letër presidentit. Do të veçoja marrëdhëniet artistike me aktoren që mendoj se rrallë do t’i vijë skenës shqiptare dhe që asnjëherë nuk është vlerësuar, aktoren për të cilën e kam të vështirë të gjej ku ka lozur e nuk ka pasur sukses, aktoren që kur bisedon me të nga ana profesionale dhe më i miri aktor do ta kishte zili. Dhe kjo është aktorja e madhe Drita Pelinku. Por që është dëgjuar pak. Nuk po flas as për vajzën time, as për djalin tim. Por jam i bindur se flas për artisten e madhe Drita Pelinku. Ajo është artiste e popullit.”[1]     

Aktori Timo Flloko ka thënë për Dritën: “Është një nga ato aktoret që ka mbajtur një peshë të madhe artistike në Teatrin Kombëtar. Një aktore me potencë të thellë dhe me një profil të spikatur të individualitetit të saj. Unë do t’i thosha se ajo është ende e re, ka fuqi krijuese dhe kjo është ajo që befason. Me sa duket arti të mban gjithmonë të ri!”

Drita Pelinku në vitet e fundit luajti me mjeshtëri në monodramën “Rouz” duke bërë që publiku të mbante frymën, ajo interpretoi në dramën e Artur Milerit “Shtrigat e Salemit” dhe është duke përgatitur një rol të ri në një dramë të Mihal Luarasit.

 

(Shkëputur nga libri Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”)

 

 

[1] Album “Drita Pelinku”, botim i AQSHF viti 2010.

Please follow and like us: