Joschka Fischer: Tragjedia Transatlantike
Përveç tensioneve pandemike dhe gjeopolitike, bota po përballet gjithashtu me krizën e klimës, ballkanizimin e ekonomisë globale dhe përçarjet teknologjike të gjera që sjell dixhitalizimi dhe inteligjenca artificiale.
Midis dramës në rritje kino-amerikane dhe krizës në vazhdim nga COVID-19, bota po pëson në mënyrë të padiskutueshme një ndryshimin thelbësor, historik. Strukturat në dukje të pandryshueshme të ndërtuara për shumë dekada po shfaqin papritmas një shkallë të lartë të lakueshmërisë, ose thjesht po zhduken krejtësisht.
Në botën antike, zhvillimet e sotme të paparashikuara do t’i kishin vënë njerëzit në pritje për shenjat e një apokalipsi që po vjen. Përveç tensioneve pandemike dhe gjeopolitike, bota po përballet gjithashtu me krizën e klimës, ballkanizimin e ekonomisë globale dhe përçarjet teknologjike të gjera që sjell dixhitalizimi dhe inteligjenca artificiale.
Ka kaluar koha kur Perëndimi – i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, me mbështetjen e evropianëve dhe aleatëve të tjerë, gëzonte përparësi të pakontestueshme politike, ushtarake, ekonomike dhe teknologjike. Tridhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë – kur Gjermania u ribashkua dhe SHBA u shfaq si superfuqia e vetme në botë – argumenti për aftësinë udhëheqëse të Perëndimit nuk është më i besueshëm, dhe Azia Lindore, me një Kinë gjithnjë e më autoritare dhe nacionaliste në krye, është duke lëvizur me shpejtësi për ta zëvendësuar atë.
Por nuk ishte rivaliteti i përshkallëzuar me Kinën që dobësoi Perëndimin. Përkundrazi, rënia e Perëndimit është nxitur pothuajse tërësisht nga zhvillimet e brendshme në të dy anët e Atlantikut, veçanërisht – megjithëse jo ekskluzivisht – brenda botës anglo-saksone. Referendumi i Mbretërisë së Bashkuar për Brexit dhe zgjedhja e Presidentit të SHBA i Donald Trump në 2016, shënoi një ndërprerje përfundimtare në angazhimin transatlantik ndaj vlerave liberale dhe një rend global të bazuar në rregulla, duke paralajmëruar ringjalljen e një fiksimi me mendje të ngushtë mbi sovranitetin kombëtar që nuk ka të ardhme.
Perëndimi transatlantik, një koncept i mishëruar në krijimin e NATO-s pas Luftës së Dytë Botërore, ishte rezultat i triumfit ushtarak të SHBA dhe Mretërisë së Bashkuar në teatrot e luftë së Paqësorit dhe Evropës. Ishin udhëheqësit e këtyre dy vendeve që krijuan rendin e pasluftës dhe institucionet e tij kryesore, nga Kombet e Bashkuara dhe Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (pararendësi i Organizatës Botërore të Tregtisë) në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Si i tillë, “rendi botëror liberal” – dhe në të vërtetë “Perëndimi” përgjithësisht – ishte tërësisht një iniciativë anglo-saksone, të cilën fitorja në Luftën e Ftohtë e legjitimonte.
Por në dekadat pasuese, fuqitë e botës anglo-saksone janë shteruar dhe shumë nga njerëzit e saj kanë filluar të dëshirojnë një kthim në një epokë mitike dhe të artë perandorake. Mundësia e rikuperimit të madhështisë së kaluar është bërë një parullë e suksesshme politike në të dy vendet. Midis doktrinës së Trump “Amerika e para” dhe përpjekjes së kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson për të “marrë përsëri kontrollin”, emëruesi i përbashkët është një dëshirë e zjarrtë për të rijetuar momente të idealizuara të shekujve XIX dhe XX.
Në praktikë, këto parulla përbëjnë një përmbysje kundërproduktive. Themeluesit e një rendi ndërkombëtar që mishëron demokracinë, shtetin e së drejtës, sigurinë kolektive dhe vlerat universale tani po e çmontojnë atë nga brenda, duke ulur kështu fuqinë e tyre. Dhe ky vetëshkatërrim anglo-sakson ka krijuar një vakum, duke mos çuar në një rend të ri por në kaos.
Sigurisht, evropianët – duke filluar me gjermanët – nuk janë në pozizionin që të distancohen të vetëkënaqur ose të drejtojnë gishtin drejt anglo-saksonëve. Duke parazituar në çështjet e sigurisë dhe thjesht duke bërë të ccuditurin me tepricat e larta tregtare, ata gjithashtu mbajnë përgjegjësi për ringjalljen e sotme nacionaliste.
Nëse Perëndimi – si një ide dhe si një bllok politik – do të mbijetojë, diçka do të duhet të ndryshojë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të jenë më të dobët të ndarë se sa si një front i bashkuar. Por evropianët tani nuk kanë zgjidhje tjetër përveç se ta shndërrojnë BE-në në një fuqi të mirëfilltë në të drejtën e saj. Një përçarje e thellë është hapur midis evropianëve kontinentalë – të cilët duhet të mbajnë konstruktin tradicional perëndimor – dhe anglo-saksonëve gjithnjë e më nacionalistë.
Mbi të gjitha, Brexit nuk ka të bëjë me çështje pragmatike të tregtisë; përkundrazi, përfaqëson një ccarje themelore midis dy sistemeve vlerash. Për më tepër, çfarë ndodh nëse Trump rizgjedhet në nëntor? Perëndimi transatlantik pothuajse me siguri nuk do të mbijetojë katër vitet e ardhshme dhe NATO ndoshta do të përballet me një krizë ekzistenciale, edhe nëse evropianët rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në përgjigje të kërkesave të SHBA. Për Trump dhe ndjekësit e tij, paratë nuk janë në të vërtetë çështja. Shqetësimi i tyre kryesor është me epërsinë amerikane dhe besnikërinë evropiane.
Në të kundërt, nëse zgjidhet ish zëvendëspresidenti i SHBA Joe Biden, toni i marrëdhënieve transatlantike do të bëhej më miqësor. Por nuk ka kthim prapa në epokën para-Trump. Edhe nën administrimin e Biden, evropianët nuk do ta harronin shpejt mosbesimin e thellë që është mbjellë këto katër vitet e fundit.
Kushdo që fiton në nëntor, SHBA. do të duhet të merret me një Evropë që i jep rëndësi shumë më të madhe sovranitetit të saj – veçanërisht në çështjet teknologjike – sesa ka bërë në të kaluarën. Ndërvarësitë komode të viteve të pas Luftës së Ftohtë ka kohë që ka kaluar . Marrëdhënia do të duhet të rimodelohet, dhe të dy palët do të duhet të përshtaten. Evropa do të duhet të bëjë shumë më tepër për të mbrojtur interesat e saj dhe Amerika do të bënte mirë të kuptonte se interesat e Evropës mund të ndryshojnë nga ato të sajat.