Albspirit

Media/News/Publishing

Meditim mbi dy bunkerët e luftës italo-greke që gllabëruan 9.5 milionë dollarë, a ia vlen të ruheshin?!

Bardhyl Berberi

Një jetë të tërë jemi rritur dhe kemi bërë plazh përbri këtyre dy relikeve të luftës. Arkitektura ushtarake e fortifikimeve të periudhës luftës italo-greke janë nga nga më të rrallat. Pogradecit, në hyrje të tij, i ka rënë në hise që të këtë këto dy fortesa të rralla që i kanë mbijetuar treçerek shekulli, por rruga e re që do të hapej e vuri në rrezik ekzistencën e tyre.

Dy bunkerët, apo siç njihen nga pogradecarët, fortesa e parë dhe fortesa e dytë janë të ndërtuar në pikën më të ngushtë të rrugës që kalon anash liqenit të Pogradecit, rreth 1 kilometër nga hyrja në qytet. Në njërin krah ngrihen shkëmbinj të rrëpirtë rreth 20 metra, ndërsa në krahun tjetër është bunkeri, gjysma e të cilit bie brenda në liqen. Praktikisht është çelësi i hyrjes në qytet.

Pushtuesit i kanë ndërtuar dy fortesat (bunkerët) që makinat që vinin nga gjithë Shqipëria qendrore dhe veriore, nuk kishin asnjë mundësi tjetër kalimi, po të mos kalonte përmes ngushticës së atij bunkeri.

Bunkerët janë katrore, me hyrjen me hark të cekët në krahun nga rruga. Në dy anët e tjera, ata kanë frengji që kontrollojnë rrugën. Nga krahu perëndimor ka dy frëngji dhe nga krahu lindor një frëngji. Nga ana e katërt, ajo qe sheh nga liqeni, nuk ka asnjë frëngji.

Shpërndarja e frëngjive të bën të mendosh se pritshmëria më e madhe e rrezikut ishte nga ana e rrugës që vinte nga Tirana, pra bunkeri mbronte hyrjen për në qytetin e Pogradecit. Planimetria e brendshme paraqet një korridor gjatësor me nga dy mjedise në të dy krahët. Mjedisi i katërt, ai pa frengji, duhej të kishte funksion si dhomë shërbimi, qëndrimi, municionesh, etj.

Materiali i ndërtimit është beton i derdhur dhe në sipërfaqe nuk shihen gjurmë rrjeti metalik strukturor.

Në të dy krahet e fortesave duken disa shenja predhash të shpërthyera në sipërfaqe të tij, gjë që çon në përfundimin se bunkeri e ka kaluar provë e zjarrit me artileri të rëndë. Duhet theksuar se vërtet dy fortesat janë ndërtuar në Luftën e Parë Botërore, por edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore janë përdorur si nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë… Rolin e relikeve ato e fituan pas çlirimit kur dolën jashtë funksionit.

Përfundimisht dy fortesat-bunker shpëtuan dhe është bërë devijimi i rrugës buzë liqenit, po gërmohet kalja e qytetit dhe më pas  u ndërtohen tunelet hyrëse vetëm për të shpëtuar këto dy relike të cilat do të hanë një shifër marramëndëse prej 9.5 milionë dollaër për 950 m rrugë. A ia vlen kjo kosto kaq e madhe për dy relike të Luftës së Parë Botërore? Nuk vlen thotë dikush që punon aty, po ata ‘mjeshtrat’ që duan të hanë vetëm me këto sajesa dhe rrugë mbi rrugë mund të nxjerrin para të pandershme nga taksapaguesit shqiptarë… Një shprehje popullore thotë “na vajtën më shumë navigjet se sa djali…”.

Si qytetar pogradecar ka gjëra të tjera që duhet të ruheshin dhe secilit prej nesh që jemi rritur në këtë qytet na dhembin. Duhej ruajtur kinemaja e vjetër e qytetit, për ne që jemi rritur me atë kinema ka qënë një konstitucion shpirtëror në diktaturë, ka qënë e vetmja dritare ku ne argëtoheshim dhe edukoheshim me filmat që shfaqeshin atje u prish kinemaja dhe Pogradeci, një qytet prej gati 60 mijë banorë nuk ka kinema edhe sot. U shkatërrua turizmi i vjetër, siç njihet nga pogradecarët tek ai turizëm buzë liqenin mes jargavanëve të shumtë dhe luleve decorative, lunante çdo mbrëmje një orkestër famoze e vëllëzërve Darova që njiheshin si ‘Bitëllsat’ e Shqipërisë dhe mbi të gjitha, poshtë atyre jargavanëve, duke pirë kafenë, rrinte dhe shkruante poezi mjeshtri i lirikave Lasgush Poradeci dhe mjeshtrit tjetër, Mitrush Kuteli… Këto fortesa përveç se na kujtojnë luftën dhe vend takimin kur ishim të vegjël thoshim “Ku do të lahemi sot, në liqen tek fortesa e parë apo e dytë”… Vetëm kaq pasi ne shqiptarët jemi të ngopur me bunkerë që diktatori na ‘mbolli’ nëpër Shqipëri, rreth 900 mijë bunker, kështu që nuk kishim ndonjë dalldisje për t’i ruajtur, nëse nuk do të kishim të tjerë, pasi me bunkerë jemi të ngopur dhe çdo kush që ka patur prona pasi i ka marrë tokat ka marrë dhe bunkere në hisen e pronës… Ky ishte një meditim duke parë makinat që po pastrojnë dherat buzë liqenit që po ecin me hapin e breshkës, ka kalur një vit që janë bërë tunelet panaromike dhe plazhi i fortesave është jashtë funksionit…

 

Please follow and like us: