Dy poetë të delirit të madhështisë, kreu i nderit i shoqatës ‘Labëria’ dhe i pamëshirshmi zagorit i letrave planetare, prof.dr. Kiço Th. Spiri!
Kasem Trebeshina: Stalinit
Si vetëtim’ mbi globin lajmi shkon:
“Stalini…” – Jo! Nuk mund, nuk mund të jetë!…
“…parmbrëm’, papritur”… – Hidhërim’ i thellë
gëzimin e lë prapa me të shpejtë.
Nënës kur i thonë se djal’ i vetëm
i vdiq, hutohet dhe nuk i besohet,
më von’ i bindet lajmit, ngashërehet,
me lot’ kërkon atë që nuk ndryshohet.
Dhe ne dëgjojmë lajmin por s’e duam,
e largojm’! S’ikën! Rishtaz lajmëron!
Goditj’ e dhëmbëshme na rëndon zemrat,
korenti-ngjethje trupat na përshkon.
Fjalën e prindve foshnja sa dëgjon
“Babi, Stalini ç’ka!” – pyet i habitur.
Ata shihen në sy, po nuk guxojnë
t’i japin lajmin që i ka tronditur.
Ngul këmbë foshnja me “pse” pambarim,
po fuqi “pse”- ve t’u përgjigjen s’kanë
dhe mundohen me fjalë të tërthorta
përtej, ku s’duhet, t’a nxjerrin mënj’anë.
Armiqt’ gëzohen e s’guxojn’ t’a thonë,
Zagarët lehin rrotull dhe s’mbarojnë.
Po le të lehin! Për ata ne kemi
zëmrimin dhe kamxhikun kur ulrojnë! –
Prej polit gjer te poli lajmi shkon:
me besim barkën drejton peshkatari!
Minatorët, dokerët shtrëngojnë grushtat,
më me guxim lirin mbron luftëtari.-
Po sillet vdekja! Po veten gënjen!
Jo! Prometheu s’vdes sa njerëz t’ketë,
gjersa një tym i vetëm ngrihet qiellit
nga zjarri që ai hodhi në jetë. –
Ti Promethe nuk more vetëm zjarrin,
Ti perëndit’ nga Olimpi i rrëzove;
zjarrin dhe botën njërzve u dhe
e tyrja ishte, në ‘të i qëndrove!-
Dhe vdekja sillet, por vetëm gënjen!
Natyra çfaqet prap e përtërirë,
po pret që ne në lule t’a mbulojmë,
jetën të ngjallim dhe në shkretëtirë, –
Se fëmija sa lindi ajrin thithti
dhe zemr’ e sajë për luftim trokiti,
një brez i tërë në shekull u ngrit
mendimi yt plot drit’ atë e rritit! –
……………………………………..
Mëngjez’ i sotshëm një mbledhje kërkonte,
një datë donte kohëve t’u vërviste,
një çast që burrat në provë t’i vinte
syt’ e papërlotur në lotë t’u ndriste! –
Burra që s’qanë qajnë dhe ngashërehen,
po për këtë njeri s’çuditet sot!
Enveri?!… Po! Po qan! – Të gjithë qajnë!
Si foshnjë qan Mehmeti, s’mbahet dot! –
Marrshi funebër qytetit jehon.
Në grumbuj presin për herën e tretë
t’a dëgjojn’ lajmin që zemra s’e qas.
Por ja! s’e duam dhe ësht’ e vërtetë! –
Rrotull sheh trima n’beteja provuar,
nxënsa shkollash akoma parritur,
fytyra t’ashpra në punë kalitur, –
me buzë-drithtur, nga lotët vaditur. –
Nëna dhe foshnja dhëmbjen sot e ndjejnë,
mustaqesh thinjur lotët sot po shkojnë,
për atë që në bot’ rrugët zbuloi –
rrugët e gjëra ku popujt’ krijojnë. –
Mendimi qiellit çan dhe fluturim
majat me bor’ dhe fushat i kalon.
Pushim nuk do po ecën nat’ e ditë,
padukur, roje afër të qëndron.-
Njerëz shikon të krrusur, të menduar,
heshtur si lumi në fushën e gjërë,
në lotë lagur, si pylli nga shiu, –
ecin e ndalin! Jasht’ një det i tërë! –
Popull i madh, me ty ne pranë jemi!
Me ty përshkojmë sallën zi-mbuluar!
Prisin e gjallë – të heshtur shikoni,
në pavdeksinë kurrorash rrethuar!-
Ja! Oqean në dallgë popujt ngrihen!
Pallatet madhshtore ishuj mbetën!
Bashkuar zëmrat sot përkundin valët –
në ‘to idet’ e tua mbollën jetën! –
……………………………………….
Kush vdekjen tënde mund t’a mendojë?
Ne shihnim veprat që kurrë nuk vdesin
dhe para shkonim nga ti udhëhequr
në rrugën e lavdis që shekujt presin. –
Kishim të drejtë që vdekjen s’e shihnim!
Ne shohim jetën që me ty ndërtojmë,
ne shohim botën, paqen, shohim diellin,
me pamjen tënde ne shekujt ndriçojmë. –
Ne shohim fusha betejash kreshnike,
ne shohim veprat e gardës-mburojë,
ne shohim jetën tënde si një këngë
që popull’ i përjetshëm do këndojë! –
………………………………………..
O shok i madh në gjunj do bëjm betimin
për rrugën tënde gjer në Panteon!
Dhe ja! buçitj’ e madhe popujt ngriti :
Lavdia jote në shekuj kalon! –
Gjëmojnë topat! Përzishëm gjëmojnë!
Ne sot më gjunjë po bëjmë betimin.
Po t’apim lamtumirën shoku Stalin –
Nuk ndahemi e s’mbajm’ dot mallëngjimin. –
Vështrimin hodha, monumentin pashë :
Si at i dashur ti po na vështronje…
Nga vështrimi m’u duk se ishje i gjallë,
m’u duk sikur si at na ledhatonje. –
Muzika bije shtruar, më të qarë!
Po pse bije vallë? As un vet s’e di!
E di, e di! – mendimi më troket,
Stalini më nuk ësht! Më vjen çudi! –
Shtrënguar radhët të kemi rrethuar, –
me dashuri na sheh o at i mirë!
Koha e ndarjes erdhi e nuk shtyhet –
e rëndë qenka mal kjo lamtumirë! –
Kur e mendoj se më nuk je në jetë
me gjith sa më rrethon çuditem sot,
nga dashurija vdekja s’më besohet,
se je i madh pa vdekjen s’e qas dot! –
…………………………………….
Shpërthen mbi detin me tërbim tufani,
po në gji deti tufanin pushton,
fortas përplasen e nga gjiri del
dallga që përpjekjen vazhdon.
Lindja dhe vdekja së bashku jetojnë,
mbi vdekjen jeta fiton pambarim,
në bij’ e nipër me ty do të jemi –
gjithnjë të gjall’, të gatshëm, në luftim! –
“Letërsia jonë”, nr. 3, muaji prill, 1953, faqe 45 – 48.
Agim Vinca: Rënia e Enver Hoxhës
Më 20 shkurt 1991
Në sheshin SKËNDERBEJ në Tiranë
Ra Enver Hoxha
E pranoj: për ne këtij kufirit
nuk qe e lehtë kjo rënie
Qe si një gjëmim gjëme
Tërë jetën kërkonin nga ne që ta shanim
Ata që na quajtën SHIFTARË
Tërë jetën kërkonin nga ne që ta mohonim
Ata që na mohonin
Tërë jetën kërkonin nga ne që ta pështynim
Ata që na pështynin
Pë emrin e tij shkohej në burg
për një këngë, për një vjershë
a veç për dy gërma:
Eh, or tunjatjeta!
Tërë jetën në kërkonin që ne ta shanim
Ata që prapë na shajnë
E ne e donim si për inat!
Nuk më erdhi mirë
nuk më erdhi mirë
ajo pamje në rrugët e Tiranës
në ekranin e TV Beogradit
(TVP-në na e ndaluan
Ata që na ndalonin edhe Enver Hoxhën!
Ata që trumbetonin me tamtam
Se fjala Tiranë, vjen nga tirani
Ata që na ndalonin të thërrisnim: EHO
në stadiumin e Prishtinës).
Në 20 shkurt 1991
Në shëshin SKËNDERBEJ në Tiranë
Ra Enver Hoxha
Thanë se u tërhoq zvarrë shtatorja e tij
si trupi i Hektorit rreth mureve të Trojës
rrugëve të Tiranës.
Thonë: kështu e pësojnë tiranët
Thonë e çka s’thonë
Po mua mu errët sytë mu errën
tek e shihja këtë horror kuadër
përmes ekranit të TV Beogradit!
Rexhep Qosja: Katër meritat e Josip Broz Titos
Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë deri në triumf përfundimtar Luftën Nacionalclirimtare të popujve të Jugosllavisë-ja një meritë e mjaftë historike për të gjitha kohërat. Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjell deri në triumf përfundimtar luftën që ka përmbysur monarkinë, duke i hapur rrugën ngadhnjimit të socializmit-ja një meritë tjetër e mjaftë për historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve dhe kombësive-ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe që i reziston presionit të fuqive të mëdha e që sot njihet si ide e mosinkuadrimit-ja edhe një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historine e përbotshme.
Këthja ose Kiço Spiri nga Zagoria e Gjirokastrës
Kiço Spiri, K.TH. Spiri apo Këthja, siç e quanin, ka qenë një poet popullor nga Zagoria. Emri, vjershat dhe humori i tij brilant qarkullojnë edhe sot në qarkun e Girokastrës dhe më gjerë. Kiço Spiri të kujton gjithmonë heronjtë botërorë të humorit, Don Kishotin apo Shvejkun: me atë sinqeritet, me atë naivitet, me atë natyrë të drejtëpërdrejtë, me atë sindromë marrëzie, me atë shejtanbudallallëk, me dallimin se ndryeshe nga spanjolli i marrë apo idioti i lindur çek, K.TH. Spiri, si poet që është, e di se është paksa i mangët, ndaj dhe herë pas here, pas ndonjë korroqyqeje, qesëndis veten: K.Th. Spiri, K.Th. Spiri,/Ishte pak eksiq fakiri…
Poezia, aforizmat e humorit, dhe perlat erotike të K.Th. Spirit nuk u shkruan kurrë nga ai. Ato qarkulluan dhe qarkullojnë ende brez më brez dhe gojë më gojë. Duhet falenderuar dashamirësi dhe njohësi i “veprës” së zagoritit të zgjuar, Baku Kushi, i cili, me ato që ka mbajtur mend vetë, me ato që ka mbledhur lartë e poshtë nga krijimtaria e Spirit, e lëshuar në efir, por edhe me ato që ka rikrijuar e rindërtuar vetë mbi bazën e njohjes së stilit të Kiço Spirit, ka nxjerrë librin “Thipi, Thipi të thërras…”. Me siguri që jashtë këtij vëllimi kanë ngelur edhe gurë të tjerë të çmuar që nuk do lënë t’i mbulojë pluhuri i harresës, pasi janë pasuri me vlera të mëdha të thesarit popullor. Sidoqoftë libri “Thipi, Thipi të thërras…” i Baku Kushit mbetet një homazh nderi për “poetin e dytë të Zagorisë”, siç e quante veten Kiço Spiri.
Më poshtë po botojmë disa pjesë të poezive erotike të nxjerra nga libri, pasi ai ka edhe poezi të tjera me karakter social-politik po aq të bukura sa këto që po paraqesim:
O Ksanthipi se ç’më trete
O Ksanthipi se ç’më trete
Me ato që ke mbi vete
Dhe ato që ke nën vete!
Si pjergull të varen rrushtë,
E ke shtegun shumë të ngushtë,
Kur të shoh ty, o Ksanthipi,
Seç më ngrefet edhe rripi.
Mos më merr për ndonjë horr,
Se të flas me metaforë…
Ndonëse të varfër jemi
Ndonëse të varfër jemi,
Një pëllëmbë pallosh e kemi,
Shyqyr na ka parë allahu
Dhe na e bëri sa krahu
Pra sado në varfëri
“morali” ngritur na rri,
Shkëmb graniti, strall e gur,
Edhe vrimën hap në mur!…
Gjarpër do të bëhem…
Pse s’më flet moj firaune,
Jam dhe unë i asaj pune,
Pse s’më fton, moj, te krevati,
Jam dhe unë i atij zanati!
Gjarpër do të bëhem,
Të futem nën dhé,
Ta fërkoj me duar
Atje ku e ke!…
Moj e prishura nga koka
Moj e prishura nga koka,
Nga se është shtuar bota?
Duke mbajtur fantazinë,
edhe nxirë vajzërinë
Në do të përparosh,
Me djem të bashkëpunosh,
Gjënë e vlefshme ta dhurosh,
Do plakesh, gjë s’do të fitosh…
Moj faqebutë
Moj Lutë,
Moj faqebutë,
Të hëngsha në supë,
Të pifsha në kupë!
Ç’e do Masarin,
Zuzarin, gomarin.
Po merr Beharin,
Manarin,
Që lufton e bje theror,
Jo për lakror,
Por për “arbëror”!
A s’i thonë” y”-së ”i”!?…
Komunistin më të mirë
Seç e zunë duke qyrë
-Kiço Spiri na çudite,
Vjershërimin kaq e dite?
Jo, jo nuk se kaq e pata,
Po s’ma lejon edukata…
Gjirokastër, or zotni,
A s’i thonë” y”-së ”i”!?…
Si poet ndizem kollaj
Nuk kam faj, nuk kam faj,
Si poet ndizem kollaj,
Po dhe unë kam për ta vënë,
Atë shkrepsen, domethënë…
Dy cica si luleshtrydhe
Flokët epleksura rrica-rrica,
Seç të bjenë përmbi cica,
Rrubullake si dy pica.
Në mes tyre dy thitha,
Që më vrafshin po s’i thitha,
Lanet i bëfsha të gjitha!
Dy cica si luleshtrudhe,
Harram, Kiço, po s’i shtrydhe!
U plake dhe dorë s’hoqe
K.TH. Spiri ç’u përpoqe,
U plake dhe dorë s’hoqe,
Të mbeti dora në koqe.
-Dorën koqeve s’e heq,
Që të prishet syri i keq!…
Andon Zako qe me fat
Andon Zako qe me fat,
Se të xhironin paratë,
Me paratë edhe gratë.
I zgjidhje si ta kish ënda,
Si nga jashtë dhe nga brenda.
I zgjidhje si ta kish hije,
Se s’kishe Komitet Partie
Anton Zako, ç’të të themi,
Fatin tonë s’e ka as qeni!…
Stili
K.Th Spiri bash poet
Ç’tha për stilin kur u pyet?
Rroçkodan o rroçkodan,
Rroçka rroçkës nuk i ngjan.
Njëra ngulet thellë e thellë,
Tjetra s’ka farë për të mbjellë.
Një e tretë vjen rreth e rreth,
As të rruan e as të qeth.
E katra nuk pushon,
as të qy, as të lëshon.
Një e pestë të kërkon qokën,
Një e gjashtë të qy kokën.
Tjetra fryhet, lart e mban,
Thua ti do bëjë hatanë.
Sokëllin me hi-hi-hi,
Mbarset, mali polli mi.
Po shumica s’kanë të sharë,
U pikon maja ar.
Maja e penës, domethënë,
Se atye e kemi lënë.
U pikon si floriri,
Midis tyre: K.TH. Spiri
Do të pi të bëhem thumb!
Do të pi të bëhem thumb!
Ama mendjen mos ta humb,
Se dua t’i kthej xhevap,
Shoqes Bule që po llap,
Gjasme ky që kam në shalë,
Në pension më paska dalë…
Po të keqen të m’i marrë
Se e kam bilbil gjyzar,
Se e kam bilbil me vesë,
Këndon darkë e mengjes.
Prandaj sus ti kokëtule,
Ti që e ke emrin Bule
Dhe në mendje mirë ngule,
Ti dhe gjithë sorollupi,
(Për dijeni edhe Çajupi)
Se kjo pallë gjer te supi,
Ua bën grave rrupi-supi!…
Vadit e shijo të ritë
Dëgjo, moj e bekuar,
Dëgjo ç’të them dhe unë,
Jam shkrimtar dhe di më shumë,
Njeri i aftë me kulturë:
Lezeti për atë punë,
Është kur shijon më shumë,
Ka ndryshim burri me burrë
Ndaj mos lë lulen pa vadit,
Vadit e shijo të ritë…
Skica e vetëvetes
K.TH. Spiri, K.TH. Spiri,
Ndër poetët më i miri.
Lojti botën nga fiqiri,
Ishte pak eksiq fakiri.
Andon Zako fli i qetë,
Se vendin ta zura vetë.