Albspirit

Media/News/Publishing

Ilmi Kasemi: GALERIA E ARTIT, ARTI NË GALERË…

Javën që shkoi shkova në Galeri për një intervistë. Duhej të jepja disa mendime, se si i gjykoja kohët e shkuara deri sot, në fushën e artit në përgjithësi, por edhe perceptimet personale në raport me të e mbi të gjitha me lirinë dhe shtetin.

E shkuara është kaq e afërt, saqë çdokush e ka të qartë, se çka ndodhur me artin dhe artistin. Unë i përkas një kohe skizmatike dhe kësisoj mund të isha i dobishëm për një dokumentar, i cili hidhte dritë për soc-realizmit dhe më pas artin ‘liberal’.
I thirur me dashamirësinë e autores dhe më bindjen që kam për profesionalizmi e saj, e zhvillova këtë intervistë, pikërisht tek statuja në mermer, e realizuar plot tridhjet vjet më parë. Shkova në Galeri dhe bashkë me gazetaren dhe kameramanin, eca nëpër salla për të gjetur statujën. Kisha tridhjet vjet pa e parë. Kishin dalë nga fondi të gjitha veprat, sikur pat ndodhur ndonjë alluvion.
Është hera e parë që veprat e artit figurativ apo pamor, vizual… dalin nga errësira, në salla të dritësuara me parket ahu, nga ftohtësia e galerës, ku veç njëra-tjetrën kanë parë, ca përballë, ca në profil e ca pas shpinë, ca sup më sup dhe ca një mbi një.
Për më tepër se gjashtëdhjetë vite, sallat për to ishin tabu dhe ato duhet të qëndronin të burgosura në nivel sallate.
Vit pas viti veprat shtoheshin dhe shumica gjenin streh në institucione e ministrira, magazina, depo ose emri më korrekt i njohur dhe i përdorur, ka qenë pak më i moderuar dhe ai çuditërisht është quajtur Fond. Fondo, dmth fund, ndërsa sfondo dmth plani sekondar, pas objektit të planit të parë. Kaq në fund fare, në profondità kanë ‘jetuar’ këto vepra sfondike, saqë objektet e dritësuara para tyre për gjashtëdhjetë vjet, tashmë duhet të mos kenë turp, t’iu lënë vendin, pronarëve të vërteta të vlerave të vërteta artistike.
Galeria e dikurshme, një objekt i frikshëm, si dyqan liste, pas viteve ’90 u bë vend i urryer për shumicën e artistëve. Inegzistent po për shumicën dhe arenë e diskriminimit provincial.
Kjo magazinë, depo, galerë apo hangar ka hangër kohë shumë. Ka ngrënë kohën e komunikimit me publikun vendas apo të huaj. Ka ngrënë kohën e çmuar, sidomos atë pas skizmës së doktrinës së soc-realizmit.
Kjo ka qenë një vjedhje e madhe në art, përveç rrënimit dhe degradimit shpirtëror të artistëve.
Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve (GKA) janë mijëra piktura e skulptura, vizatime, vepra të dizajnit, të cilat dikur i quanin të aplikuara.
Po bëhet mirë që ato po dalin në dritë të gjitha pa dallim, sepse deri sot ato kanë dalë me dallim. Jo se kanë dalë më të dalluarat për vlera të mirëfillta apo të spikatura artistike, por më të dalluarat dhe më të dalluarit artistë të oligarkisë idolatrike të preferencës tradicionale, të tradicionit të ri që duhej krijuar, pikërisht nga viti 1956, kur kjo galerë u krijua pas pinakotekës së vogël dhe modeste, të artistëve të para Luftës së Dytë Botërore.
Shumë artistë, që në fakt janë një pakicë e përkëdhelur dhe privilegjuar, të dalluarit që për gjashtëdhjetë vjet kanë zënë tokat e sallave pa dallim, tashmë dallojnë për histerinë dhe babëzinë e tyre okupazionale.
Këta okupatorë që në fakt janë dalluar edhe për kudondodhje, në çdo vend kulturor dhe aksion politik e artistik, tashmë duhet të heshtin ose të skuqen. Por në fakt ata të dyja i kanë, janë të heshtur dhe të kuq. Të heshtur sepse nuk janë ndjerë dhe në rastin më të keq janë konvertuar në protestantë. Kanë protestuar ndaj realizmit socialist pas skizmës. Por sot me daljen në dritë të gjithë popullit, po dalin në dritë edhe disa realsosialistademokrata. Me fondin e veprave të artit në galeri, ka ndodhur i njëjti fenomen si me dosjet e persekucionit.
Unë vetë e pashë shumë pak, ditën e intervistës, por jam kurioz që ta shoh të gjithë galerën.
Jam edhe i interesuar për të ditur më shumë se kush janë të vërtetat e mohuara për ne, por edhe për publikun.
Kjo për mua është një ngjarje apokaliptike, për artin tonë modest e të përvuajtur.
Është e pa imagjinueshme se sa është dëmtuar jo vetëm arti, por edhe artistët, madje më tepër se këto të dy është zgjatur agonia dhe akulturizimi i shqiptarëve.
Muzeu i artit ose GKA duhet të ekspozojë edhe vepra të tjera që nuk janë në të ashtuquajturin fond të saj. Duhet psh të ekspozjë edhe vepra që me shumicë janë më muzetë historikë, ndoshta padrejtësisht të gjendura në to. Mjafton të kujtojmë epitafin e Gllavenicës, i cili do rrinte me dinjitet në çdo muze të botës.
Këtej e tutje duhet menduar profesionalisht e kulturalisht për një muze të vërtetë të artit shqiptar, me hapësira dinjitoze.
Duhet menduar për një objekt të ri dhe mundësisht në dimensione të mëdha.
Kërkohet një stadium arti.
Vendimi i marrë për daljen e fondit nga sfondi është i vonuar, por i lavdërueshëm.
Kësisoj Ministria e Kulturës dhe autoriteti drejtues i GKA-së kanë bërë veprimin e duhur, për të spostuar përfundimisht hatërllëqet dhe hatërlliksat, tangërllëqet dhe tangërlliksat, ofiqarët dhe uficialistat, mediokrit dhe gjysmaksit me tituj.
Teoria e mohimit, fshehjes dhe mosdeklarimit të së vërtetës është kriminale.
Më duhet të pohoj si artist, që ne nuk e dimë se cili do t’i mbijetojë opinionit dhe kuptimit real të vlerave të vërteta në kohë, nëse veprat nuk bëhen objekt komunikimi. Përballja ndaj kritikës dhe opinionit të pakultivuar është parësore. Nëse arti pamor nuk shikohet, nuk ka se si të njihet. Por fjala është për më shumë, pra për destinimin që ka kjo veprimtari njerëzore, e cila kurrsesi nuk duhet të mbetet si në rulonët e qitapëve të dikurshëm, që vetëm pak të ditur dinin dhe kishin mundësi t’i lexonin.
Artet e bukura e bukurojnë jetën dhe kjo bukuri universale, nuk duhet të pronësohet si dikur vetëm për jetën e re, të njeriut të ri.
Dhe sidomos për për një elitë si ajo që pamë.
Arti në fakt në një kuptim është elitar, por jo si elita e propozuar që propozonte tema pasqyrimi, që në fakt nuk qenë pasqyrim realiteti. Edhe vetë realizmi socialist idealizoi temën dmth gjendjen pamore mizerabël.
Por kjo nuk është tema e sotme.
Nuk e mohoj ndjenjën fëminore të gëzimit për këtë apokalips dhe i përgëzoj vendimarrësit, që e hodhën këtë hap të vogël për momentin, por të madh për të ardhmen.

Please follow and like us: