Cikël poetik nga Avdush Canaj
E SHTUNA
E shtuna
e largon mërzinë.
Vijnë zogjtë me atlete,
shtëpia mbushet
këngë e lojë.
Gonxhet e vargjeve
hapin petalet.
Dielli mes degësh
vizaton lumturinë.
Qiellit të haresë fluturojnë
gjyshja me gjyshin.
E hëna kur vjen
në gjumë bie shtëpia.
NJË PIKË LOT
Gjelit tim
ia pashë një pikë lot
kur dolëm
nga shtëpia.
E shita
t`ia blej Nënës barërat.
O Zot, tha,
të shërohet Nëna!
Nënën e morën engjëjt.
Edhe ai gjel është diku në qiell,
nënën time kërkon!
NË KATIN E TETË
Gjyshi erdhi nga fshati
me verën me sandale!
Nga xhepat i fluturojnë
zogjtë me cicërima,
degëve luhatën mollët
me faqet si të diellit,
tutje kroi bënë muzikë
me violinën prej uji,
e bari
luan valsin e blertë
bashkë me lulet
me këmishët
poezi.
Tutje një dre i vogël
vrapon me lumturinë
për dore!
Vera këndon
në katin e tetë,
në Ulpianë!
LETËR NËNËS NGA BURGU
Nënë, gozhdat m`i kanë ngulur,
thonjtë m`i kanë shkulur,
syrin ma nxorën te dritaret,
aty, tash, o nënë, fikin cigaret!
Këmbën ma thyen ditën e shtatë,
bishat mbi mua i lëshojnë përnatë.
Më kafshojnë, zbrazin vrerin
edhe zemrën duan t`ma nxjerrin.
Dje më tha ai qeni i zi:
Do të hamë me meze e raki!
Jam i fortë,s`nxjerr zë gurdheu!
Vetë Prometheu nënë, Prometheu!
Ti për mua s`vë gjumë në sy
deri në mëngjes,
je nënë,
dritë e yllësisë.
Dashuria yte s`më lë të vdes
dhe s`do të vdes, o nënë,
s`do të vdes,
pa ia shtypur kokën lubisë.
Maj 1983,
Burgu Ushtarak, Sarajevë