Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: HAGA NUK JEP HAK PËR UÇK-në!
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Bijtë e Kosovës u ngritën nën emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën idealin vëllazëror për “hisenë e diellit që u takon” në këtë jetë. Ata bashkuan mendjet dhe armët në kohët modern kur në skenë i thirri historia e së vërtetës dhe historia e së drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare. UÇK-ja u bë sinonim i së vërtetës së nëpërkëmbur të shqiptarëve matanë Drinit. Edhe kur e miratuan “Gjykatën speciale” e dinin epilogun dramatik, kalvarin e akuzave, trillimeve e fabrikimeve, për drejtësinë e pastërtinë e luftës, për të gjallët që rrojnë në sajë të të vdekurve heroikë në një luftë burrërore. Por shqiptarët nuk kanë asgjë për të fshehur, sepse liria e një populli të tërë nuk mund të fshihet, por veç mund e duhet të njihet. Në Hagën 800 vjeçare nuk janë sot individët, por një ushtri e tërë, një popull i tërë. Në Hagë është selia e qeverisë dhe parlamentit holandez, Gjykatës Supreme dhe Këshillit të Shtetit, por Haga nuk është kryeqyteti i Holandës, i cili me kushtetutë është Amsterdami. Shumica e ambasadave të huaja në Holandë dhe 150 organizata ndërkombëtare ndodhen në këtë qytet, duke përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke e bërë Hagën një nga qytetet më të mëdha ku ndodhen Kombet e Bashkuara, krahas New Yorkut, Vjenës, Gjenevës, Tokios dhe Nairobit. Aktualisht në Hagë është liria dhe pavarësia e popullit shqiptar të Kosovës në gjykim. Në Hagë po i bëhet gjyqi të drejtit, të sulmuarit, të djegurit, të vrarit, të përdhunuarit, të shkatërruarit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Hagë po gjykohen fitimtarët. Po pse nuk është thirrur në Hagë NATO? Kush guxon të gjykojë fajkonjtë e lirisë botërore, që sulmuan nga ajëri duke i dhënë një vlerë edhe më të madhe NATO-s organizatës më të madhe të sigurisë botërore. Çfarë janë këta zuzarë që guxojnë të gjykojnë fitimtarët? Kush guxoi të gjykonte Stalinin, Rusveltin dhe Çurçillin si fitimtarë të LIIB? Po veprimet-ortek i frikshëm i aleatëve në Berlinin e pranverës së 1945-ës në prag të fitores së LIIB? Po fituesit e Luftës së Parë Botërore kush i gjykoi? Po më thellë në histori kush guxoi të cënonte fitimtarët e të gjitha fushatave, betejave e luftrave? A nuk ishin ata “ligjbërësit”, e pafre, që ngrinë e shkrinë shtete e perandori dhe a nuk ishin fitimtarët gjykatës, prokurorë e hetues luftrash në Europë e më gjerë, që ndanë viktimat nga genocidet e masakrat?! Gjakun dhe torturat e shekujve nuk ka prokuror e gjykatës t’i përballojë, nuk ka humbës t’i mbledhë e dokumentojë. Krimet kundër njerëzimit do injoroheshin në sytë e botës së civilizuar duke parë të vërtetën në sy aq sa Evropa të mbledhë mendjen dhe të mos “gjejë fajtorin” tek shqiptarët. Kohët kanë ndryshuar dhe e vërteta flet vet mbi makinerinë milosheviçiane që sulmoi dhunshëm dhe në mënyrë gjakësore shqiptarët e pafajshëm të Kosovës. Nga u ngritën kufomat të guxojnë të pamungurën ndërkohë që duhet të japin llogari që nga kuzhina e krimit në Moskë e Beograd e deri tek miqtë e tyre, që ndonjë prej tyre vegjeton edhe nën petkat e “mikut”, por që shpirtin e kanë katran. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë forcë ushtarako-politike e shqiptarëve të Kosovës, lëvizje ilegalale inteligjente që veprimtarinë e vetë e shpalosi qartazi brenda dhe jashtë hapësirës administrative (nën pushtim) të Kosovës. UÇK-ja e kishte plotësisht të kthjelltë idenë e luftës së armatosur, ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në nivelin e përgjegjësisë historike për kohën. Nga njësitet guerile tek aksionet e armatosura kundër policisë serbe në të drejtën e vet me atdhetarë të devotshëm nga Kosova, Zvicra etj., me Adem Jasharin në krye, që u stërvitën ushtarakisht, grupin e Drenicës, grup që në vitin 1992 filloi aksionet e para luftarake antiserbe. Më 5 prill 1993, në kullën e tij u organizua një mbledhje me luftëtarët e njësiteve guerile dhe veprimtarët politikë, ku çdo veprim kryhej në emër të Ushtrisë së Kosovës. Adem Jashari u zgjodh kështu Komandant i parë i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kosovës, e cila në vjeshtë 1994 mori emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ushtri që erdhi duke u rritur dhe konsoliduar.
Lufta e Kosovës kundër forcave serbe nuk mori që në fillim “bekimin” euroamerikan, sepse kjo luftë në fillim 28.2.1998 pas sulmit jugosllav në Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës hyri në një rrjedhë të pakthyeshme, ndërkohë që masakrat serbe mbi popullsinë dardane nuk kishin të sosur. Nuk do mungonin edhe përpjekjet e Konferencës së Rambujesë në janar-mars1999, që polli veç diplomaci mbi hallemadhen Kosovë. Reçaku do të kthehej në platformën e bindjes, sepse masakra e Reçakut ishte masakrimi i 45 kosovarëve më 15 janar 1999, nga forcat policore, ushtarake serbe. Por një ditë pas kryerjes së masakrës, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Uilliam Ualker vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara. Ai deklaroi: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”. Ishte ky lajmë dhe senzibilizim i opinionit ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë, që i hapi realisht rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi, në një luftë ajrore të NATO-s kundër instalimeve ushtarake serbe që ishte në interest ë Luftës së Kosovës dhe që përfundoi më 12.6.1999. Fakt ishte se çlirimi i Kosovës ishte mundësuar nga UÇK-ja me ndihmën e NATO-së. Më 23.3.1999 në orën 23:17, Sekretari i Përgjithshëm i NATOs, Javier Solana, kishte lajmëruar se e kishte urdhëruar Komandantin Suprem Aleat të Evropës, Gjeneralin e Ushtrisë Amerikane Wesley Clark, që të “nisë operacionet ajrore në Republikën Federale të Jugosllavisë”. Dhe në fakt 24 marsin e 1999, ora 20:00 NATO kishte nisur fushatën bombarduese kundër ish-Jugosllavisë. Dhjetë javë në konflikt, avionët e NATO-s fluturan 38000 misione luftimi me hir apo me pahir. Lufta dëboi nga vatrat e tyre 800000 shqiptarë, ndërkohë që ishin vrarë 15000 persona, dhe me mijëra tjerë ishin dhe janë të zhdukur. Fakt është se lufta tre ditore 5,6,7 marsit të vitit 1998 kishte shkaktuar një irritim të thellë në kryeqytetet perëndimore. Madeleine Albright deklaronte: “tashmë kjo krizë nuk është një çështje e brendshme RFJ”, sepse sulmi frontal mbi shtëpinë e Jasharajve në Prekaz kishte sjellë masakrimin e 60 shqiptarëve, shumica familjarë të Adem Jasharit, nga të cilët 18 kishin qenë gra, por edhe 10 fëmijë. Takimet diplomatike të Ibrahim Rugovës në Evropë e SHBA, me Papën e Romës, e deri edhe “takimi” me Milosheviçin ishte një fisako diplomatike. Kur fatin e Kosovës do ta vendoste UÇK-ja në tokë dhe NATO në ajër me Bill Clinton dhe Tony Bler, që e gjunjëzuan shefin e Beogradit Millosheviçi që më 13.6.1999, të pranonte kushtet e një plani ndërkombëtar paqeje për të ndaluar luftimet, dhe një mision i NATO-s Kosovo Force (KFOR) kishte filluar të futej në Kosovë, me mision paqeruajtjen. Nëse i referohemi UNHCR, nga nëntori i vitit 1999 në Kosovë u rikthyen 848100 refugjatë nga 1.108.913 refugjatë kosovarë të përzënë nga vatrat e tyre. Por bilanci luftarak në konfliktin Serbi-Kosovë flet me gjuhën e fakteve. Serbët vranë 12 mijë shqiptarë, dhunuan 20 mijë gra e vajza, dogjen në flakë 170 mijë shtëpi dhe dëbuan 1,1 milion shqiptarë. Për këtë gjykohen sot liderët dhe vetë UÇK-ja? Mos vallë dosjet e kriminelëve serbe “u harruan” apo u lanë për qokë të beogrado-moskovitëve? Ndërkohë që shqiptarët luftuan vetëm për liri, që ka kuptim madhor e peshë të rëndë atdhetare, veçanërisht kur për lirinë dhe mëvetësinë janë vrarë në shekujve qindra e mijëra bij e bija që gjakun e derdhën për këtë tokë, për besë e shpresë, për të jetuar të lirë nga pushtuesit, përfshi edhe ata sllavoserbë. Edhe shteti Shqiptar duhet ti njohë Dëshmorët e Kombit djemtë dhe vajzat që derdhën gjakun si luftarë të UÇK-së për çlirimin e Kosovës (1997-1999), dhe më tej të Preshevës (1999-2000) si dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut (2001). Bijtë e bijat e Kosovës martire u vranë në përleshje e beteja me rregjimin serb u vranë në front 3269 dëshmorë, ndërkohë që 4590 vetë nga UÇK-ja u plagosën; 35 luftëtarë ranë dëshmorë nga Shqipëria, por në këtë luftë janë ende të zhdukur rreth 6000 njerëz, fati i shumicës prej tyre nuk është zbardhur. Në regjistrat zyrtarë të Kosovës, nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka 26274 luftëtarë veteranë të UÇK-së, ndërkohë që me status të njohur janë 8687 luftëtarë nga 12817 luftëtarë që numëronin radhët e armatosura në luftën e UÇK-së. Dhe për të gjithë këta në Hagë janë pjesa elitare e UÇK-së, në mbrojtje jo të vetes por të luftës mbarëpopullore çlirimtare.
Tribunali i Hagës, për “viktimat që shqiptarët i kanë sjellë Serbisë” ka ngatërruar rrugë dhe nuk po gjen dot agresorin e vërtetë dhe viktimat që erdhën nga makineria e Beograditë. Le të hidhet shikimi jo larg por në konfliktet civile, etniko-fetare, gjenocidet, pastrimet etnike, të Serbëve ndaj çdo populate të ish-Mbretërisë Jugosllave dhe federacionit pabesist. Humbësit e mëdhenj në teren atë që e humbi me luftë nuk ka asnjë lloj mundësie që ta fitojë në tavolinat e gjelbra diplomatike, as me paterica politike as me paterica juridike. Haga kapi në befasi vetveten, është future në një qorsokak pa krye, ku besueshmëria ndaj saj duhet të bjerë së tepërmi në Bruksel dhe në Washington, sikurse në çdo kryeqendër europianiste që ende ka ngelur ndonjë vlerë dhe besueshmëri drejtësie. Nuk flitet këtu për Beogradin dhe Moskën që janë në të njejtën krahë e orkestracion. Carla del Ponte dhe Dick Martin “gatuan” gjellën sllavo-serbe, që tribunali të mbijetonte juridikisht duke përgatitur terren të formatit politiko-strategjik dhe juridikisht të ëndërruar, edhe pse akuzat nuk godasin individët por një popull të tërë, një epope çlirimtare të UÇK-së, që ishte mbeti dhe do të mbetet shpirti shqiptar për liri. Si duket është radha për tu gjykuar të paudhët Del Pnte dhe Dick Martin trushplarë që mbushën raportet me gënjeshtra. Është e qartë. Nuk kanë cfarë i bëjnë NATO-s dhe frymës progresiste të sigurisë botërore dhe gjetën “pika të dobëta” të godasin UÇK-në, kauzën e sakrificën më sublime të një populli të tërë për ta quajtur “kriminel” apo “organizatë kriminale”. Përballje e kacafytje për prestigj dhe jo vetëm, pasi Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë më pjesë e Serbisë. Kjo i dhëmb Serbisë më shumë se çdo lloj gjyqi e tribunal, qoftë edhe i veshur me “madhështinë” e Hagës. Ne besojmë se kanë ngelur ende europianë dhe vlera të vërteta miqësore në botën e civilizuar se i beson së drejtës dhe së vërtetës në këtë përballje Beograd-Prishtinë, por tash në fushën “asnjëanëse” të tribunalit të Hagës. Padrejtësia nuk mund të bëhet drejtësi edhe kur sulmon zinxhirin komandues të UÇK-së kësaj drejtuese kolektive komanduese, edhe kur urrejtje etnike është akuza e parë dhe që përshkuan gjithë “ekuacionin” serb të Hagës. Ndërmarrja e përbashkët kriminale është makineria serbosllave që në fakt u nis nga Beogradi drejt kosovarëve. Këtë kanë pasur kohë dhe sigurisht kanë edhe sot që ta mësojnë në Hagë, kur flitet për makineri ushtarake në sulm. Shtabi i Përgjithshëm i një populli që kërkonte vetëm lirinë me djemtë e vajzat e veta fituan fillimisht mbështetjen mbarëpopullore, por edhe të perëndimit. NATO u bë zot në gjithë hapësirën shqiptare dhe Haga e ka harruar këtë fakt duke ju turrur akuzuar e denigruar shqiptarët që ishin jo vetëm në të drejtën historike, morale, juridike, por edhe në të drejtën e Zotit. Propaganda diplomatike serbe me gjetje amorfe të mbushura plot shpifje e intriga janë të destinuara të dështojnë përballë së vërtetës. Kohët rrodhën. 17 shkurti i pavarësisë kosovare ishte i pashmangshëm. Por të pashmangshëm ishin edhe hapat e progresit të një shteti të ri në Ballkanin Perëndimor, të një shteti që do të goditej në lidershipin e tyre, do të goditej krejt bërthama drejtuese e UÇK-së, Shtabi i saj i Përgjithshëm.
Por ja nuk vonoi dhe Evropa e qyteteruar dhe e vlerave të humanizmit do të dërgonte në gjykatën e Hagës të prangosur djemtë-lider të Kosoves, që të gjithë luftëtarë të një fronti antifashist, por që të gjithë kanë pasur një mëkat të madh se kanë qenë luftëtarë të UÇK-së dhe kanë “gabuar rëndë” dhe gjykohen për “krime kundër njerëzimit”. Një çudi e shekullit që nuk e “kishin parashikuar”, se të mbronin familjen, fshatin, qytetin, vendin e të parëve kishin mëkatuar se nuk u hapën rrugë xhelatëve beogradas, të Millosheviçit, Sheshelit, Vuçiçit e sa vrasësve të tjerë të të gjithë popujve të ish-Jugosllavisë dhe jo vetëm të Kosovës.
Poeti tonë kombëtar Gjergj Fishta e etiketonte në mënyrë gjeniale që para një shekulli: “Evropë ti kurva e motit”, ku ne “Bijtë e shekullit të ri”, duhet të presim “Specien e specials të sposorizuar nga kuzhina Beogrado-moskovite”! Sërish në skenë është “Epoka shqiptare para gjyqit” me zevzekët e diplomacisë. Janë ata europianë që kanë riveshur kostumet diplomatike të gjyshërve e stërgjyshërve të 1878-tës e 1913-tës, janë po ata që fshehurazi miratonin “traktatin në Londër”, që të peshkonin në ujëra italiane e më tej tek orekset serbo-greke. Ishin një pjesë e po këtyre diplomatëve që kur NATO vendosi më 1999, “nuk dinin nga t’ja mbanin”, “me tufën apo kundër tufës”! Ku i kishte çuar dhe ankoruar spiranca historike për anijen kosovare, pas stuhisë, luftës dhe diplomacisë. Por a gabuan kosovarët kur në parlamentin e tyre gatuan “çorbën speciale”? Apo ju vendosën “këmbën në një këpucë”, edhe brenda në parlamentin e tyre duke miratuar një “gjykatë speciale”, që kishte brenda veç “krime kundër njerëzimit”. Bota nuk e dinte dhe nuk e kishte marrë vesh se, krimet kundër njerëzimit në Kosovë i kishte shkaktuar policia dhe ushtria serbe e mbështetur nga Rusia!
Në cilin vend të botës çlirimtarët e njëherësh drejtuesit e SHP si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, etj. Do të gjykoheshin në unitet si shtab luftarak fitimtar? Shumëkush “gjykon”, se nuk është koha për t’u përzier në “lëmshin e lidershipit të UÇK-së”, ndërkohë që këtu nuk gjykohen djemtë e UÇK-së, por fryma e lirisë e një populli të tërë. Gjykata Speciale, e votuar nga vetë të pandehurit, është vallë një “vegël a makineri Serbe” në prapaskenë “e padukshme”, kundër fitimtarëve dhe a bëhet procesi “i padrejtë”?. Përse komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë në analizën si drejtues e komandantë shtabesh luftarake por “thjeshtë si individë”, që futen në kallëpin e veprës penale “Krime kundra njerëzimit”. Akuza kundër Komandantëve të UÇK-së a ka brenda alogjikën ndërkohë që një makineri e tërë pushtuese serbe qenkish legjitime përballë një ushtrie popullore me organizim modest por që mbi të gjitha ishte në mbrojtje të vetvetes të popullit të vet, të familjeve e teritorit të vet, të njerëzve të pa mbrojtur. A do të sosin ndonjëherë përkëdheljet europianiste ndaj një makinerie vrastare e tipit-Millosheviç, Sheshel, dhe pse jo edhe Vuçiç që nuk harron porositë “nga lartë, nga miqtë e përjetshëm, duke lëshuar mufka turbulluese dhe krahasuese midis Kosovës dhe Nagorni-Karabakut.. Hane Sham, hane Bagdat! Por dy dekada më parë pse vallë NATO-ja organizata nr.1 e sigurisë globale dhe e vetme, u përbashkua më një “organizatë” luftarake clirimtare sikurse ishte UÇK-ja. Do ta pranonte lidershipi botëror bashkëpunimin me një organizëm ushtarak që “kryente krime kundër njerëzimit”?! Athere do të ishin nën akuzë dhe komandanti ushtarak i NATO-s Wesley Clarc që udhëhoqi e drejtoi sulmet mbi Serbi, por pas e para tij edhe Presidenti Bill Klinton Kryeministri Tony Bleer dhe gjithë presidentët e kryeministrat e vendeve të NATO-s, që urdhëruan luftën 78 ditore ajrore në bashkëpunim dhe mbështetje tokësore të djemve të UÇK-së. Do të ishte Haga qesharake në këtë pikë për veprat “penale” ndaj NATO-s. A nuk është qesharake dhe ulëritëse fakti që Serbia strehon të kërkuarit serbë nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, që rehabiliton të dënuarit, por edhe që u rezervon edhe vend në Parlament kriminelët duke anashkaluar drejtësinë. Në kohën kur shqiptarëve nuk ka se kush u del për zot dhe kur gjykata vetëvulos antishqiptarizmin e Europës së civilizueme, ngelet një rrugë vetmbrojtja dhe demaskimi i makinerisë juridike penale të Hagës dhe për më tepër denoncimi me fakte të vrasjeve, shfarrosjeve, genocidit masiv dhe krimet më të rënda të shekullit që makineria serbe e luftës ka kryer ndaj shqiptarëve dhe që meritojnë pikërisht kjo makineri dhe kjo polici e ushtri të dënohet për krime kundër njerëzimit. Këtë mund ta mësojë mirë edhe Europa e vlerave demokratike edhe bota e gjerë e qyteteruar. Kjo është një nga detyrat themelore të djemve të UÇK-së, atë që dje e bënë me pushkë kundër serbit ta dëshmojnë me vendosmëri dhe vitalitet në Hagën që nuk di të japë hak. Ata mund e duhet përpara gjithë opinionit botëror që të ripastrojnë dhe rikthjellojnë qëllimet e luftëtarëve të UÇK-së, mbi të drejtën dhe të vërtetën e një lufte pastërtisht të drejtë. Djemtë e Kosovës martire duhet të rikonfirmojnë me përpukmëri dhe mençuri se shqiptarët nuk mbrojnë dhe nuk i fshehin asgjë botës në lidhje me krimin dhe kriminelët. Ata ishin dhe mbetën çlirimtarë e luftëtarë që respektuan ligjet e luftës në kohë lufte përballë plumbave e predhave serbe që binin papushim mbi Kosovën e pushtuar. Prangat në duart e djemve të Kosovës janë pranga për gjithë luftëtarët e UÇK-së. Këto pranga i shkallmon vetëm e vërteta dhe ata që ngatërruan adresim duhet ti kërkojnë kriminelët pikërisht në Beograd tek të përkëdhelurit e Vuçiçit. A do mbyllen në Hagë “teknikalitetet e luftës” për pavarësi të Kosovës? Mos vallë duhej që konsolidimi i shtetit kosovar të kalonte nga “Gjykata Speciale për krime lufte”, nëpërmjet prokurorëve të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Hagë.
Janë vetëm emra apo po gjykohet lufta, UÇK-ja dhe “kriminelët e saj” Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”. Ja çfarë kanë deklarur drejtuesit e UÇK-së në Hagë: Përmbajtja akuzuese përmblidhej: “…akuzoheni për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, krim lufte, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor si krim lufte, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme si krim lufte dhe zhdukje me forcë e personave, krime që janë kryer në vitet 1998-99, në Llapushnik, Drenas, Ferizaj, Gjilan, Jabllanicë, Skënderaj, Malishevë, Klinë, Novobërdë, Prizren, në Kukës e Cahan në Shqipërinë Veriore”!!.
Hashim Thaçi në Hagë u përgjigj shkurt dhe prerë: “I kuptova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha akuzat. Akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem krejtësisht i pafajshëm”.
Kadri Veseli në Hagë tha: “Faleminderit i nderuar gjykatës, i dëgjova dhe i kam lexuar. Më lejoni të deklarohem: me bindje të plotë them se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, pas pyetjes së Gjykatësit të procedurës paraprake Nicolas Guillou.
Jakup Krasniqi ish-zëdhënësi i UÇK-së: “Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet aty. Jam këtu pa të drejtë. Unë nuk ndjej asnjë përgjegjësi të vetme. Në luftë kam qenë vetëm zëri politik i UÇK-që dhe kurrë nuk ka bërë asnjë krim.. Kurrë në jetën time nuk e kam trajtuar askënd, ashtu siç më kanë trajtuar mua autoritetet e Dhomave të Specializuara, prej momentit të arrestimit në mëngjesin e 4 nëntorit 2020 e deri tani që po trajtohem si kriminel lufte. UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë luftuar kundër okupatorit serb, ndërsa krime ka bërë okupatori serb. Ju i ndani në aktakuzë njerëzit në myslimanë dhe katolikë. Unë nuk jam as mysliman e as katolik – jam shqiptar. Sa i përket akuzave për “ndërmarrje të përbashkët kriminale, UÇK dhe populli i Kosovës kanë luftuar së bashku me NATO-n, SHBA dhe Bashkimin Evropian për të çliruar Kosovën nga okupatori. Ne jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe Gjykata juaj është vënë në shërbim të autoriteteve serbe, sepse këtij procesi i gëzohet Serbia dhe regjimi serb”.
Gjeneralmajor Rexhep Selimi: “Unë luftën e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin amerikan Wesley Clark. Unë sot këtu e kam për detyrë të jem në anën e UÇK-së dhe të aleatëve të kësaj ushtrie, kjo më takon dhe do ta bëj. Drejtësia duhet të jetë çlirimi i të gjithëve ne që ndodhemi këtu, pse jo edhe prokurorisë”.
Mos vallë ky është “çmimi i lirisë” nga pushtuesi i shekujve? William Walker që e ka njohur mirë UÇK-në thotë se Drejtuesit e saj po hetohen padrejtësisht në Hagë, pasi qëllimi i luftës se tyre ishte çlirimi i vendit. Termi terrorist nuk mund të përdoret për UÇK-në, por ushtrinë e paramilitarët serbë si Arkani. UÇK-ja është siç e thotë emri i saj, një grup të rinjsh, të cilët nuk e duruan më shtypjen dhe krimet e luftës qe po kryheshin nga qeveria e Beogradit. Ata morën armët të mbronin veten e tyre, fshatrat dhe të mbronin familjet e tyre dhe rezultat i kësaj ishte lufta. Ironia është se pala fituese UÇK-ja, po paguan çmimin dhe pala humbëse, Serbia duhet të japë llogari për krimet e tmerrshme që ka kryer, për të cilat misionarët ndërkombëtarë në Kosovë ishin dëshmitarë.
Hashim Thaçi dhe shokët e tij janë “bedeli i vetvetes”, “i vetpolitizimit” dhe i “Gjykatës speciale, “për trafikimet” e modeleve poshtëruese të pjella nga Karla del Ponte, Dick Marti, por edhe nga ndihmësa shqiptarë, nga të “dhëna të fshehta të UÇK-së brenda EULEX-it”, që “gjetën” gjoja 87 viktima të UÇK-së. Gjykata Speciale, përmes “specialcave” inskenuan e improvizuan “dokumente skandaloze”, duke shkelur edhe kompetencat njerëzore të së drejtës, ndërkohë që ka vetëm një të vërtetë. Prokuroria e Gjykatës Speciale kundër luftëtarëve të lirisë së UÇK-së, do “hanë” zemërimin e ligjshëm të çdo shqiptari. Radhën e kanë krerët e luftës së UÇK-së po futen në morsën e “dhomave speciale”, edhe pse hak pa larë e gjak pa marrë nuk mund të ketë, dekonspirimi i së vërtetave do kërkojë guxim për tu shkuar me emër e mbiemër mbetjeve Milosheviciane, dëshmitarë të gardhuar pa identitet, pa fytyrë, pa gjuhë e pa komb, pa Atdhe dhe të pa fe, pse jo edhe të paguar të instruktuar e lehtësisht të manipulueshëm, që turpin e hanë me bukë. Specialësit të cfarëdokombësie, rrace e pafytyrësie qofshin nuk mund të maten me një popull të tërë me emrin UÇK-së, as sot pas 21 vjetësh as kurrë sepse ideali i lirisë nuk ka lidhje me “lepe-peqet” dhe “yes-ok”, sepse ideali i një populli të lirë është i përjetshëm. Lufta e djemve të UÇK-së, është lufta e së drejtës dhe të vërtetës së një populli liridashës që di të kapërcejë çdo lloj durimi, që nuk e njeh nënshtrimin ndaj mercenarizmit europianist, sepse djemtë e UÇK-së, janë dhe ngelen burim force, trimërie, logjike e triumfi që dinë të maten me të vërtetat edhe përballë “provave”, “dëshmive” dhe çdo lloj fabrikimi absurd që do kërkojnë të shuajnë flakën dhe zjarrin e atdhetarisë që ndezi UÇK-ja në emër të luftës së drejtë, të paqes rajonale dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë për zhvillim të qetë e progresiv të popullit shqiptar të Kosovës, të lirë në fatin e vet, duke e dashur dhe kërkuar fatin e zhvillimit për vatrat e tyre. Kjo është UÇK-ja dhe djemtë e saj që gjykohen sot.
Legjitimiteti i luftës së djemve kosovarë për çlirimin e vendit është volosur me fitore. Askush nuk mund të hedhë baltë mbi fitimtarët dhe liderët e UÇK-së në Hagë, qofshin këto edhe “akuza” nga më monstruozet e të fabrikuara për të qenë të “rënda”. Fitimtarët nuk gjykohen është tashmë një terrm i vjetëruar, sepse të drejtat në luftë kanë fituar “qytetari”, përtej dy luftrave botërore si dhe përtej të shkuarës së afërt e të largët bashkë. “Falen” krimet e shekujve, por gjykohen të shkuarat kriminale e të shkuarat e gjenocideve. Qytetaria po fiton terren mbi krimet e kriminelët por nuk ka gjykatë të hetojë krimet ndaj shqiptarëve në tokat e tyre veçanërisht në këta dy shekujt e fundit. Dhe bilanci i kriminelëve serbë është zi e më zi dhe nuk ka gjykatë që të mbyllë sytë përpara jo “krimeve të njerëzimit”, por “tmerreve të njerëzimit”. Kosova nuk ka të krahasuar me asnjë komb, shtet, territori në planet, as me të ashtëquajturin “Nagorni Karabak”, nuk ka lidhje me darametaxhinjtë varfanjakët shpirtërorë të “Traktateve të Berlinit, Shën Stefanit/Yeshilkoy-it…”! Shpirthyjnorët e Kosovës do triumfojnë në shenjtërinë e misionit të tyre. Nuk ka mision më të lartë karshi kombit të vet se misioni i lirisë. Haga nuk ka dhënë ndonjëherë hak për shqiptarët. Edhe këtë herë mos prisni më shumë, kur maksima jonë e shpreh qartë “mbarsjen e malit” dhe minjtë që “presin mbrekullitë e hiçit”. Nesër do të jetë ndryshe. Një komb, një gjuhë, një flamur është e pashmangshme. Prandaj çdo pjesëtar i UÇK-së përbashkohet me një porosi të vetme për djemtë e popullit në Hagë: “Kujdes, Haga nuk jep hak për UÇK-në”! Mirënjohje çlirimtarëve për luftën e drejtë dhe të shenjtë! Nderim bijëve që nderin e mbrojtën me gjak!
-&-