Natasha Lako: Thjesht Muharremi…
Thjesht Muharremi-
(për kineastin e shqiptarëve në ditën e ndarjes prej nesh)
Shumë njerëz nuk mund të dinë se Lufta e Dytë Botërore mund të ishte një kufi, midis atyre te lindur para saj dhe pas saj. Dhe unë me Muharrem Fejzon, i takojmë dy brezave të ndryshëm, jo se na ndajnë vite, por një mur i hollë entusiazmi.
Muharremi i takon atyre të rinjve shqiptarë të entusizmit, si nxënës të mbledhur rreth një Liceu Artistik, si tregon vetë Muharremi që i binte fisarmonikës nëpër rrugët e Tiranes pa u lodhur.
Brezit tim, vetëm ia mësuan këtë entusiazëm. Megjithatë gjithë bashkëpunimi ynë i gjatë, unë si skenariste dhe Muharremi si regjisor në tre nga filmat që i duam shumë na lidh me një dashuri të sprovuar. Dhe pata rastin ta takoj atë dhe bashkëshorten e tij deri në këto ditë Covidi, të vetmin që kemi bërë përjashtim ta shohim nga afër.
Dhe sa herë si gjithnjë kujtonte këtë adoleshencë dhe miq të rinisë që i donte tepër, mendoja se gjithsesi ai kishte provuar ca shkëndija lirije, gjatë rinisë së parë, si fëmijë i paraluftës, ndërsa brezi im lëvizjen e lirisë e ndjente vetëm undergraund.
Kolonja ku kishte lindur e njohu dalëngadalë si një nga bijtë e vet të shquar, deri sa një ditë kur e pritën me nderime, si tregonte vetë duke qeshur, kishte njerëz që pandehen se ishte kthyer t’i merrte ndonjë tjetri që kishte ngelur në vend pronat.
Dhe mjafon kjo kornizë për të udhëtuar në të gjithë jetën e Muharrem Fejzos, deri te dalta e tij të cilën nuk e ndau deri në fund të jetës, si e mësoi në atë Lice që, zëvëndësonte një shkollë të tërë akademike. Dhe ky profesion i parë i bëri që edhe filmat t’i punojë si me daltë. Për këtë e ndihmoi edhe puna e tij si grimior, (make up) në ndërtimit e karaktereve të roleve, që kur ishte student në Akademinë e Arteve. Sepse Muharremi mund të quhet edhe njeri i punës.
Duhet të ketë bërë përpjekje kolosale për të ardhur në Tiranë, nga Kukësi ku u emërua për herë të parë pas perfundimit të studimeve, si tregon vetë në librin e tij me kujtime, plot me të pathëna. Por aftësia e tij për t’u lidhur me njerëzit ishte e jashtëzakonshme dhe fati ishte thënë që ta kuptonin.
Dhe e para dhe mbi të gjithë e ka kuptuar gjithë jetën bashkëshortja e tij Nadi, një nga vajzat më të bukura durrsake, që i shërbente me aq përkushtim Muharrem Fejzos, si një artisti të vërtetë…
Dhe duhet thënë me forcë se Muharrem Fejzo i takon atij brezi që u krijua plotësisht nga vetja dhe nga puna e tij plot pasion. Sepse fati dhe rrethanat sillnin kineastë, që do t’i pranonte ose mposhtte ekrani. Edhe përfaqësues të drejtpërdrejtë të Luftës, që vazhdonte edhe në betejat e artit, por edhe të rinj që merrnin krahë në këtë rrugë arti nga mbështetje të nomënklaturave që i njihnin më drejtpërdrejt perspektivat e kinematografisë. Muharrem Fejzo i nuk i përkiste as njerit rast as tjetrit. Por ishte ekrani i sallës së vizionit të parë filmik, peshorja e çdo fati.
Njohja ime me Muharrem Fejzon, fillon nëpërmjet traumës së parë, brenda Kinostudios, ku edhe unë që në ditët e para të punës në vitin 1976 pashë kaq direkt se çdo të thoshte të zhduknin fytyrën e një aktori nga ekrani, pa dalë ende filmi në publik.
Dhe kjo ndodhi menjëherë pas vizionimit të filmit “Fije që priten” komision pas komisioni, deri sa u vendos që të zëvendësohej krejt me një aktor tjetër roli i luajtur prej Robert Ndrenikës. Ishte njësoj si të zhdukje një egzistencë. Dhe fjala rixhirim, në Kinostudio që prej asaj dite mësova se tingëllonte tmerrshëm.
Aftësia e Muharremit ishte të bënte sikur mund të kaloheshin lehtë këto ngjarje, por ai nuk e harroi Bertin e tij, në shtëpinë e te cilit shkuam një ditë së bashku për t’i ofruar një rol për filmin “Mësonjëtorja”.
Të dy vazhdonin të bënim ‘Një jetë’ brenda redaksisë së filmit, kur përpunoheshin gjithë draftet e parë të filmave të ardhshëm. Dhe ku unë kisha nisur punën si redaktore, ndërsa Muharremi tashmë ishte regjisor i njohur me filmin “Operacioni Zjarri” dhe “Kapedanin” e famshëm si bashkëregjisor.
Por gjatë muajve të parë të punës ime, ai u muar përsëri me ‘Fije që priten”, i cili meriton një analizë më vete për suksesin e tij, i cili kërkon nga ana e Muharremit edhe një farë paqeje.
Por që atëhere Robert Ndrenika dhe Roza Anagnosti e një roli dramatik, do të bëheshin për mua aktorë të dashur të filmit.
Gjatë aprovimit të skenarit tim “Mësonjëtorja,” që unë në fillim e kisha quajtur ”Një ditë sa njëqind vjet”, ndjeva menjëherë interesimin e Muharrem Fejzos. Tema ishte shumë larg gjithë filmave që ishte prodhuar deri atëhere brenda Kinostrudios, por ndihmonte edhe atmosfera e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Muharrem Fejzo e mori skenarin me entusiazmin që e karakterizonte. Sepse asnjë film ai nuk mund ta realizonte pa frymëzimin e tij dhe entusiazmin.
Dhe entusiazmi i parë ishte të bëheshim miq, ashtu si bëhej ai edhe me të gjithë bashkëpunëtorët, përfshi edhe asistentët e tij, një prej të cilevë Gjergj Xhuvani.
Nuk i harroj ato vizitat në shtëpi të tij, me një atmosferë të mrekullueshme artisti që ai e ruajti gjithë jetës, tek ngjitje shkallësh në një shtëpi të vogël dhe të bukur, që për mua duhet të kishte mbetur si monument.
Dukej sikur ai e kishte marrë përsipër filmin, nga respekti dhe dashuria e madhe për të atin, një burri krenar dhe autoritar. Dhe e them gati me siguri të plotë se edhe filmit tjetër historik “Guna përmbi tela” për luftën e Vlorës me skenar të Duro Mustafait, u realizua në nderim të figurës dhe kujtimeve të babait të tij, ashtu si u realizuan edhe shumë figura femërore, që ruani sqimën e nënës së regjisorit. Dhe nga ai kam kuptuar për herë të parë edhe rolin e madh në jetën kulturore dhe njëkohësisht shtetërore, në Shqipëri edhe krijimi i bandës së parë muzikore, me shqiptarë të kthyer prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një prej të cilëve ati i tij, postuar prej tij deri në fund të jetës. Dhe se gjithë shoqëria kërkonte një plotëri jete të një disipline të organizuar deri në gjestin muzikor kaq solemn të jetës. Dhe kjo tregonte prirjen për perfeksion të një shoqërie të çorganizuar deri sot.
Gjatë gjithë përpunimeve të skenarit, unë gjithnjë vija gjithashtu me shpresë që Muharrem Fejzo të lexonte edhe ndonjë poezi timen, për të kuptuar edhe tonalitete të brezit jo aq me shumë entusizëm. Dhe në qoftëse në filmin “Mësonjetorja” ai futi bukur frymën e gjithë epokës historike, unë u përpoqa të fusja dhe veten, gjithnjë e akuzuar nëpër korridoret e Kinostudios, për një botë poetike, që fatkeqësisht kuptohej si idilizëm. Por natyrat poetike arrijnë ta kuptojnë njeri-tjetrin.
Dhe unë kuptova se përveç regjisor Muharrem Fejzio ishte një qytetar i madh.
Në filmin “Një emër midis njerëzve”, ai iu fut materialeve historike nga e para, veçanërisht jetës parlamentare të viteve 1920-1924, sepse çdo regjisor kërkon të bëjë të tij çdo ‘fije’ filmi. Dhe ne ishin koshientë që i jepnim publikut për herë të parë jetën parlamentare, e cila deri sot nuk ka zënë vend të plotë në jetën politike shoqërore shqiptare. Nëqoftëse ky film po thuaj nuk jepet për shkak se Parlamenti i atëhershëm ka përmendur traktatin e fshehtë të Londrës të demaskuar prej Leninit, ky nuk besoj të quhet një faj, por një fakt historik.
Dhe përsëri atmosferë e mrekullueshme e filmit, thellësi kuadri e skalitur si me daltë, punë pikture e dalë kësaj here nga dora e një regjisori, që frymëzon të gjithë bashkëpunëtorët. Atmosferë jete shqiptare kaq e ndryshme dhe kaq epokale nga filmi në film, deri te “Guna për mbi tela”, që në vizionin e parë para gjithë kieastëve ishte gati shtangës. Nuk i harroj ato fjalët e tij kur punonte në shtëpi me grupin e parë realizues, piktorin dhe operatorin, ku nuk nguronte të më ftonte edhe mua. Dhe katër shtyllat e tij, që i kërkonte gjithnjë lidhur me dramaturgjinë, për të cilat ngulmonte gjithënje dhe së pari duhet të më takonin mua dhe shpreheshin me një gjuhë fantastike. Sepse nuk mbahet muri vetëm me një tra. Sipas tij filmi nuk mund të mbante peshë pa tre apo katër shtylla të fuqishme, që sa më dramaturgjinë kishin lidhje edhe me një strukturim të plotë. Në zyrën e drejtorit, ku hidhej firma përfundimtare, për të futur filmin në prodhim, mund të bëhej një gjyq i vërtetë, por si një betejë artistike e natyrshme dhe e shumëfishtë, midis skenaristit, regjisorit dhe aprovuesve të filmave të tij, si përshkruhen edhe në librin e tij me kujtime. Por nëpërmjët këtyre lloj debateve u bëra edhe unë kineaste, si u bënë edhe plot të tjerë, qoftë shkrimtarë, që jashtë Kinostudios nuk arritën të kuptonin plotësisht gjuhën filmike.
Muharrem Fejzo e njihte këtë gjuhë si të thuash nga brenda, që në plasticitet. Dhe nga dashuria për bashkëstudentin e tij Vangjush Furxhi, për të cilin foli gjithë jetës me adhurim të madh, realizoi edhe filmin “Montatorja”.
Të gjithë ravijëzimet dhe gërvishtjet e jetës së tij, u përpoq t’i tregonte nëpërmjet një drame realiste te filmi ”Binarët” te cilin ai e donte tepër, por që asnjeri nuk e pa në origjinal, njësoj si “Gunat përmbi tela”. Por unë asnjëherë nuk mund të arrija të kuptoja përse, si më thoshte vetë, e kishin parë aq shtrembër, vetëm e vetëm se dy motrat e tij ishin martuar me italianë që gjatë luftës dhe jetonin përtej Adriatikut.
Kur mori në dorë për të realizuar filmin “Muri i gjallë” mbi baladën e famshme të murimit, as unë as ai nuk mund të mendonim, se do të vinte dita që të mbronim këtë legjendë shekullore.
Sepse sipas njerëzve të komisioneve nga legjenda dilte se dy vëllezër kishin tradhëtuar. Dhe kuptohej sipas tyre se asnjë njeri nuk mund të kishte jetë të vet të brendshme dhe motive personale. Dhe të rezistoje për këtë jetë të brendshme, qoftë te filmi “Operacioni zjarri” nuk ishte pak. Dhe këtë Muharrem Fejzo e realizonte nëpërmjet skalitjes së figurave të roleve, thua se kishte mësuar nëpër akademitë londineze të ndërtimit dhe nënvizimit të karaktereve.
Për vete ai ishte një karakter i jashtezakonshëm, i mbushur plot humor, deri në fund si edhe i padorëzueshëm lehtë. Kolonjar tiranas, që kishte marrë shumë edhe nga Kukësi, si edhe nga Italia e tij aq personale dhe familjare, që me sa duket prej kohësh e lidhi edhe me një vajzë durrsake.
Në tensionet e punes dhe montazhit, kur në Kinostudio punohej natën, veçanërisht për ‘të mbyllur’ fundin e vitit, ashtu në pagjumësi dhe tension si dhe ankesa shëndeti, i vinte nga shtëpia darka e veçantë, sa mua më vriste ndërgjegja për pakujdesitë e mia familjare.
Arben Bajo, skulpori i talentuar shqiptar që humbi nga Covidi, po si nderim dhe përkëdhelje të miratuar nga publiku, ka lënë një kokë bust të Muharrem Fejzos si kujtim të pavdekshëm që meriton ky kineast kaq i palodhshëm dhe kaq i përkushtuar. Filmat e tij dëshmojnë një punë vigane. Davidin që matet me Goliatin. Dhe vepra jeton, sëbashku me ngjarjen e hidhur të vdekjes së Sandër Prosit gjatë xhirimeve të një filmi mbi një pranverë të hidhur. Dhe filmi jeton. Godard shqiptar, i ri si në foto, me filma të atmosferës piktoreske, mbështjellë me pasion dhe mjergullën e ëndërrës. I qeshur dhe kërcimtar. Me papijon në festa… Ku i gjete të gjithë ato minuta, orë, vite, shekuj, o Muharrem Fejzo që i le për të tjerët?
Nderim një artisti kaq të bekuar. Thjesht Muharremit.