Prof. Dr. Lutfi Alia: Dy flamujt e shqiptarëve dhe historia e jashtëzakonshme me arbitrin e njohur Engjëll Suvaria
Siena është një qytet i vogël në Toskana të Italisë, një qytet me zanafillë në agimet etruske, me histori shumë shekullore, qytet i shquar për vlerat kulturore, artistike, arsimore, muzikore, etnografike dhe me jetë sociale dhe intelektuale tepër aktive. Ne Sienën e vogël janë dy universitete dhe akademia e muzikës.
Siena është qytet hirosh, harmonioz, mikëpritës, miqësor, festoz, misterioz dhe mitik, është qytet profan dhe i shenjtë në të njëjtën kohë, është qytet me traditë të lashtë organizimi me kontrada, që ende funksionojnë me statute e rregullore autonome, me flamurin dhe himnin e vet secila prej tyre.
Në qendër të qytetit është sheshi “Il Campo”, altari i kultit senez, i qytetërimit, i historisë seneze, i shpirtit luftarak, i fitoreve dhe i humbjeve, i gëzimeve dhe i hidhërimeve; sheshi i nostalgjisë dhe i krenarisë seneze; sheshi madhështor ku zhvillohet “Il Palio”, gara e famshme kalorsiake, e vetmia garë në botë, që zgjat me tre xhiro në pesë minuta dhe ku paguajnë fitimtarët.
Të shkruash për Sienën është ndërmarrje e vështirë, është iluzion, sepse sa më shumë ta njohësh e të gërmosh në jetën e brendshme dhe në sekretet e saj, aq më shumë zbulon vlera dhe mistere. Prej 28 vitesh që jetoj në Siena, në këtë realitet të bukur qytetar, shoqëror, historik dhe kulturor, kam mundur të zbuloj, se ky qytet fisnik e mikëpritës, përmban dhe një pjesë tё historisë e të kulturës shqiptare, një thesar të vërtetë me vlera historike. Krahas pranisë së kahershme të shqiptarëve, në komunën e Sienës dhe në komunat e tjera të Provicnës, jetojnë mbi 3000 shqiptarë, banorë të rinj, të ardhur nga vera e vitit 1991 dhe në vazhdim, një komuniteti integruar denjësisht në jetën seneze. Ndonëse shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të ekstrakomunitarëve në Provincën e Sienës, mbetet ende komuniteti më i pa organizuar, në ndryshim nga komunitet shqiptare në rajonet e tjera të Italisë, si ata të Romës, Milanos, Torinos, Breshias, Bolonjës, Udines, Firences, Pulias, Napolit etj, të cilët kanë themeluar shoqata dhe fondacione, me aktivitete dhe konferenca kultrore, me hapje shkollash në gjuhën shqipe për fëmijët, me organizmin e aktiviteteve artistike dhe sportive, me organizim manifestimesh për kremtimin e ngjarjeve kulminante të historisë tonë kombëtare, si për Festat e Pavarësisë dhe të Çlirimit etj.
Në Siena shqiptarët jetojnë secili me vehte. Një ndër aktivitetet e quajtura shoqërore është takimi në klubet e shqiptarëve, por dhe këto me diferencime, pasi njerin nuk e frekuentojnë, sepse pronarët që e kanë këtë bar, nuk pranojnë të flitet në shqip, një tjetër në qendër ka çmime për turistët dhe kështu preferojnë barin e Benjaminit dhe barin e Mirkos. Më shpesh këto bare freuentohen të shtunave dhe të djelave. Një të shtune paradite, bashkë me Ruzhdiun shkuam të pijmë kafe te bari i Mirkos. Kur arritëm gjetëm Arianin, Ilirin dheLeon, që po pinin nga një birrë dhe po diskutonin me pasion për ndeshjet e kampionatit të futbollit që zhvilloheshin të djelën. Në një tavolinë tjetër ishte një grup zhurmëmadh, që më shumë grindeshin, se sa diskutonin për politikën shqiptare dhe më tej shqiptari nga Kosova, Ramadani, trup madh e fjalpak, andaj e thërrasin Rambo. Ai ishte me dy kolegët e punës.
Me që unë dhe Ruzhdiu nuk jemi tifozë dhe nuk i pëlqejmë debatet politike, u ulëm në një tavolinë veçan, ku na shërbeu kafetë Enkelejda, bashkëshortja e Mirkos. Ndërkohë më telefonoi Çim Kalia, i cili më pyeti ku ndodhesha, se donte të vinte të më takonte me një mikun tim të vjetër, që kishte ardhur nga Elbasani. Nuk më tregoi kush ishte, donte të ma bënte surprizë. Pas një gjysëm ore erdhi Çimi, ishte me Engjëll Suvarinë, miku i rinisë, i mirënjohur nga të gjithë si arbitri më simpatik, korrekt dhe paanshëm në drejtimin e ndeshjeve të futbollit.
U përshëndetëm me mall dhe filluam bisedën duke kujtuar vitet e shkuara. Kaq u desh dhe të gjithë erdhën e u mblodhën rreth tavolinës sonë. Filluan pyetjet pa mbarim, Arjani e ngacmonte duke insistuar se nuk ka refer të paanshëm, Leo, përkundrazi i bënte komplimenta, duke i kujtuar, kur kishte arbitruar ndeshjen ‘Besa’ e Kavajës kundër ‘Partizanit’, që kishte fituar Besa dy me zero. Kështu me rrëfime dhe humor, biseda u ndez këndshëm dhe tepër miqësore. Engjëlli u integrua në bisedat dhe me qetësi e mirësi iu përgjigjej pytjeve të shumta, shpesh të shoqëruara me rrëfenja të lidhur me ndeshjet. Kur e pyeti Iliri nëse kishte arbitruar ndonjë ndeshje ndërkombëtare, Engjëlli tregoi se ishte ndër të parët shqiptarë arbitër i FIFA-s dhe se fillimisht ishte aktivizuar si anësor në disa ndeshje me arbitrin italian Pierluixhi Kolina, me të cilin kishte ruajtur raporte miqësie dhe vazhdimisht shkëmbenin letra, ndërsa në vitin 1987 kishte drejtuar ndeshjen e kupës të kampioneve në Zvicër. Ishte ndeshja për kualifikimin për çerek finalet, mes kampiones së Zvicrës “Neutchâtel Xamax” dhe “Real Madridit”. Kur dëgjuan për Real Madridin, të gjithë i kërkuan të tregonte për këtë ndeshje. Engjëlli tregoi se kjo ishte ndeshja, që u fitua 2 : 0 nga skuadra zvicerane, ndërsa në ndeshjen e kthimit fitoi Real Madridi 3 : 0, që u kualifikua, madje fitoi dhe ndeshjet e tjera, doli në finale dhe fitoi kupën e kampioneve për sezonin 1986 – 1987.
Në vazhdim Engjëlli tregoi se para se të nisej për në Zvicër, kishte shkuar në ndërmarrjen Artistike “Migjeni” ku kishte blerë tre flamuj nga ato që vendosen në tavolinë dhe një bucelë me shqiponjën të gdhendur në njërën anë dhe kështjella e Krujës në anën tjetër. Keto dhurata simbolike do t’ua dhuronte dy anësorëve, njeri skocez e tjetri austriak, ndërsa bucelën me flamurin do t’ia dhuronte vëzhguesit të FIFA-s.
– U sistemova në hotelin “Le Cafè de l’Aubier” në qendër të qytetit, i cili shtrihej buzë liqenit Neutchâtel,- tregoi Engjëlli. Në darkë, kur u takova me dy anësorët dhe ato në të njëjtin hotel, ua dhurova flamujt, por dhe ata kishin përgatitur dhurata simbolike me punime artistike të vendeve të tyre. Të dielën paradite i vendosa mbi tavolinë flamurin dhe bucelën të mbështjella me një celofan transparent dhe dola të bëja një shëtitje në qytet, ku mbreteronte një pastërti dhe rregull mahnitës. Kalova para shatërvanit të bukur ‘Neuburg’ dhe vizitova muzeun etnografik. Një mrekulli e vërtetë. U ktheva në hotel dhe pasi hëngra drekën u ngjita në dhomë. Por çfarë të shihja? Mungonte flamuri dhe mbi tavolinë ishte një letër me një shënim në gjermanisht, që nuk e kuptova, por në fund ishte shkruar fjala Vlora. Nuk po kuptoja ç’hynte Vlora? I nevrikosur zbrita te sporteli dhe iu drejtova punonjësit të recepsionit, i fola në italisht, por ai ngriti supet dhe bëri shenjë me dorë, se nuk kuptonte çfarë i thoja, në fakt unë e kish ngritur shumë zërin, duke i thënë se kishin vjedhur flamurin e vendit tim (furto, bandiera del mio paese) dhe ia përsërita disa herë. Ndërkohë i drejtova letrën, që kisha gjetur mbi tavolinë; e lexoi, buzëqeshi dhe pasi më tha vetëm Ok, mori telefonin dhe foli me dikë. Pas bisedës së shkurtër më bëri shenjë të ulesha ne poltronën e hollit. Kështu ndejta rreth gjysëm ore në pritje, kur hyri një grua e re, e cila erdhi drejt meje e më përshëndeti në shqip:
– Tung zotni, unë jam Vlora, jam prej Kosove, nga Prizreni. Punoj pastruese në hotel. Të kam lanë një letër, për me të tregu se flamurin e Shqypnisë e mora unë, pasi na jena të dëshiruem me pas këtë flamur në shtëpi. Besoj se nuk je zemëruar me mue, më foli me perzemërsi dhe me ndrojtje.
I befasuar, por dhe i çliruar nga inati që më kishte pushtuar, u ngrita në këmbë, i dhashë dorën dhe i thashë:
– Jo moj burrneshë, nuk jam zemëruar me ty, por me që nuk e kuptoj gjermanishten, nuk po kuptoja pse ishte zhdukur flamuri. Mbajeni e më gëzon, që ky flaamur do të vendoset në shtëpinë e një familje patriotësh kosovarë.
– Me mue është dhe burri dhe ai dëshiron me të takue e me të përshendet, a ta thërras? – me pyeti me ndrojtje.
– Të vij, pse jo, shko e sille ta takoj – i thashë.
Erdhi dhe i shoqi, quhej Frederik, punonte infermjer në spitalin e qytetit. Ishte burrë i qeshur e hokatar.
– Unë po prisja ta denoncoje Vlorën për hajne e të shpëtoja ca kohë prej pushtetit të saj, por jam burrë pa fat, se zotnia e juaj e fali, ani i dhuroi dhe flamurin, – tha Frederiku duke qeshur.
Pas kësaj bisede miqësore, u ndamë paqësisht. Unë u ngjita në dhomë të pushoja pak para ndeshjes, ndërsa Vlora dhe Frederiku ikën me kërkesat insistuese, që pas ndeshjes të shkoja për darkë në shtëpinë e tyre.
Pasi përfundoi këtë rrëfenjë të bukur, Ariani tërë kureshtje e pyeti Engjëllin?
– Ajo zonja Vlora pse e shkruajti letrën në gjermanisht, kur mund ta shkruante në shqip?
– Nuk ka asnjë enigmë në këtë ngjarje, është shumë më thjeshtë sa dyshohet. Ajo punonte me një kolege, që fliste gjermanisht dhe për të mos krijuar keqinterpetime e shkruajti në gjermanisht dhe ia tregoi përmbajtjen e letrës, që të mos e trajtonte si vjedhje e flamurit; problemi isha unë që nuk dija gjermanisht e nuk kuptoja çfarë ishte ky mesazh, – shpjegoi Engjelli.
Ndërkohë që po diskutonim a veproi mirë, apo veproi keq Vlora, Rambo-kosovari u ngrit e shkoi të makina e tij dhe pas pak u kthye me një kuti kartoni, që ia dha Engjëllit dhe i tha:
– Asht një dhuratë e vogël prej meje, prej Vlorës dhe Frederikut.
E hapi kutinë dhe brenda ishte flamuri i Republikës së Kosovës dhe u ngrit në këmbë dhe e përqafoi Rambo-kosovarin dhe në të gjithë e përgëzuan për këtë veprim fisnikërie e repsekti.
– Zotni Engjëll, Vlora që të mori flamurin asht kushërina ime, asht vajza e axhës tim, e unë po ta kthej respektin tand, duke të dhurue flamurin e Kosovës sonë.
Ne shqiptarët kemi dy flamuj – thanë njëzëri Engjelli dhe Ramadani.