Albspirit

Media/News/Publishing

Konstandinos P. Kavafis: DIONISIANE

 

I shkrehur nga kjo rrokopujë ku bota rrokulliset,

brënda një gote gjej rehat, n’ daç gdhihet apo ngryset,

shpresë edhe jetë e çdo pasion veçse këtu i ndjej,

ma mbush ta kthej.

 

Këtu larg turbullirave, furtunave, rrëmetit,

si marinari që shpëtoi nga zemërimi i detit,

shkela në tokë, gjeta liman, karar e ngrohtësi,

ma mbush ta pi.

 

Oh! ëmbëlsia e rakisë qysh m’ i dëbon të tëra

kujtimet e pa këndshme. Mëkatet e pa bëra,

urrejtjen, smirën, djallëzinë e çdo mendim të keq,

ma mbush ta heq.

 

As të vërtetën lakuriq, nuk e shoh më të gjorën.

Në dynja tjetër kisha qenë, por tash ja mora dorën,

mes ëndrrash të bekuara, në qiellin plot mjegull –

ma mbush me rregull!

 

Dhe po qëlloi se del farmak, e po më zu belaja

e tek zbulova lumturinë të më pllakosë hataja,

gjithë ky dëfrim e çmenduri prej hundësh do më dalë,

ma mbush, or djalë!

 

Shqipëroi: Arqile Garo, marrë nga libri “Pelegrin në Ujëvarat e Poezisë Helene”.

Please follow and like us: