Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: Kur themelonim Partinë Demokratike, kur bënim histori

 

Viti akademik i ’90-ës nuk nisi si të tjerët. Në të gjitha auditorët, sekretarët e partive, zv.dekanët ushtarake, dekanët, rektorët dhe ndihmësit e tyre mblodhën studentët dhe në vend që t’u uronin mirëseardhjen dhe fillim të mbarë të vitit akademik zbrazën breshëri sharjesh dhe anatemash për studentët dhe pedagogët që ishin arratisur nëpër ambasada apo dhe nga kufijtë tokësor nga dy korriku dhe përgjatë asaj vere që do t’i printe pranverës së demokracisë shqiptare. Nga fakulteti ynë ishte mbyllë në ambasadën franceze, Gjovalin Gjeli një pedagog i ri nga Shkodra me të cilin ishe i lirë të flisje hapur kundra regjimit me orë të tëra. Njohës i shkëlqyer i frëngjishtes, gjermanishtes, italishtes, ai, kur nuk fliste kundra regjimit, mësonte anglisht. Kishin ikur edhe disa student njëri nga Tropoja Musa Gjongecaj, nja tre-katër tjerë, një nga Durrësi që e kisha njohur ndërsa të tjerët as që më kujtoheshin. Leksionet e para të shtatorit dështuan plotësisht. I ngarkuari me punë për të bërë diskreditimin e “armiqve” në kursin tonë u ndje keq kur i thashë se “ish-kolegu juaj Gjovalin Gjeli ka qenë një pedagog shembull dhe keni qenë pikërisht ju që e keni lavdëruar para nesh jo më larg se para gjashtë-shtatë muajsh”.

Katër detaje me katër personazhe në ILB…

I pari me pedagogen e filozofisë znj. Zana Bufi, e shoqja e ish-kryeministrit Ylli Bufi. Plenumet e “liberalizimit” apo të shthurjes së socializmit krijues të Ramiz Alisë kishin shpikur mendimin ndryshe, apo si me thënë shfaqjen e mendimin të lirë pa pasoja. Seminaret e orëve të filozofisë ishin liberalizuar në njëfarë mase dhe në njërin prej tyre unë po i përgjigjesha një pyetje “kreative” të znj. Bufi: “Cila filozofi është më e përshtatshme për popullin tonë”? Ishte pak a shumë pyetja, ndërsa përgjigjja ime ishte afërsisht kjo: “Ne teorikisht jemi marksistë-leniniste, realisht jemi ekzistencialistë, pasi po jetojmë në kushtet e mbijetesës ekonomike, ndërsa sipas mendimit tim ne duhet të jemi pragmatistë, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha burimet e mundshme për të pasur një mirëqenie më të lartë”. Edhe pse pjesës teorike të shkruar në libër iu kisha përgjigjur relativisht mirë, përgjigjja ime u ndëshkua me notën katër.

Lëndën e Socializmit e zhvillonim me Stefan Koçollarin, të birin e Sotir Koçollarit, në atë kohë Kryetar i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Profesor Stefi ishte natyrë njerëzore dhe liberale, thërriste dikë nga ne dhe i thoshte ta bënim mësimin te Korpusi se “nuk e merr kush vesh që nuk e kemi zhvilluar orën e mësimit”. Ka ndodhur të ma thotë edhe mua “socializmi ka dështuar si filozofi, por meqë është në program mësimor duhet të bëjmë, sikur e bëjmë”. Ka qenë pranvera e vitit 1990. Dhe ashtu bëmë përgjatë të gjithë semestrit. Në fund na mblodhi në një klasë dhe na pyeti e çfarë notash dëshironim të na vinte.

Në mëngjesin e datës 9 dhjetor….

Kam zbritur te Fakulteti i Veterinarisë. Më dukej vetja si një misionar, si Shejti Pal, që zbriti në tokën e të parëve tanë për të lajmue se feja kristjane asht feja e zotit të vetëm. Edhe mua më dukej sikur vija nga Jeruzalemi (Qyteti Studenti) që të përhapja farën dhe dritën e demokracisë. Dy orët e para kanë qenë me leksione. Një mundësi e mirë për të pasur një përqendrim të madh të studentëve. Në më të parin auditor që kam trokitur kam gjetur duke lektoruar me kurset e para të veterinarisë të nderuarin dhe përkrahësin tonë të parë Prof. Vladimir Spahon, pedagog i biologjisë.

Protokolli ishte i thjeshtë: “Profesor dua të bej një njoftim të rëndësishëm për studentët! A ka mundësi që të dilni pak jashtë që të mos implikoheni në këto që unë dua t’ju komunikoj studentëve!”. Profesor Spaho më tha unë jam i implikuar kështu që fol ç’të duash. “Fjalimi” im përmblidhej në këto fjalë: “Dua t’ju njoftoj se mbrëmë vonë policia ka rrahur, masakruar, përgjakur vëllezërit dhe motrat tona studentë në Qytetin Studenti! Ju bëj thirrje ta ndërpresim mësimin dhe të solidarizohemi me ta derisa kërkesat e tyre, që janë edhe tonat, të gjejnë zgjidhje të plotë. Në orën 9 do të ketë një miting të madh tek amfiteatri! Shihemi atje!”.

Një spurdhjak verdhacuk, i ardhur nga nuk e di se cila depo helmesh apo plehrash të kooperativa, i ulur në rreshtin e parë, u ngrit duke thënë se ato që kisha deklaruar ishin shpifje!!! Profesor Vladimir Spaho nuk e çoi më gjatë: “Leksioni mbaroi, shihemi atje ku tha Bislimi”! Në këto kujtime s’dua të përmend emra njerëzish që përdorën një mijë sjellje të poshtra për të më penguar në këtë mision. Por…, një ditë do t’i shkruaj të gjitha! Kur jam ngjitur te Fakulteti i Pyjeve, ai i Veterinarisë e kishte lëshuar mësimin në masën 90 për qind. Me dy-tre studentë të njohur kam bërë të njëjtën gjë edhe te Fakulteti i Pyjeve, që gjendet ngjitur me Amfiteatrin. Ndërkohë grupet e studentëve po zbrisnin nga Fakulteti i Agronomisë dhe atij të Ekonomikut.

Amfiteatri ishte i tejmbushur, kurrë në historinë e tij s’kishte pas aq shumë njerëz në të! Disa djem kishin negociuar me pallatin e kulturës që të vihej fonia por atje kishte rezistencë deri sa “të fortët” i detyruan që ajo të instalohej në skenën e amfiteatrit. Duke mos pasur asnjë protokoll, asnjë organizim kanë folur në atë mikrofon mbarë e prapë shumë studentë. Jam ngjitur edhe unë, me flokë të gjatë, me një kostum me katrorë, këmishë të bardhë dhe me një kollare meshini blu e hollë… “Ne studentët e ILB solidarizohemi me protestat e studentëve në Qytetin Studenti dhe jemi plotësisht dakord me kërkesat e tyre! Deri sa të marrin zgjidhje kërkesat e tyre që janë edhe tonat, në ILB nuk do të zhvillohet mësim! Ne do të qëndrojmë këtu ku jemi deri në realizimin e të gjitha kërkesave.

Mbrëmë policia ka masakruar vëllezërit dhe motrat tona në qytetin studenti. Ju bëjmë thirrje të gjithë pedagogëve tanë që të solidarizohen me ne! Nga amfiteatri është prodhuar si me magji parulla “pedagogët janë me ne”. Fjala ime është shoqëruar me duartrokitje dhe ovacione të forta. Me ndjesi të përziera frike, trimërie, heroizmi, por në fund të fundit i përfshirë nga emocione shumë të forta, e kam mbyllur fjalën time me këtë thirrje: “Ne do të fitojmë, studentët do të fitojnë!”, thirrje që u shoqërua me ovacione të gjata dhe u shndërrua në parullë menjëherë. M’u duk se fjala ime ngjiti, dhe ngjiti fort! Këtë e lexova në vështrimin e shumë e shumë studentëve, vajza dhe djem por e hetova edhe në vështrimet plot dashamirësi të shumë pedagogëve që ishin bashkuar me ne.

Ky ishte fjalimi im i parë politik para një mase të paktën dy- tre mijë studentësh. Adhurimi dhe vështrimi i të tjerëve më ka bërë të ndihesha krenar për guximin dhe për misionin që kisha marrë. Ai miting ka vazhduar gjatë, por e rëndësishme ishte se në ILB s’do të bëhej mësim deri në plotësimin e kërkesave të studentëve, deri sa të themelohej Partia Demokratike e Shqipërisë. Pa kaluar një orë, në afërsi të rektoratit, dikush më tha se po më kërkonin në rektorat. Para rektoratit na kanë urdhëruar të hipim në një “aro” policie shtatëvendeshe. Urdhrat i jepte i plotfuqishmi i zonës R.H, i cili na “garantoi” se bëhej fjalë thjesht për një verifikim..

Mbaj mend t’i kem thënë që “po të na ndodhte gjë, ai do të mbante përgjegjësi personale!”. “Kam urdhër t’ju çoj deri në rajon dhe atje do të sqarojmë gjithçka!” Na çuan në rajonin e policisë së Kamzës, ndërkohë në Amfiteatër është marrë vesh “arrestimi” ynë. Për hir të së vërtetës përveç presionit psikologjik asnjë prekje me dorë apo diçka tjetër, thjesht na kanë pyetur për emra, mbiemra, dhe gjeneralitete të tjera. Ai që na mori në pyetje ishte një civil që se kujtova dhe nuk u interesova kurrë për të. Ia përsërita edhe atij atë refrenin e përgjegjësisë personale nëse do të na ndodhte gjë dhe se do të përgjigjej shumë shpejt. Ai më tha se po e kërcënoja i thashë se ishte më mirë që gjërat të ishin të qarta: ti do të jesh përgjegjës!

Ndërsa dëgjonim në radiot e policisë se situata në Amfiteatër po përkeqësohej, dikush raportoi se studentët mund të niseshin për të rrethuar postën e policisë. Pas një gjysmë ore na liruan, pasi kishim kaluar rreth dy orë të ngujuar. Kur na thanë se ishim të lirë për t’u larguar, duke na kujtuar se do të na thërrisnin prapë, neve na u dha të brohorisnim: fitore fitore! Jemi kthyer tek amfiteatri i cili është përfshirë nga një entuziazëm i lartë. Kthimi ynë është festuar si fitorja e dytë e asaj dite mbi diktaturën. E para, organizimi i braktisjes së mësimit dhe mitingu tek amfiteatri, dhe e dyta, po aq e rëndësishme, fitorja kundër dhunës, frikës dhe presionit policor!

Takimi i Ramiz Alisë me studentët…

Nga ILB u zgjodhën 5 studentë për të qenë pjesë e dërgatës së studentëve në takimin me Presidentin. Ndërkohë që ne bënim zgjedhjet në ILB, në qytetin Studenti, shifrat e grupit përfaqësues kishin lëvizur herë pas here. Nga 55 të parashikuar në fillim, kishin zbritur në 25 studentë e 5 pedagogë. Ajo që më kujtohet ka qenë mbërritja jonë me shpirt në fyt në orën 18 para godinës 15. Kam komunikuar me Azemin. I thashë se përfaqësia e ILB duhej të përfshihej në dërgatën e studentëve në takimin e me Ramiz Alinë. Azemi më tha “Është zvogëluar numri Bislim, do kishim bërë diçka më përpara por tani është shumë vonë për ndryshime!”.

Kur pa zhgënjimin në sytë mi ai m’u afrua dhe më tha: “Ne do mbrojmë interesat e gjithë studentëve, në fund të fundit ti mos u bëj merak, Arbrin e kemi në delegacion…!”. Në atë moment më është përzier hatërmbetja me humorin: “Kjo s’është punë shtëpie o Azem! Meraku im i vetëm është përfaqësimi i studentëve të ILB në këtë takim! S’më ka marrë malli ta shoh apo ta takoj Ramiz Alinë”. E kaluam me shaka këtë situatë duke huazuar nga historia mbërritjen me vonesë të Isa Boletinit në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Autobusi Saviem u nis përmes një ovacioni dhe emocionesh të papërshkrueshme. Me turmën disa dhjetëra mijëshe pritëm në sheshin Demokracia kthimin e dërgatës së studentëve nga takimi.

Pas dëgjimit të fjalimeve të Azem Hajdarit, Arben Imamit, Sali Berishës, Gramoz Pashkos etj., si dhe transmetimit me zë të takimit të studentëve në pallatin e Brigadave ku qe rënë dakord që të nesërmen studentët të shkonin në mësim, unë me një grup të vogël studentësh morëm përsipër të dërgojmë lajmin. Atë natë kam takuar Sali Berishën për herë të parë. Pasi iu prezantova se çfarë përfaqësoja më përgëzoi për solidarizimin dhe organizimin e shpejtë në ILB dhe përmendi tre emra pedagogësh në ILB që duhej t’i njoftoja në emër të tij që t’i bashkoheshin themelimit të partisë. Prof. Rexhep Uka u përgjigj qysh të nesërmen, dy të tjerët erdhën disa ditë me vonë.

Aty nga ora 24.30 u nisëm drejt sheshit të taksive tek Avni Rustemi. As që bëhej fjalë të kishte taksi atë natë, në atë orë! Premtimi për të çuar lajmin e fitores te studentët e ILB-së ishte i shenjtë për ne. Binte një shi imcak që të lagte deri në palcë. U nisëm në këmbë. Kemi qenë të paktën dhjetë vetë, me shumicën e tyre jam njohur atë natë, nuk e di se për sa e kemi bërë atë rrugë, ndoshta për dy orë. Të stërlagur kemi mbërritur në godinat e ILB-së, nga ora dy e natës. Rrugët ishin krejtësisht të boshatisura, asnjë këmbë njeriu s’kemi takuar, asnjë makinë, as policie, as civile! Vetëm ne dhe nata e dinim se çfarë po ndodhte! Ishim bartës të një të vërtete që na i ngrohte zemrat, të një ngjarjeje të jashtëzakonshme, ishim lajmësit e suksesit dhe garantët që studentët duhet të ktheheshin në auditore!

Shqipëria do të gdhihej me pluralizëm politik të pranuar ligjërisht e botërisht. Në orën e 6.00 e lamë të shiheshim para godinës nr. 4, në katin e parë të së cilës gjendej një dhomë që shërbente si qendra e zërit e qendrës studentore. Thirrej ndryshe edhe Radio Studenti. Kur u zgjova, temperaturën e kisha 40 gradë, çarçafët ishin të lagur krejtësisht, por më duhej të ngrihesha. Premtimi ishte në orën 6 te qendra e zërit. Nuk e kishim çelësin, sigurisht, por pak para se ta shqyenim derën dikush e solli. Njoftimi që bëmë ka qenë ky “Motra dhe vëllezër studentë të Institutit të Lartë Bujqësor mbrëmë vonë përfaqësia e studentëve që mori pjesë në takimin me Presidentin Ramiz Alia ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm, të gjitha kërkesat e studentëve janë pranuar.

Kërkesa kryesore, ajo e pranimit të krijimit të partisë së studentëve dhe intelektualëve është realizuar. Përfaqësia e studentëve i ka premtuar Presidentit që sot do të rifillojë mësimi normalisht. Ju bëjmë thirrje pra, të gjithëve, që sot të rifilloni mësimin. Përfaqësia e studentëve të ILB. Ky tekst është përsëritur të paktën pesë-gjashtë herë atë mëngjes e lexuar herë prej meje herë prej atyre katër pesë vetëve që ishim bashkë. Udhëtimit të mbrëmjes së vonë të datë 12 dhjetor 1990 i vumë emrin e një filmi shqiptar me përmbajtje të thellë komuniste “Nata e parë e Lirisë”, ndërsa aventurave të mëngjesit të kësaj datë, emrin e një filmi po kaq të politizuar “Radiostacioni”.

Firma në listën e themeluesve…

Nevojiteshin të paktën 300 firma për t’i dërguar në Ministrinë e Drejtësisë për të legalizuar partinë e parë opozitare pas gjysmë shekulli diktaturë. Im atë si shumë prindër fëmijët e të cilëve ishin vënë në drejtim të lëvizjes studentore ishte dërguar nga ndërmarrja ku punonte për të na “tërhequr”. Ai na njihte mirë dhe jo vetëm që si shkonte mendja të kryente porosinë e sekretarit të partisë së ndërmarrjes, por na inkurajoi dhe na porositi që të kishim kujdes nga provokimet. U ngjitëm bashkë te qyteti studenti atje kishte ardhur demokracia, atje ishte themeluar pluralizmi dhe partia jonë akoma e pakrijuar ishte mazhorancë. Godina nr. 15 ku ishte improvizuar selia e partisë që akoma s’kishte emër gjallëronte më shumë se çdo ndërtesë tjetër në Shqipëri.

Me zor kemi arritur deri te ajo që quhej zyra e kryetarit të partisë, zyra e Azem Hajdarit. Azemi u ngrit në këmbë dhe u përshëndet me babën. Më kujtohet si sot dialogu mes tyre: “A e sheh dajë? E rrëzuam diktaturën!”. “Ju lumtë o Azem veç, duhet me pas kujdes, se i ka rranjët e thella diktatura!”. “A do t’hysh në partinë tonë dajë?”. “Ju, ju qoftë për hajr! Unë s‘kam moshë për parti. Kjo është partia juaj, e rinisë, e të ardhmes!”. Pa as më të voglën modesti, unë po ndihesha krenar që po firmosja për themelimin e partisë që do të shënonte fillimin real të pluralizmit politik shqiptar, po firmosja për çeljen e një faqeje të re për historinë e kombit tim. Edhe sot e kësaj dite i kujtoj emocionet e asaj firme: Azemi ma shtrëngoi dorën pas hedhjes së firmës! Iu drejtova me këto fjalë: Azem mos harro se po bëjmë histori! Këto firma janë si firmat e atyre që firmosën Pavarësinë e Shqipërisë!

Lekët e para në arkën e PD-së…
Partia ishte themeluar, selia e saj ishte akoma te godina 15. Partisë tonë i mungonte gjithçka përveç idealizmit, shpresës, vullnetarizmit dhe dëshirës pa kufi për të bërë gjithçka legale që ditët në pushtet të Partisë së Punës të merrnin fund. PPSH-ja edhe pse qeveriste e kishte humbur krejtësisht pushtetin moral, ne ishim të parët, ne respektoheshim dhe shiheshim me adhurim dhe admirim pa kufi nga qytetarët, njerëzit e thjeshtë por edhe nga pedagogët dhe shefat e fakulteteve. Edhe më konservatorët ishin strukur dhe shndërruar në lëtyra servile. Partia kishte nevojë për gjithçka por më së shumti për mjete financiare.

Ishte ditë rrogash në ILB e së bashku me Ejvis Havarin, me një fletore me katrora kishim zënë pritë ngjitur me zyrën e llogarisë ku pedagogët dhe stafi ndihmës i fakultetit të Veterinarisë merrte rrogat. Listës i printe emri i Evis Havarit pastaj vinte emri im ne të dy kishim vënë nga 250 lek deri në orën 12.00 fletorja jonë shënonte 76 emra dhe shuma e mbledhur ishte 17.500 lekë. U ngjitëm në Qytetin Studenti në qytetin tonë të shenjtë. Merita Zaloshnja ishte financierja, llogaritarja, arkëtarja dhe gjithçka që lidhej me financat e partisë sonë. I kemi dorëzuar paratë.

Ajo shumë prej 17.500 lekësh hapi arkën e Partisë Demokratike! Morëm edhe një mandate pagese të cilin ia besova Evisit. Për fat të keq se pash më as fletoren, as mandatin. Koha, pakujdesia…! Radha për të dhënë donacione po shtohej. Nuk më hiqen kurrë nga mendja një çift i moshuar: përmes emocionesh shumë të bukura e të thella dhanë 500 lekë. Qenë prindërit e Dortian Nepravishtës, i cili shkruante për gazetën Studenti.

Një natë duke shaptilografuar programin minimal të PD-së

Ilir Dema, pedagog informatike, jepte mësim te Fakulteti i Shkencave dhe i Veterinarisë. Në të njëjtën kohë ishte edhe informaticien i Ndërmarrjes Bujqësore 17 Nëntori. Zyrat e kësaj ndodheshin afërsisht aty ku është sot AMC-ja. Kompjuterat në atë kohë ishin të rrallë. Që Gramoz Pashko kishte një kompjuter dhe që me të qe shkruar e shtypur programi minimal i Partisë, e kishte marrë vesh e gjithë Tirana. Por edhe NB “17 nëndori” kishte një kompjuter të fuqishëm dhe po të tillë e kishte edhe printerin. Përgjatë gjithë natës kemi printuar programe të Partisë Demokratike, plot 300 copë me nga 4 faqe. I printonim, i lidhnim. Të nesërmen në mëngjes kemi shkuar te selia e PD-së e vendosur në Rrugën Fortuzi në një vilë. Në hollin e madh të katit të parë gjetëm Arben Imamin.

I lamë programet dhe shkuam për të krijuar seksionin e Partisë Demokratike te “serat”, aty ku sot është mbikalimi i madh në hyrje të Tiranës. Iliri më prezantoi si një udhëheqës të lartë të partisë. Shumë kush në ato ditë të para është pajisur me një dokument nga Azem Hajdari që autorizonte propagandimin e programit dhe krijimin e Partisë Demokratike! Unë kisha privilegjin të isha i pajisur me këtë autorizim! Na prisnin të paktën 100 punëtore. Për fat të keq, kohët rrodhën rrëmujshëm e gati asnjëherë nuk na u dha rasti të ritakoheshim me ata njerëz. Ata më pyesnin unë jepja përgjigje! Sa shumë është sofistikuar dhe sa shumë i është larguar qytetarit politika e sotshme! Atëherë hynim në debate, flisnim me pasion, mbronin programin tonë, në fund të fundit u thonim njerëzve se as ne nuk i dinim akoma shumë gjëra, që koha do të na mësonte në rrugën tonë të përbashkët.

Por për një gjë i garantonim se ne kurrë nuk do të persekutonim, dënonim njeri për arsye politike, se ne do t’i linim njerëzit të lirë të gjenin atë që ishte më e arsyeshme dhe më e favorshme që ata të bënin në jetën e tyre. T’u thoje njerëzve në atë kohë që të dielave nuk do të kishte më aksione, por pushim në shtëpi me familjen, dukej e pabesueshme. Nejse, u dhashë përgjigje sa munda atyre pak pyetjeve që më bënë për programin minimal të PD-së që prezantuam. Akoma s’kishte dokumenta partie, regjistrimin e anëtareve e bëmë në një fletore katër lekëshe me katrora. Nga të paktën 100 pjesëmarrës në atë takim u regjistruan si anëtarë të PD-së 35 vetë. Duke u larguar, dëgjuam një punëtor që po tallej me një shokun e vet: “Ti pa ikur akoma nga partia e vjetër u rrase në të renë…”.

Fenomen që ndodhte bukur shpesh në atë kohë. Në darkë listën ia dorëzova Azem Hajdarit në zyrën e tij, në katin e dytë të selisë në rrugën “Fortuzi”. Më pas, nga këto lista kemi dorëzuar përditë, si njeri i aksionit politik në terren unë nuk merrja vesh se çfarë bëhej me to, ku përfundonin, ai regjistronte njeri, ai i ruanin diku apo jo! Mbledhja e parë te “serat” më ka mbetur në mendje si një ngjarje që më mbush plot me emocione dhe nostalgji për atë Dhjetor të ngrohtë, të cilit i dhuruam gjithë dijen, forcën, energjinë tonë. Ai ua ktheu me bujari shqiptarëve: na shndërroi në njerëz të lirë…!

*Autori është firmëtar i pluralizmit politik shqiptar, pjesëmarrës në grevën e urisë së studentëve në shkurt të ‘91, në ’90 ka qenë student i vitit të dytë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në ILB, aktualisht drejton Grupimin “Dhjetor ‘90” një organizatë që promovon dhe ruan vlerat e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90 dhe asaj të Shkurtit ‘91.

Fragment nga libri i autorit “Dhjetor ‘90 Mbaj mend”.

Please follow and like us: