Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: TË KESH FATIN E AJSBERGUT

Ese
Jeta duhet trajtuar në këndvështrime të ndryshme. Kështu edhe poezia bëhet më e larmishme.
Njeriu në vetvete nuk eshte kurrë i njejtë, brenda tij flejnë njerëz të ndryshëm dhe gjendje të çuditshme shpirtërore që edhe ai vetë s’e di.
Prandaj dhe krijimtaria e një poeti është si një masë e madhe ajsbergu tek e shikon për së largu; një pjesë e vogël mbi sipërfaqe, ndërsa tjetra nën ujë.
Ndodh zakonisht që poeti në fillimet e tij, shkruan dhe gris, e prapë shkruan.
Do ishin mbushur thasë për aq sa kam shqyer me zemërim se nuk isha i kënaqur prej rezultatit. Por jo vetëm në fillime të krijimtarisë, poeti shkruan kudo ku gjendet, në copa letrash, në fshirëse buzësh, mbi mur, ngado dhe një pjesë e tyre humb pakuptuar.
Një pjesë krijimtarie humb nga pakujdesia ose nga kushtet e vështira të jetesës.
Por ajo pak që mbetet prej poetit dhe ka fatin e ajsbergut, e shpie atë në përjetësi.
Njeriu- poet shkruan dhe si puna e gjellës që do kohen e vet për t’u gatuar dhe pregatitur, ashtu dhe ai do kohën e tij për t’u përmbushur, për t’u përmirësuar dhe realizuar.
Edhe poezia ka aromat e saj.
Shpesh poeti është i shpërfillur dhe i pakuptuar në shoqërinë në të cilën jeton. Kjo trysni dashakeqe është si një kryq i rëndë që ai e mbart mbi shpinë përgjatë gjithë jetës. Sa më i egër dhe i paqytetëruar të jetë ambienti ku ai rritet, shkruan dhe jeton, aq dhe më e rëndë bëhet pesha e dhimbjes së tij.
Nga kjo pikëpamje, duket që poetët janë të vetsakrifikuar, për një qëllim sublim. Ashtu si një nënë që sjell në jetë dhe rrit një fëmijë, pa kërkuar shpërblim, ashtu dhe poeti mbjell në gjithësi farën e poezisë…
Por, ashtu si për çdo gjë të vyer, poezia e vërtetë është për njerëzit e vërtetë, për poetë apo lexues me ndjenja elitare.
Dikur arti ishte privilegj i pak njerëzve.
Pastaj u bë masiv.
Po kush është masive në letërsi apo muzikë? Apo në çdo fushë të artit?
E cekëta, e parëndësishmja, gjithçka që bëhet me nxitim ose pa mirëpjekuri, po thjesht për dukje ose qëllime përfitimi.
Pra nuk mund të ketë art të vërtetë, që të jetë masiv.
Masive në muzike është tallavaja, ritmet për ritme, ndërsa muzikën e vërtetë e ndjekin fare pak njerëz.
E tillë dhe poezia elitare.
Kërkon njerëz të kultivuar ta shijojnë. Jo njerëz qe s’ia kanë haberin letërsisë së mirëfilltë.
Ndërsa ne mitologji, varkëtari është engjëlli që shpinte shpirtrat nga një botë në tjetrën, poezia është përcjellëse e shpirtrave në dimensione të ndryshme shpirtërore.
Varkëtari shpie njerëz me duar të lidhura dhe fytyrë të heshtur nga bota e të gjallëve në atë të të vdekurve. Ndërsa poeti, me frymëzim dhe ndjenjë hyjnore ngjall edhe të vdekurin dhe e vesh me petkun e amëshimit.
Tek çdo poet ndeshim ndër vargje optimizmin dhe dëshirën për jetën, të cilën e jetojnë duke i shtrydhur edhe pikën e fundit. Por poeti kërkon një rikthim pas në kohë, një rifillim, një shans magjik për të përjetuar dhe ndoshta për të ndryshuar diçka nga fëmijëria e tij, pas të etit, në prehër të nënës, pas gjurmëve të humbura të femijërise, pas gjurmëve të jetës.
Poeti shpesh shpreh ndër vargje, dëshiren për të dashuruar përsëri dashurine, deshirën për të vështruar në sy njerëzit e thjeshtë dhe për t’i ndihmuar, për t’ua bërë jetën më të bukur.
I dehur me kupën e dashurisë, poeti ka njëmijë dëshira dhe do donte që në jetën e tij të ndodhte një mrekulli. Mbarsja e qiejve me dashurinë sublime ndaj njeriut dhe zotit!
Artisti i vërtetë, poeti, shkrimtari etj, është gjithnjë një hap përpara kohës dhe shoqërisë ku jeton.
Të gjithëve na jep pak trishtim here pas here, ky konstatim. Po gjithmonë pasioni është më i fortë. Rëndësi ka, që njeriu- artist, në kohë pak nga pak i gjen dhe njerëzit e duhur. Nuk është kurrë vetëm.
E keqja është se disa që shkruajnë apo pikturojnë, nuk kanë talent, po kanë vullnet e këmbëngulje, ndërsa pjesa më e madhe e të talentuarve, nganjëherë kanë mungesë kurajoje e vullneti…
Por duhet kuptuar që gjithçka që bëjmë, e bëjmë për veten. E bëjmë për të përmbushur vetveten dhe për pasion.
Pasioni është limfe jetësore, na mban gjallë.
Dhe na shpeton shumë herë nga kurthet dhe monotonia e kohës dhe njerëzve me të cilët jetojmë.
Poezia është çast reflektimi. Nganjëherë arrin më të mirën, nganjëherë arrin aq sa arrin.
Poeti nuk e pranon asnjëherë realitetin siç është. Ai rron në një realitet që e ndërton vetë, si një shtëpi e patundshme, nepermjet fantazisë dhe vargjeve të tij. Endet rrugëve të shpresave në kërkim të jetës së bukur dhe mbrojtjes së vlerave dhe identitetit, por shpesh herë gjen veç një zjarr të shuar ku kanë mbetur veç pak kongjij… Perpiqet të rindezë zjarrin e jetës dhe kur e sheh se çdo gjë vështiresohet dhe bëhet gati e pamundur, thërret në ndihmë forcat hyjnore.
Ne s’mund ta ndryshojmë botën. Duhet vetëm të kultivojmë veten.
Eshtë njësoj sikur ti gjendesh mes një fushe djerrë, ku harlisen barëra të ndryshme dhe shumë shkurre. Por befas teksa ecen, syri të kap diku në një cep disa lulëkuqe që kanë mbirë të ndrojtura. Keshtu është dhe me artin dhe poetët.
Bota është joperfekte.
Poetët e vërtetë kanë lindur për të qenë si puna e atyre pak lulëkuqeve çelur aty- këtu mes morisë së barërave të egër, nga një vullnet i rastësishëm hyjnor…
Ndaj misioni yt, o njeri, është të kërkosh me ngulm këto lule të bukura e të zjarrta pasioni, se barërat nuk ke pse t’i kërkosh, i ke gjithandej nëpër këmbë. Të kërkosh fluturat e ndjenjës, se insektet e pështira të sillen vërdallë për të të pickuar.
Poezia lejon në vetvete shumë abstraktime dhe të hysh në kufijtë e të pamundshmes.
Ajo operon me krahasime, me metaforat dhe me figurat letrare. Kur thua apo ndërton një varg metaforik, në realitet nuk është e tille, pra nuk është e mundur, por është një figurë letrare për të përshkruar me shumë forcë atë dhimbje apo emocion, apo dëshirë që nxirret jashtë shpirtit nëpërmjet fjalës.
Unë përdor metaforat dhe figurat letrare në pafundësi dhe kjo vjen falë aftësive imagjinative, kur në një varg, psh shprehem “i mblodha retë shuk, i hodha në pus”, dihet që realisht kjo nuk ndodh, por shpreh forcën e fjalës dhe të imagjinatës, si dhe mundësinë që ka një krijues për të bërë të pamundurën të mundur nëpërmjet magjisë së fjalës që e rradhit atë me perënditë.
E rëndësishme është brendia e poezisë.
Një poezi për të qenë e bukur nuk mjaftojnë vetëm fjalët, apo fakti se është e rimuar, por ka nevojë për shumë elementë për të qenë e kualifikuar.
Sepse bejtet dhe vargëzimet jane te rimuara, por prapë bejte janë. Po ashtu vargje të rimuara, të thjeshtë mund të ndërtosh gjithë ditën, por një poezi për të qenë e pasur ka nevojë për figura letrare, ndjeshmëri të veçantë, këndvështrim të ri dhe mbi të gjitha një ide apo mendim i lidhur me filozofinë e jetës.
Normalisht, poeti punon gjithmonë me poezine e tij, ndryshon, heq, shton, gjithnjë me merakun për të arritur më të mirën… Pastaj njeriu ka gjithmonë kërkesa brenda vetes, nëse arrin të shkruash diçka tjetër akoma më mirë, pse jo, ky është qëllimi i çdo krijuesi.
Please follow and like us: