Luan Pogaçi: Misteret e pazbardhura të bandës së Xhevdet Mustafës, shtator 1982
Ing. Luan Pogaçi
Ishte e hënë, fillim shtatori 1982, në mesditë. Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së Enver Hoxha mbërrin në zyrë, ngre telefonin sekret dyshifror nr.59 dhe pati përshtypjen se po përgjohej. Nisur nga kjo urdhëron të merret një inxhinier nga Ministria e Mbrojtjes për të patur nën kujdes ndërlidhjen e Udhëheqjes. Kështu nga pesë kandidatura që u paraqitën nga Ministria e Mbrojtjes u përzgjodha unë, deri në këtë moment shef i Laboratorit të Ndërlidhjes në Grupimin Ushtarak të Tiranës.
***
Unë që e tregoj këtë histori jam një person që kam qenë shumë pranë ngjarjeve që kanë ndodhur para 40 vjetësh dhe dua të dëshmoj atë të vërtetë ashtu si ka ndodhur. Unë Luan Pogaçi, kam mbaruar Universitetin Shtetëror të Tiranës, Dega Elektrike e rrymave të dobëta në vitet 1961-1965. Në vitet 1959-1961 kam qenë student në Shkollën e Lartë të Inxhinierisë Elektronike për Marinën në Leningrad në Bashkimin Sovjetik. Kam punuar fillimisht në disa njësi të Ministrisë së Mbrojtjes si inxhinier për ndërlidhjen dhe në byronë e projektimeve. Në muajin tetor 1978 fillova punë në Drejtorinë e Sigurimit të Udhëheqjes si inxhinier për sigurinë e ndërlidhjes deri në vitin 1982 nga kjo kohë e deri në vitin 1991 jam emëruar njëkohësisht shef i shërbimit të informacionit në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes.
Këto që do të tregoj në vijim janë plotësisht të vërteta dhe unë do t’i dëshmoj për herë të parë ashtu si kanë ndodhur, për të mos u lënë shteg spekulimeve të njerëzve që i kanë me të dëgjuar, apo që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të indoktrinuar. Besoj se kjo është rruga më e mirë për
***
Më 25 Tetor 1982 kishim mbledhjen e Shtabit të Drejtorisë, që po zhvillohej në një sallë të Institutit të Lartë të Arteve, për arsye se në Drejtori po bëheshin disa riparime. Ndërtesa e Drejtorisë ka qenë një vilë e vjetër dykatëshe ngjitur me vilën e Ministrit Kadri Hazbiu, atje ku sot ndodhet ndërtesa e Piramidës.
Kishim filluar mbledhjen dhe aty nga ora 9 radisti i gatshëm, P. Gorrica, më njofton se kishte një ngjarje të rëndësishme dhe duhej të shkonim në Drejtori për ta sqaruar. Zv.Ministri, Raqi Iftica, që tashmë kishte ardhur drejtor i drejtorisë sonë, më drejtohet mua:
– Luan, shko ti dhe sqaroje punën!
Shkova dhe bisedova me oficerin e shërbimit të informacionit, që tashmë qe në varësi time, ai më thotë se na ka mbërritur një informacion se një bandë, dyshohet ajo e Xhevdet Mustafës, ka zbritur në bregdetin e Divjakës në Lushnjë dhe mbasi ka vrarë dy policë ka marrë një të tretë për t’u mbajtur plaçkat dhe është nisur në drejtim të pa ditur. Atëherë unë pyeta oficerin e gatshëm të shërbimit të informacionit se ku ndodhej në këtë moment Ministri Hekuran Isai, pasi ishte rregull që direkt ose nëpërmjet shoqëruesve të tyre të gjithë udhëheqësit, ishin të detyruar të njoftonin tek zyra e informacionit të Drejtorisë së Dytë lëvizjet e tyre të çdo dite ( me numër telefoni 2217 ose 3651, ose me kod me radio), qoftë edhe kur rregullisht shkonin në zyrë. Oficeri me përgjigjet se ka njoftuar që në orën shtatë (7), (me orën e vjetër i bie tetë (8), e mëngjesit), se do të shkonte për peshkim në Divjakë. Unë u habita pasi ai s’kishte shkuar ndonjëherë për peshkim në Divjakë dhe as herë të tjera më vonë nuk shkoi kurrë në Divjakë. Përkundrazi shkonte në Kune Vain të Lezhës ose në Velipojë, objekte që ruheshin nga Garda e Republikës. Kurse atë ditë çuditërisht shkoi në Divjakë…
Lind pyetja: Qe rastësi apo veprim i paramenduar?!
Në atë kohë vetëm u habita dhe fillova të përpiqem për të informuar për të marrë masa për sigurimin e tij. Njoftova për ngjarjen zv.Ministrin (Drejtorin e Drejtorisë sonë), i cili qe akoma në mbledhje dhe fillova me radio të kërkoj radistin e Ministrit për t’i thënë për rrezikshmërinë në të cilën ndodheshin. Ai nuk u përgjigj me radion e madhe TIG që kishim të montuar në makinën fuoristradë tip ARO (fuoristradë rumune). Atëherë u flas me radion e dorës, tip “Storno” dhe nuk më përgjigjet radisti, por me përgjigjet shoferi (këto radio punonin me repetitor që ishte i vendosur në Malin e Dajtit).
Shoferi më thotë qe shefi (bëhet fjalë për Ministrin e Brendshëm Hekuran Isai) së bashku me radistin (shpesh bënte dhe rolin e shoqëruesit) kishte ikur nëpër pyll drejt bregut, ndërsa atë dhe makinën e kishin lënë në fillim te pyllit. Në këtë rast ai nuk kishte marrë nga Tirana shoqëruesin e tij, i cili qe një djalë i shkathët, por kishte marrë radistin një tirans i urtë dhe pak i ndrojtur. Atëherë i them shoferit se ka një ngjarje të jashtëzakonshme dhe jeta e shefit të tij është ne rrezik, prandaj duhet ta marrë me radion portative të dorës dhe t’u thotë që të vinë te makina për të komunikuar për problemin. Kohët e fundit ne kishim blerë dhe vënë në përdorim disa radio dore tip “ICOM”, të cilat kishin disa kanale që punonin me repetitor, por kishin dhe një kanal që siguronte ndërlidhje direkt, pa repetitor, në disa kilometra, dhe unë i kisha trajnuar shoferët dhe oficerët shoqërues që për raste te tilla, kur grupi i shoqërimit ndahej, ndërlidhjen ta mbanin në kanalin direkt. Prandaj i thash shoferit qe t’u bënte thirrje atyre me radio në kanalin e ndërlidhjes direkt. Ai bëri disa minuta rresht thirrje me radio, por asnjë nuk përgjigjej.
***
Nga ana tjetër, ngjarjet po zhvilloheshin me shpejtësi dhe u sqarua përfundimisht se banda qe ajo e Xhevdet Mustafës për përgatitjen dhe nisjen e së cilës ne kishim informacion prej kohësh, që para Kongresit të Partisë 1981. Pritej, sipas informacionit që kishim, se banda do të zbarkonte në bregdetin e Kavajës në Spille. Në minutat e fundit, Xhevdeti ose kishte ndonjë program të tij “B”, sekret nga grupi, ose kishte nuhatur rrezikshmëri dhe kishte ndërruar drejtim dhe zbarkuan në Divjakë.
Deri këtu po shikojmë se ekzistojnë disa rastësi të çuditshëm. Vajtja e Hekuranit pikërisht atë mëngjes në Divjakë, pa shkuar kurrë më parë. Ora e vajtjes, thuajse përputhej me atë të bandës, me te vetmin ndryshim se ishte bërë ndryshimi i orës astronomike, pra ora 7 e Hekuranit qe ora 8 e bandës. Në qoftë se ata do te kishin qëndruar dhe ca në pyll, me siguri do te ishin takuar me Hekuranin dhe ose ata do ta kishin zënë rob dhe do të vinin me të në Tiranë me makinë të tij, ose Hekurani i kërkonte për t’i takuar dhe do t’i kishte marrë me vete e t’i binte në Tiranë. Padurimi i Xhevdetit dhe ndryshimi i orës influencuan shumë në mosrealizimin e planit të bandës.
Unë për ngjarjen mora Komandën e Gardës në telefon (Garda varej nga Drejtoria jonë) dhe i njoftova për situatën dhe të merrte masa përforcuese, njëkohësisht mora dhe Shefin e Shtabit të Ushtrisë dhe i njoftova për gjendjen dhe t’ia komunikonte këtë edhe Ministrit Kadri Hazbiu.
Ngjarjet po vazhdonin të zhvilloheshin tashmë në qytetin e Rrogozhinës tek stacioni i trenit. Plani i ri i bandës qe që të prisnin bileta treni për në Tiranë dhe të hipnin në tren. I infiltruari i sigurimit duke parë se banda po të hipte në tren do t’i dilte nga kontrolli dhe mund të shkonin në Tiranë të realizonin qëllimin për të cilin kishin ardhur, ju hap një polici të shërbimit në stacion. Duke parë që misioni i bandës u dekonspirua, njëri prej tyre, Haznedari, i fut në një bunker aty afër, për t’u fshehur, te stacioni dhe mbasi u diktua nga forcat policore dhe ato vullnetare, filloi te qëllojë me armë kundër forcave rrethuese deri sa u vra nga forcat e policisë dhe ato vullnetare.
Ndërsa Xhevdet Mustafa si më i shkathët dhe më i fuqishëm vrapoi dhe kapi një makinë tip “ZUK” Polak, i hypi sipër dhe duke detyruar shoferin u nis në drejtim të Kavajës.
Në këtë moment na del në radion “TIG” radisti i Ministrit , Hekuranit, dhe na thotë që jam me shefin dhe po ndjekim nga mbrapa makinën ku është Xhevdet Mustafa. Them pse nuk u lidhe më parë me ne se u bëmë shume merak për ju, me thotë që sqarohemi kur të takohemi, mirë i them por tani mos u shkëput dhe më njofto vazhdimisht. Dhe kështu Ministri i Brendshëm vazhdonte `ndjekjen, se çfarë kishte parasysh me këtë ndjekje nuk kuptohej. Një Ministër i Brendshëm fill i vetëm me shoqëruesin në ndjekje të një banditi shumë të fort dhe të armatosur rëndë? Xhevdeti duke pare qe shkuarja drejt Tiranës, duke qenë i ekspozuar, nuk mund të bëhej, apo për të humbur gjurmët, pa shkuar në Kavajë zbriti nga ZUK-u, kapi një veturë dhe u kthye mbrapsht në drejtim të Rrogozhinë-Lushnjë. Radisti I Ministrit herë pas here na njfotonte për veprimet, por kur mbërritën në Rrogozhinë më thotë se Xhevdeti na humbi nga sytë dhe nuk e dimë se në ç’drejtim shkoi, nga Elbasani apo nga Lushnja. Rrogozhina është në kryqëzim rrugësh.
Shpejt u sqarua se shkoi në drejtim të Lushnjës. Një nënoficer i policisë rrugore i Minstrisë së Mbrojtjes me nje tricikël, i pa armatosur, ju vu në ndjekje Xhevdetit që nga Rrogozhina, por në të dalë të urës së Shkumbinit Xhevdeti pa problem e vrau dhe atë. Pak më tutje ndaloi makinën dhe u ngjit në një shtëpi në kodër, mbi rrugën automobilistike, ku vrau të zotin e shtëpisë dhe mori peng gjithë familjen me gruan dhe femijët.
Këtu përfundoi ndjekja nëpër rrugë e Xhevdetit dhe filloi rrethimi i tij në këtë shtëpi.
Forcat rrethuese i bënin thirrje të dorëzohej, por ai përgjigjej me zjarr. Në kete rrethim kishin vajtur forca ushtarake të shumta. Ishin Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes e dhe komandues të ndryshëm. Ishte nga Drejtoria jonë Kryetari Degës së Shoqëruesve V.K. i cili kur u kthye më tregoi se si vazhdoi kjo histori.. Rrethuesit ishin në një transhe të hapur prej kohesh nga forcat vullnetare dhe ishin të mbrojtur nga mundësia e goditjes se Xhevdetit. Kadriu nuk ruhej në transhe, por ngrihej herë pas here në këmbë dhe i drejtohej Xhevdetit: “Jam Kadri Hazbiu. Dorëzohu”!
Kështu ai bëhej shënjestër e mundshme dhe unë e kapja për xhakete dhe e ulja, më tregoi me pas Viktori kur kthye ne Drejtori. Por unë kuptova një gjë, më shtoi ai, qe Kadriu donte që të vritej, por unë e pengova. Në këtë kohë ishin hapur llafet për rënien e tij në fatkeqësi dhe një muaj më vonë u arrestua.
Për asgjësimin e Xhevdetit thirrën në ndihmë një autoblindë të MM e cila vajti deri te shtëpia. Xhevdeti duke e parë që nuk kishte shpëtim, vrau veten.
***
Trupin e tij fillimisht e prunë në drejtorinë tonë të futur në bagazhin e një makine tip BC (kineze) të shoqëruar nga V.K. dhe e shtrinë në tokë në oborrin e drejtorisë. Kur e pashë ashtu te shtrirë gjith ai trup i madh dhe i bëshëm dukej sikur ishte akoma gjallë. Shumë shpejt erdhën dhe e morën organet kompetente te Ministrisë për veprime të mëtejshme.
Kur u hap ekspozita në Ministrinë e Brendshme me materialet e bandës së Xhevdet Mustafës, unë vajta e pashe për kuriozitet. Pashë që armatimi qe i zakonshëm por më bënë përshtypje aparatet radio dhënëse-marrëse. Ato qenë tip shumë i vjetër të ushtrisë Amerikane, thuajse të luftës së dytë botërore të cilat, sic u tha, ishin blerë në treg.
Aty mendova se ky grup nuk qe organizim i CIA-s e cila ka aparatura modern, por sic u tha, këta aventurierë ishin rekrutuar me dollarë nga drejtuesit e Legaliteti dhe UDB-ja Jugosllave.
Kështu përfundoi kjo histori. Unë bëra një përmbledhje të gjithë veprimtarisë nga ana e drejtorisë, qe ishin bërë në asgjësimin e bandës duke përfshirë edhe bisedat në radio. Për këtë i njoftova Ministrit (Hekuranit) për t’ia dorëzuar materialin per te plotësuar dosjen e ngjarjes, por ai më thotë që nuk na duhen këto material, prandaj asgjësoje dhe unë ashtu bëra i asgjësova. Nuk u muar vesh nga askush dhe asnjëherë kjo aventurë e Ministrit të Brendshëm.
***
Unë u besoja eprorëve. Por Hekurani ishte ai që thuri gradualisht rrjetën e “tradhtisë” së Kadri Hazbiut dhe me këtë rast i dha goditjen përfundimtare duke e akuzuar tek Enver Hoxha se Kadriu ishte personi që do të priste bandën, do ta strehonte dhe ta udhëzonte për të kryer atentatin. Ishte Hekurani ai qe krijonte histori dhe barcaleta për veten dhe i shpërndante për të krijuar imazhin e njeriut babaxhan e të parrezikshëm. Por dhe Kadriu vetë ra pre e ambicieve të veta në marrëdhënien me kryeministrin Mehmet Shehu.
Këto gjera do t’i paraqes herë tjetër./gazeta dita/