Ismail Xhaferi: Shqipëria mbytet, ministrat bëjnë pallë në Dubai
Arben prishe pasurinë,
ç’ishte gjithë ky faj?!
vajte tek Nusreti vetë,
brenda në Dubai.
-Cili je ti more trim,
pyeti vetë Nusreti!?
-Jam Abdyl Frashëri i ri,
Jam Arben Ahmeti.
-Jam Arbeni, o Nusret,
po të jap sqarime,
deri në Dubai kam ardhur,
veç me rrogën time.
-U treta për këtë popull,
sa më vjen të qaj,
-Jam rilindas shqiptar,
por mjekër nuk mbaj.
-Kemi ardhur në Dubai,
për punë të mëdha,
sot për ne nuk duhet mjekër,
por thes për para.
Deri këtu në Dubai,
s’kemi ardhur kot,
kemi ikur nga atdheu,
sepse nuk dimë not.
Kemi ardhur dhe për fonde,
ç’të mundim të mbledhim.
ca t’i investojmë diku.
shumicën t’i vjedhim.
Duam që gjithmonë atdheun,
ta kemi të parin,
ndryshe nga ata rilindas,
dimë vetëm të marrim.
Kush si ju me përkushtim,
punën nis pa gdhirë?!
rri ca ditë nëpër Dubai.
ç’lodhu, pak o bir!
Rri ca ditë e mos çaj kokë,
s’ke ç’bën në Tiranë,
ç’lodhu bir sepse ky popull,
Ka kurriz e mban.
Popullin lereni trokë,
kurrë mos harro!
sa më të varfër ta mbani
aq më shumë ju do.
Në Dubai për Shqipërinë
si dhe tjetër herë,
u tretët për këtë popull,
me mish e me verë.
U trete për këtë popull
u trete vërtet,
që të bëhet lehtë Shqipëria
Cep me cep me det.
Arben prishe pasurinë,
ç’tretin ato barqe!
sa harxhoni ju një ditë,
i harxhojnë pesë lagje.