Ilir Levonja: Covodi kanakar
Në vitin 2015, u mbyll forcërisht një televizion publik. Atë kohë kryeministri i Shqipërisë u tha shqiptarëve se me këtë veprim ndaloi pastrimin e parave të pista, se investitori ishte një lavatriçe kartmonedhash nga tregu i zi. Nga ky vendim plotësisht politik sot Shqipëria i detyrohet investitorit plot 110 milionë euro. Madje sipas disa gazetave austriake, gjykata në Belgjikë ka urdhëruar që nga zyrat ku akumulohen fondet e kompanive ajrore, ato që fluturojnë mbi hapësirën qiellore shqiptare, të filloj dëmshpërblimi i investorit në fjalë. Bëhet fjalë për ish-pronarin e televizionit ‘Agon Chanel’, Françesko Beket. Pra janë 110 milionë euro, një shifër që ta kuptoni se sa e vlertë do ishte për momentin, mjafton të kujtojmë se spitali covid 4 në autostradën Durrës-Tiranë kushtoi mbi 10 milionë euro. Kjo edhe për faktin se u shfrytëzuan ambjentet e një universiteti të mbyllur si ai ‘Kristal’, megjithëse me hije dyshimi mbi shtetëzimin etj. Pra 10 milionë euro brenda 110 milionshit llogaritet thjesht se sa spitale mund të ndërtoheshin në vend për të përballuar pandeminë. Megjithatë, sot ky krim ekonomik publik nuk ka asnjë të akuzuar nga drejtësia e vendit, pikërisht për dëminin kolosal që u është shkaktuar qytetarëve shqiptarë. Megjithëse ai është aty në krye të shtetit dhe për ironi të fatit shqiptarët vetë merren me një darkë show në një nga restorantet e Dubait, se kanë paguar dhe si janë zhgërryer disa bashkiakë, ministra apo mestarë marrëveshjesh të errëta që e kanë bërë publike tashmë informalitetin.
Nga ana tjetër, për momentin po ky dëmshkaktuesi pandemik i ekonomisë së tyre sot po grindet me 5 familje bujqësh myzeqarë të cilët nuk e japin tokën për ndërtimin e një spitali rajonal, si dhuratë nga Erdogani. Pra një spitali dhuratë. Kjo është tashmë strategjia më infomale, më shkatërruese e identitetit shqiptar të cilët edhe pse kanë projektuar deri perandori, nuk po ndërtojnë dot vendin e tyre. Një kryeministër që e thotë publikisht se e bën me kënaqësi punën e lypsit për shtetasit e tij, kur nuk e ka bërë për familjen e vet, nuk bën asgjë tjetër por vazhdon t’ua shtoj dënimin. Në kushtetuën e vendit prona gjoja është e shenjtë dhe mbrohet me ligj. Shtetëzimet janë vendime arbitrare të tipit Enver Hoxha. Por po t’i referohemi vlerës së mësipërme, pra 110 milionshit, shqiptarët nuk kishin dhe nuk kanë përse të prisnin dhurata nga Erdogani. Do e ndërtonin vetë një spital, madje në më pak se tre muaj. Biles edhe shtetëzimet do t’i bënin ligjërisht brenda vullnetit të lirë. Por kjo nuk ndodh. Se të ndërtosh vetë nuk ka veç përfitime ekonomik, por edhe dinjitet social. Madje shifra prej 40% e popullatës në emigrim, do të ishte gati e përgjysmuar. Dhe shifra prej 650 mijë pensionistë do të ishte më e garantuar karshi pensioneve, nuk do mbante sytë tek gjeli i fund vitit. Prindërit shqiptarë nuk do e kalonin kohën në skajp duke folur me nipërit e mbesat emigrantë, por do i kishin aty në fund javë. Përkrahja sociale nuk do ishte lukunia e surrogatove të politikës me pako me ushqime në dyert e njerëzve, por e ardhur bankare si gjithë bota perëndimore me qytetarët e saj. Mirëpo sot Shqipëria është një vend i dorës së tretë i Afrikës, moda e pakove të surrogatove derë më derë është bërë pandemi më vete. Sot shqiptarët hanë fara lulediellli trotuareve dhe qosheve, tymosin kafeneve, llomotisin për darkat në Dubai, për pandeminë, vaksinën, pa e kuptuar asnjëherë se kush në fakt është covid i vërtetë. Eshtë arithmetikë e thjeshtë, do vetëm të mprehni lapsin. Bëjeni!