Filmi i regjisorit shqiptar hyn për herë të parë në “Golden Globes”
Filmi “Exil” me regji të Visar Morinës do të jetë pjesë e edicionit të 78-të të “Golden Globes”. Kjo është hera e parë që Kosova bëhet pjesë e këtij konkursi të rëndësishëm. Artikulli i “Golden Globes” thekson se filmi është pjesërisht autobiografik dhe tregon kohën kur Visari ishte 15 vjeç dhe emigroi në Gjermani. Sipas regjisorit, filmi paraqet diçka më universale se sa përvojën e tij personale si emigrant.
Xhaferi, personazhi kryesor i filmit që jeton në Gjermani, beson se ai është një viktimë e ksenofobisë, megjithëse mund të jetë paranoja e tij që po del jashtë kontrollit. Kur Xhaferi gjen një mi të ngordhur të varur në portën e shtëpisë së tij, ai menjëherë dyshon se kolegët e tij racistë mund të ishin pas tij. Çdo dukuri, çdo fjalë, çdo gjest merret si dëshmi. Shqetësimi i Xhaferit rritet çdo ditë. Gruaja e tij gjermane, Nora, është lodhur nga kjo gjendje.
Regjisori i filmit, Visar Morina, pranon se filmi është pjesërisht autobiografik.
Racizmi, integrimi, të qenit i huaj, asimilimi, ngacmimi, përjashtimi – të gjitha këto çështje janë komplekse psikologjikisht dhe emocionalisht për sa i përket komunikimit. Morina thotë se kjo do të vazhdojë nëse i gjykojmë njerëzit bazuar në mendimet e formuara në fillim .
Në gusht Exil ka fituar “Zemrën e Sarajevës” si filmi më i mirë me metrazh të gjatë, çmimi më i lartë i dhënë në Festivalin e Filmit të Sarajevës.