Albspirit

Media/News/Publishing

Mevi Rafuna: Populli shqiptar i Kosovës dhe populli izraelit shënuan një kapitull të ri

Populli shqiptar i Kosovës dhe populli izraelit si dy popujt më të persekuruar në botë sot shënuan një kapitull të ri

I kemi të gjithë të njohura historitë e dhimbshme të hebrejve. Persekutimin e tyre thuajse dy mijë vjeçar mbi këtë dhe; dhe shfarosjen e tyre gjatë L.II B. Si një popull i vuajtur dhe i torturuar përgjatë shekujve askush më mirë se ne nuk e kuptoi fatin e hebrejve kur rrezikoheshin të zhdukeshin nga faqja e dheut. Falë Kanunit dhe besës shqiptare ku thuhet se “shtëpia është e mikut dhe e zotit”, hebrejtë gjetën strehë tek ne dhe nuk iu dorëzuan armikut. Sot me krenari mund të themi se lidhja mes dy popujve është më shumë se politike, më shumë sesa diplomatike, është lidhje shpirtërore sepse na bënë bashkë vuajtja dhe sakrifica, askush më shumë se këta dy popuj nuk ka vuajtur mbi këtë tokë.

Ishte pikërisht lobi hebrej në Amerikë që luajti rol kryesor gjatë vitit 99′ në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s. Koha kur ne po përjetonim eksod masiv dhe vrasjet e dhunimet ishin bërë pjesë e përditshmërisë. Si populli më i vjetër në Ballkan po persekutoheshim duke u rrezikuar me zhdukje nga një ushtri dhe regjim fashist i Beogradit. U desh që si dy popuj të kalojmë përmes ferrit që t’i gëzojmë dy shtetet tona në tokat e trashëguara përtej historisë.

Sot Izraeli njohu Republikën e Kosovës si shtet dhe vendosi marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve. Ambasada e Kosovës pritet së shpejti të hapet në Jerusalemin e shejtë. Ky është një akt historik që lidh edhe më shumë raportet mes dy popujve. Askush më shumë sesa këta dy popuj nuk ka vuajtur mbi këtë tokë. Askush nuk është persekutuar më shumë sesa këta dy popuj duke u rrezikuar qenësia e tyre. Kishim fatin e njëjtë dhe e dimë mirë çfarë do të thotë të mbijetosh. Izraeli u shndërrua në një superfuqi botërore.

Uroj që edhe Kosova do shndërrohet dekadave të ardhshme në një super fuqi në Ballkan. Ruajta dhe zhvillimi i shtetit të Kosovës është në favor të të gjithë kombit shqiptar./albspirit.com

Please follow and like us: