Anila Kananasi Karapidou: Unë jam…
Qëndra Kulturore Shqiptare Stuttgart /Albanisches Kulturzentrum Stuttgart (QKSHS) ka synim përveç tjerash edhe lidhjen apo koordinimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që ndodhen. Kësaj radhe një bijë shqiptare që jeton dhe vepron në Greqi, por gjuhën dhe letërsinë shqipe i ka në zemër dhe për zemër.
T’a ndjekim poezinë e saj të shkëlqyer.
UNË JAM…
Ti… që dridhesh sa herë dëgjon zërin tim të fuqishëm.
E ajrin mundohesh të më masësh me kubikë.
Ti… që shpresën e fëmijëve degëve të pyllit ke varur.
Si lëmoshën për lypësin që pret në këndin buzë rrugës çdo ditë.
E ç’je ti në këtë jetë?!
Një copë e thepisur shkëmbi që shkëputet nga mali e bie në humnerë.
Fytyra jote me pamjen e çakallit, ngjyrën kafe të plagës së vjetër po merr.
Dhe ti çakërdisur, mundohesh të mbash nën pranga të ndryshkura pushtetin tënd…
I trembesh zërit tim të fuqishëm dhe grushtit të ngritur që po të godet nëpër dhëmb.
Hej… Filizat duhet të çelin dhe rriten në këtë vend.
Në vendin e të parëve tanë, që ti ke harruar e më nuk i përmënd.
Fronit tënd që në ar ke derdhur e shtrëngon fort.
Uji po i kalon nën rrogoz e po kalbet si rrënjët nën tokë.
Hej… Unë jam ai grushti i fuqishëm që të godet…
Jam zëri që jehon e do të mbetet shekujve në këtë vend.
Unë… Jam… Populli dhe rrënjët nuk mi shkul dot nga ky vend.
Selanik, 15 shkurt 2021./albspirit.com
Please follow and like us: