Albspirit

Media/News/Publishing

Ilirian Zhupa: IKJA E DHERAVE

Ikin zogjtë çdo vjeshtë mes qiejve të tunxhtë,
Me gjethet e zverdhura, mes shtjellës së erërave;
Ikin ujërat me avujt e shirat e plumbtë,
Po mua më tremb ikja e dherave.
Ikin njerëzit mbas brigjeve në një udhë të trishtë,
Mbetet prapa pritja e ngjethtë –ankth e pezm;
Ikin gurët e varreve në një pllajë të rrëpirtë,
E mua prapë ikja e dherave më tremb.
Ikin shpirtrat e sytë, ikën dielli dhe hëna,
Ikin nata dhe dita, ikën vdekja dhe jeta;
S’ikin nga jashtë siç pandehim, ikin nga brenda,
S’ikin me shpendët dhe njerëzit, ikin me dherat.
E mua më tremb ikja e dherave gjithmonë,
Jo ikja e zogjve, e gjetheve, e ujërave, planeteve.
Ikja e dherave është ikja e gjakut dhe shpirtit tonë
Të brishtë. Prej skeleteve…/albspirit.com
Please follow and like us: