Albspirit

Media/News/Publishing

Kostandin Mosko: DY VËLLEZËR, DY KORIFEJ TË SHQIPTARIZMËS!

Me rasin e festës së Mësuesit, 7 Marsit
Dy vëllezërit selciotë të rrethit të Gjirkakstrës, Pandeli Sotiri dhe Koço Sotiri janë dy figura të mëdha të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, martirë për shkronjat, shkollën dhe gjuhën shqipe. Nga madhështia e tyre ata qëndrojnë sup më sup (as më shumë e as më pak) me Frashallinjtë, (Naim, Avdyl, Sami) dhe patriotët Çajupi e Konica dhe të tjerë figura të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare.
Pandeliu lindi në vitin 1843, ndërsa Koçua tre vjet më parë, në vitin 1840, po në fshatin Selckë të Gjirokastrës. Babai i tyre u vra në një përpjekje me feudalët vendas. Dy vëllezërit mbetën jetimë dhe i tërhoqi xhaxhi i tyre në Vienë të Austrisë. Aty ata ndoqën njërën pas tjetrës shkollat më me emër: Pandeliu studjoi për mjekësi, ndërsa Koçua për drejtësi. Që të dy punuan në administratën Austro-Hungareze, ndoshta mbi dhjetë vjet. Rreth viteve 1870, shkuan në Stamboll dhe aty u përfshinë me veprimtari patriotike. Ata ishin:
1. Antarë të Lidhjes Prizrenit, nga viti 1878 dri në vitin 1881.
2. Organizues të shoqatave patriotike në qytetet kryesore, Egjipt, Bukuresht dhe Sofie.
3. Ata janë anëtarët e parë të Shoqërisë së Shkronjave Shqip në Stamboll, (12 tetor 1879).
4. Të dy vëllezërit morën pjesë në krijimin e Alfabetit Shqip të Stambollit. Varianti i këtij alfabeti me disa ndryshime të vogla u miratua në Kongresin e Manastirit, në vitin 1909. (sipas studjuesit Robert Elsie).
5. Ata ishin drejtues, sipërmarrës, redaktues, botues i të së parës revistë shqipe “Drita” e më pas “Dituria”, në dymbëdhjetë numra. Ata njihen si krijues të mediave në Shqipëri, (10 gusht 1884 – 11 korrik 1885).
6. Me Ferman (autorizim) specjal nga Sulltani, ata hapën të parën shkollë shqipe në Korçë. Pandeliu ishte drejtor dhe mësues i kësaj shkolle, ndërsa Koçua ishte mësues dhe krijues i shoqërisë patriotike në qytetin e Korçës, në mbështetje dhe përkrahje të shkollës së parë shqipe, 7 mars 1887.
7. Koçua, pak më vonë çeli në Pogradec shkollën e parë shqipe, më 1887 dhe më pas, me të njëjtin mision kaloi edhe në Maqedoni duke e përqëndruar punën e tij në qytetin e Manastirit, me shumicë popullsi shqiptare, deri sa e burgosën për veprimtarinë e tij patriotike.
8. Të dy vëllezërit ishin përkrahës dhe vullnetarë të Misioneve Angleze e Amerikane që vepronin në atë kohë për të zgjuar ndjenjat kombëtare, (Sipas David Hosaflook, 24 October 2016).
9. “Luka dhe Mateu” u botua në gjuhën shqip në vitin 1886, rishikuar nga Pandeli Sotiri, (Po aty).
10. Të dy vëllezërit, Pandeli e Koço ishin botues të librave të shkollës dhe krijimtarisë letrare të Rilindsave në atë kohë, etj., etj…
Pandeli Sotiri vdiq në vitin 1891, në Stamboll. Në atë periudhë ishte në arrest shtëpie, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, edhe si anëtar i Lidhjes së Prizrenit. Në një kontroll nga xhandërmaria turke në shtëpinë e tij, u mundua të arratisej nga dritarja, por u rrëzua prej katit të tretë dhe për pasojë pësoi një vdekje tragjike. Thonë se e spiunoi gruaja e tij në xhandërmari dhe Patriarkanën Greke, për veprimtarinë e tij në shtëpi, por nuk ekzistojnë fakte të besueshme. Llogjika ta do që është vrarë me dinakëri nga armiqtë e kombit shqiptar.
Koço Sotiri vdiq në Manastir, në vitin 1909, mbasi doli nga burgu (vuajti pesë vjet burg) i plakur dhe i varfër.
Meritat:
· Pandeli Sotiri ka marrë titullin e lartë “Mesues i Popullit”.
· Qytetar nderi i qytetit të Korçës.
· Shkolla e Mesme Pedagogjike në Gjirokastër mban emrin e tij, gjithashtu edhe një shkollë në Kosovë.
Koço Sotiri është lënë mënjanë, megjithëse ka merita të përafërta me vëllain e vet… Nuk ka asnjë vlerësim shtetëror e shoqëror.
Këtu poshtë po paraqes të cituar drejtpërdrejt një thënie lapidare të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare:
“Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin! Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, perveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar”./albspirit.com
Boston, SHBA.
Please follow and like us: