Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: Eduardo REXHO, MODELI SHPIRTËROR I NJË EDUKATORI DHE INTELEKTUALI FISNIK!

 

Portret i pa autorizuar për mësuesin shembullor, misionarin intelektual, modelin e papërsëritshëm, Eduardo Rexho.

 

 

Në vend të prologut…

 

Lajmi tronditës u përhap dhe u shpërnda gjithandej. Zemra e profesorit të vlerave njerëzore dhe profesionale, Eduardo Rexho pushoi së rrahuri. E njeriut, i cili  për afro më tepër se 3 dekada, kontribuoi me pasion e përkushtim, si askush tjetër në arsimimin dhe formimin e gjeneratave të reja himariote. Misionari i dritës që me stoicizëm, rezistonte dhe kundërshtonte prapaskenat dhe kompromiset e mbrapshta të konjukturave izoluese, kontribuoi duke ofruar dritë dhe shpresë, mirësi dhe integritet.

Qenia brilante njerëzore që ndriçoi sistematikisht mendjet e nxënësve të panumërt, u largua në drejtim të botës ëngjëllore. Vlerat dhe përmasat madhore të mësuesve misionarë, asnjëherë nuk harrohen apo nënvleftësohen, ndonëse faktori kohë natyrshëm luan rolin e vetë të padiskutueshëm.

Himara me hidhërim dhe trishtim, sot përcjell me lamtumirën e fundit të përjetësisë, Eduardo Rexhon, një prej bijve të saj të rëndësishëme krenar, një intelektuali të përkorë, një edukatori brilant, një qytetari të devotshëm, një drejtuesi misionar, sa racional po aq edhe sakrifikues.

 

Gjatë gjithë rrugëtimit të tij jetësor, ai dëshmoi se përpos se ishte një mësues dhe pedagog i spikatur, njëherazi ishte një njeri i ndershëm, një patriot krenar, një fisnik që me seriozitet, pasion, vizion dhe  vetëmohim, i shërbeu Himarës dhe kauzës së ardhmërisë së saj.

Rrallë vetë jeta të përball me njerëz potencialë si Eduardo Rexhua. Imazhi i një qenieje të denjë, të qetë, të kulturuar dhe modest, me një moral të lartë, përherë buzagaz, me një mirësi admiruese dhe një modesti të jazhtëzakonshme. I ngjizur me një intelekt krejt të veçantë, por njëherazi edhe me një pasion adhurues për leximin. Falë potencialit dhe performancës së tij, ai përmes thjeshtësisë proverbiale, mundësoi ndezjen e flakës së dashurisë për dijen, tek aradha e panumërt e nxënësve të tij, duke dëshmuar kësisoj, se ishte dhe do të mbetet një Mësues dhe Misionar ekselent dhe Madhor.

Në këtë kontekst, huazoj një fjalë të urtë latine, që i përket lashtësisë, «Tempus fugit memoria autem», që do të thotë se koha kalon e humbet, ndërsa kujtesa mbetet. Dhe kujtesa e Eduardo Rexhos, për të gjithë ne bashkëkohësit e tij, për gjithë gjeneratat e nxënësve, për gjithë kolegët e miqtë, që patëm fatin dhe u ndeshëm, që u takuam në jetën e përditshme, do të mbetet e paharruar dhe e pashlyeshme në zemrat tona.

 

Rrugëtimi jetësor dhe profesional…

 

Në agun e një dite të ftohtë dimri, pikërisht  më 15 Janar të vitit 1942, në familjen e Foto Rexhos në Himarë, erdhi në jetë vogëlushi Eduardo.

Vitet e fëmijërisë së brishtë i kalon në vendlindjen e tij në Himarë, duke përjetuar kushtet e vështira të nëpërkëmbjes dhe ripërtëritjes së pasluftës. Starton hapat e para të shkollimit të tij në Himarë, ku i shquar për zellin dhe këmbënguljen e tij, përfundon me rezultate të larta shkollën 7-të vjeçare. Pasi kryen gjimnazin, me dëshira dhe pasione të zjarrta, i etur për dije, falë rezultateve të larta, Eduardo Rexho, në vitin 1961 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Matematikës. Përfundon studimet dhe diplomohet si Mësues Matematike në vitin 1965.

Mandej emërohet si Mësues matematike në shkollën e mesme në Himarë, ku starton dhe hedh hapat e para në profesionin misionar të mësuesit, një profesion realisht i shenjtë por edhe tepër i vështirë, ku me pasionin dhe përkushtimin e tij, kontribuoi jo vetëm si mësues misionar. Por duke u angazhuar aktivisht në aspektet e arsimimit të gjeneratave të shumta nxënësish si edhe në edukimin e brezave. Një mësues dhe pedagog i rreptë dhe kërkues, por tepër i saktë dhe i paanshëm në vlerësimin e dijeve.

Për shkak të personalitetit, njohurive dhe qasjes së tij ndaj të gjithëve, gjithë jeta aktive e mësuesit të shkëlqyeshëm e shumë të dashur Eduardo Rexho, i përkiste misionit të tij ngadhnjimtar, arsimit dhe arsimimit, familjes dhe shoqërisë.

Por edhe si zëvendës/drejtor i këtij gjimnazi deri në vitin 1990, si një përgjegjësi dhe detyrë paksa e privilegjuar, mësuesi Eduardo Rexho spikati për aftësitë drejtuese dhe ato organizative, për bashkëpunimin e frytshëm kolegjial, për marrëdhëniet korrekte me mësuesit kolegë, për respektin dhe dashurinë, për vizionet dhe përgjegjshmërinë.

Por në rrugëtimin e sukseshëm profesional, përpos detyrave drejtuese në gjimnazin e Himarës, Eduardo Rexho, në periudhën e rëndësishme të ndryshimeve demokratike, me pasionin, entuziazmin dhe vetëdijen e lartë që e karakterizonte, përzgjidhet dhe kryen me kompetencë funksionet e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Qytezës së Himarës. Duke përballuar me mendjemprehtësi situata të vështira dhe emergjente, por me një shpirt të dlirë, me seriozitet dhe buzëqeshje të gjera shpresëdhënëse. Duke kontribuar realisht në çështjet  thelbësore të komunitetit mbarëhimariot dhe ofruar gjithçka  për vendlindjen e tij të adhuruar. Sepse ai ishte pjesëz e asaj plejade të nderuar intelektualësh, që dinte me sinqeritet dhe çiltërsi, të kontribuonte dhe të ofronte me bujari.

Si një bir i devotshëm i vendit që e lindi, Eduardo Rexho ishte ngjizur me një dashuri të zjarrtë për Himarën, e natyrisht që gjithë potenciali i njohurive dhe kontributdhënies së tij, mbajnë vulën e origjinalitetit, të moralit të tij të padiskutueshëm si edhe fisnikërisë së shpirtit të tij.

 

Në vend të epilogut…

 

Mësuesi  dhe edukatori  frymëzues, Eduardo Rexho, që me kthjelltësinë e shpirtit ,me  etikën  dhe kontributdhënien  e tij, me pasion dhe durim, mësoi dhe rrezatoi integritet dhe moral të lartë, aspektin e besimit tek liria e mendimit, e shprehjes dhe veprimit. Udhërrfyesi që u shndërrua në një model të jetës,për  gjithë ata që patën fatin ta njohin, bashkëpunojnë e diturohen prej tij,nuk ndodhet i pranishëm mes nesh.

Tanimë do të na mungojnë përgjithmonë fisnikëria dhe thjeshtësia e tij, karakteri brilant dhe mirësjellja, profesionalizmi dhe parimësia, personaliteti dinamik dhe energjik, dashamirësia dhe miqësia e tij. E realisht mungesa e tij ndihet e pazëvendësueshme.

Hidhërimi dhe dhimbja jonë për humbjen e tij, natyrisht që është e madhe. Por profesor Eduardo Rexhon do ta kujtojmë me nderime dhe respekt në çdo moment gjatë gjithë jetës sonë, si  modeli dhe shembulli ynë i ndritshëm.

Kurrsesi nuk është asfare e lehtë të artikulosh lamtumirën një personaliteti rrezatues dhe krejt të veçantë, një pedagogu dhe misionari me moral të rrallë, me dinjitet, me fisnikëri, me dashuri dhe mirësi.

Me dhimbje artikulojmë lamtumirën për një edukator të madh, për një njeri të jashtëzakonshëm, një mik të dashur, një intelektual dhe një koleg të paharrueshëm, Eduardo Rexhon.

Falënderime të pafunda për angazhimin dhe përgjegjësinë e dritës së përkushtuar që ofrove pa kursim, për meritokracinë e punës tuaj të palodhur, duke shmangur aspektet negative të jetës.

Eduardo Rexho do të kujtohet gjithmonë për energjitë dhe dinamizmin e tij, për performancën admiruese, për krenarinë dhe karakterin e tij brilant e të panënshtrueshëm.

Shprehim ngushëllimet e përzemërta tek bashkëshortja e tij e dashur e jetës, zonjën Aleksandra, tek fëmijtë e tij Altin dhe Sonila, tek motrat e vëllezërit, tek gjithë të afërmit por edhe gjithë miqve e atyre që humbën njeriun e tyre të shtrenjtë.

I  dashuri dhe i shtrenjti ynë, Eduardo Rexho, mësues i respektuar, intelektuali i përzgjedhur dhe i nderuar, njeriu i mirë dhe kryefamiljari i denjë, largoheni duke lënë gjurmë të pashlyeshme dhe kujtime impresionuese. Dëshmuat dhe do të mbeteni përjetësisht modeli dhe shembulli ynë, përherë i pranishëm në mendimet dhe zemrat tona. Duke ndjekur hapat e shëmbullit tuaj, këshillat e vyera, vlerat tuaja, trashëgiminë e pashlyeshme që ju na ofruat.

I bekuar rrugëtimi juaj drejt Dritës së Përjetësisë..

Ky është përgjërimi dhe lutja e të gjithëve ne bashkëkohësve, për një bir të denjë himariot, që luftoi gjithë këto vite dhe dekada me besim, me shpresë, me vërtetësi, me ndershmëri, me devotshmëri, duke i shërbyer me përulësi diturisë, progresit  dhe kauzës së vetë jetës.

Le të jetë i lehtë dheu që do të të mbulojë.

Njeriu i mirë dhe model, fisniku krenar  Eduardo Rexho, lamtumirë!

U prehsh në Paqen e Përjetësisë.

Athinë, 09.03.2021.

 

Please follow and like us: