Mehmetali Rexhepi: BULËZAT
Musa Ramadanit
U shkri qiriu i Mu Rait
pakës para bulëzave të reja të stinës
i mbylli bulëzat e fletëve dhe tash lypin
afshin e penës të çilen
mbi kupa poleni prej thimthash të grerëzës
kapitujt i mëkuan grackat e lules e të bletës
*
qindra pickime turinjve syve në një zgorre lisi
kosto e tundimit të mjaltës ngriti në vertikale
ariun mbi një prirje të rënies prej instinkti
*
Mu Rai ua mbështillte cipën fjalëve me klorofilin e pa vyshkur
kasketa mbi sy u bënte hije dy liqeve të tij
aty përmbyseshin anije perandorësh gojë-përbindëshi
princat mbi liqene i kishte lajthitur syprina
fytyra, faqe, buzë, gjinj, tamblore, bele e kofshë floçkash copëzuar
zbërthe mozaikun dhe do të vlojë afshi i kaptinave për(z)gjuar
*
liqeneve Tuaj Maestro mbeti “Ligatina”
dhëmbët e kohës së uritur përpijnë gjysmën e Gllamës
ankthi e “Zezona” u ngjizën në gjenet e amës
nuk e ndali dot ritmin “Vrapuesja e Prizrenit”
Maratona ia shpinte Majlindës në dorë trofeun
mbishkrime të shlyera i kishin fshirë emrin
*
Maestro fli i qetë
qindra-mijëra sy fshihen në çdo fletë
drithërimet t’i mbyllën vetëm dy
kokrrat e grurit dhe të egjrës
i rrisje me lëngun “Thirravaje”
i sitje në shoshën“Neurosis”
*
“Eugjenika e tri deteve”
ftoi muzat të shpërfaqnin mijëra derte
*
e rrëzuam edhe një Mur Gjaku Maestro
*
mund të na zërë Muri i Republikës së vaktit
ai që po ngrihet venave tona të mërisë së gjakut
Ti e dëftoje aktin
“Satana ma vodhi gurin e urtisë”
*
nuk donte të vegjetonte mes verës së makutëve
dhe nëmës së frytëzuar në kremte e pranga
së fundmi bulëza do të çelin pa Ty.
por te “Profeti nga Praga”.
Gjilan, kallnor 2021