Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: GËZUAR DITËLINDJEN, BIRÇE HASKO!

Artisti i Popullit Birçe Hasko, nga Dukati i Vlorës, erdhi në jetë më 15 mars 1942, në kohë lufte. Që do të bëhej një nga artistët tanë më të përsosur të komedisë, dramës, filmit e të mësimdhënies. Me dijet e mjashtërinë e artit, me fjalën e goditur e thumbuese, me humorin e beftë e me sarkazmën, që e ka në majën e gjuhës, duke mbajtur neutrale fytyrën e vet, si edhe me një duzinë proverbash nga të zonës së tij, me të cilat është e pamundur të mos “ushqejë” këndshëm çdo bisedë, midis njerëzve e personazheve.
Kujdestari i klasës
Kur studentët u mblodhën bashkë në Shkollën e Lartë të Aktrimit dhe duhej të bënin biografinë e tyre, e bëri edhe Birçja, me humor e me njëfarë qesëndie për shkollat e fshatrave të Labërisë, gjatë kohës që kryente detyrën e mësuesit, një atje e një këtu, duke bërë çdo ditë 13 km rrugë me këmbë, pasi ishin larg njëra-tjetrës e funksiononin me deri katër klasa kolektive! Mesa rrëfen Birçja, edhe e kishin leqendisur, që nga Dukati, Orikumi, Radhima e Risilia, deri në zonën e Tepelenës së ashpër, në Amanikaj, Nivicë, Poro e sidomos në Memaliaj. Mirëpo, po aty e ftuan edhe të delte në skenë për herë të parë. Minatorët që mbushnin sallën e kinoteatrit e duartrokisnin vazhdimisht mësuesin e tyre dhe donin që ta shihnin vazhdimisht nëpër role, tek vinin të rraskapitur nga puna e lodhshme në minierën e qymyrgurit. Bile, njëri prej tyre e kishte ftuar në klub për ta qerasur dhe i kishte thënë që, patjetër duhej të shkonte në shkollën e aktorëve në Tiranë, cila bëhej disa vjet që ishte hapur për talente si ai. Dhe ashtu do të ndodhte… 50 vite më parë, kur Birçe Hasko errdhi aty e do të na imponohej me talentin e tij origjinal, do të zgjidhej edhe si kujdestar i klases për autoritin e tij, por që dy vite më mbrapa do t’i jepej roli i plakut Haxhi Hasa në shfaqjen-diplomë të komedisë “Dasmë pa Nuse” të Naun Priftit, që ai e interpretoi fort bukur. E kreu shkollën me përkushtim dhe, me ta mbaruar atë në vitin 1969, e mbajtën aty si pedagog, ku edhe do të vazhdonte po me atë përkushtim gjithë jetën e vet, derisa doli në pension! Por, këtë herë i nderuar, me mjaft tituj nderi e urdhra, si Profesor, Artist i Merituar dhe Mjeshtër i Madh. “Shkolla të jep në dorë një çelës kopil, – thotë ai në një nga intervistat e tij, por pastaj varet nga ti nëse je i zoti të hapësh derën e suksesit… Ndjehem i privilegjuar që kam jetuar me ndershmëri”.
Në skenën e teatrit
Si skenë teatri për këtë aktor-pedagog do të mbetej ajo e Institutit të Lartë të Arteve, duke u mësuar mjeshtëri aktori studentëve të rinj. Në këtë skenë do të “kurorëzoheshin” edhe spektakle të mirëfillta, ku do të kërkohej edhe interpretimi i tij si aktor, tok me pedagogët e tjerë dhe me studentët-aktorë që plotësonin listën e personazheve. Kemi parasysh sidomos dy nga këto spektakle, ajo e “Familjes së peshkatarëve” nga Sulejman Pitarka, si edhe ajo e komedisë “Shi në Plazh” nga Teodor Laço. Tek drama “Familja e peshkatarit” (1984), shkëlqeu me rolin e Xha Shazos. Figurë shumë e njohur për cilindo aktor dhe që aktori-pedagog Hasko u vu në një kërkim origjinal të figurës së peshkatarit të vjetër patriot, duke patur parasysh që patriotizmi i tij të mos ishte deklamativ, por si një refleksion i brendshëm i shpirtit të tij hokatar, nga dashuria për jetën! Dhe çdo batutë e Xha Shezos së Haskos, ishte diçka spontane, e vetvetishme dhe asnjëherë e përgatitur, me fraza deklarative. Ndërsa në spektaklin tjetër “Shi në Plazh”, një komedi e Teodor Laços, në rolin e Milos ka një dozë më të lartë humori, që e bëjnë atë të dashur në skenat respektive që ka me personazhin emblematik të Robert Ndrenikës dhe me Zenon e çuditshëm të Agim Shukes.
Profili i artistit të mëvetshëm
Birçe Hasko, si tip i veçantë që ishte, me ekspresivitetin e fytyrës e me profilin e jashtëzakonshëm, qoftë për teatrin, ashtu edhe për kinematografinë, u afirmua me një natyrësi të madhe, qysh në filmin e parë të tij: “Kur zbardhi një ditë”, në vitin 1971, me ballistin Sulo. “Derën e Kinemasë ma hapi Piro Milkani”, – thotë ai edhe sot e kësaj dite, me mirënjohje të veçantë. Për më tepër se ky personazh dallkauk, i lidhur me Ballin Kombëtar, do të tërhiqte në krijimtarinë e Birçe Haskos tipin e figurës nga Labëria, koloritin e veçantë të Jugut, jo thjesht nga e folura, nga humori, nga theksi shpotitës i satirës, por edhe nga ana e jashtme e personazheve të tij, që vijnë nga fshati, nga ajo pjesë e popullit, të pamësuar mirë e të padëgjuar dhe aq, nga ata tipa “të thekur”, që kapardisen për hiçmosgjë e sikur çoç janë e çoç bëjnë, gjithsesi me konkretësinë e fjalës e të bërjes, si edhe të komunikimit të menjëhershëm, pavarësisht nga tiparet e ndryshme të karaktereve në ekran, por edhe në skenë, ku do të dallohej e do të çmohej mëvetësia e aktorit Hasko.
Janë më se 30 filma artistikë, ku aktori me profil interesant është angazhuar në role të dyta, të treta, hera-herës edhe si figurant, duke plotësuar kështu disa pasazhe filmike, një mesazh pro apo kundër, si edhe për larmi figurash në vegimin regjisorial, për kontrapunkte dinamike të veprimit e të ngjarjes. Por për Birçe Haskon, një figurë njeriu në skenë apo në ekran – sado e vogël, është e mbetet një figurë e madhe NJERIU! Është i njëjti përkushtim për të ndaj rolit edhe sikur të qe personazhi vetëm me dy fjalë, apo edhe pa fjalë fare.
Kështu, në filmin “Malet me blerim mbuluar” (1971), kryeson një grupim dasmorësh në kohë lufte, Safa Ymerin, i cili, edhe pi e ha kofsha pule, edhe këndon, edhe kuvendon, por që i bën “sytë katër” e veshët “pipëz” për të mësuar se kush hyn e kush del nga kasollja e të zotit të shtëpisë që e ka ftuar. Këtu aktori Birçe Hasko nuk donte t’ia dinte se ishte para kamerës, por e ndjente veten si në shtëpinë e tij në Dukat! “Safa Ymeri isha unë dhe njëherësh isha edhe hija e Safa Ymerit. Edhe si njeri isha më afër jetës dhe prej këtij çasti më hyri në shpirt kënaqësia për kinemanë”!
Në filmin “Shtigje Lufte” aktori e ndjeu edhe më tepër atmosferën e kinemasë, me tipa gjithfarësh nga jeta, me luftë të pandërprerë, përmes skenash masive e të zhurmshme që lypsej e kërkonin kujdes e vëmendje, por edhe vërtetësi jete që Birçja e kishte edhe më të spikatur nga të tjerët. Kështu, tek filmi “Liri a Vdekje” (1979) mjaftonte vetëm një pasazh interpretimi nga personazhi me emrin Sotiri, që duhej ta interpretonte ai, për të evidentuar mirë edhe tipat e paqartë, finokët, interesaxhinjtë e hajdutët e kohës së luftës, që i afrohen Çeços nëpër beteja edhe për “ndonjë plaçkë lufte (!). Ndërsa tek filmi “Njeriu me top” (1977), Birçja ka një rol edhe më të plotë e më të goditur, Tosun Baçin, me origjinë prej beu, Again e Fshatit, të mbajtur mirë e të krekosur për mrekulli, me feste e kollare zotërinjsh qytetas. Mustaqe përdredhur, të ujdisura për merak, veshur-ngjeshur me rroba të reja shajaku e me kobure në brez, që ka nga koka në këmbët psikologjinë e kapadaiut të Ballit, i cili kërkon me ngulm ta dëgjojnë me vëmendje e ta ndajë fshatin nga Lufta Çlirimtare e do që vetëm ai “ta tundë këmborën këtu”! Një rol i qëndisur me sevda nga aktori Hasko, që mandej do të shkaktonte edhe hamendësime të ngjashme për njerëz realë të asaj kohe! Por sevdanë më të madhe akoma, Birçja do ta ndjente tek filmi “Koncert në vitin 1936” (1978), duke interpretuar Tellallin e Qytezës, ku do të jepte shfaqje këngëtarja e shquar, e shoqëruar me një pianiste dhe që do të bëhej e ditur vetëm prej këtij njeriu, zëri i të cilit duhej të kapte “veshët e të gjithëve” e të shtrihej sa më gjerë, sa më fortë e sa më lartë. Një vit më vonë, ai do të interpretojë për herë të parë rolin e plotë dramatik, të një partizani të vendosur, të regjur me luftën, nga baruti e vërshëllimi i plumbave, “trim me fletë”, – sikundër u thonë të këtillëve, që përballen me rrezikun pa iu trembur syri. Ky është roli i Mete Aliut në filmin “Radiostacioni” (1979), ku aktori krijon tani portretin serioz të një skuadërkomandanti partizan, me përvojë, më së shumti i heshtur, pa tekst, jo dhe aq i fjalës se sa i armës, që se ndan nga vetja. Gjithmonë i vëmendshëm, ekspresiv, me “gur çakmaku në tru”, vetëmohues… Edhe kur do të plagoset e do të zvarritet nën vërshëllimën e plumbave, por edhe kur nuk do të mundet të qëndrojë në këmbë, i shtrirë nga plagët e trupit, me bulëzat e djersës tek i varen nëpër fytyrën e rreshkur prej barutit! I mëvetshëm si karakter, do të jetë sidomos kur mbledh shtëpi më shtëpi ish punonjësit e vjetër të Radiostacionit, që ai i quan “borgjezë të fëlliqur” e “Qen bir Qeni,” me urrejtjen në majë të gjuhës, kur zemra i pëlcet nga urrejtja ndaj tyre! Por ama, brenda karakterit të personazhit. I vërtetë, shumë i vërtetë, si të vinte direkt nga lufta frontale, i flakëruar nga truri e nga shpirti!
Besueshmëria
Prej këndej do të vijonin për të shumë role të karakterit pozitiv, njerëz të mirë e të zgjuar, po baballëk nga mosha e të bardhë nga shpirti. I tillë është në filmin “Dhe vjen një ditë” (1986) në rolin e Dajë Alushit. Në film e duan shumë, e respektojnë që të gjithë dhe dikush e quan edhe “Dru i vjetër!”, që ka kështu domethënien e vet si karakter, njeri i urtësisë, i së mirës dhe i heshtjes! Besueshmërinë e figurës së tij, si karakter njerëzor, Birçja do ta ketë edhe ndër personazhe të tjerë të spikatur, si Babain e Djanës në filmin “Shkëlqimi i përkohshëm” (1988), në rolin e Xha Rufetit në filmin “Vitet e pritjes” (1989), në rolin e Dasmorit të Urtë te filmi “Përrallë nga e Kaluara” (1997), në rolin e Mësuesit në filmin “Guri i Shtëpisë sime” (1985), në rolin e Sabafit tek filmi “Parullat” (2001) e në shumë ekranizime të tjera, ku interpretimi i Birçe Haskos është kurdoherë korrekt, mjeshtëror, deri në detajet më të vogla. Do të veçonim megjithatë dy prej këtyre dy filmave: “Përrallë nga e kaluara” të Anagnostit dhe filmin e Gjergj Xhuvanit “Parullat”. Tek i pari ai interpretoi figurën e një dasmori hokatar që rrëfente meselenë e “ligjit e të Maliqit” me anë të një shkopi që e vërtiste mbi kokat e dasmorëve dhe, befas e godet lehtazi në kokë njërin prej figurantëve, që e kishte goditur gjoja pa dashje (realisht me dashje, për efekt vërtetësie në xhirim, duke i kërkuar të falur personit, si ta kishte bërë me të vërtetë pa dashje! Ndërsa tek i dyti, do të interpretonte me besnikëri tipin e një sekretari partie, që ai e kishte urryer, nga ata që të bënin gjëmën, sidomos nëpër fshatrat e largëta, ku nuk hynte as gazeta e ligjin e bënte ai dhe vetëm ai. Birçja e veshi këtë rol me të gjithë ligësitë e grumbulluara të atij sistemi të urryer dhe ashtu u fiksua në ekran. Do të bënte një përjashtim, jo fort të zakonshëm, në filmin e regjisorit Mevlan Shanaj, “Fletë të Bardha” (1990), ku portreti i figurës së Rojës së Fshatit, del nga suaza e vet, për të pasqyruar më gjerësisht tipin e fshatarit me komplekse morale, psikiko-patologjike, shpirtërore, të cilat, të gjitha së bashku “ujisin” traumën tragjike të personit, njeriut të vetmuar, në mënjanimin e skajshëm që vjen, jo vetëm nga rrethanat por edhe nga vetë ai. Birçe Hasko krijon profile të veçanta të çdo roli , të mëdha e të vogëta, po edhe në gjini të ndrysme të tatrit, deri edhe në profile të Teatrit Abdsurd, si në komedinë e Beketit.
Resume
Rrjedhimisht, gjatë gjithë jetës e krijimtarisë së vet, Birçe Hasko, njihet tashmë nga publiku si një nga artistët tanë më popullorë, si aktor komik, por dhe me “stofin” e çmuar të aktorit të dramës, që sjell në skenë e në ekranin tonë, jetën e vërtetë, si edhe atë kolorit të rrallë të Jugut të Shqipërisë, sidomos të Labërisë, me ata personazhe e tipa të mençur e hokatarë, të këngës e të valles, të kobures e të topit, të tryezës së rakisë, por edhe të ballit të luftërave. Birçe Hasko është njëri nga këta!
“Më hyri në shpirt dashuria për kinemanë, – rrëfen Birçja, – qysh kur më thirri Piro Milkani të lozja rolin e një ballisti dhe aktrimi u bë pastaj profesioni im më i dashur… Dhe aktrimi është të besuarit me sinqeritet… Është një profesion qe realisht nuk paguhesh dhe ushtron një profesion që po e le, të lë edhe ai! Disa role për mua kanë qenë të njëjta, por jam munduar të gjej shtigje ndarëse. Por edhe që të ndahet roli me njeriun që e interpreton. Kam patur raste që më kanë ndalur edhe në rrugë, duke më pandyer se jam ai apo ky, aksh ballist i njohur, i vërteti, duke ngatërruar kështu rolin me njeriun real, por edhe aktorin me rolin! Kjo ka të bëjë me vërtetësinë e lojës. Nuk mund të hysh në një pyll pa sopatën krahut, pa bërë një analizë të detajuar në ndërtimin e rolit me vërtetësi. Dhe, në rast se këtë profesion nuk e ushtron përditë, ai vdes… e, kur vjen përpara regjisorit, do të jesh gjithmonë si një nxënës i tij. Kjo është kulturë profesionale. Duke çmuar tek tjetri më shumë atë që të mungon ty, duke e vënë Artin mbi gjithçka tjetër. Po atë ditë që më duhej të veja për të varrosur babanë, në mbrëmje më duhej që të veja në teatër për të lozur rolin në shfaqjen e programuar për publikun. Se, kur vë dorën në parmendë, mos e kthe kokën mbrapa. Do të dëshiroja që të mos ma hiqni parmendën! Ky është edhe roli ynë!
Marrë me shkurtime nga libri im “10+1…PORTRETE ARTISTËSH”.
Please follow and like us: