Albspirit

Media/News/Publishing

Kandidate e PD në Krujë/Merita Bakiu (Balla): Premtoj atë që e mbaj dhe e përmbush

Intervistë me Merita Bakiu (Balla), kandidate e Partisë Demokratike për deputete, në qytetin e Krujës

Sabina Darova
Cila është  arsyeja që vendosët të kandidoni për PD-në?

Merita Bakiu (Balla): Arsyeja përse vendosa të kandidoj për Partinë Demokratike, është një vendimarrje që e kam marrë prej vitesh, pothuajse në fillimet  e vetë jetës së  Partisë Demokratike. Kjo, sepse në bazat e saj fillestare, kjo parti aspironte idealet e  ideve liberale, shpirtin e lirë dhe jo vetëm për të qenë më novatore në ide, por edhe për ta përcjellë në çështje  të ndryshme sociale. Nuk dua të bëj parantezë, por dua të them, që arsyeja më e madhe është që të jem jo vetëm aktiviste, por edhe një kandidade për deputete në këtë parti, është rëndësia që kjo parti i ka dhënë rolit të gruas, duke e ngritur në plane shumë dimensionale figurën e saj.

Cilat janë objektivat  dhe pikësynimet që do kenë përparësi në mandatin tuaj parlamentar?

Merita Bakiu (Balla): Pikësynimet dhe objektivat e mia në këtë mandat parlamentar janë disa, por më  kryesorja për mua, është të jem sa më  pranë qytetareve të mi, halleve të tyre, problematikave të jetës së përditshme të qytetit, sepse duke jetuar me ta, në radhë të parë si bashkëqytetare, njoh mjaft mirë vuajtjet e tyre.
Një ndër nga synimet e mia është përparësia e zhvillimit të  turizmit.
Kruja njihet në mbarë botën me historinë e saj mesjetare në mbrojtje të pavarësisë, së kulturës dhe gjuhës shqiptare. Si e tillë meriton vëmendjen dhe përkushtimin tonë. Por Kruja ka dhe vlera të tjera që duhen bërë të njohura, siç janë pasuria e ujrave (burime e lumenj), Sarisalltiku i shenjtë, vendosur në gjoksin e malit, që arrihet me mjetet këmbësore apo automobilistike shumë shpejt, artizanati i punimeve me dorë (qilimi, qeleshe, ene bakri, veshje popullore etj), natyra e mrekullueshme, kuzhina bio që na e kanë zili çdo qytet fainj e mbi të gjitha mikëpritjen. Të gjitha këto vlera që përmenda kanë nevojë për një riorganizim të struktuar në plane dhe objektiva, që duhet të vijnë nga vetë ne, banorët e Krujës dhe jo ta presim nga lart, por të kooperojmë me insitucionet përkatëse.

Çfarë roli ka luajtur familja në formimin tuaj politik si e djathtë?

Merita Bakiu (Balla): Familja ka qenë baza e frymëzimit tim për t’u përfshirë në politikë. E kam vështruar si model në formimin tim politik të djathtë. I kam ndjerë nga afër sakrificat dhe mundin e saj për të arritur me çdo kusht qëllimin, që Partia Demokratike të ndërtonte bazat në qytetin tim, ashtu siç i ka patur në kaluarën e të ishte një forcë politike përfaqësuese e devotshme. Dëshiroj të nënvizoj dy parime mbi të cilat më ka ushqyer përgjatë gjithë kohës së rritjes time pranë kësaj partie: Të jem e drejtë dhe pa interesa vetjake.

Cili është pozicioni i gruas në qytetin e Krujës, dhe cilat kanë qenë angazhimet tuaja në aktivitetet politike dhe shoqërore gjatë këtyre viteve?

Merita Bakiu (Balla): Qyteti i Krujës është një qytet paksa i veçuar, duke patur parasysh edhe pozicionin gjeografik të tij, por që asnjëherë nuk i kanë munguar aktivitetet e ndryshme shoqërore. Gruaja është një figurë e nderuar dhe ka rolin e saj të pa mohueshëm në shoqëri. Vitet e fundit ajo është përfshirë në vendimarrje të ndryshme politiko-shoqërore. Për mua nuk ka qenë e lehtë në fillim, kur vendosa të merrem me politikë, por kam punuar intensivisht, duke i motivuar dhe bindur, pse gruaja duhet të angazhohet në jetën politike e shoqërore. Nuk duhet të lejmë jashtë vemendjes që femra krutane është një femër qe merret jo vetëm me punën, por gjen kohën, mundësinë për të marrë pjesë edhe në aktivitete të ndryshme.

Vlerësoheni si një arsimtare shembullore, që ka kontribuar në formimin e qindra nxënësve, në një hark kohor prej 26 -të vjetësh. Për çfarë dëshironi, të ruheni në kujtesën e tyre?

Merita Bakiu (Balla): Dua të kujtohem dhe të përmendem për ato vlera të cilat i kam patur që kur kam nisur ditën e parë të aktivitetit mësimor: për korrektësinë, mirëkuptimin, tolerancën dhe seriozitetin që kam treguar në çdo ditë të punës sime.

Cilat janë 5 nga gabimet më të rënda që ka kryer në qeverisje PS-ja, që ju nuk do t’i kishit kryer kurrë?

Merita Bakiu (Balla): Besoj se e njëjta pyetje si të bëhet dhe për palën tjetër, po qe se ne do të ishim në pozitë, prandaj ajo që dua të them, është se çfarë dua të bëj unë, kur të marr mandatin e deputetes. Unë  ndjej përgjegjësi për këtë detyrë që më  është ofruar, se ku të them mirë apo keq, une e gjej me vend të them, që do të bej më të mirën, që është për Krujën dhe për Partinë Demokratike.

A është i mjaftueshëm  ligji në fuqi  për të luftuar  dhunën kundër gruas në familje dhe shoqëri dhe a funksionojnë organizatat e gruas në qytetin e Krujës? A është aktive gruaja në jetën kulturore? Nëse jo, si mundet të përmirësohet? Cilat mundet të jenë strategjitë dhe metodat që mundet të operoni?

Merita Bakiu (Balla): Ligji ka nevojë për plotësim, e thënë kjo në kuptimin, që gruaja duhet të jetë më e mbrojtur dhe e vleresuar. Siç u shpreha dhe më lart, gruaja është forca e shoqërisë dhe gruaja krutane është një aktiviste e jetës kulturore dhe asaj politike. Mua më kanë dhënë dhe vazhdojnë të më japin mbështetje për t’i përfaqësuar  denjësisht. Strategjitë e mia do të jenë: takime më të shpeshta me gruan, dhënia e rolit kyç dhe dhënia e pergjegjësisë në disa detyra dhe aktivitete shoqërore. Femra krutane është një femër aktiviste që integrohet shpejt në aktivitete të çfarëdo rëndësie qofshin ato.

Vera po afron, dhe qyteti i Krujës prej shumë vitesh, jeton  krizën e mungesës së ujit. Premtimet e shumë administratave që kanë kaluar, nuk e kanë përmbushur këtë nevojë jetike e bazike për njeriun. A keni menduar se mund të jetë një nga betejat e juaja për një ndryshim cilësor në qytet?

Merita Bakiu (Balla): Lidhur me këtë çështje më tepër si premtim elektoral, dua ta trajtoj si çështje që në radhë të parë e kam vuajtur vetë si qytetare. Për mua këtë nuk dua ta shoh si çështje politike, por si çështje që e ka lodhur dhe munduar shumë qytetarin e Krujës. Është turp që sot akoma e shohim një problem aktual, prandaj lidhur me këtë çështje, unë do të bëj të pamundurën, që Kruja të ketë ujë, jo vetem në stinën e Verës, por në çdo stinë dhe kohë. Unë do të jem zëri i fortë i qytetarit krutan, për këtë problematikë, që s’dua vetëm ta shoh si çështje politike, por dhe pos politike, atë konkreten.

Intervistës sonë po i vjen fundi. Duke ju falenderuar dhe duke ju uruar suksese në fushatën elektorale, edhe një pyetje: Përse qytetarët duhet t‘ju votojnë ju dhe nërmjet jush, PD- në?  Si do ta bindni qytetarin që qëndron ende në zonën gri?

Merita Bakiu (Balla): Qytetaret duhet të më votojnë, sepse do të di të jem zëri  i tyre në çdo kohë, do të jem pranë tyre dhe duke më votuar mua dhe Partinë Demokratike, kanë votuar dhe vlerësuar votën dhe veten e tyre. Unë nuk e shoh veten të vetme në këtë rrugëtim politik, por bashkë me qytetarët e qytetit tim. Premtoj atë  që e mbaj dhe e përmbush./albspirit.com

Please follow and like us: