Ndue Ukaj: Ta kujtojmë 24 marsin 1999!
Ta kujtojmë 24 marsin 1999 dhe atë pranverë të ftohtë e të frikshme, në të cilën ushtria, policia dhe forcat paramilitare serbe përshkonin rrugët tona, ku ishte vizatuar dhuna, frika, tymi, vrasjet.
Kosova ishte kthyer në një ferr të vërtetë, ku liri kishte vetëm për serbët e tërbuar dhe forcat e tyre të egra, por mrekullisht para njëzet e dy vjetëve nga qielli i errët, si në një rrëfim plot mistere, filluan të dëgjoheshin tingujt e lirisë, ata tinguj magjikë që kumbonin ëmbël në veshët tanë tek dëgjonim bombat e NATO-s duke sulmuar forcat serbe.
Kjo ishte e pazakontë dhe e padëgjuar në historinë e njerëzimit. Gjithçka dukej sikur ngjante në një rrëfim magjik, ku shpërblim vinte nga një forcë e epërme, qiellore.
Ne ishim në tokë, duke përjetuar ankthshëm duhmën e luftës, të përbuzur, të uritur, të vrarë e pa forcë dhe me sy kah qielli, prej ku prisnim shpëtimin.
Ne ishim të vetëdijshëm se asgjë s’ mund të bënim të vetëm, ndaj me zemra të djegura dhe me besim e respekt te vlerat e përparuara, fituam simpatinë e botës së qytetëruar dhe kjo u shpërblye me lirinë që e gëzojmë sot.
Prandaj, 24 marsi 1999 shënon njërën nga ngjarjet më madhore të historisë sonë – për nga vlefta e pesha- e krahasueshme me 28 nëntorin e Gjergjit, Qemalit, Gurakuqit.
Para njëzet e dy vjetëve ne fituam sepse ishim përkrahë botës së qytetëruar dhe ajo përqafoi kauzën tonë. Ne fituam sepse s’ i dëgjuam kukurisjet e tmerrshme të disa halldupëve pulitke të Prishtinës, që dëshironin refuzimin e kësaj dhurate të mrekullueshme.
Kosova tashmë ka sendërtuar disa aspirata politike themelore, me përkrahjen e parezervë të perëndimit, por viteve të fundit është trazuar liria e brendshme me rrëfime të këqija e të trilluara nga mendjekëqijtë e Prishtinës.
Dhe tregimet e këqija – e kanë stërkeqe politikën – duke krijuar një “kulturë” të frikshme të “mosbindjes” ndaj perëndimit dhe duke krijuar rrëfime të frikshme rreth intervenimit të NATO-s në Kosovës, ligjërim ky që ka ndikuar që aleatët tanë të humbin besimin te ne dhe kjo rrjedhimisht ka patur efekt negativ edhe në zhvillimin tonë ekonomik.
Sepse ne s’ mund të zhvillohemi pa perëndimin dhe kush s’ e kupton këtë gjë s’ kupton asgjë nga politika.
22 vjet pas, është pak të themi faleminderit.
Është pak të tregohemi mirënjohës. Është pak t’i nderojmë heronjtë e kësaj ngjarje madhore.
Ne duhet ta ndërtojmë monumentin e bashkimit shpirtëror dhe filozofinë tonë politike rreth kësaj date dhe këtë datë duhet ta bëjmë referencë themelore të mendësisë shtetërorë.
E që ta bëjmë këtë, së pari duhet ta fitojmë lirinë e brendshme- lirinë e njëmend – lirinë e shpirti dhe t’i heqim nga duart e mendjet tona heshtat e helmuara të urrejtjes; heshtat me të cilat, kemi qenë të gatshëm ta shporojmë trupin e njomë të Kosovës sonë dhe shpeshherë të aleatëve tanë.
Lirinë e brendshme s’mund t’na jep askush dhe asnjë forcë e jashtme.
Sot, në këtë ditë madhështore për Kosovën, përveç falënderimit dhe respektit pafund për autorët e lirisë së Kosovës, duhet të pyesim sa i kemi dhënë përmbajtje lirisë sonë?
Koha ka treguar se liria e vërtetë – liria e mendjes- pa të cilën s’ mund të ketë progres- e për të cilën qëmoti fliste Faik Konica është diçka e rrallë mes nesh.
NATO- ja na ka çliruar dhe e ka kryer një detyrë humane: na ka dhënë lirinë fizike, por ne ende s’ e kemi fituar lirinë e brendshme dhe si pasojë e kësaj, jemi të çoroditur; shtiremi dhe s’jemi të vërtetë as kur falënderojmë e as kur përbuzim, as kur kritikojmë e as kur lavdërojmë.
Volteri i mençur dikur thoshte: “liria e njeriut qëndron në aftësinë për të vepruar”. Këtë aftësi, ne s’kemi ditur ta demonstrojmë që njëzet e dy vjet dhe vazhdojmë të kukurisim dhe jo të bëjmë politikë, vazhdojmë të marrin diploma e jo dije, vazhdojmë të jemi më të varfëritë e me të shkretit në Europë, por sillemi si dhia e zgjebosur e bishtin përpjetë.
NATO, në krye me Amerikën, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe aleatë tjerë na dhanë krahët që ne të fluturojmë, ndaj s’duhet të ecim zvarrë, sepse kështu s’ mbërrijmë askund.
Please follow and like us: