Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Një Prilli mes çudirave dhe rreziqeve

Sot është 1 Prill, dita e gënjeshtrave. Më saktë është festa e gënjeshtrave. Një festë atipike, mbushur me çudira.
Çudia e parë: Festat janë për heronj, pavarësi, çlirim, për fillimin e vitit, për fëmijët, nënat, të dashuruarit etj etj. Por të ketë festë për gënjeshtrat, një nga dukuritë më të dënuara në marrëdhëniet njerëzore, kjo tingëllon si gjëpogjë, më saktë ngjan si lajthitje.
Çudia e dytë: Dita e gënjeshtrave s’i takon një populli, festohet thuajse në gjithë botën. Përhapja ndërkombëtare dëshmon se nuk kemi të bëjmë me kapriço të rastit apo me lajthitje të një pakice, por me një pëlqim masiv; ka të ngjarë me një nevojë, një domosdo mbarënjerëzore.
Çudia e tretë: Sot shumica e festave gjallojnë e celebrohen masivisht, nga që lidhen me ngrënie, pirje, udhëtime dmth me konsum, me shitje e blerje. Dita e gënjeshtrave, hyn në të paktat festa që nuk kanë karakter komercial. E vetmja gjë që konsumojmë a, më saktë, harxhojmë janë të qeshurat, shakatë.
Po mbase të qeshurat e shakatë janë edhe më çmuara se mallrat, se hajet e se pijet. Thonë se ulin stresin, se krijojnë një atmosferë miqësore, aq të çmuar sidomos në kohën e sotme, kohë e nxitimit dhe e marrëdhënieve formale e të steriotipizuara deri në robotizim.
Gjithsesi dita e gënjeshtrave rrezikon të zbehet e të zhbëhet bashkë me çuditë e saj.
Lajmet e rreme, që po buisin çdo ditë e më shumë në ligjërimin politik, në media e rrjete sociale, po na i bëjnë gënjeshtrat të bezdishme, madje të padurueshme. Duke u ngopur deri në velje e neveri, njeriu rrezikon të heqë dorë dhe të mos ia lejojë vetes që t’u gëzohet rengjeve e gënjeshtrave të pafajshme të kësaj dite të qeshur prilli.
Por sivjet dita e gënjeshtrave është edhe më e rrezikuar. Na gjen në fushatë elektorale dhe, siç thoshte Bismarku, gënjeshtrat buisin sidomos gjatë luftës, pas gjahut dhe para zgjedhjeve.
Please follow and like us: