Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: UDHËTIM NË TRENIN POETIK

Ese
Më duket nganjëherë, kjo lëndë e gjallë që ne shkruesit e quajmë Poezi, si një tren nga ata të tetëqindës, që vrapon fushave e kodrave ,me atë ty-tynë e vet të fortë, ndalon stacion më stacion,dhe na mbledh ne shpirtrat e përndezur poetikë, të ndërzyer siç jemi për të kapur me çdo kusht stacionin e fundit, atë të ngadhënjimtarit dhe princit të letrave.
Ky tren i lodhur dhe i mbingarkuar me shumë shpirtra poetikë e të dyshimtë, nganjëherë del jashtë binarëve, dhe përfundon në ndonjë hon apo bregore , dhe merr me vete zellin poetik të shumëkujt prej nesh që ishte mirëpregatitur në ëndrrat dhe mendjen e tij për fitoren e sigurtë.
Po kështu e ka kjo rrugë, duket e lehtë , e ëmbël gjer në magjepsje, por kur të fut në kurth, e kupton se për të arritur kurorëzimin, duhet të luftosh me shumë shtrignaja e demonë.
Dikur, ishte gëzim i paparë, të shkoje në librari dhe të prisje ndonjë libër të ri që botohej, bile, librashitësin kur e kishe apo e bëje mik, ta ruante librin e përzgjedhur, posaçërisht poshtë banakut.
Tani shëtisim me librari në xhep.
Edhe poezia, arti, mendimi i vyer, si dikur paraja, është zhvlerësuar.
Kemi shumë poetë e poezi, por si çdo gjë e tepruar, humb dhe befasia e krijimit, humb vetvetiu dhe lexuesin. Kemi shumë vargthurës artizanalë, por jo shumë poetë të vërtetë, që kërkojnë në vetvete cilësinë, fabulën e ndërtimit të një poezie, idenë dhe misionin poetik.
Po jam dhe kundër atyre optimistëve me lugën bosh,optimistëve hipokritë që kemi nëpër këmbë, që luajnë me ndjenjat e njeriut të thjeshtë.
Ndaj fjala e revoltuar e poetit te mirëfilltë, është një këmbanë e vogël në pyllin e pafund të errësirës.
Sigurisht, ne nuk kemi forcën të ndryshojmë asgjë, por ama, mundemi të përmirësojmë.
Poezia duhet të ketë vlera, ku çdo varg të shprehë fuqishëm idenë se frymëzimi lind natyrshëm,ku fjala me shpirtin bëhen njësh, dhe si i tillë është i përligjur.
Poezia është një kërkim i thellë në vetvete, një martese mes vetëdijes dhe pavetëdijes, një çast sublim.
Jo në çdo gjë që shkruajmë ia arrijmë kësaj, se nuk ia arriten dot as ata ” Të Mëdhenjtë”, në cdo gje qe shkruajtën, por së paku të jemi të vetëdijshem për mundësitë dhe kufizimet tona dhe mos ti biem më kot daulleve kur s’ ka dasmorë.
Kur shkruaj në këtë mënyrë, për fenomene anomale të artit, e bëj me sens kritike dhe autokritike, që të kemi mundësi për t’u përmirësuar, mos të harrohemi mbas kënaqësive dhe arritjeve të vogla dhe efimere, por të punojmë fort për të krijuar poezinë e vërtetë, ajo poezi që do të na cojë me ballin lart, drejt brezave të ardhshëm!
3. 2. 2020
Please follow and like us: