100-vjetori i lindjes/Miho Gjini: PANDI RAIDHI, “GDHENDËS” I ROLEVE NË ALTARIN E ARTIT
Ishim ende studentë aktrimi kur aktori nga Korça na përfshiu menjëherë në “magjinë ” e interpretimit të tij virtuoz. Dhe ishin vetëm tre role brilante, krejtësisht të kundërt me njëri-tjetrin në fizionomi, karaktere, paraqitje e shekuj ndarës në kohë: Xha Kasemi i Fatmir Gjatës, Thanasi i Vedat Kokonës dhe Robinsoni i Aleksej Ostrovskit. Po ama, që të tria rolet në regjinë e shkëlqyer të regjisorit Pirro Mani të sapoardhur nga Instituti Teatral i Moskës (GITIS), ndërkohë që Pandi Raidhin, aktorin që errdhi në skenë direkt nga Lufta Partizane, e kishte përcjell Teatri Popullor “të pa aftë si aktorë”!? Fenomen i ngjajshëm edhe me të tjerë artistë të mëdhenj, kur talenti “flë” ende i pazbuluar përbrënda aktorit! Qe rasti që edhe ne studentët të përballeshim me vlerat e antivlerat…
Njeriu i thjeshtë Pandi
Çfarë kishte ndodhur në jetën me plotë ëndrra, me serenata rinore, “zjarre” shpirtërore e luftëra reale të këtij njeriu të mirë e thjeshtë? Gjithsesi, Pandi Raidhi ishte nga ata njerëz të nderuar që, sikundër thonë i “krijonte vend vetes”, me zërin e ëmbël, me thjeshtësinë e natyrës së tij, me përvojën e jetës, me muhabetin e shtruar që bënte, me humorin e shakanë. Të tillë e kishte edhe të atin, një nga këpucarët më të njohur të Korçës që dallohej edhe për humorin e tij. Pandi qe fëmija i parë i Dhimitraqit e i Persefonit, i cili lindi më 14 prill të vitit 1921, duke paralajmëruar edhe ardhjen e pesë fëmijëve të tjerë… E, si gjithë fëmijët e moshës së tij do të do të dallohej për natyrën gazmore të tij, i tërhequr nga imitacionet e ahengjet e shpeshta, kudo që bëhehin ato. Merrte pjesë në “Teatrin e Hijeve” të mëhallës, me karagjozat prej letre pas llampës me vajguri…
Natyrisht iu bë mirë që njohu punën që në moshën 12-vjeçare si çirak në një nga dyqanet e qytetit të tij. Djaloshi hokatar i “Pazarit të Korçës” Raidhi, nisi të lozte futboll, të bënte vrapime të gjata e ski në dimër, si edhe të shkonte për peshkim në Liqenin e Pogradecit. Banorët e asaj zone e shihnin edhe në moshën madhore të bareste me këmbë deri në Mborje-Drenovë e kthim! Fiziku i tij nisi të forcohej mirë, derisa filloi luta. I ndikuar nga idealet komuniste, mjaft të përhapura në Korçën e asaj kohe, doli partizan edhe ai, bashkë me shokë, përkrah edhe të vëllait të tij. Si më i vogël që ishte, e vendosën të shërbente në Spitalin Partizan, të Lavdor-Oparit, ku do të mahnitej nga “duart e arta” të kirurgut bregdetas Petro Cani! Më pas edhe si korier nëpër shtigjet e luftës, deri në shtabin e Përmetit! Mori pjesë edhe në shfaqjet e Teatrit Partizan, ku e angazhuan më shumë nëpër role negative, të cilat i interpretonte me aq pasion e vërtetësi, saqë urrehet nga shokët e vet të luftës partizane. Po ai do të fitonte simpatinë si luftëtar aktiv në Operacionin e Dimrir 1943-44, me brigadën e Voskopojës. E fill pas çlrimit të vendit do të qëndronte në Ushtri, deri në marsin e vitit 1946. Pikërisht gjatë kësaj kohe ai shkroi edhe pjesën e tij të parë “Spitali Partizan” që e realizoi po vetë me amatorët e fabrikës “Birra Korça”. Përfundon si nëpunës i Prefekturës së Korçës deri sa merr vesh që ishte hapur një konkurs pranimi për në Teatrin Popullor të Tiranës. Paraqitet aty dhe e pranojnë aktivizimin e tij si aktor-probist i këtij Teatri Qendror.
Njeriu i lindur për aktrim
Mirëpo askush nuk e përfilli dhe nuk e besoi se, ky djalosh i shkurtër mund të bëhej aktor. Dhe, fillimisht e vendosin në rolin e suflerit, në “koliben” e mërmëritësve të tekstit për aktorët e tjerë të miratuar për të luajtur në skenë rolet e mëdha, sikundër kishin vepruar edhe me Kadri Rohin që erdhi nga Mallakastra me të folurën e një Belbi dhe që e shihnin me një dyshim ca më të madh akoma, kur që të dy ata, qenë “aktorë të lindur”, sikundër e tregoi edhe jeta skenike e mëvonshme! Hera-herës e merrnin nëpër skenat masive si figurant dhe njeri nga regjisorët e atëhershëm të asaj kohe e zgjodhi si tip në një rol dytësor, në atë të Bobçinskinit të komedisë së Gogolit “Revizori”, ku edhe mundi t’i bënte njerëzit paksa për të qeshur! Por, jo më përtej “këpucëve”, si i biri i një këpucari që ishte! Kështu, që në seleksionimin e parë, pa e mbushur vitin aty, Pandi Raidhi etiketohet “i pa aftë” dhe e kthejnë drejt qytetit të tij. Po në Korçë Pandi do të hidhërohej ca më tepër, kur e vendosën të punojë në administratën e Spitalit Civil të këtij qyteti! Me sedër të lënduar afrohet pranë grupit teatral të Pallatit të Kulturës së Korçës, ku i jepet një rol në dramën ruse “Ishulli i Paqes”. Me këtë shfaqje, aktori i dëbuar nga Tirana, do të luante përsëri në po atë skenë, ku zhvillohej nja festival teatror kombëtar i amatorëve të skenës. Qe viti 1949. Po përsëri, askush nuk e vuri re Pandin se “xheç ishte”. Rasti i tij, si edhe shumë aktorëve që e themeluan Teatrin Shqiptar, sikundër qenë Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Marije Logoreci, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Zef Jubani, Nikolin Xhoja, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka e të tjerë, të cilët nuk e patën shkollën e aktrimit, ishte specifik për kushtet e asaj kohe, kur akoma teatri si gjini qe në kushtet e amatorizmit. Po edhe i pa institucionalizuar ende… Vetëm se, aty në Korçë, e kishin “spostuar ” edhe një regjisor profesionist të shkolluar në Paris, si Sokrat Mio, i cili më 22 qershor të vitit 1950 krijon bërthamën e Teatrit Dramatik të Korçës, ku do të bënte pjesë edhe Pandi Raidhi, së bashku me Dhimitër Trajçen, Vangjel Grabockën, Krisanthi Kotmilon, Qefsere Kushen (Trako), Dhimitra Melen, Aleko Skalin, Vani Trakon, Koço Qendron, Thimi Filipin etj… Edhe ky teatër, ashtu si edhe ai i Tiranës, i Shkodrës e i Durrësit, mbi baza amatore ishin krijuar. Qe njëlloj si të thoshje që “noti mësohet në det”, apo që “buka piqet në furrë” nga kushdo njeri! Dhe, që në shfaqjet e para do të spikaste “i paafti i Tiranës” me vlerat e “pa zbuluara” ende, me role parësore, bile nga komeditë e Molierit “I sëmuri për mend” (Argani)” e “Doktor Padashka” (Sganareli), nga komedia e Ben Xhonsonit “Volpone” (në rolin kryesor) , si edhe në komedinë e Gogolit “Gënjeshtari”, në rolin e Arlekinit. Mjaftonin këto role për të kuptuar se ndaj tij qe dëshmuar “gabimi i radhës”, që publikut të Korçës t’i rrëfehej se ai djali që lozte dikur, tek “Dasma Korçare”, të cilën e vuri në skenë Dhimitër Trajçe që në vitin 1936, nuk qe fare pa gjë në “torbën” e vet! Po gjithmonë është e mbetet roli parësor i regjisorëve të pikasin talentin e të “shkollojnë” aktorin amator, aq sa mundin, duke e vendosur atë në “shinat” e profesionit të vet, me mund e djersë, me psikologji, talent e mjeshtëri. Pedagogu amerikan i artit skenik, Lee Strasberg, një nga ndjekësit më të njohur të sistemit të Stanislavskit, shkruante në librin e tij “Puna në Actors Studio” se “karriera e një aktori zhvillohet publikisht, por arti i tij zhvillohet privatisht. Ai ka nevojë për të tjerët që të mund të përparojë në artin dhe mjeshtërinë e tij”. Me një proçes krejt të veçantë, ku shpirti krijues, brumi i brendshëm, plastika e zëri, të arrijnë të shprehen, ashtu sikundër bëri me këtë artist, me tre role të pashembëllta regjisori Pirro Mani, kur e sollën po këtu që të punonte.
Së pari, me rolin e Xha Kasemit në spektaklin “Këneta” që vetë Pirro Mani e dramatizoi, me një vizion skenik realist, bazuar në konfliktin e ashpër që kishte lindur në proçesin e tharjes së Kënetës së Maliqt, -gjithmonë, sipas romanit të Fatmir Gjatës… Pavarësisht nga këndvështrimi partiak i asaj kohe, me nuhatjen e vet, regjisori Mani dha një realitet të ashpër, me personazhe të ashpër, por, mes tyre shpërtheu me një ngrohtësi të pashoqe roli i Kasemit të Pandi Raidhit, me koloritin e krahinës, me zjarrin e rrëfyer për të kaluarën e tij, ku përmendej edhe episodi i Gjermankës, me zërin e ngrohtë, plot humor e nuanca rrezëllitëse. Ai e interpetoi këtë figurë, me natyrësinë e një fshatari Devolli, që e ka shakanë në buzë, pa asnjë sforcim, duk dredhur duhanin e duke bredhur syrin. Një vit më vonë, në 1964 Pandin do ta shihnim në një komedi tjetër, në atë të Vedat Kokonës, tek roli i Thanasit, ku personazhi i tij erdhi tek publiku me profilin e njeriut të lëkundur, të atyre nëpunsave të njëhershëm, pa personalitet, të dyzuar, që s’dinë nga t’ia mbajnë, kur lufta u shkon deri tek dera e shtëpisë. Nëse te Kasemi shihnim njeriun e hapur e gaztor, këtu do të shihnim njeriun e mbyllur në “guackën” e tij, kërmillin e futur në “karrocatë”, duke e nxjerrë dhe futur kokën brenda. Ileariteti ishte i papritur dhe fjala sikur i buronte nga goja. Duhej të vinte një aktor si Pandi Raidhi që t’i paraqeste këto dy portrete si në ekspozitën e një piktori: t’i vizatonte, t’i zbulonte si karaktere e t’i shprehte në “pëlhurë”,-këtë herë në skenë, të gjallëruar, me mjeshtërinë e artistit të lindur. Dhe do te vinte paskëtaj në rolin e Robinsonit, tek drama “Vajza pa prikë” e Aleksej Ostrovkit, me të cilin, po nën regjinë e Pirro Manit, arriti shkallën më të lartë të interpretimit aristik, tashmë si profesionist i një Teatri Elitar… Para nesh u gdhënd e gjallë, me tipare të jashtëzakonshme figura tragjikomike e njeriut të vogël, në jetën e të cilit dhimbjet e brendshme pështillen me stofin e shakasë. Dhe ku virtuoziteti i figurës skenike shndërrohej, kur ta doje, në një objekt e subjekt referimi, për ne studentët e aktrimit, nder ato labirinte të fshehta që surprizonte Arti i Skenës.
Karaktere skenike njerëzore
Po vërtetohej kështu se, Teatrit Dramatik të Korçës, i kishte arrdhur përsëri Aktori i Parë që do t’i falte skenës dhe publikut të tij mbi 150 personazhe me karakter të plotë njerëzor. Po kaq edhe në skenën e Estradës Profesioniste, që nuk bënte dot, edhe pa Pandin. Pa aktorin që çdo personazhi i jepte frymë e tipare njerëzore. Që në rolin e parë episodik që interpretoi në dramën ruse “Përmbysja” të Llavrenjevit, në vitin 1950, me seriozitetin e një tipi të gjallë rus, “dobrodushnij” (shpirtmirë). Edhe pse nuk kishte jetë skenike si peronazh episodik që ishte, ai ra në sy jo thjesht si karakter i spikatur po edhe si këngëtar. Megjithatë, do të vijonte me role të dyta, të treta e episodike edhe në disa spektakle të tjera që vuri në skenë regjisori Sokrat Mio, si bie fjale, në shfaqjen “Kopraci” ku interpretoi përsëri një personazh të shkathët, shërbëtorin e Harpagonit të Koço Qendros, që aq bukur e vinte në lojë edhe të Zotin e pashembëllt në kopracinë e tij. Do kalonte si në paradë personazhe të shumtë në shfaqjet e rradhës, në teatër e në estradë, për të ardhur, po me Regjisorin Pirro Mani, në interpretimin e një figure artistike kryesore e me potencial skenik, sikundër qe Sër Tobi, në shfaqjen e komedisë së Shekspirit “Nata e Dymbëdhjetë”, për të vërtetuar edhe thënien se “Karakteret njerëzor i zbërthen aktori, kur ka përkah edhe një regjisor të madh”, i cili kishte interpretuar në skenat e Moskës edhe Artur Milerin me dramën e tij të famshme “Pamje nga Ura”, ku fati i emigrantit jugor shpaloset në kontinentin e largët me energji të jashtëzakonshme, si në tragjeditë e lashta greke. Regjisori Mani do ta ftonte Pandin komik, të lozte këtu (në shfaqjen viruoze “Pamje nga Ura”), po me kaq sukses karakterin dramatik të Majkut! Për të ardhur përsëri në shtratin e komedisë, me rolin e Nikollaq Jorganxhisë në komedinë e Spiro Çomorës “Karnavalet e Korçës” që ishte plotësisht i tij, si tip, si karakter njerëzor, i huajtur nga ata tregëtarë të njëhershëm korçarë- cingunë, të cilët i “thithte për hundësh” paraja. Një karakter i gjallë nga e kaluara tipike e Korçës së Karnavaleve, ku edhe personazhi i Raidhit, bëhej si pjesë organike e paradës së tyre. Dy role të tjera si Batja tek drama e Dritëro Agollit “Mosha e bardhë” dhe Metoja tek “Maro Mokrra” e Ruzhdi Pulahës, edhe pse të interpretuara si karaktere, nuk e patën të gjatë jetën skenike, nga vet diskutimet partiake të kohës, kur ndër to do të ndërhynte çensura ideologjike me sloganet e saj shterp.
Disa role kryesore të tjera të Pandi Raidhit, do të ishin përsëri karaktere, po ama “nën ombrellën” e kërkesave fetishizuese të asaj kohe, si “personazhe pozitivë”, të cilët u ngjajnë kallëpeve të gatshme e të njëtrajtshme, që imitonin njeriun e mirë, pa të meta, me fjalën e partisë në gojë, sikundër qenë të dy spektaklet e Ruzhdi Pulahës “Zonja nga Fshati” e “Shoqja nga Qyteti”, ku megjithatë, aktori ynë i komedisë, nuk mund të rrinte dot pa i hedhur “kripën e vet”, qoftë me detaje e improvizime loje, si fshatar hokatar që ishte e mbetej, me humorin “në majë të buzës”. Xha Bakua i tij do të ishte aty njeriu më simpatik, fshatar i rrallë e i këndshëm, që nga thoi i këmbës, deri tek festja që mbante mbi krrye, sikundër i quan populli tipat e tillë!
Partizani Meke dhe vërtetësia filmike
Ai do të interpretonte në 40 filma me një vërtetësi realiste të shkallës superiore, po, tek filmi më i shkurtër i tij: “Krevati i Perandorit” është në rolin e tij më të madh, si etalon i vërtetësisë filmike, që ai e përcjell në të gjitha rolet e ekranit kinematografik. Realizuar nga Endri Keko, bashkëshorti i Xhenfizes,-regjisores brilante të filmave për fëmijë, si edhe miku më i afërt i poetit Dritëro Agolli, i cili i dha jetë njerëzore partizanit Meke në poemën e tij origjinale për partizanin Meke, që u realizua sipas poemës së Dritëro Agollit. Dhe ne shohim në ekran një partizan të ardhur nga fshati e të argasur nga lufta, tek ngjitet rrugës gjarpëruese të Pallatit të Brigatave,-ndërtuar dikur për një “Mbret një pëllëmbë”, duke tërhequr dy mushka me municion, shoqëruar prej krismave të fundit të luftës. Pa e hequr pushkën nga qafa e tij, i lidh litarët e mushkave mbi qafat e statujave të oborrit mbretëror, e hedh vështrimin tinëzisht mbi nudot femërore, përdredh mustaqet e hyn serbes ne Pallatin Perandorak. Shqyen sytë nga portretet e bustet e përmbysura, çrregullimet e orendive, shikon veten e ndreq baluket mbi ballë përpara pasqyrës së madhe e pastaj e “sheh të udhës” të ulet, të hap kutinë e duhanit, ta dredhë cigaren, duke mërmëritur ca fjalë për “perandorin që i vunë drunë” dhe, me mesat, strall e eshkë, të ndezë çibukun e tij! E kështu do të vijnë pamjet e filmit, në intimitetin e zakonshëm të njeriut të thjeshtë Meke, tek hap torbën e këput copën e bukës me duart e buavitura nga të ftohtit, për t’i zënë me rradhë dhomat perandorake, me ca copëra këngësh devollitçe në buzë. Syri i bredh gjithandej labirintheve të pallatit, derisa mbërrin tek krevati i Perandorit, ku tashmë është “Mekja, Perandorë mbi Perandorë, një palo çoban me opinga llastiku”… Dhe, andej nga fundi i këtij filmi të mrekullueshm, do të krekoset hijshëm, duke thënë se “tani jam vet Perandor”, me buzëqeshjen shqyer vesh më vesh.
Pandi Raidhi ishte këtu, plotësisht në “ujërat e tij” të interpretimit artistik, pasqyrë e vetvetes së ngritur në art, ashtu si e kishte bërë natyra zemërgjerë, me përsosjen e saj! Ashtu si qe ky Devolli që erdhi dirrekt nga lufta, me “këpucët e rënda llastiku”, me karabinën e vjetër varur në qafë e koburen në brez, me ato rroba shajaku e kutinë e duhanit ne dorë, për ta dredhur të rëndë edhe duhanin, me strallin e masatin e tij të maleve. Me atë të folur shtruar, me ironinë që i “shkrep” sa herë që i ndizej eshka mbi strall nga masati, pa e hequr cigaren nga buza, në gjithë portretin e tij, sa të thjeshtë aq edhe të jashtëzakonshëm. Neorealizmi italian me De Sikën, De Santesin e Roselinin, që i zgjidhnin interpretuesit e filmave të tyre direkt e nga rruga, nuk do të gjenin dot një aktor kaq të përshtatshëm, marrë direkt nga sheshet ku luftohej akoma, që sapo e gjeti dhe e soll deri këtu, në Pallatin e Perandorit të dikurshëm, Endri Keko, në filmin e tij. Një film që do të vlente për mua, sa edhe 40 filmat e tjerë me metrazh të gjatë, rradhazi, ndofta edhe së bashku me to!
Mbahen mend më shumë, nga interpretimet e Pandi Raidhit edhe disa role të mëparshme, si Raqi Teneqexhiu në filmin “Mëngjeze Lufte” (1971), Ago Beqo tek “Zjarret e netëve të gjata” (1972), Lamja tek “Shpërthimi” (1974), Jorgo tek “Rrugica që kërkonin diell” (1975), Pllaton Burbuqi tek “Përballimi” ( 1976), Çarçani tek “Liri a vekje” (1979) dhe Demir Arbana në filmin “Nëntori i Dytë” (1982). Jo se nuk ka role filmike të tjerë të pa realizuara me mjeshtëri, por në rolet e mësipërme sikur ndërronte edhe figura që krijonte Pandi, në përkatësi me moshën, prejardhjen sociale, profesionin, patjetër edhe me fizionominë. Për të evituar kështu përsëritjet e roleve të përafërta, ngjashmërinë nga roli në rol. Sepse, para kinematografisë sonë të re ne moshë, qe vendosur një plan pune absurd, për të bërë 14 filma në vit (!) dhe regjisorët nisën ta angazhonin Pandi Raidhin dy-tri herë në mot. Pa e mbaruar njerin film, të niste tjetrin dhe Pandin, për afro tre dekada, më shumë e gjeje në sheshet e xhirimit të filmave se sa në Teatrin e tij, ku edhe aty qenë planifikuar 4 premiera gjatë vitit! Plus një tjetër për fshatin!
Po cili ishte sekreti që ky aktor mbetej tejet interesant, nga roli në rol, nga filmi në film? Pa dyshim, talenti i aktorit plastik e shumëdimensional, vërtetësia e lojës, familjariteti e qetësia para kamerës, e folura e ngrohtë e me tiparet e individualizuara mirë të njeriut të zakonshëm. Dhe një thjeshtësi e jashtëzakonshme. Pandi interpretonte vetveten, po ma atë natyrësi që kishte, pa asnjë tepëri, pa asnjë shtirje e pa teatralizmat e papranueshme nga kamera e filmit. Në ato xhirime të shkëlqyera kishte si shok të përafërt të tij, partnerë si Sandër Prosin, Nikolin Xhojën e me rradhë, po sidomos, edhe me ata aktorë të moshës më të re, si bie fjala Robert Ndrenikën, Bexhet Nekun, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Yllka Mujën e Luiza Xhuvanin, Vangjush Furxhiun, Ndriçim Xhepën, Fatos Selën e Niko Kanxherin, Timo Fllokon, Mevlan Shanajn e Birçe Haskon. Jo pak herë edhe me aktorë të teatrit të tij, si me Thimi Filipin e Stavri Shkurtin, me Jani e Petrika Rizën, me Dhorkë e Dhimitër Orgockën, me Zamira Kitën, Aleko Prodanin e aktorët veteranë të këtij teatri, nga më të mirët që kishte vendi ynë. Kinematografia jonë e re pasurohej nga filmi në film me aktorët e saj, të vërtetë e të pa përsëritshëm, edhe pse, si litarët nëpër këmbë, u ngatërrohej propoganda e ideologjisë partiake, me çensurën e vet të gjithanshme, që në skenaret e derisa të vinte koha e premierës së filmave, kontroll pas kontrolli, me lenten e partishmërisë në ballë…
Aktori i Operetës
Pandi Raidhi kishte zë të bukër, me timbër e me plotë ëmbëlsi. Dhe vinte nga ata djem korçarë që këndonin nëpër rrugë serenata nën ballkonet e vajzave. Mësoi t’i binte edhe kitarës, për të shoqëruar veten e shokët e rinisë me meloditë e dashurisë. Mjaftonte kjo dukje e tij që regjisori i atëhershëm amator Dhimitër Trajçe, ta ftonte Pandin të merrte pjesë në realizimin skenik të tablos muzikore “Dasma korçare”, ku binte në sy si dasmori më i këndshëm në drejtimin e ahengut, me një shkathtësi, humor e këngë njëherësh. Ndërsa në tre opereta të mëvonshme, Pandi do të zinte vendin qëndror, sikundër do të ndodhte në vitin 1954, me aktivizimin e tij në operetën “Agimi” të kompozitorit Kristo Kone, me regji të Pandi Stillut, mandej me operetën “Së bashku jeta është këngë”, po të Konos, si edhe në operetën “Lugina e Artë”, po me këta autor. Në këto opereta gazmore, Pandi Raidhi pati një përshtatje të mrekullueshme, jo vetëm për vokalin e ngrohtë, me vibracione gurgulluese të zërit, po kryesisht për lirshmërine e lëvizjeve, gjallërinë skenike, impulsin e një jete me plot zjarr. Përherë i pranishm edhe në grupin koral e kudo ku mpleksej kënga e ahengu aq shumë i dendur i korçarëve të tij. Të tre kërkesat kryesore të aktorit: zëri, plastika dhe aftësia e përdorimit të instrumentit muzikor, ishin tek Pandi ynë, në një shkallë të admiruesshme…
Mbyllja e perdes
E pata “pikë të dobët dashurie” këtë aktor të mëvetshëm, me organicitetin që e karakterizonte, me humorin e tij të shëndetshëm që i buronte nga një gjendje fizike thuajse neutrale, e vetvetishme. Në drejtimin tim kyesor artistik, me këshillat e sugjerimet e pedagogëve të mi Andrea Malo, Kujtim Spahivogli dhe Nina Çefranova, të cilën e patëm si Udhëheqëse Artistike të Shkollës së Lartë të Aktrimit, pata filluar të studjoja “udhët e veçanta krijuese të disa aktorëve të “pashkollë” që bënë shkollë me artin e tyre”, sikundër ishin Mihal Popi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Nikolin Xhoja, Margarita Xhepa, Viktor Gjoka, Besim Levonja, Mihal Stefa, Tano Banushi e me rradhë. Në mes tyre qëndronte edhe figura aq interesante e Pandi Raidhit. Shkruajta një komedi satirike të plotë, me tre akte, për teatrin, si edhe një komedi humoristike një aktshe, me synimin që t’i interpetonte Pandi në Korçe, të parën në teatër e të dytën në estradë. Si komedia e plotë “Gjëmba në livadh” dhe e dyta, “Bilbili i kulturës” patën interpretimin brilant të Pandi Raidhit. Isha i ftuar në “provën gjenerale” të teatrit, për komedinë tri aktshe dhe isha i ulur në sallë, bashke edhe me Teodor Laçon, duke shijuar se me sa organicitet interpetonte Pandi Raidhi tipin e një kryetari kooperative vanitoz që mburrej për “rendimente të nalta”, sikundër kërkohej me imponim asaj kohe…
Qe viti 1974 dhe pas dy vitesh unë do ta pësoja “goditjen fatale”, po në këtë teter, pasi pashë aty dramën “Njollat e Murme” të Minush Jeros, e cila “hyri në gojën e te Madhit” si vepër revizioniste dhe që unë, organizatori i një Festivali Kombëtar Teatror të asaj kohe do ta shihja veten nëpër burgjet e Diktaturës më të egër që ka parë bota, bashkë me autorin Minush Jero dhe regjisorin Mihal Luarasi! Do mbyllej për ne edhe “Perdja e Teatrit”! Kanë kaluar 47 vite qysh atëhere, shumë trazira e përmbysje, largime nga jeta dhe nga vendi ynë i dashur. Pandi kishte ndërruar jetë në vitin 1998, kurse unë “ndërruar vend”, tetë vite më përpara se të ikte ai nga jeta, ndërkohe që më ishte “thyer lapsi” e nuk shkruaja më prej një kohe shumë të gjatë. Ndërsa librin për Artistin e Popullit Mihal Popi e kishin djegur me urdhër nga lartë, ngaqë e kishte shkruar i “ashtuquajturi Armik i Popullit, Miho Gjini”! Po artistin Pandi nuk e kisha harruar. Qysh atëhere, sa ishim “gjallë të dy” dhe po “hapeshin” dyert e burgjeve (me presionin nga jashtë e nga brenda) dhe qe vendosur një tjetër sistem, unë kisha ribotuar librin për Mihal Popin (që e kishte shpëtuar nga heretizmi i asaj kohe kritiku Razi Brahimi,-për fat, miku im nga Delvina, i cili proftasi të “vidhte” një kopje në “dëngjet” e shtypshkronjës, si edhe botova librin për Naim Frashërin. Ua kisha premtuar së gjalli atyre. Po edhe mua, më vinin në “ringjalljen” time! I kishte ardhur radha tani Pandi Raidhit, paralelisht me Margarita Xhepën e Nikolin Xhojën dhe unë “vrapova” përsëri për në Korçë, të pija “nje gjym me kafe” me Pandin,-sikundër kishte ndodhur me Mihal Popin, kur ai lëngonte në një krevat të vjetër në shtëpinë e tij plotë varfëri në “Pazarin e Vjetër” të Tiranës, po që nuk u bë e mundur sepse, atëhere këtë aktor, me shumë e shihje në “sheshet e xhirimit” se sa në Korçë, në shtëpinë e në teatrin e tij. Për korrektësi kërkova një njeri të familjes (pa i përmëndur emrin, si etikë qytetare!), për të folur e shfletuar “Arkivin Familjar”! Mirëpo ndodhi e papritura: Refuzimi! Nuk më erdhi asnje fjalë “mikëpritëse” e as përgëzuese për këtë “marrëzi që doja të bëja”, pa dalur mirë nga burgu, paksa edhe “i panjohur”! Ca më tepër akoma, sepse atë që doja unë t’i përkushtohesha, kishte kërkuar ta bënte një njeri i afërt i familjes së tyre. U dëshpërova! “Mos u dëshpëro,- më tha Nella (Minella Borova), ata nuk e dinë se kush je ti, profi im i dashur dhe, mendojnë se “një njeriu i tyre” mund ta shkruaj më mirë jetën e krijimtarinë e tij! S’ka gjë pse nuk e njohin fare Mjeshtërinë e Aktorit dhe atë te Regjizorit”. “E vërteta” kështu do të ndodhte në atë “kohë të çuditshme”, kur të gjithë donin të shkruanin libra e kur askush nuk i lexonte ato! Sikundër jane “djegur” edhe shumë monografi për artistët tanë, nga autorë në rrethe të tjera familjare e shoqërore, pavarësisht se teatrin e njohin vetëm nga salla e tij!
Dhe kështu, më mbetej vetëm “Arshiva e Teatrit” që do të më ngushëllonte, këtu ku ndodhem i ngujuar, në periferi të Athinë e që nuk dal dot as nga dera. Pranë bibliotekës sime të vogël që e kam rikrijuar rishtazi, aq më tepër se, e para “humbi, pa nam e nishan” (!?). Ndërkohë që “Arshiva e Gjallë” e këtyre artistëve me emër të madh, sa vete e po shterron! Për fat, është drejtoresha e këtij teatri, nje aktore shumë e njohur, që m’u përgjegj me dashamirësi, pa e ditur se arshiva e teatrit të saj, nuk ekzistonte më! “Mos ki merak, tha ajo, kam ngarkuar Koçon, të shpalos arshivën e t’u përgjigjet për çka kërkoni”. E dija se, me këtë punë qe marrë aktori veteran Koço Qendro, para e pas pensionit të tij, jo vetëm miku im po edhe patrioti im, nga Delvina edhe ai, që nuk dihej se si kishte mbetur në Korçë e qe bërë “korçarë më shumë se korçarët”, dalë në pension afro 20 vite më parë e që akoma lozte në skenë Harpagonin e Molierit, dhe pse kishte arritur moshën 100-vjeçare, me jo më tepër se 20 kg. shtatin e tij, duke mbetur edhe “i vetmi trim në luftë!” , edhe për “arshivën e teatrit!”!!!?. Nuk e prisja që, befas, ai të më shkruante në facebook, këto fjalë të çuditshme: “Komedia jote ‘Gjëmba në Livadh’ kishte dosje si të gjitha premierat e tjera në arkiv. Kur dola në pension i dorëzova me Proçes Verbal, por fatkeqësisht arkivi u shkatërrua dhe ato dosje nuk di ku u zhdukën! Po mbaj mend se komedinë tuaj e vuri në skenë Thimi Filipi që ka kohë që ka vdekur! Kështu, më vjen keq që nuk mundem ta plotësoj kërkesën tënde. Të përshendes. Koço Qëndro”. Thjesht, me duhej të rifreskoja kujtesën time të lodhur e shpresoja për gjetjen e Fletë Palosjes, të ndonjë “shënimi të veçantë” a të ndonjë fotografie të këtij aktori, në rolet e dy komedive të mia që kishte interpretuar. Shpresëhumbur, i drejtohem ish-drejtorit të mëparshëm Petrika Riza, që ka qenë drejtor në shumë e shumë vite në këtë teatër, por që dikur ishte edhe studenti im në Shkollën e Lartë të Aktrimit, bashkë me Klaudetën e shkathët që u bë gruaja e tij, po edhe me Llazi Serbon e Minella Borovën që u larguan aq shpejt nga jeta! Dhe ai me shkruan, me shumë kënaqësi se, e mbante mend komedinë qysh kur u shtrua për miratim në Këshillin Artistik dhe u interpretua në skenë fort bukur nga aktorët Pandi Raidhi, Jani dhe Petrika Riza, Refik Xhinaku, Liza Dhimitri e nga disa aktorë të tjerë, se e mbante mend edhe provën gjenerale, kur kishte dëgjuar edhe të qeshurat e mia nga salla… Dhe se, i kujtohej pastaj edhe komedia me një akt që u vu në skenën e estradës e që pati edhe me shumë sukses, duke shtuar edhe këto fjalë: “Te komedia ‘Bilbili i Kulturës’ Pandi Raidhi kishte rolin kryesor. E mbaj mend tek rregullonte zyrën e tij të shkatërruar në Vatrën e Kulturës së fshatit. Mundohej që tavolina të qëndronte me tre këmbë, sepse në vendin e së katrës kishte vënë disa libra njerën mbi tjetrën e kjo krijonte atmosfere të menjëhershme. Mundohej të pastronte, duke kënduar një këngë, sa për veten e tij: “O Xhevooo-Xhevo Kultura.”… etj, pastaj fillonte monologun: “E tani eja, o shoku Inspektor a kontrollor… kushdo qofsh… Se do të mbetesh me nofull hapur nga kultura e madhe e kësaj Vatre Kulture e nga shoku Xhevahir, që shkurt, masat punonjëse e thërrasin Xhevo….”. E tjerë… Qe një komedi e shkëlqyer. Po edhe e para, vetëm se u dha orientimi nga lartë që keto komedi te shfaqeshin në të gjitha fshatrat e Korçës!
Kështuqë “pikëlidhja” ime me Pandi Raidhin do të ndërpritej nga koha e mbrapshtë e asaj periudhe po kaq të mbrapshtë, për të pritur që të “takoheshim” në këtë 70 vjetor të DITËLINDJES së tij, pa Artistin e Popullit Pandi Raidhi, me atë dëshirë të zjarrtë të Miho Gjinit që nuk mundi dot ta takonte së gjalli artistin e tij të preferuar! Se, ja ku vjen edhe një kohë, kur “mbyllen perdet”, kur ikin njerëzit që e bëjnë teatrin, kur jo pak herë nuk i qasin aty ndër premiera e festivale kritikët e studjuesit e teatrit “rregjistruesit e memorjes”, se edhe kur zhduket fare edhe “memorja” e tij (arshiva) dhe mbeten vetëm muret, largë qoftë po të bien edhe tërmete që të rrëzohen edhe ato! Pa e përmendur edhe këtë kolerë pandemie, që na “lidhi këmbë e duar”… Po një fjalë do ta themi, me gjithë shpirt: I paharruar qofsh PANDI RAIDHI… Artist si ti i vijnë fortë rrallë Skenës Shqiptare!
Shkruar në Athinë në dyjavshin e parë të prillit 2021.
Please follow and like us: