Prof. Dr. Gjergj Sinani: Mbi spiunët dhe letrat anonime
Kur Monteskjë fliste për regjimet despotike, ai theksonte se parimi lëvizës i regjimeve të tilla ishte frika, prandaj edhe këto regjime bazoheshin në kapriçot e princit. Dy praktika të shëmtuara të regjimeve të tilla ishin spiunët dhe letrat anonime. Prandaj, ai, në veprën “Mbi frymën e ligjeve” ka dy kapituj të shkurtër me tituj “Mbi spiunët në monarki” dhe “Mbi letrat anonime”. Do t’i sjell gati të plota për t’ia lënë lexuesit refleksionet, paralelet historike dhe të kuptojnë rrezikshmërinë e praktikave të tilla për lirinë.
“MBI SPIUNËT NË MONARKI”
A duhen spiunët në një monarki? Kjo nuk është praktikë e zakonshme për princat e mirë. Kur një njeri është besnik ndaj ligjeve, ai ka plotësuar atë që duhet ndaj princit. Duhet, të paktën, që ai të ketë shtëpinë e tij për strehë dhe pjesa tjetër e sjelljes së tij në siguri. Ndoshta, spiunimi do të ishte i tolerueshëm, në qoftë se do mund të ushtrohej nga njerëz të ndershëm, por poshtërsia e domosdoshme e personit mund të gjykojë për poshtërsinë e gjësë. Një princ duhet të veprojë, me subjektet e veta, hapur, me besim. Kur ai shikon se në përgjithësi ligjet janë në fuqi dhe se ato respektohen, ai mund të gjykojë se është i sigurt”.
“MBI LETRAT ANONIME”
Tartarët detyroheshin që të vendosnin emrin e tyre në shigjeta, me qëllim që të njihej dora që i lëshonte. Filipi i Maqedonisë, që u plagos në rrethimin e një qyteti, gjeti mbi shtizë, Aster i dërgon këtë goditje vdekjeprurëse Filipit. Në qoftë se ata që akuzojnë një njeri, e bëjnë këtë për të mirën publike, ata nuk e akuzojnë përpara princit, që fare lehtë mund të paralajmërohet, por përpara magjistratëve, të cilët kanë rregulla që u shkaktojnë frikë vetëm shpifësve. Se, në qoftë se ata nuk duan t’i lënë ligjet ndërmjet tyre dhe të akuzuarit, kjo është një provë se ata kanë gjëra për t’u frikësuar dhe dënimi më i vogël që mund t’u bëhet është që të mos u besohet aspak. Mund t’u kushtohet vëmendje vetëm në rastet që do të ndikonin në ngadalësimin e një drejtësie të zakonshme dhe kur bëhet fjalë për shëndetin e princit. Atëherë, mund të besohet se ai që akuzon ka bërë një përpjekje që i ka zgjidhur gjuhën. Por, në rastet e tjera, duhet thënë, si perandori Kostandin: “Ne nuk duhet të dyshojmë ndaj atij që nuk ka një akuzues, pasi atij nuk i mungon një armik””.
Kështu shkruante Monteskjë në 1748. Sikur ai të ringjallej dhe të shikonte se çfarë pasojash patën këto praktika në regjimet totalitare, por që për fat të keq shihen edhe sot të ringjallen, do të kërkonte të kthehej përsëri në varr. Për të, të tilla praktika, së bashku me dënimet e ashpra janë tipare të regjimeve despotike, prandaj ai kërkonte që, në vend të tyre, të krijoheshin kushte për qytetarë dhe drejtues të ditur dhe të virtytshëm. Demokracia nuk është thjesht çështje metode, por në radhë të parë është çështje edukimi. Prandaj, që qytetarët të mos mbeten ende viktima të mashtrimit, duhet t’u kthehen heronjve të mendimit, në qoftë se duan që të reflektojnë për kushtet e tyre të ekzistencës.
Jo më kot, dishepulli i tij, Tokëvili, duke u nisur nga përvoja e Revolucionit Amerikan, do t’u thoshte sovranëve europianë, se në vend që t’u premtojnë njerëzve gjëra të mëdha, do të bënin mirë që të mendonin si të bënin njerëz të mëdhenj, se në vend të veprës do të bënin mirë të mendonin për punëtorin e saj.
Praktika të tilla kanë edhe një rrezik tjetër. Ato favorizojnë njerëz të vegjël dhe kurtizanë pushtetesh, të cilët, në të kaluarën jo të largët, brohorisnin kur i dërgonin te muri i pushkatimit njerëzit e ditur, të cilët donin që t’u mësonin të dallonin sesi shtypet liria çdo çast, çdo minutë dhe sesi kultivohet mungesa e lirisë. Ata donin t’i bënin njerëzit si shqiponjat, por njerëzit e vegjël vuanin dhe lodheshin si “një kope bagëtie”, sipas shprehjes së Vilhem Raih: “Nuk do që të bëhesh shqiponjë njeruc, prandaj shfarosesh nga zogjtë grabitqarë. Ke frikë shqiponjat, prandaj jeton në ‘tufë’ dhe lodhesh e vuan si një kope bagëtie. Sepse disa nga pulat e tua ngrohin zogj shpendësh grabitqarë. Grabitqarët e tu u bënë udhëheqësit e tu kundër shqiponjave që donin të të udhëhiqnin drejt horizonteve të largëta dhe një jete më të mirë. Grabitqarët të mësuan të hash kufoma dhe të kënaqesh me pak kokrra grurë. Dhe prapë të mësuan të çirresh, ‘Rroftë Grabitqari i Madh’. Tani vuan urie dhe vdes në masë e, megjithatë, prapë ke frikë shqiponjat që ngrohin vezët e pulave”./gazeta panorama