Ismail Xhaferi: Natën…
Edhe këtë natë nuk më zuri gjumi,
Udhëtova nëpër ëndrra,
Gjethet e pranverës zgjaten tek dritarja ime,
Sikur duan të hyjnë brenda…
Nata duket e qetë, por s’ka qetësi,
Sa e sa njerëz rrinë zgjuar deri vonë!
Të gjithë vuajnë për diçka,
Të gjithëve diçka u mungon.
Të pasurit ëndërrojnë të shtojnë pasurinë,
Dhe kurrë s’flenë të qetë,
Bukën e përditshme ëndërrojnë të varfërit,
Dhe pak më shumë shëndet.
Nuk flenë as djemtë, as vajzat,
(Ashtu si hëna në një shpat mali),
Kërkojnë dikë ta futin në zemër,
Dhe kur e gjejnë
Bëjnë roje mos t’ju dali.
Nuk flenë, as pleqtë, as plakat,
Se dhimbja e kockave pa gjumë i lë,
Pa gjumë i lë kolla dhe zemra e lodhur,
Dhe dhimbja për rininë që nuk kthehet më.
Nuk flenë gjumë as nuset e sivjetme,
Që presin të bëhen nëna,
Ca buzëqeshje fëmijësh u ulën në qerpik,
Ca fytyra fëmijësh u shfaqën në ëndrra…
Edhe këtë natë nuk më zuri gjumi,
(Endet mendimi si një tufë me re)
Si unë besoj janë shumë të tjerë,
Shtrihen për gjumë e askush nuk fle.