Ismail Xhaferi: Kjo botë…
Nuk e di pse kam një dhimbje,
brenda m’u në kraharor,
s’ka më ëngjëj bota jonë,
s’ka më ëngjëj dhe shenjtorë!
S’ka më ëngjëj i kanë trembur,
(të gjithë kemi nga pak faj),
ikën ëngjëjt e shenjtorët
dhe kudo kanë zbritur djaj!
Ikën ëngjëjt na braktisën,
na mori djalli në dorë,
ç’nuk po ndodh në këtë botë,
që s’ka ëngjëj e shenjtorë!
S’ka më ëngjëj bota jonë,
sa e re aq dhe e vjetër,
botë e etur për para,
për para e asgjë tjetër!
Botë e lodhur, botë e ndotur,
ku të gjej një shpirt të pastër?!
botë e mbushur me urrejtje,
botë e mbushur me të varfër!
Botë e poshtër, botë e pistë,
ku e keqja ka bërë rrugë,
botë ku vriten të pafajshëm,
botë ku flenë fëmijë pa bukë!
Botë e lodhur botë e shtirur,
ballë së keqes vetëm heshtje,
s’mund ta quajmë njerëzore,
kur nuk ka më buzëqeshje!
Botë ku vuajnë mijëra njerëz,
mijëra njerëz nuk flenë gjumë,
dikush lyp në anë të rrugës,
dikush vjell se ka ngrënë shumë!
Botë me luftra pa kuptim,
botë me shumë padrejtësi,
botë që quhesh njerëzore,
por nuk gjen dot një njeri!
Botë e egër njerëzore,
dhimbjen s’di si ta rrëfej,
pse më bën mos të të dua,
pse më bën të të urrej?!