Drita Kadriu: Lumturi e blerë…
Ajo kishte humbur në kohë dhe si një siluetë e zbehtë e hënës, diku larg e pa atë vajzën e re që priste para derës së gjinekologut. Deri sa po e vështronte portretin e saj, si në pasqyrë, mbi lumin Danub, e kuptoi se mendja i kishte ikur larg, shumë larg, tek lumturia e saj. Po, po, e kishte blerë lumturinë me 500 marka gjermane para 26 viteve…
O zot i madh sa jam mërzitur pa shkuar në Kosovë. Posa të hapen linjat ajrore do të iki. Tash fëmijët veç janë rritur. Vajza ime 18 i mbush kësaj vere që po vjen, ndërsa djali 16, nuk kanë nevojë për përkujdesjen time sikur kur kanë qenë të vegjël. Fundja e kanë edhe babën. Le të merret me ta për një javë, sa të shkoj e të çmallem.
Ju do më pyesni po për kënd po shkoj? Prindërit vdiqën kur e mësuan se ti je e lumtur! Të dy vdiqën brenda 6 muajsh. Pas vdekjes së nënës, babai mbetet si i humbur. Si shpend me krah të thyer. Vetë iu dorëzua vdekjes në heshtje. O njerëz të mirë, unë kam kë të takoi. Ata të dy që ma dhuruan lumturinë: Vëllain tim të vogël dhe doktorin tim, gjinekologun. Hëëë, meshkuj janë, do të më thoni. Po, po, meshkuj janë, por ka njerëz të mirë edhe prej racës së tyre.
Me tryezën e shtruar, priste fëmijët të ktheheshin nga shkolla dhe angazhimet e tjera ditore. I shoqi kishte ikur në një qytet të largët verior me punë. Kur iku tha se mund të mos kthehet sonte ose se mund të vonohet shumë.
U dëgjuan zërat tek dera e hyrjes dhe me shpejtësi u ngrit për ta hapur derën. Për çudi ishin të tre së bashku.
Po ti, nga ike, i tha, nuk të prisja sepse më the se do të vonohesh.
Duke hequr maskën dhe pastruar duart shpjegoi për ndryshimin e planit nga shefi i tij dhe se udhëtimi do të realizohet javën tjetër.
Ajo kishte bërë planin në kokën e saj që javën tjetër të gjente një biletë aeroplani për të ikur në Kosovë. Nuk deshi të bisedonte për këtë kërkesë ose të shfaqte dëshirën në prani të fëmijëve sepse i njihte mirë reagimet e tij.
Prej kaq vitesh që jetojnë bashkë ai kurrë nuk ka ditur që bisedat familjare të shtrohen dhe të shtjellohen së bashku.
Reagimi i parë i tij i zakonshëm është:
Pse a s’ki tjetër punë, a?
Pastaj duhet menduar e dizajnuar qasjen rreth e rrotull për ta vazhduar temën. Për të ardhur deri te ideja ose dëshira që unë e kam shfaqur në bisedë gjithmonë kërkon një sakrificë dhe durim të pa parë. Pastaj kur flasim për mënyrën e realizimit të propozimit, e ka për zakon dhe i bën punët bjeshkë, ende pa i filluar. Pastaj, pas disa ditësh shtjellime dhe analiza, kah fundi edhe i durimit tim, del përkrahja nga ai sikur ai të ishte “Alaudini nga llampa magjike”.
Befas tregon dashamirësinë dhe mirëkuptimin për krejt bisedën dhe bën një farë aprovimi ndër dhëmbë.
Nëse ti javën e ardhme shkon në udhëtim, a do të kthehesh? Fëmijët mund të rrinë vetëm.
Unë kam planifikuar të shkoj në Kosovë. Nuk i kam parë që një kohë të gjatë familjen, kanë qenë të sëmurë nga Covid-19. Kam mall.
Dhe si për çudi, kësaj radhe deklarata ime ishte e prerë dhe e fundit. Nuk i rashë “kah Kina”, siç thotë shoqja ime Venera, por ia thashë drejt, shkurt dhe prerazi.
Më shikoi pak me habi, duke dashur të më thotë ‘pse a ti vendosë a’?
E njihja mirë shpirtin e tij konfliktual. Nuk ia mori mendja. U soll disa herë nëpër dhomë, sikur kërkonte diçka. Përsëri doli duke mërmëritur me veten kinse rreth punës. U mat shumë. E kishte vetëm një mundësi për të më thënë ‘po ose jo’. E njihte edhe ai kokën time bung pas rrugës së gjatë të bisedimeve, prej këtu në ‘Kinë’ dhe kthim nga atje.
Paj pse mos me shku, se ia bëjmë disi unë edhe fëmijët. Mos ke merak hiç për neve. Meqënëse do të rrish një javë, ne mund të gjindemi.
Në rregull i thashë, unë e kam rezervuar biletën për të premten pasdite.
Gjë e pazakontë për të. E kisha mbështetur për muri.
Të duhen para, ma thuaj që nesër t’i nxjerr nga banka, më tha duke e kuptuar qëndrimin tim.
Kështu na zuri gjumi me vendim të prerë të marrë nga unë e që për herë të parë unë personalish, shprehja autoritetin vendimmarrës kur bëhet fjalë personalisht për vete time…
Shikoja mbi qiellin e Kosovës tymtarët e Obiliqit. Më dukeshin sikur s’ka më të mirë askund në botë. Po të vjetër janë dhe sigurisht nuk kanë filtëra, por megjithate nuk mu dukën edhe aq të këqinj. Nga qielli, Kosova, në pranverë është shumë e bukur, e blertë, me fusha që po punohen shumë kohëve të fundit.
Në aeroport kishte ardhur vëllai im i vogël të më merrte.
U përshëndetëm me mall pa e respektuar distancën dhe rregullat e Covid-19.
I tregova se do të shkoi në qytetin nga ku më buroi lumturia e quajtur ‘martesë’, për ta takuar doktorin tim.
Vëllai im ishte personi i vetëm që, përveç doktorit, e dinte të vërtetën time. Ai më kishte treguar për mënyrën dhe filozofinë e burrave shqiptarë; thonë se disa prej tyre janë të pabesë, se si meshkujt mashtrohen duke besuar vetëm në të vërtetën e tyre absolute. Ata nuk e ndjejmë asnjë mendim, e as dhimbje të femrave. Mendojnë dhe besojnë se i kanë pronë. Pastaj si meshkuj dyshojnë shumë, besa e kanë prirje dyshimin në raport me femrat. Nuk u besojnë as të tjerëve e as femrave.
Po, më tha, a dëshiron të të çoj unë apo do të shkosh vetëm.
Po, i thashë, dalim nesër së bashku në qytet dhe ikim te doktori.
Ashtu edhe ndodhi.
Sa ka ndryshuar ky qytet. Nga një qytet i pa zhvilluar, vetëm me një linjë hekurudhore, sot nuk e njeh. Po i ofroheshim ordinancës së doktorit.
Zemra më dridhej. Në derë na pret motra, po ajo e njëjta e para 26 viteve.
Nuk më njohu. Nuk e kishte idenë se kush jam. Kurrë nuk e harroj fytyrën dhe dorën e saj deri sa ma mbante fort dorën time. E mjeku më bënte himenoplastikën.
Ku është mjeku, e pyeta.
Me çka mund t’iu ndihmoj, sepse mjeku nuk është këtu.
Unë dua ta takoj personalisht, sepse kam qenë paciente e tij para 26 vitesh. Tani më duhet ta takoj, ta falenderoj, sepse falë tij unë sot jam e lumtur.
Më vjen keq, tha motra, mjeku është i shtrirë në spitalin e infektives në kryeqytet. Është me Covid-19.
A mund të shkoi ta vizitoj, e pyeta.
Ma dha numrin e tij që ta kontaktoi përpara se të shkoi në vizitë. Rrugës për në kryeqytet i rashë numrit të tij të telefonit. Nuk vonoi dhe u lajmërua. Doktor jam unë, dua të ju takoi.
Më tha se nuk ka mundësi sepse jam në spital.
I thashë, doktor këmbengul t’iu takoj sepse falë teje unë jam e lumtur. Pas 26 viteve dëshiroj t’iu shpreh mirënjohjen time.
Në njërën nga ulëset e parkut të vogël të infektives, mjeku ishte ulur dhe më priste. Nga larg e njoha. Përveç se flokët e thinjura ia kishin mbuluar kokën, nuk kishe ndryshuar fare, po ai i njëjti.
U ula afër tij dhe më tha “kush je se të kam harruar”?
Unë jam ajo vajza, martesa e të cilës është varur nga virgjiniteti dhe himenoplastika. Pas shumë këmbëngulejeve të mia, ju patët vendosë që të ma kryenit këtë operacion ‘moral’. Meqenëse unë kisha pasur një fatkeqësi të asaj kohe. Pas marrëdhënieve intime me të dashurin tim, ai më la duke më thyer fort në shpirt, në besimin, e theu dashurinë dhe sinqeritetin tim. Ai më la duke thënë se të gjitha vajzat janë për t’i përdorur. Iku, për të më lënë të vrarë shpirtërisht, por edhe fizikisht. Unë kisha humbur virgjërinë me të. Personi që po e shihni këtu është vëllai im, më i vogli. Kurrë nuk e kam pyetur se ku i ka gjetur 500 marka gjermane për të paguar shërbimin. Falë kësaj ndërhyrjes suaj, unë me propozimin e familjes u martova në perendim, me shpirt të thyer, që më përcjell si hije gjithë jetën. E vetmja kërkesë e burrit tim të ardhshëm ishte se unë duhet me qenë virgjine. Jam e sigurt se kjo ishte pika e vetme që unë nuk e plotësoja. Me ndihmën tënde doktor dhe vëllait tim, unë u martove duke e plotësuar kushtin e virgjirisë.
Kjo dhuratë është për ty. Të uroj shërim të shpejt nga Covid-19. E di se sekretin tim do ta mbash edhe më tutje, por kam ardhur t’iu them se unë jam e lumtur me dy fëmijtë e mi dhe një martesë të qëndrueshme.
Mjeku e solli kokën duke kujtuar të drejtën ligjore për himenoplastikën dhe operime të tilla, të drejtën njerëzore dhe morale të gruas për ta gëzuar jetën dhe për të qenë e kuptuar nga burri, familja dhe shoqëria. Duhet mjaft punë për ta ndritur të menduarit dhe barazinë gjinore, sociale e humane.
Ne u nisëm duke e lënë doktorin me një milion pyetje, ndërsa unë dënesja nga vaji që më kishte kapluar.
Dorën time ma shtërngoi vëllai im i vogël që tani është bërë baba i tri vajzave. Më tha mos qaj se unë do të jem gjithmonë me ty.
Fushë Kosovë, më 26.04.2021.