7 vjet burg për Ilda Kërkapin që mashtronte në emër të prokurorisë
Gjykata e Tiranës, ka dënuar me 7 vite burgim, Ilda Kërkapin, vajzën e akuzuar për një seri mashtrimesh financiare të realizuara në emër të ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla.
Kërkapi, është deklaruar fajtore nga një trup gjykues i gjykatës së Tiranës, i cili konstatoi se vajza e re kishte mashtruar më shumë se tre persona, duke i marrë shuma të konsiderueshme lekësh dhe eurosh, në këmbim të premtimeve se do i fuste në punë pranë Prokurorisë së Përgjithshme apo institucioneve të tjera shtetërore.
Në pretencën e tij, prokurori i çështjes kërkoi dënimin e Kërkapit me 8 vite burgim, por në përfundim gjykata vendosi dënimin e Kërkapit me 7 vite heqje lirie. Pritet që vendimi i dënimit të hyjë në fuqi nëse do të lihet në fuqi nga gjykata e Apelit Tiranë. Ky nuk është procesi i vetëm që zhvillohet kundër Ilda Kërkapit, pasi në gjykatën e Tiranës, janë duke vijuar dhe disa procese të tjera mashtrimi, për këtë shtetase.