Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: PO LIND DIELLI

Po vjen dielli dhe mjegulla çohet ngadalë, ngadalë,
si fustan i shkurtër adoleshenteje ngrihet përmbi pemët.
Mbi çati të shtëpive rrëzohen papritur shtëllunga të bardha,
hijet në çarçaf të kuqërremtë mblidhen, struken, stepen.
Nën aromën e dardhave nderet kordon i gjatë i lindjes,
vija e horizontit ikën tutje, xixëlluese, e tejdukshme, e qashtër.
Retë atje sipër, në vetflijimin e pakthimtë të nisjes
si arna gri, qepur në këmishat e maleve të kaltër.
Janë shuar dritat, të tërhequra zvarrë nga misteret,
një njollë ngjyrë dheu e mbështjell tinës qytetin e vjetër,
tokën e lagur, lutjet e këmbanave mëngjesore, tingujt,
që ngrohtësisë së gjireve rënkojnë ca më tepër.
Po vjen dielli i ditës së re, mbi brengat e njeriut, mbi kodrat,
dhe fat i përcaktuar thërret fort, fort: Gënjeshtarë tê djallit!
Shkëlqen, ndriçohet e keqja, e mira mbuluar në varr me kockat,
narcistë të kulluar, do t’i thyej pendimeve pasqyrat tuaja të moralit!
Please follow and like us: