“BARBAROSSA”, LUFTA RRUFE DHE RËNIA E MITIT TË PATHYESHMËRISË NAZISTE GJERMANE
(Në kuadrin e 80- vjetorit të agresionit nazisto-hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik dhe fillimit të operacionit “Barbarossa”, 22.06.1941-22.06.2021)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Lufta e Dytë Botërore, si një e keqe e domosdoshme dhe e pritshme nisi si një luftë midis dy blloqeve, ku kontradiktat e pashmangshme të sistemit botëror çuan në përballjen e përgjakshme. Ndryshe prej Luftës së Madhe (LIB), Lufta e Dytë Botërore nuk kishte vetëm produket i kapitalizmin si sistem i vetëm ekonomik botëror, sepse që prej 1917-tës shteti i Bashkimi Sovjetik, që kishte guxuar socializmin, u bë epiqendra e luftës antifashiste botërore. Boshti antifashist Uashington-Londër-Moskë, ja kalonte në aspirata dhe të drejta boshtit Romë-Berlin-Tokio. Amerikanët dhe Anglezët u përbashkuan në një front me ushtrinë e kuqe të Sovjetëve. Fuqitë agresive kishin përballë popujt viktima të pushtimit nazi-fashist. Lufta fitoi karakterin çlirimtar antifashist. “Traktati” i Miqësisë Rusi-Gjermanisë më 1939, vetëm sa bëri shtyrjen në kohë të agresionit hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik, duke i dhënë kohë për marrjen e masave mbrojtjëse të vendit, por natyrshëm nuk mund ta evitonte konfliktin mes tyre. Ndërkohë hitlerjanët kishin “në dorë” një armë të re, që e quanin “Lufta rrufe”. “Lufta Rrufe”, nuk ishte vetëm ide, por dhe aplikacion që kishte fituar “të drejtën” për pushtimin e Polonisë, Çekisë, Austrisë e Francës. Agresioni i ushtrisë naziste në trajtimin ushtarak problemor, përmban elementë të luftës së marrë nga eksperiencat e mëparshme të luftrave, por duke i dhënë temp e lëvizshmëri. Lufta II Botërore e kishte lindur origjinë e hershme, që në Versajë, kur çështjes së paqes botërore, nuk ju dhe rëndësia që i takonte aq sa Ferdinand Fosh (1851-1929) menjëherë pas marrëveshjes së Versajës deklaronte: “Kjo nuk është marrëveshje për paqe por një intermexo lufte”. Pas njëzetë vjetësh do të shpërthejë sërish lufta botërore dhe ashtu ndodhi, por Foshi kishte dhjetë vjet që kishte vdekur. Historianët e statistikave dhe analizave u “kujtuan” për deklaratën e Foshit në Versajë. “Pakti i mossulmimit” që ishte firmosur në 23.8.1939, midis dy ministrave të jashtëm, Molotovit të BS-së dhe Ribentropit të Gjermanisë ishte shkelur. Bota fliste në gjuhën e armëve.
Çfarë ishte Operacioni “Barbarossa”?!
Operacioni “Barbarossa” ishte invazioni gjerman mbi BS-në për të sunduar Europën. Operacioni i madh i gjermanëve kundër sovjetëve u quajt “Barbarosa”, për nder të Frederik Barbarosës, perandor i shenjtë romak dhe mbret i Gjermanisë (1152– 1190), që kishte luajtur rol kryesor në bashkimin e fiseve gjermanike. Kështu në orën 04.00 të mëngjesit të 22.6.1941 forcat naziste të Vermahtit nisën operacionin e koduar “Barbarosa”, një sulm rrufe nga tri drejtime me qëllim eliminimin e përhershëm të kërcënimit të perceptuar të shtetit komunist dhe pushtimi i territoreve kryesore brenda Bashkimit Sovjetik. Për “rastësi” më 24.6.1812, armata e madhe e Napoleon Bonapartit, me 650.000 ushtarë, kishte kaluar lumin Niemen, i cili ishte kufiri midis dukatit të Varshavës dhe Rusisë. Në këtë mënyrë dhe Franca kishte filluar fushatën kundër Rusisë, por pa sukses. Forca naziste gjermane me 190 divizione e 3.5 milionë ushtarë, e shtrirë në një front 2900 km, ndër më të mëdhatë për kohën u urdhruan nga Adolf Hitleri për fillimin e sulmit. Në luftë u përfshinë kuaj, mjete motorike, aviacioni, gjithçka në dispozicion të luftës. Gjermanët, përveç forcës njerëzore kishin edhe 19 divizione të blinduara dhe 14 të motorizuara, 3300 tanke, 600.000 mjete të motorizuara transport trupash, armë vetëlëvizëse dhe automjete antitank, 7.000 gryka zjarri artilerie, 2770 avionë dhe rreth 625000 kuaj. Me gjithë forcat e shteteve aleate, sasia e përgjithshme për luftë kundër Bashkimit Sovjetik gjermanët kishin 190 divizione me 3410 tanke. Në fakt 153 divizione ishin gjermane, prej tyre 33 të blinduar e motorizuar, 29 divizione dhe 16 brigada të aleatëve të Gjermanisë, 16 divizione e 3 brigada finlandeze, 13 divizione e 3 brigada rumune, 4 brigada hungareze. Parashikimi për pushtim për 3-4 muaj, që të zotërohej Moska ishte një ëndërr e parealizueshme dhe “Barbarossa” do dështonte sikurse edhe dështoi.
Sovjetikët do të ballafaqoheshin me forcat pushtuese me një forcë prej 303 divizione me 4700000 ushtarë, 20 korpuse të mekanizuara, secila me dy divizione të blinduara dhe një të mekanizuar, të pozicionuar në distanca që varionin nga 50 deri në 400 kilometra nga linjat e para. Ushtria e Kuqe dispononte gjithashtu një armatim të rëndë shumë të fuqishëm, me mbi 17000 automjete të blinduara, kishte divizione të shumta kalorësish për terrene të përafërta dhe kënetore dhe gjatë kundërsulmit dimëror. Flota ajrore ushtarake sovjetike kishte 20000 avionë, por stërvitja ka qenë e dobët dhe përvoja modeste taktike do të shkaktonin humbje serioze krahasuar me ato të forca ajrore gjermane. Zbatimi i planit Barbarosa ishte autorizuar nga Hitleri që më 18.12.1940, duke caktuar si datë sulmi 15 maj 1941; por kjo datë u shty, për shkak se Gjermanisë i duhej t’i shkonte në ndihmë Italisë që pësoi humbje në luftën me Greqinë; kështu sulmi ndaj Rusisë u shty për më 22.6.1941, që në fakt disa historian e lidhin edhe disfatën gjermane me shtyrjen e operacionit. Faktikisht gjermanët nuk e dinin se do të kalonin “katër dimra në ferr” dhe as e imagjinonin disfatën e madhe të “luftës rrufe”, përballë dimrit rus. “Fajin” për ushtarët gjermanë e kishte dimri i ashpër rus, dhe historia do të ishte shkruar ndryshe ose do të shkruhet dhe sërish do të çbëhej.
Fakt ishte se, “Marrëveshja e Mynihut”, Gjermanisë i hapi “dritën jeshile” për agresion, ndërkohë që Franca, Anglia etj., sabotuan sigurimin dhe aleancën kolektive më 1939, “bënë syrin qorr e veshin shurdh” kur ushtria gjermane filloi pushtimet radhazi, realizoi manovrimin dhe afrimin pa shumë zhurmë pranë kufirit me BS-në. Ushtria e Kuqe nuk u gjend e gatshëme në përgatitje, në pajisje e përvojë etj., me drejtues të Ushtrisë në shumicë ishin të rinj dhe pa përvojë. Ata pësuan disfatë me humbje të dhimbshme gjatë muajve qershor-shtator në Bjellostok, Smolensk e Harkov përkatësisht më 22 qershor, 17 korrik dhe prill 1942. Pësimet u kthyen në mësime. Lufta rrufe e hitlerjanëve ju pre hovi nga 6 nëntori 1941, pranë Moskës dhe 19 nëntor 1942 në Stalingrad. “Shkëlqimi” i operacionit “Barbarossa” nuk po dukej më dhe dështimi i tij ishte pranë. Kishte filluar kthesa e madhe. Ruzvelti më 25 tetor 1941 pohonte: “Vendosmëria e Ushtrisë së Kuqe dhe popullit sovjetik për të shkatërruar hitlerizmin, që gjeti rrugëdalje edhe në momentet më të vështira, të dëshpëruara e kritike, çliroi vendin e tij dhe Europën dhe shpëtoi njerëzimin nga nazifashizmi”. Amerikani i mençur i jepte “Çezarit çfarë i takonte”. Ndërkohë që operacionet ushtarake të Ushtrisë Sovjetike pas betejës së Stalingradit, janë modeli i pasuruar i Artit Operativ e strategjik Ushtarak. Futja e Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Gjermanisë vuri përballë dy sisteme diametralisht të kundërt; vuri në provë dy metoda lufte që ndryshonin njëra nga tjetra. Arti Ushtarak Sovjetik, tregoi epërsinë e plotë luftarake mbi artin ushtarak të Gjermanisë fashiste. Peshën kryesore të Luftës së Dytë Botërore e mbajtën popujt e BS-së. Ribentrop në kujtimet e tij shkruan: “Me përjashtim të Spanjës, që kishte hedhur poshtë propozimin tonë dhe disa shtete neutrale si, Zvicra, Suedia, dhe Portugalia, më 1940-1941, krejt Evropa ishte nën sundimin e Boshtit.” Gjermania shfrytëzonte pasuritë natyrore dhe resurset njerëzore të këtyre vendeve. Lufta ndaj shtetit sovjetik, duke prishur traktatin e miqësisë dhe të mossulmimit ishte një dështim.
Sulmi “Barbarosa” kundër Bashkimit Sovjetik dhe pushtimet në Lindje, përbënin kursin themelor të politikës dhe të strategjisë të Gjermanisë fashiste, për të sunduar botën, sepse Bashkimi Sovjetik ishte pengesa kryesore për zbatimin e politkës grabitqare të nazistëve për pushtuar botën. Rezervat e mëdha natyrore e materiale që të fuqizonin ushtrinë gjermane ushtarakisht dhe ekonomikisht; dhe përkrahja nga SHBA, Angli dhe Francë, por dhe propaganda për luftë kundër komunizmit, maskonin qëllimin e vërtetë të pushtimit dhe sundimit të botës, duke i dhënë përparësi racës Ariane, që duhet të sundonte botën.
Plani “Plani Barbarossa” dhe ideja e “Luftës Rrufe”, sipas përvojës së pushtimit të Polonisë, Çekisë, Austrisë dhe Francës bënë riorganizim e kompletim të trupave, u organizua një zbulim i gjithanshëm në front dhe prapavijë të forcave sovjetike, u morën masa për përgatitjen e rajoneve të nisjes, u realizua përhapja strategjike e forcave dhe mjeteve në frontin e mësymjes, u realizua sigurimi material-teknik i forcave, maskimi i forcave në vijën e nisjes duke bërë afrimin me fshehtësi dhe përqëndrimi i forcave në drejtimin e goditjes kryesore, u miratua Direktivë nr. 21, ose Plani “Barbarossa”, për të sulmuar Bashkimin Sovjetik, nga Komanda e Lartë gjermane, më 18.12.1940. Planit parashikonte asgjësimin e Ushtrisë së Kuqe me sulm të fuqishëm e të befasishëm, në një fushatë të vetme e të rrufeshme. Mësymja do realizohej nga tri grupime goditëse në tre drejtime strategjike. Grupimi Verior, i përqëndruar në Prusinë Lindore do godiste në drejtimin Pskov – Leningrad; Grupimi Qendror i përqëndruar në rajonin e Varshavës, do të jepte goditjen në drejtimin Mnisk–Smolensk–Moskë; Grupimi Jugor, i përqëndruar në rajonin e Lublinit, do të jepte goditjen në drejtimin Zhitomir–Kiev. Goditje ndihmuese do jepeshin në drejtimet nga territori i Finlandës, në drejtim të Leningradit dhe Murmanskut dhe nga territori i Rumanisë, në drejtimin Mogliev–Podolskit dhe gjatë bregut të Deti të Zi. Përballja e përgjakshme, rrezultatet e para pozitive, inisiative sulmuese dhe humbjet e mëdha ruse nuk ja shteruan forcat dhe energjitë e fuqisë kombëtare të një shteti të madh dhe me resurse të fuqisë ushtarake, por edhe mbështetjes së madhe të aleatëve anglo-amerikanë. Lufta kishte hyrë në faza vendimtare në dhjetra e qindra beteja, duke përdorur edhe rezervat strategjike, frontin e pashkëputur të mbrojtjes, brezat e fuqishëm të mbrojtjes së pakalueshme, duke ulur tempin e mësymjes së gjermanëve me anën e kundërgoditjeve të fuqishme, ndaljen e mësymjes, marrja nismës operative e më tej edhe strategjike nga forcat sovjetike dhe krijimin e kushteve për kundërmësymje vendimtare të forcave të Ushtrisë Kuqe. Në dyert e Moskës kanë ndalur edhe pushtues të tjerë të mëparshëm. Trupat gjermane nuk mundën të ralizonin dëshirat e Hitlerit për pushtimin e Bashkimit Sovjetik, ndërkohë që shpartallimi i ushtrisë gjermane në dyert e Moskës, theu mitin e pathyeshmërisë së ushtrisë gjermano-fashiste, u shënua kthesa rrënjësore në vijimësinë e Luftës së Dytë Botërore, u shkatërrua ideja e Planit të “Luftës Rrufe” kundër Bashkimit Sovjetik, dhe aleanca e madhe amerikane e angleze bashkë me ushtrinë e kuqe u shndrua në shpresë për popujt e pushtuar europianë e më gjerë nga pushtuesit nazi-fashistë. Nga ana tjetër beteja e madhe e Stalingradit vendosi fatin e luftës sovjeto-gjermane.
Dhejtë goditjet e fuqishme ruse ose “10 goditjet Stalinaiane”
Mbas dështimit të mësymjes së trupave gjermane e satelite në dyert e Moskës, Stalingradit dhe Kursk, Ushtria e Kuqe mori nismën strategjike në dorë. Komandanti Suprem i Ushtrisë Kuqe në vlerësimin që i bënë gjendjes së krijuar pas dështimit të Planit “Çitadela” të Hitleri, më 7.11.1943, firmos urdhrin për forcat e Ushtrisë Kuqe: “Të dëbohet okupatori dhe të spastrohet toka sovjetike nga barbarët gjerman”. Kjo detyrë u realizua gjatë mësymjes së trupave sovjetike në vitin 1944, gjatë së cilës Ushtria e Kuqe, iu dha forcave gjermanëve 10 goditje të fuqishme të cilat kanë hyrë në histori me emrin “10 goditjet Stalinaiane.”
Goditja e parë u dha më 14.1.1944, në drejtim të Leningradit e të Novgorodit, ku luftohej në rrethim, që nga viti 1941; Goditja e dytë në shkurt 1944 trupat sovjetike u hodhën në mësymje për çlirimin e Ukrainës e bregut të djathtë të Dnjepërit, nga dy drejtimet; Goditja e tretë prej 28 marsit deri më 16 prill 1944 në Krime, ku Gjermanët luftuan për 250 ditë për ta marrë Sevastopulin ndërsa, Ushtria e Kuqe e mori për 3 ditë. Goditja e Katërt në muajin Qershor 1944, nga forcat e frontit e Leningradit dhe të Karelisënë ngushticën e Karelisë, kundër trupave finlandeze, në ndër hapësirën midis liqenit Ladoga dhe Omega, ku filandezët si aleat të nazistëve kishin përforcuar vijën “ Mannerheim”, në disa breza mbrojtjeje. Goditja e Pestë më 23 qershor në drejtim të Bjellorusisë e Lituanisë; Goditja e Gjashtë në korrik–gusht 1944, në drejtim të Bjellorusisë, më 13 korrik kaluan në mësymje në drejtim të Ukrainës perëndimore, ndërkohë që në gusht filloi mësymja në Poloinnë Jugore dhe drejt Çekosllavakisë. Goditja e Shtatë ku komanda e Përgjithshme Sovjetike më 20 gusht urdhëroi forcat të kalojnë në mësymje në drejtim të Jashi-Kishnjevit në Moldavi; më 31 gusht çliruan Bukureshtin dhe vazhduan sulmin në perëndim dhe në jug drejt kufirit bullgar dhe Jugosllav. Goditja e Tetë ku forcat e e Ushtrisë Kuqe vazhduan mësymjen dhe çliruan Biellorusinë, Lituaninë, Letonisë dhe Estonisë, ku u asgjësuan 30 divizione gjermane; Goditja e nëntë me veprime të sukseshme sulmuese në Jugosllavi, Hungari e Rumani. Goditja e Dhjetë me forcat e grup fronteve vazhdonte mësymja drejt Berlinit, ndjekja e trupave e gjermane drejt Norvegjisë. Në të gjitha goditjet e vitit 1944, u mundësua që Gjermania naziste ngeli pa aleat në Europë, dhe ishte në prag prag të kapitullimit, e strukur në strofkën e vetë ku e priste kapitullimi pa kushte. Në këto goditje të sovjetëve u kapën më shumë se 160.000 robër si dhe janë vrarë mbi 380.000 ushtarë. “Barbarossa” dhe “lufta rrufe” kishte dështuar plotësisht.
Europa për herë të dytë ishte kthyer në zemra ndërluftuese e planetit, ku vendoseshin fatet e së ardhmes së botës. Hapja e frontit të dytë ishte ndër stacionet më të rëndësishme të luftës për ta futur fashizmin në darën e forcave fituese dhe për ta vendosur atë midis dy zjarreve. Por librat më të famshëm të historisë flasin për mbështetjen dhe ndihmën amerikane që ju dha rusëve gjatë LIIB dhe fitimtarët ishin marrë vesh ndërmjet tyre për pasluftën dhe zonat e ndikimit, nga ku do të shkruhet edhe vetë historia. Rezultat i bashkëveprimit të sinkronizuar të anglo-amerikano-rusëve më 9.5.1945, nazizmi gjerman kapitulloi pa kushte, sikurse kapitulloi gjithë makineria e fashizmit dhe nazizmit. 80 vjetori i agresionit hitlerian kundër BS-së dhe fillimit të operacionit “Barbarossa” është një këmbanë alarmi që nuk duhet harruar, ndërkohë që harrimi ose shmangja e memories historike të tragjedive të botës janë të destinuara të përsëriten.