Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Xh. Dëshnica: Rrëfenja nga Qyteti Stalin

 

Pak histori

 

Nëse dikur një shtegtar merrte udhën për Berat e pas Urës së Hasan Beut kthehej majtas në rrugën me plepa, herë në hije, herë në dritë, mbërrinte në qytetin, ku nxirrej naftë e bitum qysh në lashtësi. Ky vendbanim ndodhej në krye të fshatrave nën malin e Sulovës nga dielli del e zbret për nga perëndimi. Thonë se ajo qytezë ka ndërruar emrin disa herë, nga Seras në Zjarrishtë, më pas në Kuçovë. Ky emërvend sllav, ndryshoi edhe në kohën e miqësisë me Rusinë Sovjetike, e njohur për dimrin e gjatë, në hapësirat e gjera të pushtuara nga carët rusë. Nuk dihet dita e saktë, kur në qendër të qytetit u ngrit shtatorja e një burri të ngrysur, vetullzi me mustaqet e zgjatur anash buzëve. Nën shtatore qe gdhendur me daltë Josif V. Stalin. Pas përurimit Kuçova mori emrin Qyteti Stalin, rusisht: Stalingrad, ndonëse ky qytet nuk njihej për beteja të përgjakshme! Pra, kujt i shkoi ndërmend ky emër i ri, gjysëm shqip e gjysëm sllav, të cilin populli e quante shkurt qytet? Në biseda miqsh thuhej: “Do të shkoj në qytet”, “Ika nga qyteti”, ose “Më caktuan në qytet”. Ishte krejt e pamundur ta quanin shkurt, Stalin, sepse atëhere duhej të sajonin, shprehje të pabesueshme e me rrezik si: “Vajta te Stalini,” “Ika nga Stalini”, “U mërzita te Stalini”, “Më plasi shpirti  te  Stalini”!

Megjithëse nafta, qe shterruar dukshëm, skuadra e futbollit nga shefat e komitetit, u quajt Naftëtari dhe jo Stalini, ndryshe do t’i gjente belaja me tifozët kundërshtarë, kur pas ndeshjes do të dëgjonin ulurimat e tyre: “Shkumbini i Peqinit e mbyti Stalinin”, “Traktori i Lushnjës e dërrmoi Stalinin”!

Sot, edhe pse kemi alamet Akademie Shkencash, akademikët e quajnë prapë Kuçovë, ndaj historianët serbë fërkojnë duart nga kënaqësia, kur hedhin sytë në harta e libra. Ndërkohë dijetarët tanë vrasin mendjen e thonë: “Ta quajmë Seras a Zjarrishtë”, përsëri nuk shkon, sepse do të ngjalleshin kujtime të tmerrshme me tifozët e Naftëtarit, kur në mbarimin e një ndeshjeje, u sulën me tërbim të digjnin për së gjalli gjyqtarin tok me fubollistët e Dinamos. Nëse ia heqim Kuçovës mbaresën sllave ‘ov’, na del ‘Kuç’. Nuk mund ta quajmë as kështu, se Kuçin e kemi në malet e Kurveleshit, tek burronja nën rrepe”.

Çudi! Sllavët, kudo tek shkelën, e harruan gjuhën, humbën etninë oseu larguan, lanë një varg marramendës emërvendesh, nga Novoselë në Zagori, nga Konispol në Poliçan e plot të tjerë. Ja, ç’do të thotë të jesh mikpritës e bujar ndaj ardhacakëve që kërkonin bukë e punë, për të mbajtur frymën. Pra, profesorët tanë ç’emër t’i vinin këtij qyteti që për çudi në kohë të ndryshme ndërron emrin? Disa menduan ta quanin Plepas, disa Seras. Por, me urdhër nga larti mbeti sërish emri sllav Kuçovë. Por, çudia më e madhe e kohëve të fundit, është se Ura e Hasan Beut, më pas Ura Vajgurore e ndodhur në truall fushor me lumin Osum mespërmes, nuk do të mbajë më ato emra. sepse disa burra fort të ditur nga qeveria e pagëzuan me emër te ri Dimal, si qyteti antik diku mbi Shpirag, Pra, vizitorët do të shohin jo një, por dy Dimale, njërin mbi mal, me gropa, gurë e pluhur dhe heshtje, tjetrin në fushë me rrugë, urë, makina, lumë, shtëpi, zyra, shkolla e dyqane. Askush s’duhet të habitet, nëse edhe Beratit të njohur në histori me ndërrime emrash nga më të ndryshmit, me vendim po nga  ata burra, t’i ngjitet emri Erdogan Kasaba.

 

Portieri i Naftëtarit 

 

Në Qytetin Stalin të naftës, një ditë, ndërmjet dy djemve të rinj, plasi sherri për punë sporti, me fjalë pak si të ashpra. Njëri ishte ndihmësmjek, i transferuar atje, nga Tirana, tjetri vendas, teknik nafte. Pas fjalëve nisën të flisnin grushtet. Tre policë kureshtarë, mbështetur në mur, e shikonin ndeshjen si në sallën e boksit. Në atë dyluftim, tiranasi me goditjen e pestë, e hodhi kundërshtarin përtokë. Më pas, me urdhërrin e shefit, të dy i lidhën e i mbyllën në qeli. Ndihmësmjeku ishte edhe portier i Naftëtarit, madje i shquar në një ndeshje të bujshme, në fushën sportive të Elbasanit, ku rrjeta e tij, u shqye keqas nga topat, e futbollistëve vendas, edhe për shkak të disa vajzave elbasanase të mbledhura tufë prapa portës. Ato e qëllonin portierin, herë me guraleca, herë i tërhqnin rrjeten, duke bërtitur:

– O çuno!  Ktheje kryet!

– O çun i Qytetit, çile, çile portën!

– Gol! Gol! Gol!

 

Në zyrën e shefit

 

Të  ngujuar në qelitë e ndriçuara keq,  të dy djemtë, pritën më kot të liroheshin po atë natë. Djaloshi nga Tirana, për të vrarë kohën, disa orë i kaloi duke hedhur e kapur një top ping – pongu në tavan e nëpër mure. Por, ja, erdhi çasti e u hap dera. Njëri prej tre policëve i thirri me zë të ashpër:

-Ec me ne! Të pret shefi në zyrë!

Toger Rakip Donofrosa rrinte ulur pas tavolinës me kokën mbi bllokun e shënimeve dhe telefonin pranë. Nuk merrej vesh, flinte apo shkruante. Pas një heshtje të gjatë, ngriti ballin e gjerë.

– Hë, more portier, ulu e pëgjigju drejt pyetjeve të mia! Emrin?

– Kostandin.

– Mbiemrin?

– Vako.

– Kur dhe ku ke lindur?

– Më 1933, në Londër.

– Si the!? Po ç’deshe gjer në Amerikë ti!?

– Jo, jo, në Angli  në Londër! Atje, më lindi nëna.

– Ç’bënte jot’ ëmë atje!? – uluriti togeri. – Fol!

– Ku ta di unë!

– Kuptova! Më thuaj tani, merr vesh, e këndon apo jo gazetën e Partisë “Zëri i  Popullit”?

– Sigurisht!

– Pse ka atë emër ajo, gazeta?

– Sepse, nëpërmjet saj, populli, u thërret me zë të lartë armiqve të brendshëm e të jashtëm.

– Po tjetër? Çfarë sheh mbi kokën e gazetës?

– Draprin e Çekanin. Drapri pret, çekani godet! Armiqtë e klasës, domosdo!

– Ashtu de! Më trego tani, nga cila faqe fillon ta këndosh gazetën ti?

– Nga faqja e parë, s’do mend! Shoh kryeartikullin dhe lajmet kryesore.

– Bukur! Pastaj?

– Kaloj te faqja e dytë, te “Jeta e Partisë”.

– Vazhdo!

– E kështu me radhë! Në faqen e tretë gjej shkrime nga shendetësia, kultura, arti dhe…

– Kaq? Po qysh e merr vesh ajo koka jote se si është shtuar pambuku, misri, kupton, gruri ndër ara, kupton dhe nafta tek ne në Qytet?!

– Po si jo!

– Pastaj?

– Hidhem në faqen e katërt, te lajmet e jashtme dhe sportive.

– Aty më qëndro! Te faqja e katërt mëson gjëra ti, kupton, edhe për qytetin ku je lindur?

– Me raste.

– Si me raste!?

– Sepse kur ka raste, duhet të përfitojmë nga rastet, ka thënë Stalini.

– Si?

– Ja, për shëmbull, në Londër janë takuar Marksi dhe Engelsi.

– Ç’na përrallis, ore!? Ata qenë nga Rusia, ç’punë kishin me Londrën!?

– Jo, ishin nga Gjermnia!

– Pusho! – Për disa çaste pllakosi heshtja e plotë. Togeri, pasi u mendua, tha:

– E di, e di. Vazhdo!

– Po, ja, në “Zërin e Popullit” unë kam lexuar se në Londër, ka dalë për herë të parë Manifesti i Partisë Komuniste.

– Manifesti? Ah po, nga Stalini ynë…

– Jo, jo, nga Marks dhe Engelsi.

– Pusho! Mos më jep mësime, po përgjigjju pyetjeve të mia, kupton?  Shefi nuk desh ta ngiste më atë udhë të vështirë hetimi, ndaj, e ndryshoi kahun, u hodh te gjimnastika e mengjesit, te puna vullnetare për korrjet e vaditjen e  ullishteve me fuçi e kova. Më në fund, u  kthye te sporti.

– Më thuaj tashti, përveç Naftëtarit, me cilën skuadër  je?

– Me Partizanin.

– Pse nuk je me Dinamon?! Mos ke qenë gjë partizan?

– Jo, ç’ne unë partizan.

– Ç’lidhje ke atëherë ti, me  Partizanin?

– Po, a nuk kam qenë pionier!? Kam mbajtur në qafë shallin e kuq!

Për zënkën shefi nuk i bëri asnjë pyetje!

 

Doktor Vako në mërgim

 

Në vitet e lirisë, doktor Vako mërgoi  në Angli. Me pasaportë angleze punonte mjek në klubin sportiv londinez me emrin “West Hamer”. Skudra e futbollit e atij klubi ndodhej në vendet e para të kategorisë së dytë të kampionatit anglez. Gjatë verës ajo zhvilloi dy ndeshje miqësore në Turqi me skuadrën e mirënjohur “Fenerbahçe” të Stambollit. Ndeshja e parë përfundoi 1-1 dhe e dyta 0-0. Skuadra angleze pushoi disa ditë në një nga plazhet e bukura të Izmirit. Atje lojtarët u njohën me dynmet apo si i thonë ndryshe me hanëmet e bukura, që shkuan nga Stambolli. Lozën tenis dhe vollejboll. Nuk thonë kot “Shih Stambollin pastaj vdis”! Biondët e Londrës mandej u larguan nëpër det, për në Greqi, me anijen turistike “Olimboz”. Në Selanik vizituan Lefkopyrgon. Natën u ndeshën me skuadrën vendase, “Aris”. Rezultati: 3-0.

Doktor Kosta, pas ndeshjes, në dalje të stadiumit pati një takim të këndshëm. Një djalë me pamje rreth të tridhjetave pranë autobusit po përshëndeste futbollistët anglezë, me duart e ngritura lart.  Doktori iu afrua dhe e pyeti:

– Where are you come from?…

Djaloshi e pa i heshtur, u mendua pak dhe tha:

– Albania!

Doktorit i qeshi fytyra, e hoqi mënjanë për një kafe diku pranë. Atje i foli shqip:

– Shqiptar qenke!? Po nga cili qytet?

– Nga qyteti i Kuçovës.

–  Kuçova?! – thirri doktori me gëzim dhe i zgjati dorën.

– Edhe ju shqiptar jeni?

– Po, nga Tirana. Si të quajnë ty?

– Josif –  pas pak shtoi: Donofrosa.

–  Ç’e ke Rakip Donofrosën?

– Baba.

– Ou!  Pse, i biri i shefit qenke ti? Ç’ne,kyemër Josif?

– E kam nga babai, me atë kam çarë këtu për punë e strehim.

– Ashtuvërtetë. Po si është me shëndet babai yt tani?

– Mirë, mirë, por ca i plakur dhe i mërzitur.

– Kur ta takosh, i bëj shumë të fala nga Kostandin Vako i Naftëtarit të Qytetit! Dhe pyete, a e lexon më “Zërin e Popullit”?

 

Leximi i lajmeve

 

Doktor Vako, ndërsa pushonte në hotel, iu kujtua një ndodhi e largët e shkurtit 1975, me lexim gazete. Rrebeshi i shiut kishte vërshuar nëpër rrugët e Tiranës. Era përplaste shiun e rrëmbyer në trupat e kalimtarëve. Çadra nuk kishte më asnjë vlerë. Ftohtë. Doktori i lagur qull u gjend në rrugën e Durrësit. Në shtëpinë e Naimit pa dritë. Tha me vete: “Sa të ulet  tërbimi i motit, po ngjitem pak lart”.

Në katin e tretë trokiti fort.

– Kush është?

– Hape! Jam unë!

– O, kush paska ardhur! Kosta! Nga bredh kështu nëpër këtë kiamet! Qenke bërë ujë!

Miku, pa përshëndetur, la çadrën afër derës, u përkul dhe zbathi këpucët. Pardesynë dhe xhaketën qull i vari në korridor dhe zuri vend në kuzhinën e ngrohtë. I mbërdhirë, edhe pse pranë sobës valë, thoshte i hutuar:

– Oh, çfarë rrebeshi! Ujërat e turbullta të kanaleve kanë shpërthyer lart. Lana ka dalë nga shtrati. Tirana  po mbytet!

I zoti i shtëpisë i hodhi  në gotë çaj mali me pak sheqer.

– Pije të ngrohesh! – i tha.-Dhe, për t’u qetësuar, merre ketë gazetë. Ka lajme të reja.

Kosta e pa në sy, pastaj nisi të shihte lajmet, radhë pas radhe.Në faqen e parë, në kryeartikullin me autor Brigata e Shtypit shkruhej: “Byroja dhe Sekretariati i KQ të PPSH bëjnë thirrje për fitorje të reja”. Pastaj brodhi sytë lartë poshtë. Ktheu faqet në vijim e u befasua prej lajmeve për jetën e popullit në qendër e në rrethe, për arritjet nga puna në industri e bujqësi. Kudo rendimente të larta, thyerje normash e zotime! Më tej me një farë kënaqësie hapi faqen e katërt. Lajme nga bota: nga Fronti i Fukienit. Krizë e rëndë financiare në Japoni. Falimentim bankash amerikane. Kolaps ekonomik në Europë. Greva të fuqishme në Italinë e veriut. Bota kapitaliste në prag të katastrofës”. Doktorin e kapi papritur diçka, si turbullirë.

– Të lutem, një gotë, por jo çaj! Ujë, ujë të ftohtë! – Piu me një frymë dhe iu kthye sërish gazetës. Për të larguar shqetësimin, hodhi sytë te rubrika sportive. Në lajmet për futbollin lexoi: “17 Nëntori i  Tiranës në prag të ndeshjeve për turin e parë për kupën e Europës, në këtë vapë të nxehtë korriku, po kalon pushimet në plazhin e bukur të Durrësit, në ajrin e pastër buzë detit, me stërvitje të shumta, vrapime, vollejboll  dhe futboll  me porta të vogla”.

– Ç’dreqin bëhet kështu me këtë gazetë? – thirri. –  E kthehu me vrull në faqen e parë.  I befasuar pa: “Zëri Popullit”, organ politik i PPSH, n.350 (8888877…),  20 korrik 1965!

Naimi buzëgaz, iu qas dhe e pyeti:

– Hë, doktor! Si t’u dukën lajmet?

Befas jashtë dritares vetëtiu, shkrepi rrufeja dhe më pas u dëgjua, diku afër bubullima pak si e zgjatur…

Please follow and like us: