Albspirit

Media/News/Publishing

KASTRIOT ZOTAJ, NJERIU FISNIK E BUJAR I LABËRISË QË RREZATONTE MIRËSI

 

 (In Memoriam për Kastriot Zotaj, birin e Ramicës, njeriun fisnik që rezatonte tiparet më të mira labe, i cili u nda nga jeta të enjten më 8 korrik 2021. Ai ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit njeri fisnik në shpirt, me zemër të madhe, vëllazëror, miqësor e shoqëror, ishte dhe mbeti një emër i njohur i mirësisë njerëzore si dhe kontribues i shquar i farmaceutikës shqiptare).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Të trashëgosh mirësinë dhe fisnikërinë ramiciote

Largimi nga jeta është humbje e madhe dhe e rëndë për familjen e shoqërinë, sikurse është humbje e një mirësie dhe dashurie njerëzore. E tillë ishte përjetimi i peshës së e rëndë të ikjes së njeriut tonë të dashur, të Kaçit tonë të shtrenjtë. Vëllai i tij, Profesor Bernard Zotaj do të njoftonte këtë lajm të dhimbshëm me fjalë zemre: “Lamtumirë vëllai ynë i dashur Kastriot! Rrugëtim sa të të qetë drejt parajsës! Qofsh i bekura zemërbardhi dhe shpirtmiri vëlla që një jetë të tërë na u bërë krah, por na ike kaq shpejt!”. Edhe pse vapë përvëluese korriku janë me qindra e mijëra të njohur që do donin të ishin në ceremoninë e pritjes dhe homazheve familjare, sepse i tillë ka qenë shpirti i gjerë i burrit të nderuar, që në një jetë dinjitoze bëri shokë e miq me fisnikërinë dhe dinjitetin e familjes nga rridhte oxhaku i Zote. Përcjellja e Kastriot Zotos është dhimbje e trishtim i gjerë, një dhimbje nga Ramica e në të gjithë Shqipërinë, sepse e tillë ishte mirësia që ky burrë i fisëm krijoi në jetë. Dinjitetin dhe krenarinë fisi e ka të trashëguar dhe të kultivuar në breza. Prandaj dhe familja dhe fisi që e ka të shkruar njerëzillëkun në ballë, e trashëgon dhe sot. Kastrioti lindi në kohë lufte dhe jetën e përfundoi në këtë situatë pandemike si në luftë. Ai ishte biri i madh i një familje të madhe, që ja rriti më tej emrin, dinjitetin dhe krenarinë jo vetëm vatrës ku lindi, por mbarë krahinës. Prandaj edhe dhimbjen e la të madhe. Fisit dhe familjes së madhe Zotaj madhështinë nuk ja jep vetëm numri i anëtarëve, vëllezër e motra, por vlera jetësore e jetës së jetuar, krenaria që e ushqeu që në fëmijëri dhe dhuntitë e një biri që mbështetet fort në traditë dhe krijon edhe vetë traditë e miqësi, krijon dashuri njerëzore dhe ngelet si një lis rrënjëfortë në kujtesën e brezave. Përcjellja dhe lamtumira për një burrë fisnik si Kastriot Zotaj flet për atë që ai krijoi një epokë, një mal të mirësisë e bujarisë, që nuk mund të fshihet kurrë nga kujtesa njerëzore, vëllazërore, shoqërore e miqësore, sepse ai ishte nder, krenari dhe burim mirësie për këdo që e ka njohur.

*

Oxhaku i Zote në truallin e trimërisë, lavdisë, mënçurisë dhe punës së ndershme

Vatra e Zotajve është e shquar për trashëgiminë e madhe shekullore të bijëve e bijave që kanë bërë emër të mirë në fshat dhe në krahinë. Të parët e kësaj vatre të zjarrtë janë shquar për trimëri, mençuri, ndershmëri dhe atdhetari të lartë. Atje në Ramicë të Smokthinës lindën dhe u rritën ëndërrat e shumë bijëve që shkruan histori. Në Smokthinë fisi Zotaj është mjaft i njohur dhe pjesë e historisë. Rrjedhat e historisë së Smokthinës dhe Ramicës trashëgohen dhe sot në damarët e ramiciotëve. Janë të njohur burra të shquar të pushkës, të kuvendeve dhe trimërisë si Zoto Mahmuti, Dule Zotaj, Zaçe Xhelo Zotaj, Rakip Zotaj, Zoto Rakipi, Fato Zotaj dhe Sadik Zotaj etj. Në Ramicë lindi edhe babai i Kastriotit, Hiqmet Zotaj (1915-2003), organizator i qendrës aktive të Smokthinës, pjesëtar aksionesh e luftimesh në Luftën e Dytë Botërore në zonën e Vlorës, Jonufër, Gjorm, Selenicë, Brataj, Ramicë etj., ku u shqua për guxim, trimëri dhe aftësi organizuese luftarake. Gjatë lufte dhe pas çlirimit me Hiqmeti dhe Sibe Zotaj lindën dhe rritën dhjetë fëmijë, gjashtë djem Kastriot, Ëngjëll, Gjon, Shpend, Naim dhe Bernard, si dhe katër vajza Tatjana, Evelina, Shaze dhe Argjiro. Një unitet vëllazëror shembullorë, sepse ata janë si maksima që shpreh mirësinë prindërore “dardha bie nën dardhë”. Kastriot Zotaj lindi në fshatin Ramicë të Vlorës më 7 maj 1943. Ai u rrit dhe u edukua në një familja me tradita patriotike dhe zakonore labe. Prindërit e tij, Hiqmeti dhe Sibe Zotaj ishin patriot dhe veteranë të LANÇ-it, njerëz të thjeshtë e të respektuar në Ramicë dhe mbarë krahinën. Familja e Zoto Rakipit ishte nga ato famije fisnike që në Labëri u thoshin “bukëdhënë”. E mbi të gjitha arsimin e bënë objektiv themelor për të gjithë bijtë dhe bijat e tyre, duke i dhënë një dimension mençurie jetës. Me përfundimin e shkollës 7 vjeçare “Sadik Zotaj” në vitin 1956, Kastrioti ndoqi Politeknikumi Mjekësor të Tiranës të cilin e përfundoi në vitin 1961. Pas përfundimit të Politeknikumit në vitet 1961-1966, ka kryer detyrën e ndihmësmjek-farmacist në Korpusin e Dytë të Këmbësorisë në Gjirokastër, që më vonë u quajt Divizioni “Labëria”. Thënia filozofike sokratiane, se “padituria është zanafilla e të gjitha të këqijave”, e orientoi Kastriotin dhe gjithë Zotajt drejt arsimimit, drejt kulturës dhe drejt të mirave në jetë. Kështu në vitet 1966-1970, kreu Univeristetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Farmaci. Në vitet 1970-1974 kreu detyrën e mjek farmacistit në Brigadën e Nëndetësve në Pashaliman, Vlorë. Në vitet 1974-1977, kreu detyrën e shefit të farmacive në Bazën e Depove të Ushtrisë në Tiranë. Ndërsa Shkollën e Lartë e Partisë e ka përfunduar në vitin 1984. Jeta e rrahu me probleme nga më komplekset, por mënçuria dhe korrektësia e tij bëri që t’u jepte zgjidhje sipas zhvillimeve të kohës. Në vitet 1977-1992, ka kryer detyrën e sekretarit të byrosë, si dhe shef i farmacisë së spitalit ushtarak sikurse quhej në atë kohë në Institutin e Kërkimeve Mjekësore Ushtarake në Tiranë, Spitali Ushtarak. Ndërrimi i sistemeve e gjeti Kastriotin në një udhëkryq, por ai diti ta sfidojë kohën dhe të krijojë biznesin farmaceutik, duke u bërë shmbull dhe udhërrëfyes edhe për mjaft shokë e miq të tij. Në vitet 1992-2014 ka qenë President i Firmës Farmacuetike “Avicena”, Sh.p.k, Tiranë, obligim që e bëri mjaft të njohur në Shqipëri, aktivitet që e mbajti vetë deri në vitin 2014, kohë kur ka dalë në pension pleqërie. Kastriot Zotaj ka kaluar një jetë të lumtur bashkëshortore pasi u martua me mësuesen Lutfie Malaj nga Ramica, me të cilën lindën, rritën, mirëedukuan dhe shkolluan Elsën dhe Henrikun, të cilët kanë përfunduar universitetin dhe sot punojnë denjësisht në profesionin vajza mjeke dhe Henriku farmacist, duke ndjekur rrugën e të atit. Familjet e Oxhakut të Zote e kanë rrënjën atje në Ramicë, në shtëpinë e Zote, që Kastrioti rikonstruktoi më 2005-2007 në vatrën e të parëve duke u bërë baba dhe vëllai i madh, por edhe u doli për zot fisit të Zotajve. Një vlerësim dhe mirënjohje për prindërit dhe të parët, nga nisi rrugëtimi për t’u bërë diçka në jetë, që në fakt e justifikuan me mençuri të ardhmen.

*

Epoka e re e farmaceutikës dhe kryesuesi i saj

Periudha e ndryshimeve politike në Shqipëri e gjeti Kaçin në Spitalin Ushtarak në detyrën e shefit të farmacisë së IKMU-së. Por reforma ushtarake e fshiu dhe e çoi në asistencë edhe të aftët që rrezatonin përkushtim në detyrë, ndërkohë që viti 1993 ishte edhe viti kur shërbimi farmaceutik do të privatizohej. Njeriu i mirë Kastriot Zotaj që i kishte vënë shpatullat punës që i ri, nuk i trembej syri edhe në këtë situatë krejtësisht të re dhe të panjohur për të. Ai mbartëte eksperiencën e punëve në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, të Pashalimanit dhe më tej dhe në Tiranë. I prirë nga inisiativa dhe vetëm me 300 dollarë mori guximin të çante në detin e së panjohurës për të krijuar një depo farmaceutike, ku edhe jashtë shtetit dilte për herë të parë në Bullgari. Fillimisht me bashkëpronësi hapi depon farmaceutike “Tirana” dhe më tej tek “Avicena”. Ai guxoi me inisiativë të lidhet me shumë firma të tjera farmaceutike në Bullgari, Austri, Angli, Itali, Gjermani, Francë etj. Fitoi miq e dashamirës dhe punoi me korrektësi duke e zgjeruar biznesin farmaceutik dhe duke i dhënë emër atij. Në rrethin vëllazëror ishte në këmbë të babait si më i madhi i djemve të familjes së madhe të Hiqmet Zotos. Autoritetin e ka pasur gjithmonë, por që erdhi në ngritje dhe konsolidim të plotë sepse edhe preokupimi ishte gjithnjë e më i pranishëm në jetën e Zotajve. Kastriot Zotaj ishte zot i mendimit dhe veprimit, si dhe garant e frymëzues për shokë e miq që shkelën në këtë rrugëtim të vështirë. Ai ja ka lehtësuar punën farmaceutikës shqiptare, si syri i pagjumë i biznesit farmaceutik, e ka bërë të njohur dhe të respektuar, ka mundësuar shkëmbim përvojash farmacuetike brenda dhe jashtë vendit, edhe si pjesëmarrës në mjaft kongrese dhe takime kombëtare dhe ndërkombëtare, ka qenë gjithashtu drejtor i Bordit të Revistës “Farmacisti” për dhjetë vjet rresht, nga viti 2004-2014. Puna në farmaceutikë, ka qenë një jetë më vete dhe plot ngarkesë, që ka ditur ta drejtojë me kopetencë profesionale, duke u orientuar drejtë në një fushë të re dhe me të papritura. Kastriot Zotaj la gjurmë në farmaceutikë edhe si lider e drejtues konkret të kompanive të mëdha, duke u përkujdesur që edhe importi i barnave, të kishte zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë për të gjithë grosistët duke eliminuar humbjen e kohës. Zgjidhjet ligjore pas miratimit të ligjit të ri të barnave, u përshtatën dhe azhornuan edhe me mjaft akte juridike që u vinin në takim distributoreve dhe grosisteve farmaceutikë. Importi i barnave, plotësimi i dokumentacionit dhe mjaft procedura të tjera kanë qenë objekt pune për lehtësim procedurash. Kryetari i Shoqatës së Distributoreve Farmaceutike Shqiptare, Kastriot Zotaj ju dha rrugëzgjidhje dhe krijoi lehtësi përmes fjalës së mençur dhe sensit bashkëpunues, diskutimeve me Komisionin e Shëndetësisë, etj. Kastrioti e dinte mirë filozofinë e Sokratit, se “Ligjet janë babai dhe nëna ime”, prandaj dhe jetën personale dhe shoqërore, por edhe veprimtarinë e kanalizoi në korsinë ligjore të zgjidhjeve dhe zgjedhjeve, për vete dhe për shoqërinë, duke orientuar plotësisht veprimet e veta dhe të shoqërisë farmaceutike drejt së mirës, sipas rrugëve e rregullave ligjore, për të qenë të sigurt sot e mot, dhe me këtë ndershmëri kultivoi dhe tek brezat. Ai punoi fort që të eleminonte konfuzionin në barna dhe eleminimin e burokracive duke i dhënë frymëmarrje tregut farmaceutik. Fakt është se frytet e punës i gëzonin të gjithë. Ai diti të ngrihej fuqishëm mbi labirintet e errëta dhe plot kaos të fillimit të tranzicionit në Shqipëri, me mençuri, si një pishtar udhërrëfyes për miq e shokë, që flakërojnë në momente errësire duke treguar rrugën, kthesat dhe piketojnë drejtimin e lëvizjes, një udhërrëfyes në kohë të vështira. I tillë ishte dhe mbeti Kaçi ynë, që dritëronte në kohë të vështira, i mirënjohur në rrethet farmaceutike, i dashur nga gjithsecili, që ndizte dritë edhe në netët me errësirë duke ushqyer suksesin në funksion të misionit të përparimit e progresit. Botën e madhe shpirtërore e provoi me vepra. Kastrioti ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit njeri i shtrenjtë, ndërkohë që rrugën e çau vetë me aftësi të spikatura, dhe më tej nuk vendosi kufij në mirësinë që krijoi dhe dashurinë njerëzore që dhuroi, me të gjitha mënyrat dhe format. Ai ishte një njeri guximtar, një luftëtar që nuk e humbi kurrë qetësinë në vorbullën e jetës, duke ruajtur ekulibrat në gjetjen e vijës së mesit të artë. Hallemëdhenjtë kishin gjetur tek Kaçi vëllain, shokun, mikun, bamirësin, babaxhanin dhe dhuruesin, prandaj dhe nderimi, respekti dhe mirënjohja për të nuk ka kufij. Ai ishte dhe mbeti një një burrë i madh në trup dhe në shpirt, nga një zemër e madhe që rrahu fort, denjësisht, krenarisht, vëllazërisht e shoqërisht, një emër i njohur i farmaceutikës shqiptare. Krahas punëve në farmaceutikë trashëgimia e atdhetarisë në breza e ka bërë Kastriotin të ishte aktiv edhe si veprimtar shoqëror, duke kryer me dinjitet edhe detyrën e Nënkryetarit të SHKA “Labëria”, “Nderi i Kombit”, duke e parë frymën kolektiviste e humaniste, por dhe me bujari ka sponsorizuar dhjetra aktivitete të kësaj shoqate me emër në Shqipëri. Kastriot Zotaj ishte plot force, energji dhe optimizëm, mendim dhe veprim pozitivist në përditshmërinë e jetës, në rrethin e gjerë shoqëror e miqësor, që gdhendi mbresa me sinqeritetin dhe qëndrimin e dashur vëllazëror. Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës vëllai i madh, baba e gjysh shembullor, gjithmonë me rreth të gjerë miqësor e shoqëror, burrë i besës që i peshonte fjala rëndë, misionar shprese në jetë, melhem për hallet e dertet njerëzore, një portë e hapur për miq e dashamirës, që i dha emër dhe e bëri më të njohur vëndlindjen e tij të dashur Ramicën, por edhe më gjerë Smokthinën dhe Labërinë. Edhe pse u shua fizikisht ai do të jetojë në kujtimin e vëllazërisë, shoqërisë dhe miqësisë së gjerë. Bota shpirtërore e tij rron e pulson me të gjallët sepse njerëzillëku dhe dashamirësia e shpirtëzimi njerëzor jeton me krenarinë e përligjur dhe dinjitetin e jetës që shkroi në dekada. Për familjen Kastrioti ishte timonier i denjë, për vëllezërit e motrat një vëlla dhe baba i denjë, për shoqërinë, një shok e mik për kokë, për fshatin e tij një babaxhan shpirtbardhë që dhuronte dhe vetëm dhuronte mirësi, një zgjidhësh hallesh e brengash njerëzore, për farmaceutikën shqiptare një udhërrëfyes suksesi që nuk do të harrohet kurrë, për tavolinat vëllazërore e shoqërore gjithmonë një kryetar dollie dhe kryetar mirësie. Nuk është e rastit, që përcjellja e Kaçit tonë u bë me duartrokitje, por edhe me një këngë elegjike, dedikim i posaçëm me vajtim burrëror nga mjeshtri i madh i polifonisë Tomor Lelo, që preku dhe mallëngjeu pjesëmarrësit në përcjelljen mortore: “Të qamë të gjithë me lot,/dhe zemra ime më thotë:/Kaço o vëllai ynë,/Sot sapo mbyllë synë,/Fli i qetë tek kjo lëndinë,/Shpirti ytë në Smokthinë,/E në këto ditë korriku,/Na shket loti nga qerpiku,/Se vëlla Kaçua na iku,/Shtatë breza sua fisniku,/O vëlla dhe shokë i rrallë,/Të kishim kudo në ballë,/Në vllezëri dhe në mëhallë,/O biri Labërisë së rrallë,/O biri i Smokthinës tonë,/Nuk të harrojmë gjithmonë,/Lamtumirë o Kastriot,/Sër e situr smokthinjotë,/Iku biri i Zote, shkoi te’ zot,/Lamtumirë o vëlla Kastrioti”. Monumentet folklorike në lëvizje janë të rrallë sepse udhëtojnë në epika, elegjike dhe elegjia ishte krijim nga thellësia e zemrës së Labërisë. Kushdo që ka njohur dhe takuar Kastriotin ka parë një familjar të përkushtuar, një njeri thelbësisht në gjithë qënien e tij njerëzor, me tipare të afrueshme me njerëzit e thjeshtë dhe gjithmonë i papërtuar, i prokupuar, i vëmëndshëm ndaj halleve e shqetësimeve të shokve, miqve, vëllezërve e motrave, një njeri i vërtetë me tipare të dashura njerëzore.

*

Vlerat njerëzore dhe vlerësimet nuk ka “metër” t’i matë me dekorime

Puna dhe përkushtimi në një jetë të tërë ka qenë e dalluar dhe përkushtimi tepër sinjifikativ. Prandaj dhe njerëzit e mirë, thotë një maksimë e popullit, “i thërret perëndia” pranë. Për punën dhe përkushtimin në jetë Kastriot Zotaj është vlerësuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Medaljen e Punës, Medaljen për shërbim të mirë të Popullit, me Urdhrin e Shërbimit Ushtarak Klasi III. Dekorimet, urdhërat, vlerësimet nuk janë një stoli njerëzore, por një vlerë mbi një punë plot devocion. Evidentimin e saktë të meritave e ka bërë Prof. Bernard Zotaj në librin e tij kushtuar Kastriot Zotaj, “Shpirti i brezit të gurtë”, të shkruar me thjeshtësi dhe shumë dashuri, por me mjaft vlerë në vitin 2012. Për punë të dallueshme ai është vlerësuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Medalja e Punës, nr. 4446, datë 10.10.1968 me motivacion: “Është dalluar në punë për ndërtimin e Rrugës së Malësisë së Madhe. Ka realizuar dhe tejkaluar normat e punës dhe ka marrë pjesë gjallërisht në aktivitetet e organizuara për edukimin e rinisë”, me Medalje për shërbim të mirë të Popullit, nr. 5586, datë 31.05.1977, me motivacion: “Për punë të ndërgjegjshme dhe shërbim të pritjes së popullit dhe shërbimit të sëmurëve. Dallohet për aktivitete shoqërore”, me Urdhrin e Shërbimit Ushtarak Klasi III, nr. 7140, datë 25.07.1987. Kastriot Zotaj është nderuar me titullin e nderit me vendim të Forumit të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, datë 20.11.2006 i jepet titullin “Mirënjohja e Labërisë”, me motivacion: “Një ndër figurat kryesore drejtuese të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, me kontributin e tij intelektual e veçanërisht me mbështetjen e vijueshme ekonomike, ka kontribuar ndjeshëm në mbarëvajtjen e funksionimin e shoqatës “Labëria”, në realizimin e misionit të saj për ruajtjen e transmentimin e vlerave më të spikatura ardhetare e kulturore të treves së Labërisë”. Ndërsa me vendim të Këshillit të Qarkut i jepet titullin “Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë”, me Prot. 22, datë 22.6.2009, me motivacion: “Biznesmen me vlera humanitare e demokratike”. Ndërsa Shoqata Kulturaore Atdhetare “Labëria”, në vitin 2006 e ka nderuar me titullin “Mirënjohja e Labërisë”. Tre vjet më vonë më 2009, Këshilli i Qarkut Vlorë i ka akorduar titullin “Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë”, me motivacion: “Biznesmen me vlera humanitare e demokratike”. Më 30 prill tëvitit 1970 në gazetën “Studenti” në rubrikën “Të ecim në gjurmët e më të mirëve”, është publikuar shkrimi “Këtu ka jetë…”, që i kushtohet shembullorit Kastriot Zotaj. Në gazetën “Panorama” më 13 prill 2007, nga Kreu i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë është publikuar intervista me titull “Lista e rimbursimit duhet të hartohet nga shkencëtarët”, sikurse janë publikuar edhe mjaft shkrime të tjera si “t’u këndoftë zemra o Kastriot Zotaj”, “Kastriot Zotaj, i bekuar nga Zoti”, etj. Ai ishte dhe mbeti mal mirësie dhe gjithë familjarëve u la mbrapa gjënë më të shtrenjtë, krenarinë dhe dinjitetin njerëzor, la mbrapa një dashuri njerëzore shoqërore e vëllazërore të pamatë. Prandaj ai nuk është shuar sepse vatra e Zotajve, qëndron përherë ndezur e prushëzuar me shumë shokë, miq e dashamirës në të gjithë anët e Shqipërisë. Ai ishte dhe mbeti mirësia e familjes dhe vëllazërisë, fshatit Ramicë, Labërisë, shoqërisë, kombit. Është shuar një vlerë e lartë shoqërore që nuk harrohet lehtë. Kujtimi i labit të mençur Kastriot Zotaj, që në jetë shkroi histori suksesi do të jetojë gjatë në shokë miq e vëllazëri, në shoqërinë e gjerë, në Ramicë dhe në të gjithë Labërinë. Ai ishte mirënjohja e brezit që jetoi dhe personalitet i shquar i Labërisë, mali i mirësisë dhe fisnikërisë njerëzore, prandaj edhe përkujtimi i tij është i përjetshëm.

 

Please follow and like us: