Sylë UKSHINI: Personalitete ndërkombëtare në përkrahje të Kosovës
Ndërsa aeroplanët e NATO-s fluturonin në pranverën e 1999 mbi qiellin e Serbisë duke bombarduar makinën ushtarake të Milosheviqit, në faqet e shtypit botëror ishte ndezur debati i paparë. Si asnjëherë më parë në debat ishin përfshirë emra të njohur botëror: filozofë, shkrimtarë, gazetarë dhe politologë, si Adam Micnik, Michael Ignateff, Misha Glenny, Noel Malcolm, Shimon Peres, Salman Ruzhdi, e të tjerë, të cilët dolën në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Në vazhdim po japim disa pasazhe të intelektualëve botëror për luftën e Kosovës:
- Mario Vargas Llosa( shkrimtar nga Peruja)
NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjen në Jugosllavi, por për faktin që këtë ndërhyrje duhej të kish kryer këtu e dhjetë vjet të shkuara, si dhe për gabimin e bërë duke shpallur se përjashtonte çdo ndërhyrje tokësore. Të gjitha këto i ndezën dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin për spastrimin etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer përgjatë këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitler, ose me depërtimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte vendosur në synimin e vet për të rusifikuar Bashkimin Sovjetik. Siç ka shkruar Alain Finkielkraut, lufta në Kosovë ka nisur më 1989.
2. Adam Micnik (filozof dhe disident i njohur polak)
Sot Serbia është e izoluar nga bota, e përshkruar si vend që kryen spastrim etnik dhe që për këtë bombardohet nga avionët e Paktit të Atlantikut. Askush s’mund të jetë objektiv kur i duhet t’u fshihet bombave. Vetëm në këtë situatë mund të kuptohet dëshpërimi; pak edhe krenaria serbe që nuk pranon asnjë ide për kapitullim. E megjithatë, nuk do të jetë e largët dita kur serbët do t’i bëjnë vetes pyetjen: si vallë ndodhi kështu që në dhjetë vjet Serbia humbi pothuaj gjithçka. Jugosllavia u thërrmua, në Kroaci gati nuk ka serbë, u humb lufta në Bosnjë, Maqedonia është e pavarur, kurse pamjet për të mbajtur Kosovën nëpërmjet një spastrimi etnik mizor, paralajmërojnë më tepër disfatën. (…) Sot shansi i Serbisë është ta humbasë sa më shpejtë këtë luftë. Kjo është rruga që do ta çojë Serbinë demokratike në Evropën demokratike.
3. Ralf Dahrendorf (filozof dhe politikolog anglo-gjerman)
Çështja e Kosovës mbeti pezull (Dejton). Teksa regjimi i Milosheviqit vuri në lëvizje në mbarë Kosovën “spastrimin etnik” dhe masakrimin e kosovarëve me origjinë shqiptare, arritëm në një pikë në të cilën duhej të thoshim: “Mjaft më”! Sipas mendimit tim, nëse fjalët Perëndim dhe Evropë e kanë një domethënie, ndërhyrja ishte e domosdoshme dhe e përligjur. Lufta në Jugosllavi na zbulon shumçka për Evropën. Ka vend për të dyshuar se, pa NATO-s, ose më mirë pa presidentin Klinton dhe Shtetet e Bashkuara, Evropa nuk do të kishte kaluar përej një pragu të caktuar.
4. Jürgen Habermas (filozof gjerman)
Lufta e Kosovës prek një çështje themelore, të rrahur edhe në lëmin e politologjisë e të filozofisë. Një prej meritave të mëdha civilizuese të shtetit kushtetues demokratik, ka qeneë kufizimi juridik i pushtetit politik mbi bazën e sovranitetit të subjekteve të njohura nga e drejta ndërkombëtare, ndërsa shteti i qytetarisë universale vë në diskutim pikërisht këtë pavarësi të shtetit kombëtar. “Nëninstitucionalizmi” i të drejtës së qytetarisë universale shprehet për shembull në gërshërën mes legjitimitetit dhe efikasitetit të ndërhyrjes për të siguruar e nxitur paqen. OK për shembull e kishte deklaruar Srebrenicën një enklavë të mbrojtur, por trupat e vendosura aty legjitimist nuk mundën ta ndalin masakrën e tmerrshme që pasoi futjen në qytet të trupave serbe. Nga ana tjetër NATO mund t’i kundërvihet me sukses qeverisë jugosllave, pikërisht sepse ka hyrë në veprim pa legjitimitetin që Këshilli i Sigurimit do t’i refuzonte.
5. Hans Magnus Enzesberger (poet dhe eseist gjerman)
Sa për problemin e së drejtës ndërkombëtare, ka gjithnjë një zgjidhje të thjeshtë. Prej vitesh shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur me një shumicë dërmuese, një parlament dhe një qeveri. Pse nuk njihet kjo e fundit nga vendet e NATO-s? Mes luftës që bëjnë serbët dhe asaj që bën NATO në Ballkan ekziston një dekalazh prej 400 vjetësh. Cilido që dëshiron të krijojë një ide për plaçkitjet, masakrat dhe mizoritë e kryera nga ushtarët serbë s’ka nevojë të shohë CNN-n, por të lexojë rrëfimet e luftës tridhjetëvjeçare (1618-1648).
6. Vaclav Havel (disident, dramaturg dhe president i Çekisë)
Për sa i takon ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, mendoj se ka një element që askush nuk mund ta kundërshtojë: sulmet, bombat nuk u provokuan nga ndonjë interes konkret. Ato kanë pra, njl karakter tërësisht humanitar. Në lojë këtu janë parimet, të drejtat njerëzore, të cilave iu është dhënë përparësi edhe në raport me sovranitetin e shteteve. Pikërisht kjo e bën të ligjshëm sulmin ndaj Federatës Jugosllave, qoftë edhe pa mandatin e OKB-së. Kërkesa themelore sot është si mund të ndalen masakrat, që refugjatët të kthehen lirisht në shtëpitë e tyre, që të hapet nga dikush cikli i negociatave për statusin e Kosovës.
7. Gabriel Garcia Marcquez( Kolumbi, lauret i Çmimit Nobel për Letërsi)
Sot është e qartë se Kosova nuk është pjesë e çfarëdoshme e botës, por një nga qendrat e saj nevralgjike, dhe agresioni që ajo ka pësuar, ka mundësi shtrirjeje të frikshme dhe të paparashikueshme.
8. Eric J. Hobsbawn (filozof dhe historian britanik)
Duke filluar nga viti 1989 janë shfaqur përsëri luftërat, shpërnguljet e dhunshme dhe masakrat. Problemet e nacionalizmave të Evropës Juglindore nuk zgjidhen as me terrorin serb në Kosovë, as me luftën e NATO-s, as me një politikë që duket se nuk pranon zgjidhje diplomatike dhe, në rastin më të mirë, lidh armëpushimin me pushtimin e territoreve “që i nënshtrohen pastrimit etnik” nga forcat e huaja ushtarake.
9. Artur Miler (SHBA, dramaturg)
Për luftën kam një bindje, disa pavendosmëri dhe shumë pyetje. Bindja është se Milosheviqi është një nga kriminelët më të mëdhenj të këtij shekulli. E gjithë veprimtaria e tij, nga Vukovari e Sarajeva e deri në Kosovë është veprimtaria e një njeriu të paaftë qoftë edhe për të kuptuar gjëmën që ka shkaktuar. Me pak fjalë, nuk më pëlqen lufta. Por nuk më pëlqen as paqja e Milosheviqit sepse është një paqe për ne, që të çlirohemi e të shpëtojmë nga ankthi i luftës. Për gratë, fëmijët dhe burrat e Kosovës, kjo paqe quhet “liri e masakrës”.
10. Bernard-Henry Levy (Francë, filozof i njohur francez)
Sipas meje kjo luftë mbërrin me tetë vjet vonesë. Milosheviqi është dashur të dënohej dhe të pengohej për dëmtuar qysh prej tetë vjetësh. Tetë vjet, të cilat kanë shënuar shkatërrimin e qyteteve, qindra, mijëra të vdekur, një shkatërrim i paparë në Evropë qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Në Kosovë paqja e muajve të fundit është paqe e varreve kolektive. Një paqe kjo, që duhet hedhur poshtë me vendosmëri. Unë nuk e kuptoj qëndrimin atyre që kërcejnë përpjetë si keca duke përsëritur: paqe, paqe, paqe, pa pyetur se me çfarë krimesh paguhet ajo.
11. Paskal Brukner (shkrimtar francez)
“Me të hedhur NATO-ja bombat e para mbi Republikën Federative të Jugosllavisë , u zgjua një nga pasionet më të hershme të inteligjencës dhe të klasës politike franceze: antiamerikanizmi. Sot me kafshërinë e saj propaganda serbe duke vendosur një kryq të thyer sipër flamurit amerikan, duke e krahasuar Clinton-in me Gitlerin, Chiracu-un me Musolinin. Ndoshta është për të ardhur keq që evropianët nuk kanë një strukturë mbrojtëse të tyren, por tani për tani ekziston vetëm NATO-ja dhe tek ajo duhet mbështetur.
12. Daniel Cohn-Bendit (Filozof dhe deputet i Parlamentit Evropian)
Unë e urrej luftën, siç e urren pacifisti më parimor, veç kam tmerr të qëndroj i pafuqishëm përpara masakrave. Por masakrat në Kosovë nuk pritën ndërhyrjen e NATO-s. Përkundrazi, ngaqë trupat serbe po masakronin, ngaqë në mes të bisedimeve Milosheviqi po futej me trupat e tij në Kosovë, NATO-ja hyri në veprim. Ata që kërkojnë ndalimin e bombardimeve, çka varet nga ne, dhe të drejtën e Kosovë për vetëvendosje, çka varet nga Milosheviqi, duhet të thonë gjithashtu ne ç’mënyrë shpresojnë t’ia imponojnë atij. Unë nuk shoh tjetër zgjidhje veç futjes së një force ndërhyrjeje, ose braktisjen e kosovarëve në duart kriminale të Milosheviqit.
13. Carlos Fuentes (Shkrimtar i njohur meksikan)
Nëse një tiran si Sllobodan Milosheviqi do të shkelte ligjin e brendshëm, duke mos pranuar të respektojë identitetin shqiptar në Kosovë dhe duke zbatuar një politikë gjenocidi në emër të sovranitetit të shtetit serb, a duhet, ose a mundte komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë, apo duhet të rrijë duarkryq, A duhej të ndërhynte komuniteti ndërkombëtar kundër Gjermanisë naziste kur Hitleri filloi politikën e tij të shfarosjes së çifutëve, shumë më herët sesa 1939-a, kur shpërtheu konflikti botëror? A do të mundtë shpëtoheshin kësisoj gjashtë milion jetë njerëzish?
14. Umberto Eco (shkrimtar dhe filozof italian)
Sot nuk ka më ekuivoke, Italia dërgon avionë në Serbi, por mban marrëdhënie diplomatike me Jugosllavinë, televizionet e NATO-s u komunikojnë çdo orë serbëve se cilët avionë të Aleancës po nisen nga Aviano, agjentët serbë mbështesin arsyet e qeverisë kundërshtare nga ekranet e televizorëve të shtetit e organeve lokale. Duhet ndërhyrë kundër krimit të nacionalizmit serb, por ndoshta lufta është një armë e zhveshur.
15. Alain Finkierkraut (filozof francez)
Ndërhyrja e NATO-s ishte e pashmangshme, pra është krejt e çuditshme të duash t’i kundërvësh sot rrugës ushtarake, atë politike. Duhet shtuar se koha nuk priste. Ushtria jugosllave prej disa javësh ka ndërmarrë spastrimin etnik në luginën e Drenicës. Ushtarët serbë sulmojnë fshatrat, dëbojnë banorët, djegin shtëpitë, shpërndajnë bagëtitë. Strategjia serbe qëndron në përgatitjen e ndarjes së Kosovës dhe skenari më i keq do të ishte po t’i shihnim perëndimorët ta pranonin këtë ndarje, me ëllim që në këtë luftë të mos e duhet të përdorin trupat në tokë.
16. Susan Sontag (Shkrimtar amerikan)
Jetojë në skaj të Evropë së NATO-s, vetëm disa qindra kilometra larg nga kampet e refugjatëve n Durrës, Kukës dhe Bllacë. Disa qindra kilometra larg nga vuajtja më e madhe njerëzore në Evropë pas Luftës ës dytë Botërore. A është dashur që bota të rrinte duarkryq dhe të shikonte sesi Hitleri i vriste të gjithë çifutët në Gjermani? Dhe lufta në Kosovë është luftë e drejtë, edhe përkundër faktit që kjo luftë po zhvillohet në mënyrë të gabuar. Kthimi i të gjithë refugjatëve në vendlindjen e tyre! T’i jepet fund dëbimeve dhe masakrave! Kërkesa legjitime. Mirëpo, shtrohet pyetja sesi të realizohen këto kërkesa, pa e rrëzuar Milosheviqin nga pushteti?
17. Noel Malcolm (Historian britanik)
Tani objektivi është bërë fare i thjeshtë: të mundësohet kthimi i të gjithë refugjatëve kosovarë nëpër shtëpitë e tyre. Një objektiv të tillë opinioni publik perëndimor e kupton dhe miraton dhe në vendet kryesore të NATO-s është dhënë pëlqimi për të kryer çfarëdo hapi, që do të jetë i nevojshëm për realizimin e misionit, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e trupave tokësore. Atij që pretendon se NATO është përgjegjëse për provokimin e fushatës së spastrimit etnik, i duhet përgjigjurse edhe sikur kjo të ishte pjesërisht e vërtetë, kjo vetëm se e shton detyrimin moral të qeverive të Aleancës për të siguruar një mundje të plotë të politikës së Milosheviqit.
18. Gabriel Partosh (Analsit i BBC)
Motivi moral që shtyu NATO-n të ndërmerrte një fushatë ushtarake ishte dëshira për të ndaluar një katastrofë humanitare në Kosovë. NATO-ja i realizoi objektivat e saj në Kosovë. Largimi i makinës represive të Beogradit nga provinca bën të mundur kthimin në shtëpitë e tyre të shumicës dërrmuese të refugjatëve dhe rivendosjen e vetëqeverisjes. Edhe stabiliteti rajonal është forcuar. Arsyeja kryesore e largimit të serbëve nga Kosova qe tërheqja që këtej e të gjitha forcave serbe brenda njëmbëdhjetë ditëve nga përfundimin i konfliktit.
19. Janosz Bugajski (analist amerikan)
Tani zyrtarët serbë pretendojnë se popullsia e Kosovës është sa gjysma e asaj që është në të vërtetë, duke ngushtuar kështu edhe më shumë mundësitë e kthimit. Një skenar negativ do të ishte ndarja e Kosovës. Ky propozim është bërë karrem për të tërhequr disa diplomatë dhe delegacione. Këtij grepi i kanë rënë edhe disa kongresmenë naivë amerikanë që mendojnë se një “zgjidhje” e tillë do t’i jepte fund shpejt luftës (…) Është krejt e qartë se, pas një dekadë terrori, çdo lëkundje ose pavendosmërie vetëm sa inkurajon Beogradin. Pavarësisht nga pakënaqësitë e shprehura nga opinioni publik dhe manovrat e propagandës serbe, NATO nuk duhet të shmanget nga synimet që i ka vënë vetes.
20. Salman Ruzhdi (shkrimtar britanik me origjinë indiane)
Është krejtësisht ndryshe t’i bëhesh krah krimit, ashtu siç bën Peter Handke, me një dozë të theksuar ku çmenduria përzihet me cinizmin. Ndërhyrja e NATO-s është plotësisht e justifikuar nga të gjitha ato vuajtje e sfilitje njerëzore që shohim përnatë në ekranet e televizorëve; t’ia veshësh ndërhyrjes së saj tragjedinë e refugjatëve nuk është as më shumë, as më pak, sesa të nxjerrësh të larë policinë serbe nga krimet që ka kryer. Duhet thënë e stërthënë që faji për terrorin dhe viktimat bie mbi shpatullat e të gjithë atyre që kanë kryer vrasje e akte terrorizmi. Peter Handke e marrëzinë e vet është shndërruar në bashkëfajtor të një prej tmerreve më të mëdha që ka parë njerëzimi, po për fat nuk zotëron kurrfarë pushteti.
21. Tahar Ben Jelloun (shkrimtar algjerian)
Perëndimi po merret me Milosheviqin ashtu siç u mor edhe me Sadamin: duke menduar se ka të bëjë me një njeri të logjikshëm, një politikan të përgjegjshëm për veprimet e veta. Por ja që nuk është kështu. Ka më shumë se një vit që Milosheviqi po zbaton panin e vet të “spastrimit etnik” në mënyrën m rigoroze që mund të bëhet, pa iu lënë vend ndjenjave, emocioneve apo sensit moral të gjërave. Ashtu si në Bosnjë e në Kroaci, edhe në Kosovë, ai po ndjek me konsekuencë sipërmarrjen e vet barbare.
22. Edgar Morin (sociolog francez)
Tragjedia e sotme në Kosovë ishte paralajmëruar që nga viti 1989, datë kur Milosheviqi i hoqi autonominë kësaj province jugosllave. Spastrimi etnik i caktuar për Kosovën u parafytyrua në spastrimet e luftës së Jugosllavisë nga viti 1992 në vitin 1995. Që nga ajo kohë, presidenti Rugova më kot lëshoi pa ndërprerë alarmin në kryeqytetet perëndimore me qëllim që ata të ndihmonin lëvizjen e tij të rezistencës paqësore dhe demokratike për të rifituar autonominë e humbur. Politika evropiane e strucit vazhdoi deri më 1998.
23. Alain Toranine (filozof francez)
Ky eksod biblik nuk mund të jetë i krahasueshëm me ato pak qindra të vdekur serbë, me shkatërrimin e vendndodhjeve ushtarake apo të një pjese të fabrikave. Nuk ak zgjidhje të kësaj krize pa eliminimin total dhe përfundimtar të Milosheviqit. Ka dymbëdhjetë vjet që ky diktator komunist i konvertuar në nacionalist po drejton lojën. Këtë bëri në Bosnjë, ku la të masakroheshin qindra e mijëra myslimanë, për të braktisur pastaj serbët e Bosnjës dhe këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen, në Vojvodinë dhe gjetiu.
24. Timothy Gartosh (historian britanik)
Gjermania nën Hitlerin nuk pushoi së zmadhuari, ndërsa Jugosllavia nën Miloshevqin nuk pushoi së zvogëluari. Megjithatë është i sigurt dhe i drejtë argumenti i presidentit Klinton mbi politikën e “pajtimit”: sa më shumë vonohemi në përballjen e agresionit të diktatorëve, aq më i madh është çmimi që duhet paguar. Miloshevqi e di. E di që humbja e Kosovës është në të vërtetë ajo që do të ngrejë furinë popullit serb kundër tij. Për këtë arsye, ka pak të ngjarë që brenda një afati të shkurtër të dorëzohet.
25. Misha Glenny (historian britanik)
Eksodin e shqiptarëve të Kosovës nuk e ka shkaktuar NATO. Por veprimet e saj e kanë rënduar problemin. Strehimi i refugjatëve nuk do t’i shërbejë programit brutal të serbëve të pastrimit etnik, siç kanë thënë disa. Shumica e shqiptarëve, që në rastin e parë do të ktheheshin me shpejtësi në Kosovë. Ndjenja nëpër maqedonasit është se NATO është duke vepruar si forca ajrore e UÇK-së.
26. Shimon Peres (Ish ministër i Jashtëm i Izraelit, fitues i çmimit Nobel për Paqen)
Dikush mund të pyes se çfarë kuptimi ka një samit i fituesve të çmimit Nobel për Paqen, ndërsa bëhet luftë në Kosovë dhe Jugosllavi, ku ndodhin tmerre dhe masakra. Ashtu si papa, edhe novelistët e paqes nuk kanë ushtri, por zëri i tyre meriton të dëgjohet. Ndoshta, përballë kësaj lufte, mund të mendohet se në vitin 1999 do të jetë vështirë të jepet një çmim Nobel për paqen. Por pavarësisht nga kjo, unë nuk e kam humbur besimin te njeriu.
27. Andrea Glauksmann (filozof francez)
E drejta jonë për ndërhyrje nuk është tjetër veç një e drejtë kundërndërhyrjes. Është po Milosheviqi ai që i ktheu civilët në skllevër. Është barbaria raciste që bëri të nevojshëm një antiluftë humanitare. Në fund të një shekulli mbushur me eksperiencat nga më të këqijat, shtetet demokratike bëhen aleate për të pastruar vendin nga pastruesit. Evropa lind në një Prishtinë të lirë.
28. Amos Oz (shkrimtar izraelit)
I vetmi aspekt pozitiv i tragjedisë së Kosovë është që gjenocidi nuk konsiderohet më si një problem i brendshëm i vendit ku konsumohet. Ky është një progres në krahasim me 50 vjet më parë, kur pjesa më e madhe e kombeve e konsideronin gjenocidin si një problem të brendshëm: maksimumi protestonin, pro nuk ndërhynin. Dhe meqë gjenocidi është e keqja maksimale, është e drejtë që një reagim që kryen një gjenocid të dijë që nuk është më imun nga ndërhyrja e jashtme. Shpresoj që kjo të bëhet një zgjidhje universale.