Miho Gjini: NJË BIZNESMEN SHQIPTAR NË FLORIDA
Intervistë
-Ja, ky është restauranti “LEOS PIZZA ITALIANO”, jo më shumë se pesë minuta nga Doountaun në Jaxconville të Floridës,-tha ai, duke më rrëfyer fotografinë e lokalit të tij në Amerikë, duke më “ndezur” kërshërinë e gazetarit dhe për ta “sulmuar ” me pyetje të mërguarin e dikurshëm të Fermës Socialiste të Borshit, Leandro Çanin, të sapo kthyer nga kontinenti i largët i Kolombit e i Ameriko Vespuçit. Ai qëndron tani para meje, në njerën nga ato tryeza të “Ujvarës” së Borshit, ku e filloi punën e jetën e një kuzhinieri të thjeshtë, për t’u bërë Master Chef e pronar i këtij lokali që unë po e shihja me admirim në atë kartolinë të përtejoqeanit.
-Pa shiko,- të lutem,- a njeh kënd këtu, nga ata të viteve 60 të shekullit të kaluar,-nis unë ta bezdis.
-Jo… Janë krejt të rinjë, që nga pronari e gjer te kuzhinierët e kamerierët… Nuk ka ndryshuar vetëm rrapi shekullor dhe ujëvara… Atë burrin që është ulur aty, i vetmuar, m’u dukë sikur e njihja, po ai nuk më mbante mend fare… Kanë kaluar tri dekada! Qe, thuajse fëmijë atëhere… Sot ai është pronari i “Ujvarës”. E them se e ka sistemuar mirë mjedisin, duke shfrytëzuar bukur relievin e pjerët nën degët e rrapit dhe shpërndarjen e tryezave midis ujrave që degëzohen, gurgullojnë e zbresin mëtëposhtë bregut të burimit… Është krijuar një resurs i këndshëm edhe për turistët e huaj…
-Ndërsa jeta yt, ama, vajti mëtëlartë këtyre brigjeve,- e ndërpres unë…
-Njeriu synon gjithmonë për më mirë e ka ambicje për një punë, për një jetë me të sigurt e për një ëndërr… Ne e kemi origjinën nga Kudhësi, nga ai fshat rrëzmali që e rrahin erërat e që detin mund ta shohësh vetëm, po të ngjitesh në malet e vetëtimave! Nevojën për ndyshim e kam që nga të parët e mi. Stërgjyshi, Gavril Çani qe njeri i maleve, një trim që gjurmonte e luftonte kaçakët-hajdutë e keqbërës të këtyre anëve të ashpra, po gjyshi Sokrat Çani,- donte detin më shumë. Dhe, i tha mendja e shpirti se edhe ne duhej të jetonim këtu në Borsh, buzë detit, ku edhe linda unë, dy vëllezërit e mi më të vegjël e motra… Qe viti 1959. U vendosëm në një barangë që kishte ndërtuar Ferma e Borshe e sapo krijuar. Në Kudhës mbeti vetëm xhaxhai, Thoma Çani,-një njeri i leshtë dhe poet që shkruante vjersha e nuk u tund pej andej. Dhe nuk bëri keq, kur ne jetonim në atë barangë!
-Dhe jeta nisi nga nga kjo barangë?
-Po… Pa shumë buzëqeshje… në varfërinë e saj, me një fëmijëri të hidhur. Pa ditur se çdo të isha e çdo të bëhesha… Se, nga shkolla fillore, prindërit më dërguan në një shkollë zooteknike, që ishte hapur në Delvinë… E mbaroj atë dhe më sjellin po këtu që të merrem me gjënë e gjallë të fermës… Gjersa u u hap një kurs njëvjeçar për kuzhinier pranë hotel “Arbana” në Tiranë dhe përfundova atje. Më priu fati,-si ta them…
-Me sa di unë, atëhere, kulinaria nuk ekzistonte si një art i mirëfillt, me kurse mujore, apo një a dy vjeçare, por, tek shkruaja një libër për “Divën Shqiptare” Margarita Xhepa, ra fjala edhe për ty, si një specialist i mirë i kuzhinës, që preferohej nga grupi i tyre i xhirimit i instaluar në Borsh…
-E vërtetë kjo! Po qe e ndërsjell miqësia:Unë isha i magjepsur nga arti i filmave që kishin xhiruar më parë, mbetesha pas tyre në sheshet e xhirimit, ndërsa ata lëvdonin gatimet e mia, që unë mundohesha “t’i qaja” me ato që kisha mësuar në kursin tim “të famshëm”, po edhe me ato që më kishte mësuar nëna ime kudhësiote! E kështu u bëra miku i tyre, si kuzhinier i tyre i preferuar: me Margaritën po e po, por edhe me Kadri Roshin e Sulejman Pitarkën, me Agim Qirjaqin e Anastas Kristoforin. E preferoja sidomos Kadriun që vente e vinte edhe nga peshkimi, duke i sajuar edhe një meze të veçantë, me raki, e duke e pritur gjer vonë… Dhe e dëgjoja, gojhapur, si të ishte shënjtor…
-Me sa di unë, i dashur Leandri, ju u ndodhët më mbrapa edhe para një “filmi real”: me arrestimin e vëllait tënd më të vogël, bashkë me tre të rinj të tjerë, që donin të aratiseshin drejt Korfuzit e që u kapën në mes të detit, u torturuan dhe u zvarritën rrugëve me një “Zetor” të vjetër , si në shekujt primitivë!
Para nesh ra nje heshtje e zymtë. U drodh dhe mbylli sytë. Dëgjohej vetëm fëshfërima e gjetheve të rrapit e shpërthimi i ujit të vrullshëm nga rrëza e malit….
– Kjo ngjarje e tmerrshme ndodhi kur po lëkundeshin themelet e shtetit. Me rrëzimin e monumentit, akti i vëllait tim u konsiderua si “ëndërrim rinor drejtë lirisë” dhe u lirua nga burgu. Dhe, sapo erdhi koha që ta kapërcenim kufirin që të tre vëllezërit, pa u hapur mirë shtegu me tela me gjëmba, nga ana e maleve dhe e përrenjve, drejt tokës së fqinjëve, ku ai donte të shkonte. Po, sa morëm frymë si njerëz të lirë, duke menduar se e kishim kaluar kufirin, na i “veshën” me një breshëri automatiku rojet tona “vigjilente” dhe s’pamë se nga vamë, të tmeruar… Qe ende natë, si në të aguar… Dikush u vra, dikush ra në humnerë… E vetëm në të aguar ramë në duart e policisë greke, që na trajtuan ca më njerëzisht, kur na panë ashtu, të tmerruar, të gërvishur e të përgjakur…
-Një roman më vete ky episod i trishtuar…
– Akoma nuk e besoj se si mbeta gjallë e, akoma më tepër, që do të me ndihmonin të vazhdoja punën time si kuzhinier në një tavernë greke të Pehanisë, që banorët e hershëm, arvanitasit, e qunin “Lopëz”… Taverna quhej “Gllaros”… që do të thoshte “Pulëbardha” dhe ky emër shpendi i detrave, do më printe vërtetë, si një shtegëtim tjetër prej pulëbardhash… Një shoqatë bamirëse amerikane, “Agjensia Lutheran Servic” do të interesohej për ne të emigruarit nga Shqipëria e do të realizohej edhe bamirësia jonë drejtë tokës së bekuar nga Zoti!…
-Me sa kuptova, do të ishte pikërisht kjo agjenci, që mori në duart e saj jetën tuaj të mëvonshme dhe që do të sugjeronte edhe dy arte të tjera kulinarie: greken dhe atë amerikane. Si “fije magjike” , thuajse të padukshme, që krijuan “urën” Borsh-Athinë-Jaxconville?
-Patjetër… E që do shënonte një kapitull krejt të ri të jetës tonë… Po sa mbërritëm atje, për habi, isha gati që të kthehesha përsëri në Borsh, -po të qe e mundur… Se isha shumë i lidhur me prindërit e me tim vëlla, kovaçin Sokrat, që kishte marë emrrin e gjyshit e që e therrisnim Bebi, po që i shëmbëllente më tepër stërgjyshit Gavril, me atë shëndet e mjekër të zezë e të dëndur, si të kaaçakëve… Fillova punë përsëri si kuzhinier, me një pagesë fare të vogel e me orë të gjata pune… Piqnim e tregëtonim këmbë e kofsha pulash të pjekura. Merrja vetëm 4 dollarë e e 25 cent në orë! Fare pak! U detyrove të bëjë një punë të dytë në restorantin “Pica Italiano”, gjer më 17 jenar të vitit 1995, kur u bëra ortak me një grek në një tjetër restorant, të cilin, vetëm në vitin ’97, do ta bëja timin me një punë kolosale. Dhe vetëm pas 20 vitesh do të arrija në lokalin e ri, që e pe në foton që të tregova. Qe viti 2013… Një vit që mbaronte me numrin 13, pra me fat! Hahahahahahaah…
-Ky është një restorant familiar shqiptar, nëse mund ta quajm kështu?
-Po. Me afro 10 punonjës, duke filluar nga unë, nga gruaja ime, deri tek dy fëmijët e mi, të lindur në SHBA.
-Po tani që zotrote ndodhej këtu, kush e drejton biznesin tënd, atje?
-Im bir, Stiven Çani… I madhi… Tashmë me përvojë amerikane!
-Po i vogëli, me se merret?
-Ah… ai, sa e pa veten të rritur, mbaruar edhe shkollën e lartë, erdhi e më tha: “I dashur Baba! Këtu s’ka vënd për mua dhe unë kem menduar e vendosur qe të hap biznesin tim”! Dhe ashtu bëri, qerratai… Angjelo Çani tasmë ka biznesin e vet, në një kompani për gjelbërimin e qytetit tonë të madh, me një pasion të çuditshëm për lulet, për bimët ekzotike, për artin dhe të bukurën…
-Tradita e gatimit mbetet shqiptare?
-Ah, jo …”sipas vendit edhe kuvendi”. Resatoranti është i traditës italiane, që aty preferohet shumë, po edhe shqiptare e amerikane. Respektoj në këtë drejtim gustot e kërkesat e klientëve të mi, që shumica janë vendas, po që e preferojnë restorantin tim e gatimet e mia të traditës shqiptaro-italiane… Për klientët e mi nga Shqipëria kam debulesën t’u reduktoj edhe çmimet e asortimenteve e t’i largoj sa më të kënaqur. Më ka qëlluar që po ata klienë, të me vijnë përsëri, pas vitesh të tëra, me shkolla të larta të mbaruara, si mjekë, inxhinierë, avokate e projektues veprash… Po edhe kolegë në biznese të ndryshme….
-Gjithçka shkon “fjollë”, si themi ne?
-Jo gjthmonë… Kur vajta unë në atë qytet gjeta shumë pak banorë, rreth 430 mijë, ndërsa tani janë katërfishuar e numërohen një milion e treqind mijë njerëz… Është bërë nje qytet i madh, modern e i zhurmshëm. Secili nga banorët ka makinën e tij që lëviz, po trafiku është rënduar kaq shumë sa bëhen edhe aksidente. E do të ndodhte që të aksidentohej rëndë edhe ime shoqe, Kristi. Dikush e kaloi fanarim me drita të kuqe e me shpejtësi skëterre dhe e godti makinën e saj, duke u’a përmbysur atë. Brenda makinës qenë edhe dy fëmijtë e mi, atëhere të vegjël në moshë, njeri 2 vjeç e me i madhi pesë. Ata u përmendën të parët e instikti për jetën i priu të thyejnë xhamat e të nxirrnin prej andej nënën e tyre pa ndjenja, gjersa të vinte ndihma e parë… Kishin shpëtuar jetën!
-Gjithsesi ëshë mirë, kur gjithçka mbaron mirë,-thotë fjala e urtë e popullit….Ju FITUAT!
-FITOVA, PO EDHE HUMBA… humba prindët që i desha aq shumë dhe më qan zemra për vëllan që nuk e gjeta më këtu, për kovaçin Bebin e Çane!
Ai e hodhi vështrimin andej nga fusha e Borshe, midis ullinjëve të dendur, ku ishte kovaçana e të vëllait dhe ai rrihte hekurat e fermës së dikurshme, me vare e çekan… Sokrati i Çanajve, që i ngjante aq shumë stërgjyshit, po edhe aktorit amerikan Bad Spenser!
Piqeras, më 3 gusht 2021.
Please follow and like us: