Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: In memoriam, Hysen Biberaj!

10 vjet më parë ndërroi jetë Hysen Biberajt — një burrë i njohur i Malësisë së Gjakovës dhe një patriot i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan prej disa dekadash – përfaqësues i një brezi atdhetarësh shqiptarë anti-komunistë që, fatkeqësisht, nuk janë më. Fjala e rastit shtë mbajtur ditën e varrimit më 10 gusht, 2011.  Ai u varros në lagjën Ferfeks të shtetit Virxhinia, jo larg Uashingtonit, i përcjellur në jetën e amëshuar nga qindra bashkatdhetarë dhe miqë amerikanë të familjes të ardhur nga shtete të ndryshme të SHBA-ave. Gjatë ceremonisë përkujtimore, Frank Shkreli, një mik i ngusht i Hysenit dhe i familjes Biberaj e kujtoi mikun e tij me këto fjalë:

“E nderuara familja Biberaj, të afërm, miq e dashamirë të Hysenit dhe të familjes. Jemi këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një burri malësor, i cili kurrë nuk iu përul rrethanave të vështira dhe asnjëherë nuk iu nënshtrua padrejtësisë dhe hipokrizisë. Hysenin e kam njohur për pothuaj 40 vjet më parë, pasi isha njoftuar me të birin, Elezin në universitetin Lehman në Nju Jork, në fillim të 70-ve. Ç’prej asaj kohe deri më sot, Hyseni – megjithëse unë nga Shkreli i Malësisë së Madhe e ai nga Tropoja e Malësisë së Gjakovës — ai më bëri pjesë të pandarë të familjes së tij mbasi ai dhe familja u shpërngulën nga Nju Jorku në Uashington, kur i biri i tij Elez Biberaj filloi punën në Zërin e Amerikës. Për këtë e falenderoj nga zemra. Si shumë prej nesh, pjesën më të madhe të jetës së tij, Hyseni e kaloi jashtë Ardheut. Me të ardhur në Amerikë, Hyseni iu përvesh punës së rëndë për të rritur 8 fëmijë, me përpjekje dhe mundime të pandërprera e me cilësi të rralla ndershmërie, ndërkohë që posedonte një vizion pothuaj të përpiktë, duke e bërë familjen e tij një shembull të pashoq, jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për vendin e adaptuar – Amerikën. Nuk e besoj se mund të gjendet ndonjë familje tjetër shqiptare me më shumë diploma universitare e post-universitare se familja e Hysen Biberajt. Përgjegjës për këtë fakt ishte vetë Hyseni, i cili i ndihmonte, i këshillonte e bile i shtynte fëmijtë e vet– djem e vajza – të vazhdonin shkollën e të kryenin universitetin. Si rrjedhim, familja Biberaj ka në mesin e saj autorë e publicistë, bisnismenë, avoketën e llogaritarë.

Meritat e kësaj familjeje janë të mëdha. Dje, ish-ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, Zoti Rajerson, i cili erdhi për të shprehur ngushëllimet e tij familjes për humbjen e babait e gjyshit të tyre, në bisedë e sipër u shpreh se Amerika i ka borxh Hysen Biberajt për kontributin që ka dhënë familja e tij për këtë vend. Ai ra dakord se edhe Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar i ka borxh kësaj familje për kontributin e dhenë për lirinë e demokracinë që shqiptarët gëzojnë sot në Ballkan.

Megjithëse pa ndonjë shkollë të madhe, Hyseni e dinte mirë historinë e kombit tonë. Ai i njihte mirë, pasi kishte qenë dëshmitar, vuajtjet e papërshkrueshme të popullit tonë gjatë dekadave të shekullit të kaluar nën komunizëm – një histori kjo burgimesh, internimesh, ekzekutimesh publike dhe vrasjesh të fshehta në burgjet e Enver Hoxhës dhe të komunizmit jugosllav.

Hyseni ishte gjithmonë i informuar mirë pasi ndiqte me kujdes lajmet mbi zhvillimet aktuale në trojet tona dhe ishte gjithmonë i gatëshëm për të biseduar në lidhje me to. Më kujtohet se gjatë torturave çnjerëzore e masakrimeve kundër shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave kriminale të regjimit terrorist të Millosheviçit, Hyseni shpesh shprehte mërzinë e madhe dhe ankohej se pse botës nuk i vinte keq dhe pse nuk reagonte rreth krimeve që po ndodhnin në Kosovë dhe pyeste se si ishte e mundur që nuk revoltohej ndërgjegjja e të gjithë shqiptarëve ndaj këtyre krimeve.

Atdhedashurinë Hyseni e kishte traditë në familje e farefis. Çdo gjë dhe çdo aktivitet që ndërmirrte Hyseni – duke filluar nga përkujdesja për familjen që ishte prioriteti numër një për të – e deri tek nismat për të ndihmuar shqiptarët në nevojë, siç ishte ndihma e tij për viktimat e përmbytjeve në rrethin e Shkodrës vitin që kaloi – Hyseni i bënte me qëllimin më të lartë altruist dhe për hir të naltësimit të emërit të mirë të kombit të vet.

Hyseni nuk i kurseu askujt mbështetjen dhe përkrahjen e tij.  Gjatë viteve në Amerikë, ai bëri me qindra garanci për emigrantët shqiptarë të shpërndarë anë e mbanë rrugëve të Europës, sidomos në Itali. Kushdo i kërciste në derë të Hysen Biberajt, aty gjente ngushëllim e ndihmë miqësore e mikpritje shqiptare, bile në shumë raste edhe për të panjohurin – një frymë miqësore kjo mikpritjeje që ka dalluar kombin tonë nga të tjerët me shekuj dhe një veti kjo që ka lartësuar moralin e tij në jetën dhe veprimtarinë e përditshme.

Hysen Biberaj ishte simbol i gjallë i brezit të tij që, fatkeqësisht, po zhduket dal nga dalë – brez ky që jetën e vet e jetonte duke u bazuar në ndihmën e Zotit dhe në vlerat e virtytet e pastra që dallojnë kombin tonë – urtësinë, nderin e burrëninë dhe të cilët e donin dhe vendosnin interesat e Shqipërisë dhe të Kombit mbi ato personale.

Gjatë dekadave të fundit, shtëpia e Hysenit këtu në Virxhinia, afër Uashingtonit, ishte si të thuash një ndalesë e detyrueshme e udhëheqësve më të lartë shqiptarë nga të gjitha trojet si dhe pjesëtarë të ajkës kulturore e artistike të kombit që vinin për vizita zyrtare në Uashington. Si anëtar të familjes që më konsideronte, unë isha gjithmonë i ftuar në shtëpinë e Hysenit kur kishte vizitorë të tillë. Më kujtohet se në raste të tilla, Hyseni fliste pak, por fjalët e tija ishin të peshuara mirë dhe të matura, e në frymën më miqësore.

Megjithëse e ndiente veten të kënaqur në shoqërinë e personaliteteve të tilla – atij i shkonte biseda sidomos me Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova – gjatë një periudhe që po shkruhej historia moderne e Kombit – Hyseni mbi të gjitha ishte shembull si bashkshort, si prind dhe si gjysh. Për festën e Bajramit dhe për raste familjare, në shtëpinë e tij, paraqitej dhe shfaqej një skenë e lumnueshme kur të gjithë fëmijtë viheshin në rend për të përshëndetur gjyshin. Fytyra e Hysenit pasqyronte një kënaqësi të mendjes dhe të shpirtit.

Skena të tilla shpesh më kujtonin traditën tonë, kur dikur mblidheshim rreth votrës në frymën më të shëndoshë të dokeve tona, kur rreth zjarmit të votrës mblidhej e gjithë familja e në krye të votrës rrinte i zoti i shtëpisë. Jam i sigurt se nipat e mbesat e Hysenit, dashtë e pa dashtë, janë influencuar nga shembulli dhe parimet e të zotit të shtëpisë – këtij burri fisnik e të ndershëm.

Kështuqë trashëgimia e Hysenit, megjithëse në dhe të huaj dhe larg Tropojës së tij të dashur — për familjen e tij dhe për të gjithë ne që e kemi pasur fatin e mirë për ta njohur – do të jetë një kujtim dhe një dëshmi e gjallë që lëshon rreze njerëzie ndaj vlerave më të mira të Kombit tonë, për dekada në të ardhmen.

Hyseni ndërroi jetë pasi ka përmbushur me ndërgjegje të plotë dhe me nder të gjitha detyrimet e tija ndaj familjes dhe ndaj Atdheut.  Prandaj kujtimi i tij do të mbetet i gjallë, jo vetëm në zemrat e familjes së tij, në zemërat e miqëve, shokëve e dashamirsëve të tij – por mbi të gjitha edhe në historinë e qendresës anti-komuniste shqiptare.

Fatkeqësisht, me Hysenin sikur po mbyllet një periudhë historike e një brezi që vështirë se mund të zevendësohet leht. Hyseni ishte jo vetëm simbol, por edhe një anëtar krenar i këtij brezi, brez i cili mbi të gjitha donte të mbante lartë –para botës –nderin e Shqipërisë etnike, brez ky i cili tërë jetën punoi për rivendosjen e drejtësisë dhe lirisë për mbar Kombin shqiptar. Ishte ky një brez i pas Luftës së Dytë Botërore që e kishte kuptuar se komunizmi ndërkombëtar do t’i sillte Kombit shqiptar dëme të papërshkrueshme, pasojat e të cilit nuk do shlyhen për një kohë të gjatë.

I dashur Hysen – të qoftë e lehtë toka e lirë e këtij vendi të madh e bujar, për të cilin vetë, fjalë të mira fole gjithmonë. Të falendroj nga zemëra për dashuninë dhe miqësinë ndaj meje dhe familjes time. Qoftë i përjetëshëm kujtimi i yt dhe i Madhi Zot të dhashtë qetësi në jetën e pasosur.

Familjes së dashur Biberaj dhe mbarë farefisit këtu dhe anë e mbanë trojeve tona – shprehjet më të gjalla me ndjenja përdhimtimi — me urim që këte dhimbje tua këthejmë në gëzime mbas sodit”.

*Fjala e lamturmirës e Frank Shkrelit në varrimin e Hysen Biberajt më 10 gusht, 2011 në Virxhina, afër Washingtonit. Ripublikohet në 10-vjetorin e vdekjes së tij.

Please follow and like us: