Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Jo! Historia nuk do të përsëritet!

Sot është planifikuar të këndojë në Korçë, Goran Bregoviç. Kjo nuk është një ngjarje e rastësishme, po është pjesë e një plani antishqiptar të fabrikuar në bodrumet e errta e famëkeqe të Moskës e Beogradit. Ky plan po i afrohet si një ajsberg i madh, gjigand e monstruoz që do ta mbyt anijen e kombit shqiptar në lundrimin e saj drejt Europës. Ne tani për tani mund të shohim vetëm dy nga majat e këtij ajsbergu shkatërrues: marrëveshjen e “Ballkanit të hapur” dhe vizitën e Goran Bregoviçit në Korçë. Edhe vëzhguesi më pasiv, madje dhe ata që duan qëllimisht të mbyllin sytë, me siguri kanë ndjerë se të dyja këto ngjarje nuk kanë qenë bekime, por e kundërta e saj. Këto dy ngjarje kanë shkaktuar në një kohë të shkurtër shumë dhimbje e shumë e përçarje brenda popullit shqiptar. Frytet e planeve të tilla i kemi parë e vuajtur për breza me rradhë. Të gjithë ata që kanë vuajtur për breza me radhë e ndjenë në ADN e qënies së tyre se po përsëritet historia, se aleanca e forcave më të errëta antishqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë janë në veprim. Është për të çuditur verbëria e disa shqiptarëve të cilët po reagojnë me të njëjtin naivitet e verbëri si në kohën e firmave piramidale. Në atë kohë pjestarë të familjes sime m’u kundërvunë me forcën më të madhe kur iu thashë: “Jo Xhaferri, po as Rokfelleri, po të kish vendosur t’i falte të gjitha paratë e tij nuk do të kish mundësi të jepte interesa në përqindje kaq të larta! Si mund të besoni në një mashtrim të tillë, që kur u bë deti kos, që kur u bë Xhaferi Rokfeller”!

E çfarë nuk më quajtën, e me çfarë mllefi?!

Tani gjendja është disi më ndryshe, po prapë ka jo pak që reagojnë në mënyrë të ngjashme kur iu them: “Kur ishte në pushtet Sllobodan Millosheviçi na duhej të armatoseshim dhe të zinim pozicion në bunkere për të mbrojtur kufijtë; tani që në Serbi është në pushtet neo-Millosheviçi Vuçiç, i njëjti Vuçiç që ish ministër i qeverisë së Millosheviçit, i njëjti Vuçiç që deklaronte se për një serb të vrarë ai do të vriste 100 boshnjakë (SS-ët për 1 SS të vrarë, vrisnin vetëm 10); tani po hapen kufijtë, po hiqen doganat dhe po i lejohet Vuçiçit të përdorë portet e gjithçka që kemi pa taksa pa doganë sikur t’i kishte të tijat! A ka diçka për të dyshuar? Që kur na u bë ujku qengj e hasmi vëlla”?

Pale po të marrish guximin të flasish kundër Goran Bregoviçit, çfarë nuk të thonë, çfarë nuk dëgjon…

Na flasin për dashurinë, faljen, tolerancën. Nuk janë të paktë ata që më thonë se nuk e paskam njohur dashurinë e faljen… Sipas tyre dashuri na qenka të injorosh kërkesën e familjeve të qindra viktimave e t’i hapish derën neo-Millosheviçit Vuçiç dhe të kërcesh me muzikën e Goran Bregoviçit! Madje disa na thonë se kjo, injorimi i viktimave e miqësia e dyert e hapura me kriminelët na qenka dashuria e Jezu Krishtit!

Atyre që na përmendin emrin e dashurinë e Jezu Krishtit duam t’u kujtojmë faktin se njësitet më kriminale paramilitare pretendonin se vepronin në emrin e Jezu Krishtit. Arkani dilte demonstrativisht në fotografi me kryqin në qafë. Nderimi ushtarak që ata kishin ishte të ngrinin tre gishta lart. Kjo është huazuar nga tradita e Kishës Ortodokse. Të gjithë e dinë se në kishën Ortodokse përdoren tre gishta për të bërë kryqin në lutje. Njësitet paramilitare e përdornin këtë lloj nderimi për të treguar se lufta që ata bënin ishte një luftë e shenjtë. Tani sekush që e quan vetveten të krishterë duhet të flasë për vetveten se ku qëndron. Unë mund të bëj një deklaratë personale: Unë vij nga një familje ortodokse, kam lindur në Korçë dhe kam jetuar në Pogradec deri në kohën kur jam larguar nga Shqipëria. Deklaroj se besimi Ortodoks që ka praktikuar familja e fisi ynë dhe jo vetëm fisi ynë po të gjithë Ortodoksët Shqiptarë që njoh është krejt e kundërta me atë që shqiptarët e Kosovës e Bosnjës e kudo kanë parë e përjetuar nga Kisha Ortodokse e Serbisë. Babai im që në botën letrare njihet me pseudonimin e tij letrar Mirosh Markaj, po që sipas traditës ortodokse ish pagëzuar me emrin Themistokli thosh dhe ma ka lënë si amanet: “Të ngresh tre gishta lart, gishtat që ne i ngrehim për të bërë shënjën e kryqit e pastaj të vrasish, dhunosh e masakrosh është blasfemia më e madhe! Këta i takojnë Antikrishtit dhe jo Jezu Krishtit të vërtetë! Bibla dhe tradita jonë e Ortodoksisë Shqiptare na mëson ne se Antikrishti dhe ata që ndjekin atë janë armiqtë më të mëdhenj të Jezu Krishtit dhe besimtarëve vërtet të krishterë”!

Goran Bregoviçi është pjesë e atyre që e quajnë vetveten luftëtarë për idenë e “Serbisë së madhe”. Nuk është rastësi që këngët e tij u bënë hymne për bandat e çetnikëve. Çetnikët e quajnë luftën e tyre luftë të shenjtë, njësoj si xhihadistët. Çetnikët nuk do të lejonin kurrë të përdorej si hymn nga ana e tyre një këngë e cila nuk ishte nga një autor i cili do të ishte pjesëtar i lëvizjes së tyre. Goran Bregoviçi, nuk ka luftuar me pushkë, por ka luftuar e vazhdon të luftojë me muzikën e tij për idenë e Serbisë së madhe, ashtu si luftonte me penën e tij edhe shkrimtari i madh Leon Tolstoi dikur. Leon Tolstoi luftonte për idenë e “Serbisë së madhe” sepse ish bindur se ky ish një ideal i drejtë nga kisha e tij Pravosllave Ruse. Për Leon Tolstoin idealin që i kish mësuar kisha ish ideali më i lartë, e njëjta gjë është e vërtetë për Goran Brgoviçin. Shumë vetë irritohen nga fakti se babai i Goran Bregoviçit ishte kroat, se gruaja e tij është myslimane e vetëm nëna e tij ishte serbe, pra dhe Goran Bregoviçi nuk ka se si të jetë fanatik. Ky lloj arsyetimi është naiv. Xhihadistët nuk pyesin se çfarë origjine ka nëna, baba apo bashkëshortja e personit që bëhet pjesë e rradhëve të tyre. Për ata mjafton që personi të jetë i përkushtuar për të luftuar për idealin e tyre xhihadist. I njëjti parim është dhe me idenë xhihadiste të “Serbisë së madhe”. Serbët që nga viti 1920 e deri sot i bëjnë roje nderi e vendosin kurora te varri i një myslimani shqiptar, te varri i Esad Pashës. I bëjnë nderime deri sot sepse i shërbeu idesë së “Serbisë së madhe”. E nderojnë megjithëse ishte shqiptar, megjithëse ishte mysliman. Nuk ka rëndësi për serbomëdhenjtë se çfarë origjine ka babai apo gruaja e Goran Bregoviçit. Rëndësi për ta ka përkushtimi i tij ndaj idesë së “Serbisë së  madhe”. Dhe përkushtimi i Goran Bregoviçit ndaj idesë së “Serbisë së madhe” është i sigurt, prandaj edhe ata zgjodhën dhe këngët e tij si hymne të luftës së tyre. Besnikëria e Goran Bregoviçit ndaj idesë së “Serbisë së madhe” po ashtu edhe antishqiptarizmi i tij u duk në koncertet që ai dha në Selanik ku luftonte me muzikën e tij që të ndaleshin bombardimet e NATO-s në mënyrë që Millosheviçi të realizonte planin e tij kriminal në Kosovë. Disa na thonë: Ku thotë në tekstin e këngëve të Bregoviçit: “Shfarosni Shqiptarët”! Ne nuk jetojmë as në Antikitet e as në Mesjetë. Natyrisht sot askush nuk mund të dalë me një tekst të tillë hapur. Po të dilte, karriera e tij në arenën ndërkombëtare do të merrte fund menjëherë. Edhe Vuçiçi që dikur bënte deklaratat: “Për një serb do të vrasim 100 boshnjakë” nuk bën deklarata të tilla para Parlamentit Europian. Edhe po të shikosh fjalimet e Millosheviçit, të Adolf Hitlerit para tij, po të mos njihje faktet do të bindeshe se të gjithë këta diktatorë kanë vepruar në vetëmbrojtje legjitime, se në fakt viktimat e tyre janë fajtorët e vërtetë. Asnjëri nuk del me deklarata të hapura që do të provonin krimin e tyre. Po a ka ndryshuar Vuçiçi, a kanë ndryshuar qëllimet e tij strategjike? Sigurisht që jo!

A ka ndryshuar Bregoviçi? Patjetër që jo! Para disa vitesh jepte koncert në Selanik që të ndalonte bombardimet e NATO-s (madje mbidhte fonde edhe për ushtrinë në front), që të mund të realizohej strategjia e Millosheviçit, tani do të vijë të këndojë në Korçë për të ndihmuar strategjitë e Vuçiçit e Ramës. Tani, duan apo nuk duan të poshtrit ka një Zot, ka një Zot të Vërtetë! Ai ka dëgjuar britmat e viktimave, ka parë lotët, gjakun e pafajshëm të derdhur nën tingujt e muzikës së Goran Bregoviçit! Bibla na thotë se Zoti nuk e injoron e as nuk e harron britmën e të mjerëve as nuk e harron gjakun e derdhur. Bibla gjithashtu na thotë se ata njerëz që e injorojnë britmën e kërkesën e të mjerëve, ata njerëz që injorojnë gjakun e pafajshëm të derdhur nga kriminelët, ata që favorizojnë kriminelët dhe injorojnë viktimat sjellin një mallkim mbi vetveten, familjet e qytetin e tyre. Këto nuk janë fjalët e mia, këto janë fjalët e Zotit. Lutja imë është që Zoti të ketë mëshirë për ata që flasin e veprojnë të shtyrë nga padituria e verbëria. Le të vijë gjithë mallkimi mbi ata që me ndërgjegjje të plotë përgatitin e bëhen pjesë e planeve të tilla të poshtra! Mos lejo o Zot që të triumfojnë dredharakët, mashtruesit e të poshtërit! Le të bjerë mbi ta e keqja e mallkimi që ata duan t’i sjellin popullit shqiptar! Le të kapen të poshtërit në rrjetën e tyre, le të bien në gropën që kanë hapur vetë!

Deri tani shpesh të poshtërit kanë triumfuar.

Mos lejo o Zot që historia të përsëritet!

Po me besim te Zoti i vërtetë themi: Historia nuk do të përsëritet! Në emrin e Jezu Krishtit të Vërtetë! Amin!

Agim Neza & Çerçiz Loloçi: Krime serbe në Kosovë (7)

Please follow and like us: