Cikël poetik nga Eden Babani
Dialog i pakuptimtë
– A të ndihmoj dhe unë?
– Jo, jo, se na prish punë.
– Po pse ju prishkam punë?
– Hiqu, mos na lodh shumë!…
Atë që e di unë,
s’ka pse ta dish dhe ti!
– E pse të mos e di?
Ison e mban një tjetër.
– Jo, jo, se je i ri.
– Shyqyr që s’jam i vjetër,
shyqyr që jam i ri,
diç të mësoj dhe unë.
– Atë e di Ai.
Ngule në tru,
Ai, vetëm Ai
Atë pranverë
Zili s’do kisha pasur asnjeri,
mjaft të të qeshte buza dhe njëherë,
mjaft të të ndrinin sytë dhe njëherë,
si atëherë.
A e mban mend atë pranverë?
Flladitje
Ti dridhu ndonjë mbrëmje kësaj ane,
ani se në dritare s’ka njeri,
ani se pas dritares
përgjumësh errësira
dremit në qetësi.
Aty,
mes errësirës tinëzare,
përleshur me mendime rrokopujë,
përgjoj me padurim
të ngjitet sipër flladi yt i lehtë,
të dridhet,
të përvidhet,
të hyjë ëmbël në dritare
si me fletë…
Dashuri vjeshtake
Të putha në nëntor,
kur bota ish ngado e verdhë.
E verdhë ish dhe puthja ime…
Pa dridhej buza si një gjethe e zverdhur,
pa strukej puthja si një gjethe e hedhur.
Eh, dashuri vjeshtake…
E zbehtë posi pamja e nëntorit,
e nxehtë si tetori në mesditë,
e ftohtë si mesnatë e errët vjeshte.
Lodra rinore…
Ai bënte sikur donte,
ajo hiqej sikur s’donte.
Njëri matej të afrohej,
tjetra kinse po largohej.
Ai hidhej e përdridhej,
ajo shtihej sikur dridhej…
– Bb-rr-rr, sa ftohtë,
ndiej mornica,
thua se paska rënë ngrica.
Por seç donin,
seç nuk donin
edhe vetë s’e kuptonin…
E kuptonin, s’e kuptonin…
ishin lodra apo naze,
si dikur, kur ishin taze?…
Kënga e bekriut 1)
Të rrokullisa
gotë e rakisë!
I lumi unë, ç’të rrokullisa,
i mjeri unë seç u shastisa,
seç u batisa.
Ma dogje grykën,
ma ndeze zemrën…
Seç më trullose,
gotë e rakisë,
m’i hoqe zhelet e skllavërisë,
më veshe rrobën e dhëndërisë…
Raki e hidhur,
raki e ëmbël,
ma shove brengën,
ma shtove këngën,
ma zgjate jetën,
ma ndrite ëndrrën.
Ç’e prapë qenke,
gotë e rakisë!
Seç ma punove me të pabesë,
më le në pritje,
më le me shpresë,
më përpëlite,
s’ më le të vdes…
_________________
- Qejfli i gotës